Këshilla për fotografi më të mira të peizazheve detare

Do të shkoni në plazh këtë verë apo po planifikoni një udhëtim jashtë sezonit të verës në bregdet? Këshillat tona për fotografimin e peizazheve bregdetare do t’ju ndihmojnë të realizoni foto fantastike në çdo kohë të vitit dhe në të gjitha kushtet.
Një fotografi HDR nga Erik Colombo e diellit në horizontin e një deti të trazuar që përplaset me shkëmbinjtë në plan të parë, me ngjyrat e ngrohta të mbrëmjes në qiell.

Ka një arsye se përse fotografitë e peizazheve bregdetare janë një lloj kaq i përhapur i fotografisë së peizazheve. Kontrasti i fortë i bregut me detin, format që krijon drita teksa pasqyrohet në ujë dhe ndryshimet e befta në kushtet e motit i bëjnë peizazhet detare veçanërisht tërheqëse.

Fotografit italian dhe mësuesit të fotografisë Erik Colombo i pëlqen shumë fotografimi i peizazheve detare. Ai e përshkruan veten si “një fotograf 360°” i cili ka punuar në çdo zhanër të fotografisë, nga fotografitë e dasmave te fotografitë e modës së lartë, deri te videot komerciale, por pasioni i tij më i madh janë fotografitë e peizazheve dhe botës së egër . Ai ka udhëtuar shumë për të fotografuar “peizazhet më të egra dhe më të mrekullueshme të planetit tonë të bukur, nga malet tek oqeanet, nga akullnajat te vullkanet.” Ai gjithashtu i kushton shumë nga koha e tij mësimit të aftësive dhe njohurive të veta në kurse, trajnime në terren dhe turne fotografish.

Në këtë material do të gjeni bisedën tonë me Erik për këshilla për fotografimin e suksesshëm të peizazheve detare, si dhe do të gjeni të renditura disa nga kamerat dhe objektivat më të mira të Canon për fotografimin në plazh dhe fotografimin e peizazheve bregdetare.

Një fotografi nga Erik Colombo e një shkëmbi të thepisur të harkuar me një guaskë mbi gurë në plan të parë dhe me re të rrëmujshme në qiellin e mbrëmjes në sfond.

Qoftë vendndodhje ekzotike ose e famshme, Erik rekomandon kërkimin e perspektivave të pazakonta. Megjithatë, ai gjithashtu këshillon përdorimin e të gjitha teknikave tradicionale të kompozimit – përfshini vijat udhëzuese dhe sigurohuni që të ketë diçka tërheqëse për syrin në plan të parë, në planin e mesëm dhe në sfond. Një kompozim i pesë imazheve të shkrepura në Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 15-35 mm F2.8L IS USM. © Erik Colombo

Një fotografi nga Erik Colombo e një daljeje shkëmbore me një hark natyror përmes tij, në plan të parë janë valët që përplasen mbi shkëmbinj, të turbulluara nga ekspozimi i gjatë i dritës.

Edhe në mot shumë të mirë, kompleti juaj mund të ekspozohet ndaj shkumës së dallgëve. Kamerat dhe objektivët kanë nivele të ndryshme të izolimit për mbrojtje nga kushtet atmosferike – por gjithsesi, Erik përdor rregullisht kapakë shiu dhe gjithashtu këshillon që "një nga gjërat më të rëndësishme është të blesh një çantë të mirë shpine, për t'i mbajtur objektivët të thatë". Është një ide e mirë të investosh në kapakët e objektivëve po ashtu, për t'i ruajtur objektivët nga piklat e ujit. Një kompozim i tri imazheve shkrepur në Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 15-35 mm F2.8L IS USM. © Erik Colombo

1. Si të kapni foto dramatike të peizazheve detare

"Kompozimi është gjëja më e rëndësishme në fotografi, por veçanërisht në fotografinë e peizazheve detare”, - thotë Erik. Ai këshillon të kaloni pak kohë në vendin të cilin synoni të fotografoni. “Eksplorimi pa kamerë të ndihmon shumë”, - shprehet ai. “Unë e nxjerr kamerën nga çanta vetëm pasi kam kaluar 20-30 minuta duke eksploruar një vend.”

Deti i hapur mund të jetë magjepsës në realitet, por një foto nuk arrin të kapë gjallërinë e tij. Kushtojuni vëmendje veçorive të bregdetit për të krijuar kompozime me elementet klasike si pikat e interesit në distanca të ndryshme, inkuadrimi asimetrik dhe linjat drejtuese. “Shkëmbinjtë janë elemente të përkryera për të krijuar një kompozim dinamik”, - shprehet Erik, “ndërsa ngjyrat e ngrohta të luleve mund të krijojnë një kontrast të mrekullueshëm me ngjyrat e ftohta të detit.”

Në peizazhet detare, vija e horizontit mund ta lartësojë ose shkatërrojë fotografinë. Shumë kamera kanë një nivelues elektronik, i cili mund të mbivendoset në imazhin në inkuadrues ose në ekranin e pasmë për të shmangur horizontet e anuara. EOS R7 ka prezantuar funksionin e nivelimit automatik, i cili përdor fotostabilizimin e integruar (IBIS) të kamerës për të niveluar çdo horizont paksa të anuar për të siguruar shkrepje të përkryera.

Pavarësisht kamerës që përdorni, Erik sugjeron gjithashtu aktivizimin e veçorisë së rrjetës për t’ju ndihmuar me realizimin e fotografive të niveluara, me teknikat klasike të kompozimit të tilla si rregulli i të tretave, si dhe me drejtvendosjen e elementeve diagonale në fotografi.

Në një fotografi të përbërë HDR të shkrepur nga Erik Colombo, dallgët përplasen me shkëmbinjtë, të turbulluara nga ekspozimi i gjatë i dritës. Retë me ngjyrë gri të errët e fshehin diellin në qiell.

Një kompozim vertikal mund të theksojë kontrastin midis detit dhe qiellit. Caktimi i kamerës te modaliteti HDR, nëse disponohet, do të bëjë që kamera të kapë si qiellin ashtu edhe detin, por mos u shqetësoni nëse kamera juaj nuk e ofron këtë opsion. Me kamerën e vendosur në trekëmbësh, Erik do të bëjë disa shkrepje në cilësime të ndryshme për të fotografuar sa më mirë pjesë të ndryshme të panoramës, më pas do të përdorë teknikat e kompozimit për të përzierë disa shkrepje në një imazh të vetëm. Ky imazh përbëhet nga tri fotografi të shkrepura në Canon EOS 5D Mark IV me një objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L II USM në 16 mm, 1/15 sekonda për planin e parë deri në 1/125 sekonda për retë, f/13 dhe ISO 100. © Erik Colombo

Në një fotografi nga Erik Colombo, aurora boreale vezullon në qiell, ndërkohë që ngjyrat e saj që reflektohen në detin e akullt. Toka është një vijë e errët në horizont.

Ajo çka ndodh në qiell mund të jetë aq e mrekullueshme sa deti, qoftë një aurorë si kjo ose thjesht disa re stuhie. Shkrepur në një Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 15-35 mm F2.8L IS USM në 15 mm, 15 sekonda, f/11 dhe ISO 100. © Erik Colombo

2. Shkrepni foto vertikale të peizazheve detare

Kohët e sotme, shkrepja vertikale është po aq e rëndësishme sa shkrepja horizontale, madje edhe për peizazhet. Realizimi i fotografive të përshtatshme për platforma të ndryshme të mediave sociale është një pjesë kyçe e punës së shumë fotografëve, por është gjithashtu një mundësi për të kapur detaje interesante të cilat mund të mos jenë aq të dukshme në fotot horizontale.

“Më pëlqejnë shumë kompozimet vertikale”, - shprehet Erik. “Ato janë më interesante dhe më pak kaotike se kompozimet horizontale. Për foto të tilla, gjetja e një plani të parë të mirë nga afër është thelbësore për të realizuar fotografi interesante dhe unike.”

3. Cila është koha më e mirë për fotografinë e peizazheve detare?

I njëjti vend mund të duket shumë ndryshe pasi intensiteti i dritës, drejtimi dhe ngjyrat ndryshojnë gjatë ditës. Nuk ekziston domosdoshmërisht një “kohë e duhur”, por herët në mëngjes dhe vonë në mbrëmje gjatë “orës së artë", si dhe pak përpara lindjes së diellit ose pak pas perëndimit të diellit gjatë “orës së kaltër” krijohen ngjyra më interesante se gjatë diellit të fortë të mesditës.

Nëse jeni duke fotografuar herët në mëngjes ose vonë gjatë ditës, mund të kapni disa peizazhe detare mbresëlënëse me njerëz, pemë dhe veçori të tjera të peizazhit, si dhe siluetat e strukturave të ndryshme. Megjithatë, për të kapur një gamë të gjerë detajesh dhe për të pasur më shumë liri në krijimtari, përdorni të njëjtën qasje si për fotografitë e tjera me dritë të ulët – përdorni një aperturë të gjerë (numër të ulët f) për të lejuar sa më shumë dritë, rrisni cilësimin e ISO-s, dhe zgjidhni një kamerë të krijuar për performancë të jashtëzakonshme në dritë të ulët, si për shembull kamerën EOS R System nga Canon.

Megjithatë, krahasuar me dritat e ulëta, ato të forta janë më sfiduese, si për shembull gjatë shkëlqimit të diellit të mesditës. Për këtë arsye EOS R50 dhe kamera të tjera të Canon përfshijnë funksione të tilla si një modalitet Scene Intelligent dhe modalitete të panoramës HDR (High Dynamic Range), të cilat janë perfekte për të fotografuar në kushte me kontrast të lartë dhe me reflektime të ndritshme si në plazh.

Një fotografi e përbërë HDR nga Erik Colombo e perëndimit të diellit të parë përmes një harku natyror. Në plan të parë, deti përshkon një vijë bregdetare shkëmbore.

Shkrepja e fotografive gjatë "orës së artë" (ora e parë pas lindjes së diellit dhe ajo para perëndimit të diellit) është një ide e mrekullueshme për peizazhet detare, pasi ngjyrat e ngrohta dhe dielli i ulur krijojnë disa kushte me ndriçim të bukur klasik. Një fotografi e përbërë HDR e krijuar nga pesë shkrepje të bëra në Canon EOS 5D Mark IV me një objektivCanon EF 16-35 mm f/2.8L II USM në 16 mm, nga 0,3 sekonda për planin e parë deri në 1/160 sekonda për rrezet e forta të diellit, f/11 dhe ISO 100. © Erik Colombo

4. Cilësimet e kamerës për fotografi më të mira të peizazheve detare

Nëse duhet të fotografoni patjetër në dritën e fortë të mesditës, Erik sugjeron përdorimin e një filtri ND (Neutral Density) për të ulur sasinë e dritës që futet në kamerë. Ai vet pëlqen të përdorë një filtër të fortë ND1000 me 10 ndalesa. “Kjo do të filtrojë sasinë e dritës në mënyrë që të mund të përdorni fotografinë me ekspozim të gjatë për të krijuar mjegullim të lëvizjes në det”, - thotë ai.

Erik e pëlqen këtë teknikë pasi krijimi i një ndjesie lëvizjeje në peizazhet detare mund të shtojë interesin në panorama që përndryshe nuk bien dhe shumë në sy. Dy pika kryesore ku duhet të fokusoheni janë deti dhe qielli, të cilat lëvizin relativisht ngadalë. Kapja e ndjesisë së lëvizjes së tyre (në vend të ngrirjes) kërkon një shpejtësi të ngadaltë të obturatorit dhe një mbajtëse të kamerës, zakonisht një trekëmbësh.

ISO e ulët dhe apertura e vogël (numër i lartë f) do të mundësojnë shpejtësi më të lartë të obturatorit. Për të shmangur dridhjet e kamerës gjatë shtypjes së butonit të obturatorit, mund të kontrolloni kamerën në distancë duke përdorur aplikacionin Canon Camera Connect . Provoni të shkrepni në një ekspozim të gjatë prej 10 sekondash ose më shumë për të parë se si retë lëvizëse dhe uji në det bashkohen në një ngjyrë të butë të mëndafshtë. Përndryshe, rriteni shpejtësinë e obturatorit në shpejtësi super të lartë për të kapur secilën nga stërkalat e dallgëve përplasëse.

5. Thellësia e fushës në fotot e peizazheve detare

Erik shpesh preferon që një pjesë e veçantë e panoramës të jetë në fokus të qartë dhe pjesa tjetër më e turbullt (thellësi e cekët e fushës). Në situata të tilla, ai përdor fokusin manual dhe një veçori të dobishme të kamerave Canon pa pasqyrë që ai përdor, fokusi manual MF me theksim të kontrasteve të larta. Kjo është veçanërisht e dobishme kur nivelet e dritës janë më të ulëta ose kushtet janë të mjegullta, duke e bërë fokusimin më të vështirë.

“Megjithësefokusi automatik është shumë i dobishëm”, - thotë ai, “kur kushtet e motit e vështirësojnë fokusimin, fokusi MF me theksim të kontrasteve të larta ju nxjerr nga situata.” Me këtë veçori të aktivizuar, mund të fokusoni manualisht me vetëbesim, pasi ekrani ose inkuadruesi i kamerës do të nxjerrë në pah ekzaktësisht atë që është në fokus duke theksuar pjesët e fokusuara të panoramës, dhe ju mund të shihni pjesët e theksuara që ndryshojnë teksa rregulloni fokusin.

Nga ana tjetër, në fotografitë e peizazheve, ndonjëherë dëshirojmë që në fokus të jetë një pjesë sa më e madhe e panoramës, nga plani i parë në sfond. Një teknikë fantastike për këtë quhet fokusimi në distancë hiperfokale. Distanca hiperfokale ndryshon sipas objektivit, aperturës dhe gjatësisë fokale që përdorni, ndaj mënyra më e mirë për të gjetur se ku duhet të fokusoheni është përdorimi i kalkulatorit të thellësisë së fushës dhe distancës hiperfokale në aplikacionin pa pagesë të Canon “Photo Companion”. Nëse nuk keni kohë për llogaritje, një rregull praktik është të fokusoni afërsisht një të tretën e panoramës.

Një fotografi nga Erik Colombo e dallgëve që përplasen të ngrira në lëvizje, me formacione shkëmbore të mjegullta të vendosura në sfondin që ndriçohet me ngjyra të ngrohta të perëndimit të diellit.

Në këtë fotografi dramatike, piklat e ujit nga dallgët që përplasen janë të ngrira nga shpejtësia e shpejtë e obturatorit. Guralecët në fokus të theksuar në plan të parë bien në kontrast me formacionet e mrekullueshme shkëmbore në sfond, të cilët nuk janë shumë të qartë për shkak të shkumës së dallgëve dhe mjegullës në distancë. Një kompozim HDR i tri shkrepjeve të bëra në Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 70-200 mm F2.8L IS USM në 105 mm, 1/250 sekonda për planin e parë dhe lëviz në 1/160 për qiellin, f/11 dhe ISO 100. © Erik Colombo

6. Cili është moti më i mirë për të fotografuar peizazhet detare?

Moti mund t’i bëjë fotot e peizazheve detare më interesante, qoftë me re të imta, të buta e të arta apo me re të ngarkuara e të errëta që paralajmërojnë stuhi. Identifikimi i kushteve të veçanta të motit dhe shfrytëzimi i tyre në aspektin fotografik do të përbënte një aftësi të mirë që ia vlen ta përvetësoni. “Gjithmonë u them studentëve të mi, nuk ka kushte të këqija moti, vetëm fotografë të këqij”, - thotë Erik. “Bukuria e fotografive të peizazheve është paparashikueshmëria e natyrës.

“Gjatë udhëtimeve të mia nëpër botë, kushtet më të mira të motit që kam gjetur kanë qenë gjithmonë pas një stuhie shiu.”

Fotografimi në një rrebesh të papritur? Është një mundësi dhe jo një problem. “Gjatë një stuhie në det”, - sugjeron Erik, “përdorni një objektiv zmadhimi për të kapur foto të dallgëve duke përdorur një shpejtësi të obturatorit prej rreth 1/1000 sek për të kapur piklat e dallgëve ose, përndryshe, një shpejtësi të ulët të obturatorit prej ndoshta 10 sekondash për të krijuar diçka abstrakte.”

7. Kamerat dhe objektivat më të mira për fotografitë e peizazheve detare

Për të minimizuar peshën që duhet të mbajë, Erik shpesh merr vetëm një kamerë - një kamerë me kuadër të plotë EOS R System me objektiv zmadhimi RF me kënd të gjerë.

Për shkrepje me kënd ultra të gjerë, çka është një zgjedhje e shkëlqyer për peizazhet detare, një kamerë me kuadër të plotë, si EOS R8, së bashku me një objektivRF 15-30 mm F4.5-6.3 IS STM është një kombinim fantastik për kapjen e pamjeve me kënd të gjerë, i përshtatshëm për udhëtime. EOS R8 mund të shkrepë gjithashtu fotografi të njëpasnjëshme deri në 40 fps, çka është ideale për kapjen e momentit kur një dallgë përplaset me shkëmbinjtë.

Një alternativë më ekonomike, 24.2MP EOS R50 kombinuar me objektivin RF-S 18-150 mm F3.5-6.3 IS STM ose RF-S 55-210 mm F5-7.1 IS STM rezulton në një komplet edhe më të lehtë, të thjeshtë për t’u mbajtur, por shumë fleksibël, ideal për një ditë në bregdet.

Këto objektiva ju japin një gamë të gjerë dhe të larmishme të gjatësive fokale. Nëse dëshironi një opsion supertelefoto, RF 100-400 mm F5.6-8 IS USM është një zgjedhje e shkëlqyer kombinuar me një kamerë me kuadër të plotë, si dhe ju ofron më shumë fleksibilitet me kamerën APS-C.

Nëse keni objektiva EF dhe dëshironi t’i përdorni ato me kamerat EOS R System, Drop-In Filter Mount Adapter EF-EOS R ofron një bonus shtesë: jo vetëm që ju lejon të përdorni objektiva EF dhe EF-S pa humbje të cilësisë ose funksionalitetit, por gjithashtu ju lejon të përdorni filtra shtesë për reduktimin e dritës që futet në kamerë. Ai është i disponueshëm me një filtër V-ND ose një filtër polarizues rrethor, të dy të paçmueshëm në dritën e fortë në bregdet.

Bregdeti nuk është vetëm një vend për t’u argëtuar me miqtë dhe familjen, por një vend plot potencial për fotografi të shkëlqyera peizazhesh pavarësisht motit.


Shkruar nga Astrid Pitman & Sarah Bakkland

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

Si për të shkrepni peizazhe me kamerën në duar

Mësoni si të shkrepni peizazhe të arrira pa stativ.

Si të fotografoni ujin

Qoftë nëse rrjedh, bie, lëshon stërkala apo rri pezull, zbuloni se si të shkrepni ujin me këto 5 këshilla të ekspertëve.

Objektivat më të mirë për peizazhe

I gjithë informacioni që ju nevojitet për t'ju ndihmuar të zgjidhni objektiva ekonomikë fiksë dhe zmadhues.

Këshilla për shkrepje në kushte ekstreme të motit

Që nga mbrojtja e pajisjeve deri te kujdesi për veten, ja këshillat dhe marifetet tona kryesore për përvetësimin e fotografisë në kushte ekstreme të motit.