Flokët dhe grimi janë të rëndësishme për të rikrijuar paraqitjen që dëshironi. Krijimi i tabelave të ideve do t'ju ndihmojë të mendoni për ide, si dhe do t'ju japë frymëzim për rekuizita të përshtatshme për periudhën. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/160 sek, f/2.8 dhe ISO1250. © Nina Collins
Përdoruesja e TikTok dhe fotografe autodidakte, Nina Collins, mendonte se karriera në fotografi ishte diçka e paarritshme, por ajo ishte e vendosur t'ia dilte mbanë. “Isha një studente pa lekë në xhep, por pavarësisht se studioja diçka krejtësisht pa lidhje me fototgrafinë, e dija që doja të punoja në fushën e fotografisë dhe për këtë më duhej të krijoja një katalog”, - shpjegon ajo. "Unë mësova vetë përmes kërkimeve të shumta, si dhe pas shumë provash e gabimesh."
Në vend që të postonte në platformat e saj të zakonshme, ku tashmë kishte një prani, Nina vendosi t'ia niste nga e para në TikTok. “Kisha frikë nga reagimet e këqija”, - shpjegon ajo. "Ndjeva se njerëzit do të ishin tepër kritikë dhe do të vinin re imperfeksionet në aftësitë e mia të redaktimit ose cilësimet e kamerës."
Ndërkaq reagimi ndaj videove të saj frymëzuese në TikTok ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe ajo krijoi një audiencë. “Kisha kapur 20 mijë vetë në katër muajt e parë. Komentet e njerëzve ishin aq emocionuese dhe as që e dinin se kush isha. Nuk është se u duhej të thoshin gjëra të bukura – por komentonin sepse në të vërtetë u pëlqeu ajo që panë dhe kjo më dha vetëbesimin që më duhej.”
Seria e fotosesioneve të Nina-s 'Decades', ku ajo tregon modën, modelet e flokëve dhe stilet e fotografimit mes periudhave të ndryshme, kanë rezultuar veçanërisht të përhapura. Ajo gjithashtu i ofron shikuesit një pamje në procesin e saj të përgatitjes në prapaskenë, duke demonstruar se si çdokush mund të provojë të rikrijojë paraqitje të ndryshme. Qëllimi i saj tani është të frymëzojë të tjerët që të marrin një kamerë dhe ta provojnë vetë. "Unë i krijoj videot e mia në TikTok për të ndarë ide, metoda dhe zgjidhje, me shpresën se mund të përfitojnë njerëz të tjerë me pasion për fotografinë," - thotë ajo.
Këtu, Nina na tregon për thjeshtësinë pas kompletit të saj, mënyrën se si ajo i stilon fotot dhe ndan disa këshilla për të ngritur vetëbesimin kur pozoni për autoportretet tuaja krijuese.