Merrni kohën në dorë – eksploroni videot e ngadalësuara, përshpejtuara dhe me intervale të gjata

Mësoni si të shkrepni kohën dhe lëvizjen në një mënyrë të re krijuese, me këshilla nga regjisori i videopërshpejtimeve dhe i intervaleve të gjata, Matthew Vandeputte.
Regjisori Matthew Vandeputte përdor kamerën nga një pozicion i ngritur mes ndërtesave të qytetit. © Pete Jobson

Duke luajtur me kohën dhe lëvizjen në videot tuaja mund të nxirrni në pah një botë që është normalisht e fshehur nga pamja – të ngadalësoni aksionin e shpejtë ose të përshpejtoni dukuri të gjata si p.sh. lindja e diellit ose lëvizja e reve në qiell. Këtu regjisori specialist, Matthew Vandeputte, tregon teknikat e tij për shkrepjen në të gjithë spektrin e kohës, nga videongadalësimet te videopërshpejtimet dhe intervalet e gjata.

Thelbi në të gjitha këto teknika është shpejtësia e kuadrove. Kjo përcakton shpejtësinë e regjistrimit dhe të luajtjes së filmimeve me kuadro në sekondë (fps). Shpejtësitë më të zakonshme standarde për regjistrim dhe luajtje janë 25fps ose 30fps. Filmat janë zakonisht 24fps, ndaj 25fps jep një pamje më "kinematografike", ndërsa 30fps është më e qartë dhe preferohet shpesh për shkrepjen e sporteve dhe të lajmeve me lëvizje të shpejtë, për shembull.

Nuk ka rëndësi çfarë zgjidhni, por normalisht shpejtësitë e regjistrimit dhe të luajtjes duhet të përkojnë me njëra-tjetrën. Për të realizuar filmime të ngadalësuara duhet të regjistroni me shpejtësi më të lartë kuadrosh – nëse regjistroni në 50fps, për shembull, dhe e luani këtë me 25fps, atëherë të gjitha lëvizjet do të shfaqen në gjysmë shpejtësie.

Për të përshpejtuar kalimin e kohës duhet të regjistroni në shpejtësi më të ulët kuadrosh. Duke shkrepur 25 kuadro individuale për kohë të gjata dhe duke i luajtur në 25fps, mund të ngjishni minutat, orët dhe madje edhe ditët në një video njësekondëshe. Kështu krijohen videot e përshpejtuara dhe me intervale të gjata. Intervali i gjatë është një lloj videopërshpejtimi ku ka lëvizje të kamerës. Videopërshpejtimi si rregull shkrepet në stativ ose në ndonjë nivelues për kontrollin e lëvizjes, që kamera të qëndrojë thuajse në të njëjtin vend, por për intervalet e gjata lëvizet edhe pozicioni i kamerës për çdo foto.

Një qiell i shndritshëm blu përplot me re të bardha.

"Videopërshpejtimi është një mënyrë e mirë për të krijuar një pozë bazë ose prezantuese për një skenë apo vendndodhje të re, si p.sh. një peizazh natyror apo peizazh urban," - shpjegon Matthew. "Intervali i gjatë është më shumë si pozë me efekt special ku je duke e shpënë shikuesin nëpër një udhëtim. Siç më ka thënë një herë një regjisor, është si fluturim nëpër kohë dhe hapësirë."

Matthew është një regjisor dhe videoredaktor i specializuar në krijimin e filmimeve mbresëlënëse që ndërthurin kohën reale dhe videongadalësimet me teknika të veçanta videopërshpejtimi dhe intervalesh të gjata. Puna e tij është përdorur komercialisht dhe mund të shikohet në Netflix, National Geographic dhe Discovery Channel.

"Pashë një videopërshpejtim astrofotografie në internet kur isha ende në shkollën e filmit rreth 11 vite më parë dhe thjesht më la pa fjalë," - thotë ai. "Unë kisha një EOS 600D [tejkaluar tani nga Canon EOS 850D] asokohe dhe e kuptova se kisha mundësi dhe unë të bëja videopërshpejtime. Ndaj e shkrepa sekuencën time të parë atë natë dhe që asokohe nuk kam ndaluar më së shkrepuri të tilla."

Një rrugë qyteti me makina që ndalojnë në dritat e semaforëve.

Teknika e videopërshpejtimit dhe e intervalit të gjatë

Videopërshpejtimi dhe intervali i gjatë kërkojnë të dyja shkrepjen e fotove në intervale të rregullta. Për videopërshpejtime, Matthew këshillon të shkrepni minimumi 300 foto, "pasi kjo ju jep të paktën 10 sekonda video, qoftë nëse luani në 25fps apo 30fps."

Një numër kamerash EOS, duke përfshirë Canon EOS R6 dhe EOS RP kanë kohëmatës të integruar për intervale që mund të automatizojë procesin për ju, si dhe një modalitet shkrepjeje Time-lapse Movie që krijon videoklipe gati për shpërndarje nga kamera. Matthew preferon ama t'i ruajë fotot individuale si skedarë RAW, pasi kjo i jep më shumë opsione kur vjen puna te pasproduksioni. Pas procesimit të imazheve të tij RAW, ai zbaton stabilizim digjital në Adobe After Effects* dhe e bën redaktimin përfundimtar në Adobe Premiere Pro.* Por videopërshpejtimet mund t'i filloni së krijuari dhe nga një grup fotosh JPEG në një sërë programesh, mes të cilave dhe programet falas iMovie në Mac apo MakeAVI në Windows.

Për intervalet e gjata, Matthew pohon se kaq shumë kuadro mund të mos jenë praktike. "Nëse të duhet të shkrepësh 300 foto për interval të gjatë, mund të të duhen orë të tëra për të lëvizur stativin dhe riinkuadruar çdo pozë. Dhe për shumicën e fragmenteve me interval të gjatë nuk të duhet sekuencë aq e gjatë. Ndaj do të sugjeroja më mirë që të shkrepnit të paktën 120 foto. Gjithashtu rekomandoj që secila foto të shkrepet manualisht ndërsa përpiqeni të jeni konsistentë me intervalin mes çdo poze. Nëse nuk mbështeteni në shkrepjen e automatizuar me interval dhe nuk jeni gati të inkuadroni skenën kur mbaron kohëmatësi, atëherë mund t'ju duhet t'ia nisni nga e para."

Shpejtësia e lëvizjes që duhet të kapni në videopërshpejtime apo intervale të gjata do të përcaktojë intervalin për të përdorur mes çdo fotoje. Subjektet e shpejta mund të kërkojnë intervale të shkurtra për pak sekonda, ndërsa subjektet e ngadalta, si p.sh. ndonjë lule në rritje apo frutë në kalbje, mund të kenë nevojë për diferenca disaminutëshe.

Një peizazh urban në lindjen e diellit, me re që rrokullisen sipër.

Si të shkrepni videopërshpejtime dhe intervale të gjata

Nëse shkrepni diçka në afërsi për një periudhë të gjatë, do t'ju duhet të merrni parasysh ndriçimin artificial për t'u siguruar që kushtet e ndriçimit të mos ndryshojnë shumë rrënjësisht. Në peizazhet natyrore dhe urbane ama, ndryshimi në dritë me kalimin e kohës mund të jetë pikë kryesore interesi në pamjet tuaja. Aksesori kritik në cilindo rast është stativi, pasi nëse kamera lëviz mes pozave, atëherë objektet fikse duket sikur "dridhen" të trazuara dhe objektet në lëvizje sikur kërcejnë jonatyrshëm. Për një interval të gjatë efikas, kamera duhet të duket sikur lëviz shtruar, jo me dridhje.

"Për intervalin e gjatë duhen tri elemente," - thotë Matthew. "Natyrisht të duhet subjekti dhe një gjurmë apo vijë për t'u ndjekur. Kjo mund të jetë drejt objektit apo larg tij, ose anash ose rreth tij. Dhe e treta që duhet është një pikë fiksimi që keni mundësinë ta mbani në të njëjtin vend në çdo foto." Zgjedhja e një pike fiksimi në skenë për ta mbajtur në të njëjtin pozicion kuadër pas kuadri e bën lëvizjen e kamerës të duket sikur rrotullohet rreth kësaj pike, ndaj duket e shtruar dhe pa kërcime. Për ta mbajtur pikën e fiksimit në të njëjtin pozicion, Matthew sugjeron ta theksoni me të njëjtën pikë AF në secilën pozë, ose të aktivizoni rrjetën pamore të kamerës.

Mund të shkrepni videopërshpejtim nga plani i afërt (për të nxjerrë çeljen e lules për shembull) ose nga kilometra larg (si p.sh. një pamje panoramike e reve që kalojnë mbi një peizazh). Mund të përdorni cilindo objektiv që i përshtatet skenës, por për punën e tij, objektivi i preferuar i Matthew-së ka qenë Canon EF 24-70mm f/4L IS USM dhe, me kamerat EOS R System, Canon RF 24-70mm F2.8L IS USM ose Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM, pasi rrezja fokale është ideale për subjektet e ndryshme që shkrep. Për intervalet e gjata ai këshillon të mos shkrepni kurrë më gjerë se 24mm, për shkak të rrezikut të shtrembërimit të perspektivës që kanë gjasë të shkaktojnë objektivat ultra të gjerë në skajet e kuadrit - "nëse shkrepni në 16mm për shembull dhe humbisni inkuadrimin nga njëra pozë në tjetrën me vetëm pak centimetra, atëherë nuk do të keni mundësi ta korrigjoni perspektivën e konturit në pasproduksion."

Një burrë me një xhup dhe kapelë leshi duke rregulluar cilësimet në një Canon EOS R6 përmbi një stativ.

Regjisori Matthew Vandeputte duke shkrepur një videopërshpejtim në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM. Ky është kompleti që ka përdorur për të gjithë shembujt e videove në faqen e tij. © Pete Jobson

Teknika e ngadalësimit të lëvizjes

"Videopërshpejtimet dhe videongadalësimet janë në anët e kundërta të spektrit kohor," - thotë Matthew. "Videopërshpejtimi i përshpejton gjërat, ndërsa videongadalësimi i ngadalëson." Kjo e bënë videongadalësimin ideal për shikimin e aksionit me lëvizje të shpejta që normalisht do të ishte shumë i shpejtë për ta çmuar.

Në shumë mënyra, videongadalësimi është më i lehtë për t'u shkrepur se videopërshpejtimi. Çdo kamerë në gamat aktuale Canon EOS dhe PowerShot (përveç PowerShot ZOOM) mund të shkrepë video me shpejtësi më të larta kuadrosh. Më të shpejtat ofrohen zakonisht vetëm kur regjistroni në videorezolucione të ulëta ama – EOS R6, për shembull, ofron 50fps dhe 60fps në 4K ose 100fps dhe 120fps në Full HD.

Nuk keni pse shkrepni në shumëfish të përpiktë të shpejtësisë përfundimtare të kuadrove - për shembull, mund të shkrepni në 120fps nëse e ofron kamera dhe ta ngadalësoni në 25fps në pasproduksion. Sa më e lartë shpejtësia e kuadrove kur shkrepni, aq më ngadalë duken gjërat kur e luani në shpejtësi normale.

Një burrë me një xhup dhe çantë shpine, duke ngjitur shkallët jashtë në qytet, duke mbajtur një Canon EOS R6 në njërën dorë dhe një stativ në tjetrën.

Stativi është kritik kur shkrepni videopërshpejtime, për të garantuar që kamera të mbetet pa lëvizur dhe që të lëvizin vetëm objektet përkatëse mes pozave. Matthew mban dhe një filtër ND, që mundëson përdorimin e shpejtësive më të vogla të shkrehësit dhe të aperturave më të mëdha, edhe në dritë të shndritshme. "Unë mbaj një ND 10-nivelëshe shumicën e kohës," - thotë ai. "Kjo më lejon të shkrep në f/4, që d.m.th. se pluhurat apo grimcat e mundshme në objektiv, filtër apo sensor të lihen jashtë pamjes falë turbullimit." © Pete Jobson

Përdorimi i i shpejtësisë së shkrehësit

Shpejtësia e shkrehësit është normalisht një nga mënyrat si kontrolloni ekspozimin, por edhe përcakton se si paraqiten objektet lëvizëse në imazh. Matthew paralajmëron se përdorimi i shpejtësive të larta të shkrehjes në videopërshpejtim apo intervale të gjata e ngrin të gjithë lëvizjen dhe shkakton kuadro tejet të mprehta, çka sjell mandej lëvizje me ngecje dhe ndërprerje kur kuadrot luhen si video. "Përdorimi i një shpejtësie më të ulët të shkrehësit për të turbulluar elementet në lëvizje, si p.sh. makinat dhe njerëzit që kalojnë, të jep me tërë mend atë efektin mahnitës."

Si të vendosni për shpejtësinë e saktë të shkrehësit?? "Për këto ka një të ashtuquajtur rregulli i 180-gradëshit për shkrehësin," - shpjegon Matthew, "i cili thotë se shpejtësia e shkrehësit për videoklipe duhet të jetë e anasjella e dyfishit të shpejtësisë së kuadrove. Pra, nëse shkrepni në 25fps, shpejtësia e shkrehësit duhet të jetë 1/50 sek. Kjo ju jep turbullimin më të këndshëm të lëvizjes dhe filmimet me pamje më kinematografike. Unë e zbatoj ende këtë rregull kur shkrep videongadalësime në shpejtësi të larta kuadrosh, si p.sh. shpejtësi shkrehësi prej 1/200 sek kur regjistroj në 100fps."

Edhe kur shkrep një sekuencë fotosh në shpejtësi shumë më të ulët kuadrosh për një videopërshpejtim apo interval të gjatë, -lapse, Matthew i qëndron rregullit 180-gradësh të shkrehësit, deri në njëfarë pike. "Nëse keni një interval katërsekondësh mes pozave, çka është më se e zakonshme për retë, atëherë duhet ta ekspozoni secilën foto për dy sekonda. Kur intervali juaj bëhet më i gjatë se kaq dhe shkon deri në minuta, atëherë mos u shqetësoni për rregullin – por unë rekomandoj së tepërmi të shkrepni gjithnjë me shpejtësi më të larta shkrehësi dhe mbi stativ."

Përdorimi i shpejtësive më të larta të shkrehjes bën që të mund t'ju duhet të përdorni një mënyrë tjetër për të kontrolluar ekspozimin, dhe kjo është arsyeja pse Matthew përdor një filtër ND për të reduktuar sasinë e dritës që hyn në objektiv. "Nëse shkrepni ditën, atëherë ju duhet një filtër vërtet i fuqishëm ND në objektiv për të arritur një ekspozim të mirë në shpejtësi më të ulët shkrehësi," - thotë ai.

Tani që keni të gjitha mjetet në dispozicion për të shkrepur kohën dhe lëvizjen në një mënyrë të re krijuese, përse të mos provoni një videongadalësim, videopërshpejtim apo interval të gjatë herës tjetër që do të shkrepni?


Shkruar nga Marcus Hawkins


* Adobe, Adobe Premiere dhe After Effects janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

Si të shkrepni filmim me interval në shtëpi

Modaliteti "Time-lapse Movie" e bën më të lehtë se kurrë zbulimin e botës së fshehur në lëvizje.

5 këshilla eksperti për shkrepjen e peizazheve me interval

Sillini peizazhet në jetë me këto këshilla eksperti për fotografinë me interval.

Si të shkrepni seri kohore

Mësoni si të konfiguroni pozat me interval ditë-natë dhe të krijoni një seri kohore që tregon kalimin e kohës në një figurë të vetme.

Krijoni një filmim me kuadro me kamerën tuaj EOS

Krijimi i një animacioni me kuadro është projekt argëtues që mund të angazhojë të gjithë familjen. Animatori profesionist, Ed Jackson, ju tregon si t'ia arrini.