Pasi të keni mësuar të përdorni kamerën, mësimi më i rëndësishëm në fotografi dhe videografi është se si të punoni me dritën. Natën, burimet e dritës janë të kufizuara, por ka ende shumë momente për t'u filmuar, që nga brohoritjet festive e deri te bisedat e rëndësishme përreth zjarrit të kampit. Videot shërbejnë veçanërisht për të kapur momentet e thjeshta e të veçanta - mënyra se si njerëzit lëvizin, flasin dhe qeshin që nuk mund të kapet në fotografi - por mund të jetë e vështirë të dish se si të filmosh kur nuk ka shumë dritë përreth.
Përdorimi i një ISO më të lartë do të rrisë ndjeshmërinë e kamerës suaj ndaj dritës dhe zgjedhja e një aperture më të gjerë dhe një shpejtësie më të ngadaltë të obturatorit mund të rrisë sasinë e dritës që bie në sensor, por pa kuptuar se si t'i kontrolloni këto cilësime në raport me mjedisin tuaj, filmimet mund t'ju dalin të turbullta ose me zhurmë. Megjithatë, me pak njohuri, mund t'i kapërceni këto pengesa dhe të bëni video të arrira, për t'i kujtuar për vite me radhë, si dhe të përmirësoni aftësitë tuaja të filmimit.
Këtu, Ellis Reed, një krijues përmbajtjesh dhe fotograf/videograf me vendndodhje në Bath, Mbretëri e Bashkuar, ndan këshillat e tij praktike për filmimin e videove natën.
Si të filmoni video natën
Kontrolloni cilësimet
Kur zgjidhni cilësimet e kamerës për filmime gjatë natës, mund të përdorni modalitetin “Scene Intelligent Auto” të kamerës suaj Canon, për të aplikuar cilësimet që duken më të përshtatshme. Megjithatë, do të keni më shumë kontroll nëse përdorni modalitetin manual.
Nëse jeni duke filmuar me një kamerë EOS R System të Canon, si p.sh EOS R6 Mark II, inkuadruesi elektronik do t'ju shfaqë në kohë reale ndikimin që ka ndryshimi i secilit cilësim tek ekspozimi, gjë që do t'ju ndihmojë të keni më shumë vetëbesim kur kaloni në modalitetin manual.
Gjithashtu, mund t'ju ndihmojë edhe ndryshimi i modalitetit të fokusimit në atë manual. Sistemi Dual Pixel CMOS AF II në kamerën EOS R6 Mark II dhe kamerat e tjera si p.sh Canon EOS R7 dhe Canon EOS R8, funksionon shumë mirë në zbulimin e subjekteve në ndriçim të ulët, por nëse jeni duke punuar në pothuajse errësirë totale, mund t'ju duhet ta rregulloni manualisht fokusin. Përdorni një elektrik dore për të ndriçuar subjektin ku po përpiqeni të fokusoheni dhe zmadhoni inkuadruesin ndërkohë që rregulloni unazën e fokusit në objektiv derisa ai të duket i mprehtë. Kjo metodë është gjithashtu e dobishme në astrofotografi, kur jeni pothuajse në errësirë totale, por dëshironi të fokusoni një element në plan të parë ndërkohë që kapni edhe qiellin.
Zgjidhni një aperturë të gjerë
Kur filmoni në kushte me ndriçim të ulët, është e rëndësishme që në sensor të bjerë sa më shumë dritë. Kjo mund të arrihet duke hapur aperturën sa më gjerë, që do të thotë duke caktuar ndalesën f në vlerën më të ulët të mundshme të numrit f. Edhe pse objektivat zmadhues mund të jenë opsion i mirë dhe fleksibël për filmimin e panoramave me ndriçim të mirë gjatë ditës, për të përfituar nga një aperturë më e gjerë, ja vlen të përdorni objektiva fiksë si p.sh Canon RF 24 mm F1,8 MACRO IS STM ose Canon RF 35 mm F1,8 MACRO IS STM.
Zgjidhni shpejtësinë e kuadrove dhe shpejtësinë e obturatorit
Fillimisht, zgjidhni shpejtësinë e kuadrove. Standardi i industrisë së filmave është 24 kuadro për sekondë (fps), pasi krijon filmimet me pamjen më të natyrshme, me shumë pak turbullim të lëvizjeve. Shpejtësitë më të larta të kuadrove, si p.sh 60 fps dhe 120 fps, përdoren për filmime me lëvizje të ngadalësuar, që planifikohen qëllimisht të duken të panatyrshme.
Kamera EOS R6 Mark II e Canon ju mundëson të filmoni në 4K deri në 60 fps dhe në 1080p deri në 180 fps, gjë që ju mundëson një ngadalësim edhe më të madh.
Pasi të keni zgjedhur shpejtësinë e kuadrove, thjesht dyfishoni numrin për të zgjedhur shpejtësinë e obturatorit. Për shembull, nëse do të filmoni në 25 fps do të duhet të zgjidhni një shpejtësi obturatori prej 1/50 sekondash për të shmangur turbullimin e lëvizjes. Kjo konsiderohet si praktika më e mirë, por ka raste kur preferohet të bëni rregullime, siç shpjegon Ellis. “Nëse doni të shtoni qëllimisht turbullimin e lëvizjes, për shembull nëse jeni duke ecur nëpër një panair në ambient të hapur gjatë natës dhe dëshironi të krijoni një ndjesi tensioni dhe ngarkese, me shtigje drite, atëherë duhet të ulni shpejtësinë e obturatorit në më pak se dyfishin e shpejtësisë së kuadrove.”
Një objektiv me kënd të gjerë si Canon RF 16 mm F2.8 STM ju mundëson të kapni sa më shumë nga mjedisi, duke shtuar ndjesinë e ritmit të shpejtë. Ky objektiv fiks i lehtë, super kompakt është gjithashtu ideal për videoblogim me kamerën në dorë, por duke qenë se nuk ka stabilizim të integruar të imazhit, sigurohuni të përdorni “Movie Digital IS” nëse jeni duke filmuar me kamerën në dorë. Kjo veçori, e disponueshme në të gjitha kamerat EOS R System të Canon, stabilizon filmimet në mënyrë elektronike brenda kamerës.
Kontrolloni ISO-në
Cilësimi ISO në kamerë ju lejon të kontrolloni ndjeshmërinë e saj ndaj dritës. Kur shkrepni në ambiente të jashtme, në një ditë me diell, mund të zgjidhni ISO 100 për të reduktuar sa më shumë ndjeshmërinë. Në ditë me re, mund të shkrepni me ISO 400 dhe për shkrepje natën, mund të eksperimentoni me ISO 800 e lart, deri në përafërsisht ISO 3200 (në varësi të kapacitetit të kamerës suaj). Kamera EOS R6 Mark II e Canon mundëson filmim deri në ISO 102,400 (mund të rritet deri në ISO 204,800), por sa më i lartë të jetë niveli, aq më shumë zhurmë do të ketë në filmim.
Kërkoni për dritën
"Është më mirë që errësira të shihet si një mungesë kufizimesh sesa si sfidë," thotë Ellis. “Nëse gjeni mënyra për të përdorur dritat e disponueshme ose për të shtuar drita artificiale, kjo gjë mund t'ju ndihmojë të krijoni filmime dramatike dhe kinematografike.”
Kur filmoni natën mos u përpiqni të ndriçoni të gjithë panoramën. Në vend të kësaj, kërkoni për pellgje drite që theksojnë subjektin dhe tregojnë një histori. Për të krijuar pellgje drite mund të përdoren zjarre kampi, vitrina dyqanesh, drita rrugësh dhe fenerë makinash, që do t'ju ndihmojnë të ndani subjektin nga sfondi.
Një mundësi tjetër janë dhe dritat artificiale. Ashtu si shumë krijues përmbajtjesh, Ellis mban me vete një kuti portative ndriçimi LED. Me madhësi xhepi, por mjaftueshëm e fuqishme sa për të ndriçuar një subjekt kur filmoni nga afër, kutia e vogël e ndriçimit mund të bëjë një ndryshim të konsiderueshëm në cilësinë e filmimit. Vetëm mos harroni, nëse jeni duke filmuar një subjekt të ndriçuar mirë gjatë natës, duhet të ekspozoni subjektin dhe jo sfondin.
Caktoni balancimin e së bardhës
Kur përdorni drita artificiale, është mirë që të kontrolloni balancimin e së bardhës për qëllimet e konsistencës. Ju mund të caktoni një balancim të personalizuar të së bardhës duke përdorur një kartë për balancimin e së bardhës ose një copë letre të bardhë. Bëni një foto të kartës ose letrës në panoramën që do të shkrepni, më pas zgjidhni Custom White Balance (Balancimi i personalizuar i së bardhës) në menynë e kamerës dhe zgjidhni këtë foto si referencë. Balancimi i së bardhës është caktuar dhe ngjyrat e panoramës do të pasqyrohen me saktësi.
Balancimet e personalizuara të së bardhës mund të ndihmojnë gjithashtu për të arritur pamje të veçanta. Nëse dëshironi të krijoni një panoramë me tone më të ngrohta, si për shembull kur filmoni një zjarr kampi, duhet ta zgjidhni balancimin e së bardhës përafërsisht në vlerën 6000K. Nëse dëshironi të theksoni tonet më të ftohta dhe më blu në panoramë, zgjidhni një vlerë rreth 2000K. Mos harroni, nëse shkrepni në RAW ose Canon Log, mund të jetë më e lehtë që balancimi i së bardhës të rregullohet në softuerë të përpunimit të mëvonshëm.
Filmoni me rezolucionin më të lartë të mundshëm
“Kur filmoj për mediat sociale, më pëlqen të filmoj në 4K dhe të eksportoj në 1080p", - shpjegon Ellis, "pasi më ndihmon me zhurmën vizuale në filmimet me ndriçim të ulët dhe i bën detajet akoma më të mprehta.”
Kamera EOS R6 Mark II e Canon filmon në 4K deri në 60 fps, me mbimodulim nga vlera dalëse 6K e sensorit për të siguruar qartësi të përmirësuar dhe zhurmë edhe më të reduktuar në krahasim me rezolucionin origjinal 4K. Me pak fjalë, sa më i lartë rezolucioni aq më shumë të dhëna ruhen në çdo skedar, gjë që sjell imazhe më të mprehta, riprodhim më të mirë ngjyrash dhe fleksibilitet më të madh gjatë përpunimit të mëvonshëm. Kur jeni duke punuar në kushte me ndriçim të ulët, sa më shumë të dhëna të keni në çdo skedar, aq më e lehtë është të pastroni çdo zhurmë të pranishme.
Mos harroni audion
Një veçori e videos që bëhet edhe më e rëndësishme në errësirë është zëri, pasi shqisa jonë e dëgjimit ndihet e përforcuar me zbehjen e shikimit. Kamera juaj duhet të ketë një mikrofon të integruar, por për të kapur vërtet çdo nënqeshje të pëshpëritur dhe kërcëllim të zjarrit të kampit, investoni në një mikrofon të jashtëm si p.sh. mikrofoni stereo me drejtim DM-E1D i Canon, i cili fiksohet te mbërthyesja shumëfunksionale e kamerës.
Eksperimentoni me modalitetet e ndryshme të drejtimit të mikrofonit për të kapur masa të ndryshme të bisedave dhe zhurmave të ambientit, si dhe për të kapur atmosferën e ngjarjes që po filmoni. Ju gjithashtu mund të regjistroni zhurmën e ambientit veçmas nga regjistrimi kryesor i videos - për shembull, në xhirimin e zjarrit të paraqitur këtu, ju mund të regjistroni zhurmën e zjarrit dhe ta luani atë mbi filmimet hyrëse në distancë.
Bëhuni krijues
Pasi të kuptoni se si të kapni filmime me pamje të natyrshme, mund të fitoni vetëbesim në krijimtari. Punoni me elementet që ju gjenden përreth, pavarësisht nëse po filmoni një videoblog, video muzikore apo një film me metrazh të shkurtër natën. Mund të filloni me dritat e rrugëve. Siç thotë Ellis, "Dritat e rrugëve janë mjaft të mira si ndriçim kryesor [burime kryesore ndriçimi] dhe ndriçim sfondi, në varësi të pozicionimit të subjektit. Gjithashtu, ju mund të eksperimentoni me dritat e forta e të shndritshme duke e pozicionuar subjektin afër dritës së rrugës, ose me dritat më të shpërhapura duke i kërkuar atij që të lëvizë pak më tutje."
Një këshillë tjetër nga Ellis është që të përdorni fenerët e makinës si ndriçim sfondi për subjektin tuaj dhe për të krijuar një siluetë dramatike, e cila mund të përmirësohet edhe më shumë nga mjegulla që shpërndan dritën dhe ju lejon ta ndani subjektin edhe më larg nga sfondi. Përdorni një objektiv të shkurtër telefoto, si p.sh Canon RF 85 mm F2 MACRO IS STM, për ta prerë subjektin duke prerë plotësisht makinën në mënyrë që të shtoni mister në panoramë, ose një objektiv me kënd të gjerë si p.sh Canon RF 24 mm F1,8 MACRO IS STM për të përfshirë dhe makinën në histori.
Nëse jeni të mësuar me filmimin e videove gjatë ditës, ju duhen vetëm disa përshtatje minimale për të përvetësuar filmimin gjatë natës. Dhe pasi të keni mësuar elementet bazë, do të zbuloni një botë krejtësisht të re krijimtarie.
Produkte të ngjashme
-
EOS R6 Mark II
Foto apo video, aksion apo portret – ndërthurja e rendimentit me cilësinë e figurës te Canon EOS R6 Mark II jua lë të lirë krijimtarinë -
EOS R8
Kaloni në fotografinë dhe videon kuadërplotë dhe realizoni ambiciet tuaja krijuese. -
RF 16mm F2.8 STM
Një objektiv kompakt dhe ekonomik, ultra i gjerë, kuadërplotë, 16mm për serinë EOS R, krijuar për videoblogerë dhe krijues përmbajtjesh. -
RF 24mm F1.8 MACRO IS STM
Një objektiv kompakt, peshëlehtë, fiks, 24mm që është ideal për fotografinë e peizazheve, videoblogime dhe hapësira të brendshme – plus pamje fantastike makro. -
RF 35mm F1.8 MACRO IS STM
Një objektiv me aperturë të shpejtë 35mm f/1.8 për perspektivë këndgjerë, fokusim nga afër dhe Hybrid IS. -
RF 85mm F2 MACRO IS STM
RF 85mm F2 MACRO IS STM ofron fleksibilitet në plane të afërta me kompresion të lehtë telefoto dhe fotostabilizim 5-nivelësh në një trup kompakt e peshëlehtë.