A close-up of table tennis player Rhikesh Taucoory with the ball appearing to hover just in front of his face. Photo by Mark Kolbe.

FOTOGRAFI SPORTIVE

I njëjti sport, perspektiva tjetër: si të bëheni krijues me fotografinë sportive

Ju pëlqen sporti, por nuk dini si ta shkrepni në forma unike e zbavitëse? Me pak praktikë mund të mësoni të realizoni poza që do t'ju ndihmojnë të rijetoni çastet më të goditura të lojës.

Këtu, pesë fotografë profesionistë sportivë ndajnë teknikat e këshillat e tyre krijuese që kanë mësuar gjatë viteve duke mbuluar ndeshjet e turnetë sportive anembanë rruzullit. Qoftë nëse shkrepni me Canon EOS 90D apo Canon EOS-1D X Mark II, parimet e fotografisë janë po ato. Mësoni si të ngrini në mënyrë ideale një goditje nokauti, si të paraqisni turmën në mënyrë që përcjell emocione të vërteta, si dhe si të përdorni zmadhimin e dhe inkuadrimin për të shkrepur diçka krejt ndryshe në këtë udhëzues fitimtar të fotografisë sportive për fillestarë.

1. Zmadhoni pamjen për inkuadrime interesante

Fotografi i "Getty Images", Mark Kolbe, i cili e ka shkrepur këtë foto me një top pingpongu që duket sikur qëndron pezull mbi kokën e lojtarit, na shpjegon historinë pas kësaj poze: "Këtë pozë e nxora për 'Getty Images' të parën hera që kam fotografuar ndonjë lojë pingpongu. E dija se pamjet serioze të lojtarëve që gjuajnë shërbimin janë gjithnjë të preferuara nga publiku i gjerë, kështu që pashë për lojtarë që kishin ndonjë stil të pazakontë apo të ndryshëm shërbimi.

"I hodha një sy murit të kuq të sallës dhe ishte pikërisht Rhikesh Taucoory i Mauriciusit që më ngjalli kureshtje – jo vetëm për nga stili i shërbimit, por edhe për nga mënyra se si llambat e forta të varura i bënin dritë mbi kokë. Loja kishte ecur mjaft, pa më lënë dhe shumë kohë të shkrepja ndonjë pozë që ideoja me mendje. Përdora objektiv fiks gjatësie fokale 400 mm, pasi e dija se nëse do të arrija të nxirrja gjithçka siç duhet, zmadhimi do të më lejonte të kapja më së miri hedhjen e topit dhe përqendrimin intens të lojtarit. Isha duke shënjuar për topin mu mbi kokën e tij, me të dyja sytë të fiksuara mbi të që të arrija të përcillja atë përshtypjen e ngritjes së topit në ajër. Kjo ishte dhe arsyeja tjetër përse e shkrepa foton me kaq shtrëngim me objektiv 400 mm: desha ta veçoja kokën e tij dhe topin në pozë përkundër sfondit të kuq. Toleranca për gabim s'është e madhe kur shkrep kaq ngushtë, por këmbëngula me vete dhe tek shërbimi i tij i tetë dhe i fundit, topi, sytë dhe hedhja për shërbim zunë fill të gjitha sa e arrita më në fund pozën."

Këshilla e Mark-ut për të simuluar këtë inkuadrim të tij interesant është: "Kur zmadhoni pamjen për t'u fokusuar tek aksioni, përpiquni të planifikoni që më parë nëse keni mundësi që t'i paraprini çastit kur mendoni se do të arrini pozën më të bukur, dhe shkrepeni menjëherë sapo gjërat vijnë në vijë ashtu siç e menduat! Shpesh me objektivat me zmadhim ka një tundim të fortë për të zmadhuar, zvogëluar e rizmadhuar pamjen... çka mund të bëjë që të humbisni fokusin. Do të keni më shumë shans të shkrepni një moment të bukur nëse bëni durim: fiksojeni te gjatësia fokale që keni menduar të shkrepni dhe prisni derisa të shfaqet pamja për të cilën synoni."

Nëse dëshironi rezultate të ngjashme me modelin Canon EOS 90D, provoni ta çiftoni me objektivin Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USM. Kur përdoret në zmadhim të plotë, do të keni mundësi të qëndroni në vijat anësore dhe ende t'ia dilni mbanë të nxirrni detaje mahnitëse, teksa sensori 32,5-megapikselësh APS-C i Canon EOS 90D ju lejon t'i afroheni edhe më shumë aksionit duke rritur rrezen efikase telefotografike.

2. Ngrini momentet kyçe

Fotoreporterja sportive e "Canon", Elizabeth Kreutz, e cila ka shkrepur dhe foton më lart të boksierëve në mes të ndeshjes, thotë se ngrirja e aksionit në çastin më të gjetur është një aftësi që ia vlen të mësohet. "Për këtë pozë të Manny Pacquiao dhe Timothy Bradley Jr. Përdora objektivin Canon EF 70-200mm f/2.8L IS III USM për pamje të ngushtë në mënyrë që kapja dramatizmin dhe fuqinë e një grushti të fortë. Më pëlqen momenti i kësaj fotoje: lidhja mes grushtimin, grimasës në fytyrën e Manny-t, shtrëngimin e muskujve dhe djersët që fluturojnë nga të dy boksierët, si dhe dritat e skenës që shndrisin mes të dyve."

Për të ngrirë një lëvizje të tillë, Elizabeth pohon se është e rëndësishme "të jesh gjatë gjithë kohës në gatishmëri". Ajo sqaron se ndihmon gjithashtu dhe përgatitja e kamerës për të shkrepur një tufë të vazhduar pozash: "Zgjidhni modalitetin Shutter Speed dhe aty një shpejtësi shkrehësi mbi 1/1000 e sekondës. Do t'ju duhet gjithashtu ta vini kamerën në modalitetin Continuous Shooting për kuadro maksimale në sekondë.” Canon EOS 90D mund të shkrepë 10 kuadro në sekondë (fps), që do të thotë se keni shanse të mira t'ia dilni të nxirrni pozën e dëshiruar mes tyre.

Kur vjen puna te fokusimi, Elizabeth preferon të ketë kontroll të plotë: "Unë përdor vetëfokusim njëpikësh dhe e ndryshoj manualisht gjatë ndeshjes për të krijuar pikën time të fokusit dhe kompozimin tim. Kjo do që të ushtroheni pak, sidomos me boksierët e shpejtë," - pohon ajo. Nëse nuk dëshironi të bazoheni te vetëfokusimi njëpikësh, edhe vetëfokusimi me gjurmim (AF) – i cili ofrohet në shumë prej kamerave të "Canon", mes të cilave dhe Canon EOS 90D – ju bën të mundur të fokusoni e gjurmoni një subjekt kudo që të lëvizë në kuadrin tuaj, çka dhe është një ndihmë e madhe në fotografinë sportive.

3. Bëhuni krijues me turbullimin e lëvizjes

Tom Jenkins është një fotograf sportiv për gazetat e tirazhit kombëtar "The Guardian" dhe "The Observer" në Britani, si dhe ish-përfaqësues nderi si Canon Ambassador. Ai rekomandon të eksperimentoni me turbullimin e lëvizjes për të përcjellë një ndjesi shpejtësie e emocioni, ashtu si në foton më sipër. "Këtë pozë e nxora për 'The Guardian' për bateritë 1500 m për meshkuj," - pohon ai. "Gara nuk ishte e ndonjë profili veçanërisht të lartë, kështu që vendosa të eksperimentoj me shpejtësi të ulëta të shkrehësit dhe duke kombinuar ekspozime të ndryshme. Po përpiqesha të ilustroja lëvizjen e vrapuesve dhe të isha ca krijues me ngjyrat e fanelave, pantallonave dhe atleteve, si dhe me tabelat e pikëve të stadiumit. Pozën që kërkoja e arrita pas disa përpjekjesh duke lëvizur me vendndodhjen dhe shpejtësinë e shkrehësit, plus ndiqja me kamerë lëvizjen e vrapuesve teksa shpejtonin bri meje. Kjo foto përbëhet në fakt nga dy kuadro të kombinuara në kamerë, ku unë zvogëlova me të shpejtë pamjen mes dy ekspozimeve.

"Kurdo që kam rastin të eksperimentoj kështu, përfitoj gjithnjë mësime të reja: çfarë funksionoi, çfarë nuk funksionoi. Përpiqem t'i ruaj këto njohuri, duke shpresuar se një ditë mund të ketë ndonjë sport tjetër ku mund të përdor të njëjtën teknikë."

Këshilla e Tom-it për ju është: "Eksperimentoni me shpejtësinë e shkrehësit, zmadhimin dhe panoramizimin e kamerës suaj. Unë kam një Canon PowerShot G7 X Mark II dhe është fantastike për panoramizim në shpejtësi të ulëta shkrehësi. Për mendimin tim, fotot me panoramizim funksionojnë më mirë nëse ndodhesh paralel me aksionin, kështu që mendoni për pikën ku do të qëndroni dhe nëse mund të ketë ndonjë vend më të mirë për ta shkrepur pozën.

4. Shkrepni nga pozicione nga s'e pret kush

Fotoreporteri i shtypit, Marc Aspland, është kryefotografi sportiv i njërës prej gazetave të më të mëdha të tirazhit ditor në Britani, "The Times". Ai është gjithashtu përfaqësues nderi si Canon Ambassador të cilit i pëlqen ta mbajë aparatin e aksesorët në pika strategjike për të nxjerrë foto të ndryshme, si p.sh. kjo foto e një gare me kuaj. "Pozën në fjalë e kam shkrepur duke përdorur në kamerë me telekomandim nga afro 18 metra largësi. E vura kamerën, të lidhur me transmetues, poshtë shinave duke u siguruar që të kisha tabelën e fitores në kuadër. Kur e pashë që kali po kalonte vijën e finishit, shkrepa një tufë prej 12 kuadrosh në sekondë (fps) për t'i dhënë kamerës në distancë mundësitë optimale të shkrepjes së momentit. Për fatin tim, kali fitues hyri nga ana e brendshme e pistës, kështu që duket dhe më i madh në kuadër, ndërsa kali numër dy që ka hyrë në mes duket shumë më i vogël.

"Ajo që e bën të veçantë këtë pozë është dhe se kali është në mes të revanit; ndriçimi është i mirë, kështu që mund të dallohen të gjitha detajet në formë, muskujt e kalit dhe fytyra e kalorësit; plus kalorësi fitues ka veshur një portokalli verbuese - po të ishte me të zeza mund të mos binte dhe aq shumë në sy. Dhe, natyrisht, është dhe tabela e fitores."

Për të simuluar qasjen e Marc-ut, mund ta pozicioni kamerën dhe ta telekomandoni duke përdorur aplikacionin Canon Camera Connect në celular (nëse kamera juaj ka Wi-Fi) ose duke përdorur telekomandë me valë. Përndryshe, mund të përdorni ekranin rrotullues të kamerës (nëse ka) për të shkrepur nga vende e kënde të pazakonta. "Shkëputuni nga pikat e zakonshme," thotë Marc. "Larg pozave formulaike që i gjen me tepricë; larg pozicioneve ku mendoni se 'duhet' të rrinë të gjithë fotografët.

"Nëse shkrepni disa të rinj që luajnë futboll, qëndroni prapa zonës së golit ku rri fëmija në pellgaçe gati për t'i bërë ballë sulmuesit të radhës – ideja është të kuptoni situatën dhe të gjeni se çfarë pa të pazakontë."

5. Përdorni ambientin për t'i dhënë një pamje krejt të re

Përfaqësuesi i nderit si Canon Ambassador dhe fotografi sportiv, Andrey Golovanov, thotë se ambienti ku zhvillohen disa aktivitete sportive mund t'u shtojë një element tjetër interesi fotove tuaja. "Vendosa të fotografoj maratonën e Moskës për qejfin tim në vitin 2014, pasi dy vite më parë më kishin punësuar për të nxjerrë portretet e vrapuesve që përfundonin garën," - thotë ai. "Kështu, i njihja hollësitë e punës dhe vendet më të mira për fotografi përgjatë itinerarit të garës: qyteti i Moskës dhe argjinaturat e Kremlinit. Vendi i parë që zgjodha ishte qyteti i Moskës, me sfondin e vet të rrokaqiejve. Atje gjeta një pellgaçe ideale në asfalt ku pasqyroheshin kullat e Kremlinit, ndërsa mund të shkrepja ndërkaq dhe këmbët e vrapuesve. Mendoj se kjo pozë është spektakolare dhe fitova vendin e parë në kategorinë "Të pazakonta" në "Sportfolio Festival" të Francës.

"Këshilla ime për fotografët e rinj është t'i ushtrojnë aftësitë e tyre duke shkrepur kompozime interesante në aktivitetet vendore ku mund të marrin pjesë me lehtësi, se sa të marrin rrugët drejt kampionateve botërore. Maratonat përbëjnë sport ideal për fotografi, pasi rëndom janë të hapura për gjithkënd. Shumica e vendeve ofrojnë gjatë vitit ndonjë formë gare distancash të gjata dhe keni plot kohë e shanse për të luajtur me teknikat tuaja e për t'i perfeksionuar.

"Hidhini një sy ambientit ku po shkrepni dhe përfytyroni ndonjë mënyrë krijuese se si mund ta rrëfeni ngjarjen nga ana pamore. Për shembull, nëse mund ta lëvizini ekranin, përpiquni të shkrepni nga këndvështrime të pazakonta, si p.sh. nga sipër turmës, nëpër turmë, apo të shtrirë përtokë. Përdorimi i pasqyrimeve, si p.sh. i këtij pellgut këtu, është një stil tjetër i mirë. Shikoni për ujëra të ndenjura apo dritare të shndritshme, qofshin nga makina apo ndërtesa - madje edhe syzet e diellit bëjnë punë mirë. Pastaj është thjesht çështje që sa më shumë ushtrohesh, aq më të mira dhe fotot.

Shkruar nga Natalie Denton

Artikujt e lidhur
A Canadian player tackles an Irish player in a rugby match. Photo by Richard Heathcote.

FOTOGRAFI SPORTIVE

Fotografia e aksionit: Këshilla nga një profesionist

Mësoni rreth fotografisë së sporteve me aksion nga kjo seancë mentorimi me një mjeshtër të çiklizmit malor.

Sports photographer Dave Rogers stands next to rugby player Martin Johnson on the pitch.

FOTOGRAFI SPORTIVE

Si të godisni në shenjë me fotot sportive

Kryefotografi sportiv, Dave Rogers, ndan 10 këshillat dhe teknikat e tij më të mira për të përmirësuar fotot tuaja sportive.

The story behind the shot

FOTOGRAFI SPORTIVE

Historia pas fotos

Pesë fotografë profesionistë sportivë ofrojnë këshilla se si të shkrepni foto të spikatura sportive.

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

"Get Inspired" është burimi juaj kryesor i këshillave të dobishme të fotografisë, udhëzuesve të blerësit dhe intervistave inteligjente - gjithçka që ju nevojitet për të gjetur kamerën më të mirë ose printerin më të mirë dhe të krijoni ide të ardhshme krijuese.

Kthehu tek të gjitha këshillat e teknikat