Fotografimi i faunës së egër: një profesionist dhe një amator testojnë Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM

Fotografi i natyrës Guy Edwardes bashkohet me amatorin entuziast Pete Lau për të ndarë këshillat më të mira për kapjen e imazheve të mrekullueshme të faunës së egër me Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.
Një buf i madh ngjyrë gri me sy të verdhë të shndritshëm shikon drejt e te kamera në një fotografi të shkrepur nga Guy Edwardes me një objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Fauna e egër është një zhanër si asnjë tjetër – çdo moment është një mundësi për t'i lënë rrugë të lirë të jashtëzakonshmes, por bukuria e saj e vërtetë qëndron në faktin që çdokush mund ta provojë. Ish-oficeri zjarrfikës Pete Lau tashmë një amator fotografie i pasionuar, e vërtetoi këtë gjë gjatë një seance fotografimi të faunës së egër bashkë me fotografin profesional të natyrës dhe të peizazheve, Guy Edwardes, në Hawk Conservancy Trust (Parku i ruajtjes së fajkonjve), në Hampshire, MB.

Pete dhe Guy ishin ndër të parët që përdorën Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM, një objektiv super telefoto me peshë të lehtë, me gjatësi fokale deri në 800 mm, zgjedhja ideale për fotografimin e kafshëve dhe shpendëve nga çdo pozicion dhe pa i shqetësuar ato. I synuar për amatorë, objektivi karakterizohet nga një diapazon aperture prej f/6,3-9, një stabilizues optik imazhi me 5,5 nivele dhe një fokusim automatik tejet të shpejtë që siguron qartësi dhe mprehtësi pavarësisht se sa i shkurtër është momenti. RF 200-800mm F6.3-9 IS USM është projektuar për të qenë rezistent ndaj motit të ndryshueshëm, pluhurit dhe lagështisë njësoj si objektivat profesionale të serisë L të Canon. Gjithashtu ai karakterizohet nga një veshje reflektuese e bardhë për rendiment optik të qëndrueshëm gjatë shkrepjes nën nxehtësinë e diellit.

"Faktori surprizues në këtë objektiv është rrezja e tij", - thotë Pete, i cili ka përdorur Canon RF 100-500mm F4.5-7.1L IS USM dhe RF 800mm F11 IS STM për të fotografuar subjekte në largësi. "Rrezja e zmadhimit 200-800 mm është e pabesueshme dhe mundësia për të përdorur vetëm një objektiv në një subjekt që mund të jetë disa metra larg në një moment dhe 40 m larg në momentin tjetër, më jep shumë më shumë fleksibilitet sesa ndryshimi i objektivave. RF 200-800mm F6.3-9 IS USM ofron rezultate të mrekullueshme, funksione të jashtëzakonshme dhe leverdi në raportin cilësi/çmim."

Një portret i fotografit amator të faunës së egër Pete Lau.

Pete Lau

Pete u paralizua nga kraharori e poshtë pas një aksidenti me biçikletë në mal në 2014 dhe tani ai përdor një karrige me rrota. Pavarësisht dhimbjes së vazhdueshme, ai zbuloi një pasion për fotografinë e faunës së egër dhe tani menaxhon një faqe interneti ku ofron këshilla se si personat që lëvizin me anë të pajisjeve të asistimit të lëvizjes mund të lidhen me botën e natyrës.

"Pesha ose mungesa e saj, ishte çka më surprizoi fillimisht me RF 200-800mm F6.3-9 IS USM", - shton Guy. "Është relativisht kompakt dhe shumë i lehtë për gjatësinë fokale. Fakti që objektivi fotografon deri në f/9 është një kompromis mjaft i mirë për sa i përket llojit të fotografisë që mund të bëni kundrejt peshës dhe madhësisë që ju ofron."

Guy zgjodhi të bashkonte RF 200-800mm F6.3-9 IS USM me Canon EOS R5, ndërsa Pete e çiftoi të tijën me EOS R7. Këtu, Guy dhe Pete ndajnë eksperiencën e tyre të fotografimit të mrekullive të faunës së egër dhe ndërkohë që kanë përdorur RF 200-800mm F6.3-9 IS USM për të fotografuar shpendët grabitqarë, mësimet që ata ndajnë janë të vlefshme për të gjitha krijesat.

Një portret i fotografit të peizazheve dhe të natyrës Guy Edwardes.

Guy Edwardes

Guy ka punuar si fotograf i natyrës dhe i peizazheve për gati 30 vite. Ai fotografon kryesisht faunën e egër dhe vendet e egra të Britanisë, por gjithashtu organizon seminare në mbarë botën dhe u ka dhënë mijëra imazhe bibliotekave të arkivit.

1. Fotografoni në nivelin e syve të kafshës

Një fajkua fryn krahët e tij teksa qëndron në bar, në një fotografi të shkrepur nga Pete Lau me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Duke qenë se Pete nuk mund të qëndrojë në këmbë, në gjunjë ose të çohet dhe të kthehet në karrigen e tij me rrota, ata duhet të gjenin një mënyrë kreative për të fotografuar zogjtë në tokë, si p.sh. këtë fajkua. Shkrepur me Canon EOS R7 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 800 mm, 1/1600 sek, f/9 dhe ISO 1600. © Pete Lau

Një kamerë Canon me objektiv RF 200-800mm F6.3-9 IS USM që po mbahet afër tokës nga një person në karrige me rrota.

"Guy sugjeroi që ta palosja ekranin me prekje me kënd të ndryshueshëm në Canon EOS R7 dhe të aktivizoja Live View," - shpjegon Pete. "E ula me kujdes kamerën në tokë, duke përdorur dorën tjetër për ta kontrolluar. Me ekranin me prekje në drejtimin tim, munda të kapja fotografinë."

Guy preferon që t'i fotografojë kafshët në nivelin e tyre të syve. "Nëse subjekti është në bar, rërë ose ujë, atëherë do të shtrihem në tokë ose do të fotografoj nga këndi më i poshtëm i mundshëm", - shpjegon ai. "Kështu ti merr një shpërndarje interesante në plan të parë dhe kjo e nxjerr sfondin jashtë fokusit shumë më shpejt. Edhe një rregullim i vogël prej 15-30 cm mund të bëjë një ndryshim të madh në pamjen e fotografisë. Gjithashtu, kur fotografoni shpendë grabitqarë, kjo ju lejon që të fshihni litarët [të lidhur pas këmbëve të shpendit]."

Shtrirja në tokë, edhe pse me ndihmën e Guy, ishte e pamundur për Pete. Fatmirësisht, dyshja e gjeti zgjidhjen – të përdornin ekranin me prekje me kënd të ndryshueshëm Canon EOS R7. "Mbajtja e kamerës në cepin e karriges së tij me rrota dhe përdorimi i ekranit e ndihmoi Pete të fotografonte nga një kënd shumë i ulët", - thotë Guy. "Ai e uli kamerën rreth 30 cm afër tokës dhe kjo e ndryshoi plotësisht pamjen e fotografive të tij."

Pete, i cili ka qenë një amator i pasionuar për disa vite me radhë, thotë se kjo ishte e pazakontë për të. "Është fantastike sepse më dha shumë më tepër fleksibilitet", - thotë ai.

2. Ndryshoni perspektivën për të gjetur një sfond më të mirë

Dy fotografë njëri prej të cilëve është në karrige rrota, që ndodhen në një hapësirë në pyll të rrethuar me pemë, përdorin kamerat Canon me objektiv RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Përveç faktit që është tejet fleksibël, RF 200-800mm F6.3-9 IS USM është relativisht kompakt dhe me peshë të lehtë për një objektiv me këtë diapazon zmadhimi, duke e bërë të përshtatshëm jo vetëm për fillestarët dhe amatorët por edhe për personat me aftësi të kufizuara në lëvizje, si Pete.

Një buf i madh gri që ka qëndruar mbi një degë peme shikon drejt kamerës, në një fotografi të shkrepur nga Guy Edwaedes me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

"Për të kapur një sfond interesant, nuk është nevoja që të lëvizni shumë", - thotë Guy. "Pete e lëvizi karrigen e tij me rrota rreth një inç në njërën anë dhe kjo mjaftoi për të ndryshuar sfondin për të kapur një fotografi të kënaqshme." Shkrepur me Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 600 mm, 1/640 sek, f/8 dhe ISO 3200. © Guy Edwardes

"Edhe kur keni një subjekt shumë të madh, si p.sh. një buf, kjo ndonjëherë nuk mjafton. Duhet të mendoni për sfondin", - thotë Guy, duke shpjeguar se edhe lëvizja më e vogël mund të bëjë një ndryshim të madh. "Rrezja 800 mm e RF 200-800mm F6.3-9 IS USM ju jep një fushëpamje shumë të ngushtë, kështu që për të ndryshuar plotësisht sfondin ju duhet vetëm të ndryshoni paksa pozicionin tuaj të trupit."

Pete u habit që një ndryshim i vogël i pozicionit të karriges së tij me rrota i mundësoi të përmirësonte dukshëm kompozimin e shkrepjeve të tij. "Mendoja se të duhej të lëvizje shumë, por jo", - thotë ai. "Si fillim, po bëja fotografi me sfonde të çrregullta, me degëza pemësh që dilnin sa andej-këtej, por lëvizja me vetëm disa inç në të majtë ose në të djathtë bëri një ndryshim të madh."

3. Përdorni rrezen më të madhe të mundur

Një gjeraqinë e Afrikës e fotografuar në fluturim, me sfond të turbulluar. Shkrepur nga Guy Edwardes me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

"Sa më e gjatë të jetë gjatësia fokale, aq më shpejt dalin nga fokusi elementet në sfond dhe në plan të parë, teksa subjekti qëndron i qartë," - thotë Guy. "Gjithashtu, sa më larg të jeni nga subjektet, aq më pak gjasa ka që t'i shqetësoni." Shkrepur me Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 455 mm, 1/2500 sek, f/8 dhe ISO 1000. © Guy Edwardes

Një zog caracara me kreshtë i fotografuar në fluturim, me sfond të turbulluar. Shkrepur nga Pete Lau me një objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Me një mbulim gjatësie fokale prej 200-800 mm, RF 200-800mm F6.3-9 IS USM është zgjedhja ideale për fotografët që kërkojnë një objektiv shumëfunksional për faunën e egër. "Si një amator, nuk mund të përballoj dot koston e një objektivi të posaçëm 500 mm, 600 mm dhe 800 mm", - thotë Pete. "Por RF 200-800mm F6.3-9 IS USM më siguron një rreze fleksibël dhe aftësinë për të shkrepur fotografi që nuk kam mundur t'i bëj më parë." Shkrepur me Canon EOS R7 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 742 mm, 1/8000 sek, f/9 dhe ISO 1250. © Pete Lau

Guy zakonisht përdor objektivin Canon RF 600mm F4L IS USM me një Canon Extender RF 1.4x për të fotografuar faunën e egër, por ai u mrekullua nga rrezja 800 mm e RF 200-800mm F6.3-9 IS USM. "Për sa i përket kyçjes së subjektit, RF 200-800mm F6.3-9 IS USM bëri një punë vërtet të mirë gjurmimi, edhe në ndriçim të ulët", - thotë ai. "Por ajo që është e mrekullueshme rreth shkrepjes në distancë është fokusimi i shpejtë automatik. Imagjinoni të fotografoni një zog që po fluturon drejt jush me një objektiv 800 mm. Subjekti do të jetë shumë larg dhe fokusimi automatik do të bëjë vetëm disa lëvizje të vogla për ta gjurmuar atë. Që zogu të dalë në të njëjtën madhësi brenda kuadrit me një objektiv 300 mm, subjekti duhet të jetë shumë më afër jush. Kjo do të thotë se elementi i objektivit duhet të lëvizë më shumë dhe më shpejt për ta mbajtur subjektin në fokus. Në thelb, sa më e gjatë të jetë gjatësia fokale, aq më lehtë do të realizohet fokusimi dhe aq më shumë efektiv do të rezultojë."

Gjatësia fokale prej 800 mm e RF 200-800mm F6.3-9 IS USM sjell gjithashtu edhe përfitime të tjera për Pete. "Mërzitem shumë kur nuk arrij t'u afrohem subjekteve", - thotë ai. "Nëse jam në rrugë ose në një shteg, jam fizikisht i kufizuar në atë hapësirë. Nëse dal jashtë shtegut, ka mundësi që të rrëzohem nga karrigia me rrota, kështu që kjo rreze fokale e objektivit është e mahnitshme. Mund të afrohem siç nuk kam mundur kurrë më parë."

Çiftimi i RF 200-800mm F6.3-9 IS USM me një kamerë APS-C, si p.sh. EOS R7 sjell një përfitim shumë të madh pasi sensori më i vogël e pret imazhin në mënyrë efikase, duke rritur kështu rrezen e objektivit. Në skajin fundor 800 mm të rrezes së objektivit, sensori APS-C ju jep të njëjtën fushëpamje si të jeni duke fotografuar me një objektiv telefoto 1280 mm në një kamerë me kuadër të plotë.

Guy shton se diçka tjetër e mrekullueshme rreth objektivit është diapazoni i tij i zmadhimit. "Nëse po përpiqeni të gjeni një zog në qiell dhe keni zmadhuar deri në 800 mm, do ta keni të vështirë që të identifikoni diçka", - shpjegon ai. "Filloni me një zmadhim prej 300 ose 400 mm, në mënyrë që të gjeni subjektin tuaj, më pas zmadhoni me 800 mm për të kapur një pamje kuadërmbushëse."

4. Fotografoni duke e mbajtur kamerën në duar për fleksibilitet

Fotografi Guy Edwardes mban një kamerë Canon, me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Guy thotë që pozicionimi i duarve është thelbësor kur mban një objektiv të gjatë, si Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM. Për fleksibilitet maksimal, ai sugjeron kapjen e objektivit sa më poshtë të jetë e mundur, duke e mbështetur me pëllëmbën tuaj nga poshtë, me gishtat që ju arrijnë në pjesën e përparme për të rregulluar unazën e zmadhimit.

Peter Lau po mban një kamerë Canon me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Guy dhe Pete u habitën nga madhësia kompakte e RF 200-800mm F6.3-9 IS USM. "Normalisht nuk do të mund të ngrija një objektiv 800 mm, pasi është shumë i madh dhe i rëndë, por RF 200-800mm F6.3-9 IS USM është kaq i lehtë sa është e pabesueshme", - thotë Pete.

Për të fotografuar krijesa që lëvizin shpejt, Guy rekomandon që të mos e merrni stativin trikëmbësh me vete. "Shkrepja me kamerën në duar ju dhuron fleksibilitetin që ju nevojitet për të lëvizur shpejt ose në vende të ndryshme", - shpjegon ai. "Problemi i vetëm është nëse jeni duke fotografuar me një objektiv telefoto të rëndë dhe është e pamundur që ajo peshë të mbahet për shumë kohë."

Stabilizuesi i zakonshëm që përdor Pete është stativi njëkëmbësh, i cili gjithashtu e ndihmon atë me peshën e pajisjes së tij, por Guy i tregoi një teknikë të re. "Nëse i mbledh bërrylat dhe i vendos ato te pjesa e stomakut, kjo më jep akoma më shumë fleksibilitet gjatë gjurmimit të një subjekti që lëviz. Me stativin njëkëmbësh jam i kufizuar në atë nivel", - thotë ai. "Objektivi RF 200-800mm F6.3-9 IS USM është shumë i lehtë dhe mund ta manovroj me një dorë, ndërsa me disa objektiva të tjera, fotografimi mund të duket si një seancë me ngritje peshash.

"Dizajni është po ashtu i mirëmenduar", - shton ai. "Të gjitha elementet mund të arrihen me gishtin e madh të dorës ose me gishtat e tjerë dhe për një objektiv supertelefoto ky dizajn është kompakt dhe interesant."

5. Mësoni se si të fiksoni lëvizjet e shpejta

Një buf shqiponjë i kapur në fluturim në një fotografi të shkrepur nga Pete Lau me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Duke përdorur një shpejtësi të lartë të obturatorit, Pete mundi të kapte këtë fotografi të bufit shqiponjë në fluturim. "Ky është bufi i vetëm që ka qepalla rozë", - tha ai. "Konturet në krahët e tij e ndihmojnë që të ndryshojë pozicionin dhe drejtimin e fluturimit, gjë e cila ishte e mrekullueshme teksa e shihje dhe jam shumë mirënjohës për veçorinë e fokusimit automatik për zbulimin e syve të kafshës e EOS R7, e cila funksionoi shumë mirë." Shkrepur me Canon EOS R7 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 200 mm, 1/2700 sek, f/6,3 dhe ISO 100. © Pete Lau

Një buf hambari hap krahët në fluturim e sipër në një fotografi të shkrepur nga Guy Edwardes me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

Stabilizuesi optik i imazhit me 5,5 niveleRF 200-800mm F6.3-9 IS USM punon së bashku me stabilizimin e integruar të imazhit në EOS R7 për të ofruar deri në 7,5 nivele stabilizimi, duke bërë kështu të mundur reagimin e shpejtë dhe fotografimin pa lëkundje të shpendëve në fluturim teksa shkrepni me aparat në duar. Shkrepur me Canon EOS R7 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 481 mm, 1/4000 sek, f/8 dhe ISO 800. © Guy Edwardes

Kur fotografoni faunën e egër, Guy rekomandon përdorimin e një shpejtësie të lartë të obturatorit. "Fotografoni në 1/2500 sek ose më shpejt, edhe nëse subjekti është një zog që ka qëndruar diku", - thotë ai. "Nëse fluturon papritur, do të jeni gati për këtë moment."

Shpejtësia e lartë e obturatorit jo vetëm që do të fiksojë lëvizjet e kafshës, por gjithashtu do të kompensojë për çdo lëvizje të paqëllimshme timen - shpjegon Pete. "Paqëndrueshmëria më shoqëron gjatë gjithë kohës", - shpjegon ai. "Nga kraharori e poshtë, nuk kam kontroll mbi atë që bën trupi im, kështu që kamera më lëkundet shumë. Rritja e shpejtësisë së obturatorit kompenson lëvizjet e zogut dhe çdo lëvizje timen. IS optikRF 200-800mm F6.3-9 IS USM është thjesht i pabesueshëm; është një model revolucionar për personat si unë me aftësi ndryshe."

Për të siguruar një shpejtësi të lartë të obturatorit, Guy thotë se ka punuar pa probleme me ISO 6400, veçanërisht në pyjet në hije ku nivelet e dritës janë të ulëta. "Mendoj se njerëzit shqetësohen shume për ISO-t e larta dhe zhurmat", - thotë ai. "Më mirë të kesh një fotografi të mprehtë dhe të qartë që mund të ketë pak zhurmë, gjë të cilën mund ta rregulloj më vonë me anë të softuerëve, se sa të mos arrij ta shkrep fotografinë." Gjithashtu, teknologjitë e reduktimit të zhurmës dhe performancës së ISO-s së lartë në kamerat moderne bëjnë të mundur përftimin e imazheve më të qarta seç prisni në ISO më të larta.

Një portret nga afër i një shqiponje kokëbardhë me sqepin e hapur, shkrepur nga Pete Lau me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM.

"Kjo shqiponjë e madhe kokëbardhë ndodhej brenda rrethimit të saj, por afër gardhit, kështu që provova një fotografi portret për të parë se si do t'i kapte detajet objektivi," - shpjegon Pete. "Rezultatet flasin vetë, ashtu si edhe ngjyrat që depërtojnë." Shkrepur me Canon EOS R7 me objektiv Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në 338 mm, 1/400 sek, f/8 dhe ISO 100. © Pete Lau

Pavarësisht nëse po fotografoni shpendë ose kafshë të egra, teknikat e Guy, deklarata e Pete dhe një objektiv si ai i Canon RF 200-800mm F6.3-9 IS USM, me diapazonin e tij fleksibël të zmadhimit dhe me funksionet mbesëlënëse, do t'ju ndihmojnë të afroheni një hap më shumë drejt fotografimit të bukurisë së egër të natyrës. "Thjesht provojeni", - thotë Pete. "Mund ta bëjë kushdo. Dilni në natyrë dhe shihni se çfarë mund të bëni."


Shkruar nga Natalie Denton

Produkte të ngjashme

Artikuj të ngjashëm

Këshilla për fotografimin e faunës së egër

Fotografja profesioniste, Dani Connor, tregon këshillat e saj më të mira për sukses profesional me një aspirant të ri të fotografisë së faunës së egër.

Si të fotografoni zogjtë

Këshilla dhe kompleti më i mirë fillestar për fotografinë e shpendëve.

Objektivat më të mirë për natyrën

Shkrepni imazhe mahnitëse të kafshëve dhe shpendëve të egra me këta objektiva fiksë dhe zmadhues.

Si të zgjidhni një objektiv

Gjithçka që duhet të dini rreth objektivave, nga llojet e objektivave deri te veçoritë që duhet të keni parasysh.