FOTOGRAFIA URBANE

Këshillat kryesore për shkrepjen e fotografive urbane unike

"Fotografia urbane ka evoluar në dekadat e fundit – në ditët e sotme është më shumë eksperimentale, duke e marrë frymëzimin nga zhanre të tjera", thotë Andres McNeill.
Shkrepur nga pas, një siluetë kalon nëpër një urë të gjatë të varur drejt disa ndërtesave të larta njëra pas tjetrës. Shkrepur nga fotografi urban Andres McNeill.

Fotografia urbane ka ekzistuar për aq kohë sa kamerat kanë qenë mjaftueshëm portative sa për t'u transportuar me lehtësi. Është një zhanër që përfshin një gamë të gjerë stilesh, por përkufizohet lirisht si "imazhe spontane të shkrepura në publik". Shumica e njerëzve mendojnë se fotografitë tipike urbane i ngjasojnë stilit të Nju-Jorkut të viteve '60 deri në '80 – shkrepje me ritme të shpejta, ndonjëherë të bëra drejtpërdrejt në fytyrat e njerëzve. Megjithatë, edhe ajo ka evoluar si të gjitha llojet e fotografisë.

Në një epokë kur të gjithë kanë një telefon inteligjent në xhep, fotografët e mirëfilltë urbanë dallohen për cilësinë e pamjeve të shkrepura me kamerën e tyre dhe krijimtarinë e tyre. Ata mund t'i përmbahen stilit të lartpërmendur, por integrojnë konceptin unik të tyre në fotografitë urbane.

Të marrim si shembull Andres McNeill. Me vendndodhje në Glasgou, MB, ai ka arritur një numër të konsiderueshëm ndjekësish në rrjetet sociale për shkrepjet e tij dramatike, me temë arkitekturën e qyteteve skoceze. Për Andresin, ndërtesat janë të parat, pastaj vijnë njerëzit.

Këtu ai jep këshillat e tij për fotografimin në rrugë.

1. Vëzhgoni botën rreth jush

Dy silueta me çadra në duar kalojnë përpara një ndërtese madhështore mbresëlënëse. Shkrepur nga fotografi urban Andres McNeill.

Megjithëse Andres e merr frymëzimin nga arkitektura, atij i pëlqen të përfshijë edhe njerëz në fotografitë e tij urbane për të shtuar nuanca lëvizjeje, personaliteti dhe për ta gjallëruar shkrepjen. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/4L IS USM në 200 mm, 1/800 sek, f/4 dhe ISO 400. © Andres McNeill

Një burrë i moshuar duke ecur me bastun përgjatë trotuarit, i cili ngjason si shkurtabiq në raport me muret me tulla të kuqe të një ndërtese të lartë. Shkrepur nga fotografi urban Andres McNeill.

Shenjat rrugore dhe punimet prej metali në pjesën e jashtme të kësaj ndërtese bëjnë që sytë e shikuesit të fokusohen te silueta e të moshuarit që po ecën me bastunin e tij përgjatë mureve mbresëlënëse me tulla të kuqe. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/800 sek, f/2.8 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Kur Andres del për të bërë shkrepjet e ditës, ai nuk e mendon paraprakisht se ku do të shkojë, por thjesht reagon ndaj gjërave që sheh. Thënë kjo, ai e ka një ide se çfarë po kërkon. "​​Do të thosha se jam pak ndryshe nga shumë fotografë urbanë, pasi unë marr në konsideratë arkitekturën urbane", shpjegon ai. "Më pëlqen të tregoj shkallën e madhësisë. Dëshiroj të kem në fokus një ndërtesë të madhe dhe njerëz në plan të parë për të krijuar kontrast."

Andres endet rrotull derisa gjen një vendndodhje që mendon se mund të përbëjë një kompozim të fuqishëm dhe më pas bën gati kamerën e tij dhe pret. "Unë zgjedh një ndërtesë të bukur si sfond dhe personi që kalon përpara saj është thuajse dytësor", thotë ai. Ajo çka e bën ideal subjektin shpesh bazohet në një kopje vizuale ose rastësi, për shembull "një person i veshur me një bluzë jeshile duke qëndruar pranë një tabele afishimi ku del fotoja e një personi të veshur me një bluzë të gjelbër. Pra, gjëra të këtilla".

Kur fotografoni njerëz në një skenë, është e rëndësishme të keni në mendje pikën e fokusimit, pavarësisht nëse janë sytë e subjektit kryesor, fytyra e një personi qendror në një turmë apo dikush që ecën me nxitim në rrugë.

2. Gjeni një stil që ju frymëzon

Dy ndërtesa të zbukuruara në kuadër me hije, një ndërtesë e tretë e mbuluar nga rrezet e diellit në këtë fotografi urbane të shkrepur nga poshtë.

Avantazhi i përdorimit të ndërtesave të larta si kuadër brenda një kuadri është se mund të fotografoni në çdo kohë. "Nuk ka rëndësi nëse shkrepni në mes të ditës, që është zakonisht makthi i një fotografi, pasi dielli priret të jetë më i fortë, por mund të gjeni gjithsesi një kontrast të këndshëm ndërmjet dritës dhe hijes", thotë Andres. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/250 sek, f/2.8 dhe ISO 200. © Andres McNeill

Një person sheh dhe pret në stacion ndërsa treni i kalon përpara me shpejtësi. Personi është plotësisht në fokus ndërkohë që vagoni i trenit është i mjegulluar.

Arsyeja përse Andresit i pëlqen të krijojë pamje që duken si poza filmi është sepse kjo krijon një "imazh nostalgjik, pothuajse si Glasgou i fëmijërisë sime", thotë ai. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105 mm F4-7.1 IS STM në 1/6 sek, f/4.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Kinemaja është një pikë e rëndësishme reference për Andresin, i cili e kompozon pamjen "pothuajse si një pozë kontekstuale të një filmi".

Ai thekson se nuk ka "një qasje përgjithësuese" kur bëhet fjalë për fotografinë urbane në ditët e sotme. Gjërat që ia tërheqin vëmendjen Andresit më shumë janë format dhe modelet e ndërtesave, qofshin godina të epokës viktoriane të shekullit të 19-të ose strukturat e rastit të arkitekturës "brutaliste", që i gjeni në rrugët e Glasgout. Ai thotë: "Jam një adhurues i madh i vijave orientuese, që ju drejtojnë te një subjekt. Ndonjëherë, fotografoj një ndërtesë në secilën anë të kuadrit dhe më pas shkrep një foto me një person në mes, apo mbase edhe një taksi duke ardhur drejt meje".

"Ka plot mënyra për ta provuar", shton Andres. "Mënyra e vjetër konsistonte gjithmonë në përdorimin e gjatësisë fokale 35 mm, ndonjëherë duke shkrepur nga lartësia e ijëve, nga afër. Ndërsa tani përdorim një larmi gjatësish fokale. Nëse ndiheni disi introvertë, mund të përdorni një gjatësi fokale 85 mm ose 200 mm dhe të shkrepni nga ana tjetër e rrugës e të fotografoni një çast që mund t'ju humbasë nëse shkrepni nga gjatësia fokale 35 mm."

3. Integroni perspektiva krijuese

Shkrepur nga fotografi urban Andres McNeill, nga poshtë një ure, një ndërtesë dhe pemët reflektohen në një pellg të madh uji në rrugë.

Andres e ka bërë të duket interesante një pamje të rëndomtë, duke përdorur terrenin dhe pjesën poshtë urës si kuadro natyrorë dhe duke u siguruar që ndërtesa dhe pemët të jenë të reflektuara në pellgun e madh në rrugë. Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/1000 sek, f/3.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Një rrugë gjarpëruese me kalldrëm në Glasgou e shkrepur nga lart. Midis ndërtesave në të dyja anët varen flamuj shumëngjyrësh. Shkrepur nga fotografi urban Andres McNeill.

Shtojini larmi fotografisë suaj urbane duke shkrepur një rrugë nga lart, ose nga toka me fokus për lart. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 16-35 mm f/2.8L III USM në 16 mm, 1/160 sek, f/5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Për të krijuar pamje të veçanta, provoni të shkrepni nga kënde apo nga pika jo të zakonta. Një nga gjërat që i pëlqen Andresit në Glasgou janë perspektivat dhe rrafshet e ndryshme që mund të përfshijë në një kuadër për shkak se është peizazh tepër kodrinor. Relievi është gjithashtu fantastik për të fotografuar perëndimet e diellit.

Një tjetër teknikë e dobishme është të kërkojë pasqyrime në dritare apo sipërfaqe të tjera të shndritshme. Përveç dritareve, mund të provoni të eksperimentoni edhe me pellgje e lumenj për të krijuar kompozime interesante.

Nëse po shkrepni pamje në rrugë, merrni parasysh pikat unike të qytetit tuaj dhe përdorini ato për t'i bërë pamjet tuaja interesante dhe karakteristike tuajat.

4. Përdoreni motin në avantazhin tuaj

Një person i veshur me kostum të zi elegant që mban një çadër të zezë të madhe ecën me shpinë nga kamera përmes një rruge qyteti në mot me shi. Shkrepur nga Andres McNeill.

Izolimi për mbrojtje nga kushtet atmosferike i Canon nuk e ka lënë kurrë në baltë Andres, por ndonjëherë ai merr me vete edhe një mbulesë tjetër kundër shiut për kamerën e tij në rast se bie shi i rrëmbyeshëm. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/4L IS USM në 165 mm, 1/160 sek, f/4 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Një rrugë e ngushtë me kalldrëm në muzg, ku dritat e llambave që janë të varura ndërmjet ndërtesave reflektohen në pellgjet e ujit në rrugë. Shkrepur nga Andres McNeill.

Shpeshherë, të bësh "shkrepjen e duhur" është çështje kohe. Andres mund të qëndrojë për gjysmë ore në një njëjtin vend pa arritur të shkrepë pamjen që dëshiron, si për shembull të dikujt që afrohet drejt kuadrit. Por pasi gjeni një vendndodhje interesante, mund të ktheheni atje një ditë tjetër. Shkrepur në Canon EOS R6 me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 70-200mm f/4L USM në 1/250 sek, f/4.5 dhe ISO 3200. © Andres McNeill

Glasgou mund të jetë një mjedis i ndërtuar bukur, por është edhe një nga qytetet me më tepër lagështirë të Mbretërisë së Bashkuar. Andresi nuk e ka problem këtë. Në fakt, ai e kontrollon parashikimin e motit me shpresën se do të ketë shi. "Miqtë dhe familjarët e mi më urrejnë për këtë", tha ai duke qeshur.

"Punoj me kamera të EOS R System, pasi në sajë të rezolucionit të tyre shumë të lartë, mund të shoh çdo pikëz shiu", shton ai. "Shiu thjesht u jep imazheve një pamje krejtësisht të ndryshme nga ajo që do të shkrepnit në një ditë vere. Iu jep një pamje melankolike." Përveç kësaj, çadrat janë rekuizita të përsosura.

5. Tregoni respekt

Në një fotografi urbane të shkrepur nga Andres McNeill, një çiklist po nget biçikletën në një rrugë me kalldrëm përpara një ndërtese madhështore prej guri.

Në fillesat e tij Andres përpiqej të ecte në gjurmët e fotografëve urbanë të mëparshëm, që u afroheshin subjekteve sa më shumë të mundeshin. Që nga ajo kohë, ai ka arritur në përfundimin se "Nuk më pëlqen të cenoj hapësirën e njerëzve". "Nuk është në stilin tim". Shkrepur në Canon EOS R8 me objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM në 1/500 sek, f/4.5 dhe ISO 100. © Andres McNeill

Këshillohet të kontrolloni gjithmonë ligjet për fotografinë urbane të vendit ku planifikoni të bëni fotografi, por përgjithësisht shumica e shteteve e lejojnë fotografinë në vende publike, nëse nuk specifikohet ndryshe. Kjo përfshin fotografimin e këmbësorëve në rrugë dhe të njerëzve në vende publike, siç janë parqet.

Megjithatë, fotografimi i të panjohurve mund të jetë intimidues. "Thjesht tregohuni të drejtpërdrejtë për atë që po bëni dhe lejoni pasionin tuaj të rrezatojë", këshillon Andres, i cili zakonisht e shkrep foton dhe më pas, kur është e mundur, shkon e flet me subjektin dhe ia tregon se si duket në kamera. Mund të ofroni që gjithashtu t'ua tregoni pamjet, ose t'i jepni subjektit rrjetet tuaja sociale në mënyrë që t'i shohë pamjet në internet.

Shumica e njerëzve e mirëkuptojnë, por Andresi e fshin pamjen pa ngurruar nëse ia kërkojnë.

6. Përsosni kompletin tuaj për fotografi urbane

Dy duar që mbajnë një Canon EOS R8, të cilit i është vendosur një objektiv Canon RF 28 mm F2.8 STM.

Shkrepja e çasteve spontane dhe e skenave të pazakonta është një prej gëzimeve më të mëdha të fotografisë urbane, ndaj të kesh një kamerë me modalitet të shpejtë shkrepjeje në seri është ideale. EOS R8 mund të shkrepë deri në 40 fps me shkrehësin elektronik dhe ka gjithashtu një modalitet prej 30 fps RAW në seri me pararegjistrim, që ju mundëson të filloni të shkrepni skedarë RAW me një shtypje deri në gjysmë të obturatorit.

Madhësia kompakte dhe performanca në dritë të ulët e kamerave pa pasqyrë EOS R System të Canon, nga EOS R8 dhe EOS R6 Mark II me kuadër të plotë e deri tek APS-C EOS R10 dhe EOS R50, i bëjnë ato një zgjedhje ideale për fotografinë urbane.

Zakonisht Andres fotografon me shpejtësi të lartë shkrepjeje, në modalitetin e vazhduar në seri. "Dua ta fiksoj veprimin dhe nuk dua ta humbas shkrepjen", shpjegon ai.

Zakonisht, fotografët urbanë përdornin objektivë 35 mm ose 50 mm, ngaqë janë më afër mënyrës se si syri i njeriut e sheh botën dhe, për rrjedhojë, krijojnë një perspektivë natyrale. Canon RF 50 mm F1.8 STM dhe RF 35mm F1.8 MACRO IS STM mund të japin efekt të lëmuar Bokeh dhe aperturat e tyre të gjera ndihmojnë gjithashtu të krijohet një efekt kinematografik, duke e izoluar subjektin ndërkohë që e mbajnë sfondin të mjegulluar.

Megjithatë, nëse sfondi është po aq i rëndësishëm sa subjekti juaj, një objektiv me kënd të gjerë mund të jetë një opsion më i mirë. Modeli superkompakt Canon RF 28 mm F2.8 STM ka një gjatësi fokale të ndryshueshme dhe një aperturë të shpejtë për të eksperimentuar me mjegullimin e sfondit, duke e bërë atë një objektiv ideal për fotografinë urbane. Modeli universal Canon RF 24-105 mm F4-7.1 IS STM vjen me IS optike për të zvogëluar dridhjet e kamerës dhe gjithashtu ju jep fleksibilitetin për të fotografuar skena urbane me kënd të gjerë, si dhe portrete urbane më intime. "Ndonjëherë më pëlqen të zmadhoj dhe të krijoj perspektiva të ndryshme", thotë Andres.

Shkrepja me një objektiv telefoto do të thotë të ruani njëfarë distance ndërmjet vetes suaj dhe subjektit, në mënyrë që të mos të detyroheni të shkelni privatësinë e tij. Modeli Canon RF 24-240 mm F4-6.3 IS USM ka një objektiv zmadhues 10x tepër fleksibël. Ai është ideal nëse dëshironi një objektiv me gjatësi fokale për çdo skenar.

Fotografia urbane është lloji më i arritshëm i fotografisë. Nuk ju nevojitet një konfigurim i ndërlikuar dhe i kushtueshëm për të filluar. Nuk është nevoja të udhëtoni përtej detit, të ngjiteni nëpër male ose të uleni me javë të tëra brenda një strofke derisa të shfaqet një krijesë e rrallë. Gjithçka që ju nevojitet është të merrni kompletin tuaj, të dilni në rrugët pranë vendit ku banoni dhe të filloni të fotografoni. Kjo është një aftësi që përmirësohet me praktikë. "Nëse nuk i stërvitni sytë, nuk e kuptoni që gjatë gjithë kohës ndodhin çaste të pabesueshme", thotë Andres. "E rëndësishme është të jeni të duruar."

Subjekte të mahnitshme gjenden përpara jush, në pragun e derës suaj. Dilni jashtë, bëhuni gati dhe shtypni obturatorin.


Shkruar nga Rachel Segal Hamilton

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Sfida e lenteve për fotografi rruge

    Përse Canon RF 28 mm F2.8 STM është një element i domosdoshëm në çantën e pajisjeve për fotografi rruge.

  • Fotografia arkitekturore

    Këshilla për fotografinë e arkitekturës

    Përfshihuni në fotografinë e arkitekturës me teknika dhe njohuri nga një profesionist i fushës.

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Zbuloni fotografi rruge abstrakte

    Krijoni art mahnitës nga e zakonshmja me këto teknika të thjeshta për imazhe urbane surreale.

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Këshilla për portretin e rrugës

    Këshilla më e mirë për portretet e rrugës që tërheqin shikimin, nga fotografi profesionist, Julian Love.