Si të shkrepni foto nga distanca – dhe pse t'ju duhet diçka e tillë

Për fotografinë e kafshëve të egra, natës dhe peizazhit, si dhe për autoportrete, është domosdoshmëri të mësoni se si ta komandoni kamerën nga distanca. Këtu keni një udhëzues të shpejtë për të mirat e shkrepjes në distancë dhe se si ta bëni.
Një grua me një fustan të verdhë pozon në një urë të lakuar këmbësorësh, me një Canon EOS R10 në një stativ të vogël të vendosur për ta fotografuar.

Shkrepja e distancës mund të duket si një teknikë e avancuar, por është shumë më e lehtë nga sa mendoni dhe ka disa përfitime të mëdha. Mësoni se si funksionon, kur ta përdorni dhe si do të vijë në ndihmë për lloje të ndryshme fotografie me këtë udhëzues të dobishëm.

Çfarë do të thotë shkrepje distance?

Një përdorues mban një smartfon me programin Canon Camera Connect të hapur, duke shfaqur të njëjtën pamje si në ekranin e një kamere Canon pas tij.

Me shumë mundësi, ju tashmë keni kompletin që ju nevojitet për fotografimin me telekomandë – një gamë e gjerë kamerash Canon mund të kontrollohet duke përdorur programin falas Canon Camera Connect në smartfon ose tabletë.

Shkrepja e distancës është thjesht komandimi i kamerës dhe i shkrehësit nga një pajisje tjetër në vend të komandave mbi kamerë. Zgjidhja tradicionale për këtë ka qenë një kabllo shkrehësi distance, e cila mund të futej në kamerë, por tani është i mundur komandimi përmes lidhjes me valë. Një gamë e gjerë kamerash Canon kanë lidhje Wi-Fi dhe modelet e fundit duke përfshirë të gjitha kamerat e EOS R System kanë edhe Bluetooth. Me programin Canon Camera Connect, kjo ju jep mundësinë e komandimit të një sërë cilësimesh dhe për ta aktivizuar shkrehësin direkt nga smartfoni ose tableta juaj.

Kur do të duhet të përdornit shkrehës distance?

Ka disa të mira nga përdorimi i një shkrehësi distance. Së pari, duke qenë se nuk e prekni fizikisht kamerën, shmangni rrezikun e trazimit të saj kur tërhiqni shkrehësin, çka e bën një mënyrë të mirë për të evituar lëkundjen e kamerës dhe për të nxjerrë foto të mprehta. Së dyti, është gjithashtu i dobishëm për kapjen e fotografive që mund të jenë të vështira për t'u inkuadruar ndërsa mbani kamerën në duar, duke përfshirë fotot në grup me veten në foto ose fotot e kafshëve të ndrojtura në natyrë.

Shkrepja e distancës është një mjet i dobishëm për shumë zhanre të ndryshme fotografike, si p.sh.:

Një foto me ekspozim të gjatë e një lumi në një luginë të pjerrët, e nxjerrë me Canon PowerShot G5 X Mark II. Ekspozimi i gjatë ka bërë që uji i rrjedhshëm të duket si një turbullirë e bardhë, ndërsa pjesa tjetër e skenës është e mprehtë.

Ekspozimi i gjatë këtu ka turbulluar ujin në lëvizje duke e mbajtur pjesën tjetër të skenës të mprehtë. Për këtë efekt, është thelbësore që kamera të mos lëvizë, ndaj është shumë e dobishme nëse jeni në gjendje ta aktivizoni shkrehësin pa prekur kamerën. Shkrepur në Canon PowerShot G5 X Mark II në 8 sek, f/11 dhe ISO125. © James North

Shkrepja e distancës për fotografinë e peizazhit

Aktivizimi i shkrehësit nga distanca është ideal kur shkrepni peizazhe nga një stativ, veçanërisht kur përdorni ekspozime të gjata, sepse mosprekja e kamerës eviton lëkundjet e mundshme të kësaj. Kur jeni duke shkrepur me intervale, kjo ndihmon gjithashtu që të mos e tundni kamerën dhe të mos ndryshoni kuadrin, çka do të bënte që pamjet eventuale të videos të kërcenin në mënyrë shpërqendruese. Me programin Canon Camera Connect, mundësia e ndryshimit të cilësimeve nga një smartfon midis pozave ju bën gjithashtu të mundur që të mos ju duhet t'i ktheheni vazhdimisht kamerës apo të kontrolloni fotot në ekranin e saj. Mund të shtoni edhe vlerësime me yje duke përdorur pajisjen tuaj portative për të ndihmuar në zgjedhjen, shpërndarjen dhe përpunimin e mëtejshëm.

Gishti i një personi prek një foto të një bufi në programin Canon Camera Connect në ekranin e smartfonit.

Është e lehtë për t'u fokusuar kur shkrepni në distancë duke përdorur programin Canon Camera Connect në smartfon. Thjesht trokitni lehtë mbi zonën e ekranit ku dëshironi që objektivi të fokusohet dhe shikoni teksa subjekti juaj shfaqet në pamje.

Shkrepja e distancës në fotografinë e kafshëve të egra

Shkrepja e distancës është ideale kur fotografoni ose filmoni subjekte të ndrojtura ose të pakapshme, si kafshët e egra. Mund ta vendosni kamerën në pikën më të mirë për të bërë fotografinë, edhe nëse kjo do të ishte diku ku do ta kishit vetë të rrezikshme për t'u pozicionuar, dhe më pas të fshiheni jashtë pamjes, në mënyrë që të mos i trembni subjektet apo të mos u ndikoni sjelljen e tyre natyrale. Shkrepja e distancës është fantastike për fotografimin nga afër dhe makro të subjekteve të vogla, ku edhe lëvizja më e vogël e kamerës në fakt do të zmadhohej, duke prishur kuadrin ose duke e nxjerrë subjektin jashtë fokusit. E njëjta gjë vlen nëse përdorni teknikën e grupimit të fokusit për të bërë një seri pozash makro me pjesë të ndryshme të subjektit në fokus, në mënyrë që të kombinohen në një imazh të vetëm me më shumë pjesë të mprehta - mbajtja e kamerës të qëndrueshme është thelbësore. Përsëri, mundësia e ndryshimit të cilësimeve dhe e kontrollit të pozave paraprakisht nga smartfoni, si dhe zmadhimi i pamjes për të kontrolluar fokusin, bën që të mos ju duhet të ktheheni vazhdimisht te kamera duke trazuar skenën. Kur ta keni kapur pozën, gjeoetiketimi – shtimi i të dhënave të vendndodhjes në foto nga smartfoni duke përdorur programin Canon Camera Connect – do t'ju japë një regjistrim të saktë se ku e keni pikasur atë kafshë të rrallë.

Një person përdor një smartfon për të rregulluar në distancë cilësimet në një kamerë Canon, e cila ka një skenë perëndimi të diellit në ekran.

Fotografia gjatë natës dhe fotografia në dritë të ulët shpesh kërkon edhe ekspozime të gjata, dhe telekomanda është gjithashtu e vyer këtu, duke bërë të mundur kapjen e pamjeve pa ndonjë rrezik ngacmimi të kamerës kur aktivizoni shkrehësin.

Astrofotografia me shkrepje të telekomanduar

Me astrofotografinë shpesh do t'ju duhet të shkrepni ekspozime shumë të gjata nga 30 minuta deri në disa orë. Mundësia e shkrepjes nga distanca bën që kamera të mos marrë dridhje gjatë tërheqjes së shkrehësit, çka është kritike për pamje të qarta të qiellit. Për më tepër, mund të jeni goxha larg kamerës, mbase dhe duke ndenjur në të ngrohtin e makinës apo në ndonjë strehë teksa prisni të mbarojë ekspozimi. Për astrofotografinë rrallë del nevoja të rregulloni shumë cilësime, por edhe nëse ju duhet, mund të kaloni nga fokusimi automatik në manual, duke e bërë çdo gjë nga distanca. Veç kësaj, mund ta mbani të fikur ekranin LCD të kamerës, çka do të thotë më pak dritë e padëshiruar për të prishur ekspozimin.

Një grup të rriturish dhe fëmijësh janë ulur së bashku në një tryezë dhe burri në të majtë përdor smartfonin për të lëshuar shkrehësin në kamerën Canon në tryezë në plan të parë.

Autoportretet krijuese dhe pozat në grup bëhen të mundura kur përdorni programin Canon Camera Connect për t'i inkuadruar të gjithë më së miri dhe për të ndryshuar cilësimet nga programi.

Një foto e bërë me një Canon EOS R10 duke përdorur shkrepje në distancë, që tregon një grua me një fustan të verdhë në këmbë të përshtatur në një kalim nën hark të dekoruar me zbukurime në Sevilje.

Përdorimi i programit Canon Camera Connect për të shkrepur nga distanca do të thotë gjithashtu që mund të kapni të gjithë skenën me veten në të. Shkrepur në Canon EOS R10 me objektiv Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM në 35mm, 1/2000 sek, f/5,6 dhe ISO12800. © Diana Millos

Fotografi portreti pa përdorur duart

Nëse dëshironi të provoni dorën tuaj në autoportretet krijuese, atëherë shkrepja e distancës është ideale. Inkduadrojeni veten me lehtësi dhe sigurohuni që të përfshini gjithçka që dëshironi në foto. Mundësia e ndryshimit të cilësimeve, p.sh. e aperturës, bën që të eksperimentoni me efekte të ndryshme pa pasur nevojë të ndryshosh kompozimin duke shkuar te kamera dhe sërish mbrapsht. Shkrepja e distancës është gjithashtu shumë e dobishme për pozat në grup, pasi mund të kontrolloni nëse janë përfshirë (dhe buzëqeshin) të gjithë pa e shqetësuar skenën. Shqyrtoni çdo pozë në vend dhe mund të rregulloni cilësimet sipas nevojës ose t'i zhvendosni njerëzit në pozicione më të mira përpara se grupi të shpërndahet.

Kur punoni në një fotoseancë në mjedis studioje, mund ta kontrolloni kamerën nga kompjuteri duke përdorur programin Canon EOS Utility, i cili ju jep një ekran edhe më të madh se pajisja portative – më shumë për këtë pas pak.

Çfarë ju duhet për fotografinë e distancës?

Një grua me një fustan të verdhë ulur në gjunjë për të rregulluar cilësimet e një kamere Canon EOS R10 që ndodhet mbi një stativ.

Kontrollimi i kamerës nga distanca bën të mundur kapjen e autoportreteve nga kënde të pazakonta – thjesht konfiguroni kamerën dhe më pas kaloni në kuadër, kontrolloni kompozimin dhe rregulloni cilësimet duke përdorur programin Canon Camera Connect dhe bëni fotografinë kur të jeni gati. Një stativ është ideal, por, nëse nuk e keni, thjesht mund ta vendosni kamerën në çfarëdo sipërfaqeje të qëndrueshme.

Canon ofron një sërë aksesorësh për të zgjedhur për shkrepjen në distancë. Canon Remote Switch RS-60E3 është një telekomandë me kabllo 60cm për kamerat EOS me fole tipi E3 dhe Remote Switch RS-80N3 është një shkrehës distance 80cm për kamerat EOS me fole tipi N3. Timer Remote Controller TC-80N3 (që mund të kërkojë gjithashtu Remote Control Adapter RA-E3) ju mundëson shkrepjen e fotove në intervale të rregullta për projekte me intervale pa prekur kamerën.

Sa u përket zgjidhjeve me valë, Canon Remote Controller RC-6 punon në distanca deri në 5 metra duke përdorur rrezet infra të kuqe. Canon Wireless Remote Control BR-E1 punon me kamera EOS të pajtueshme me Bluetooth në distanca deri në 5 metra.

Megjithatë, ju me siguri tashmë e keni kompletin që ju nevojitet për fotografimin në distancë. Programi Canon Camera Connect mund të shkarkohet falas për përdoruesit e iOS dhe Android dhe konfigurohet shpejt në smartfon ose tabletë. Është i pajtueshëm me një gamë të gjerë kamerash Canon – jo vetëm kamerat më të fundit pa pasqyrë, por edhe disa DSLR dhe kamera kompakte PowerShot.

Disa nga funksionet e programit funksionojnë me Bluetooth dhe të tjera kërkojnë lidhje Wi-Fi, ndaj mbajini të dyja aktive në pajisjen tuaj portative për të përfituar sa më shumë nga programi.

Si të përdorni programin Canon Camera Connect për shkrepje distance

Lidhja me kamerën tuaj është një proces i drejtpërdrejtë, me udhëzime në ekran brenda programit për t'ju orientuar gjatë veprimit. Pasi të lidheni, do të keni disa opsione për të eksploruar, në varësi të modelit të kamerës, si p.sh. shkrepja në distancë, shtimi i vlerësimeve me yje në imazhe dhe transferimi i fotove dhe videove për t'i ndarë me të tjerët.

Duhet të jeni në gjendje të shihni një opsion të quajtur Remote Live View shooting, i cili do të shfaqë një figurë të drejtpërdrejtë të asaj që shikon kamera juaj. Nga këtu, mund të bëni rregullime në cilësime, si p.sh. pika e fokusit, shpejtësia e shkrehësit, apertura, ISO, balanca e së bardhës, kohëmatësi, matja etj. Ia vlen të mësoheni me ndërfaqen kur e konfiguroni për herë të parë.

Do të shihni gjithashtu një buton të madh të bardhë në ekran, të cilin thjesht prekni për të bërë foton. Nëse dëshironi të regjistroni video, kaloni tek ikona e videos në krye të ekranit për të kaluar në modalitetin e filmit.

Programi Canon Camera Connect shërben gjithashtu si një qendër për programet e tjera të dobishme për kamerën tuaj, si p.sh. programi image.canon për transferimin dhe ruajtjen e fotove në renë kompjuterike, duke e bërë dyqanin tuaj të vetëm për mjetet më të fundit. Me kamerat EOS R3, PowerShot ZOOM dhe kamerat e tjera EOS të qarkulluar nga viti 2022 e tutje, është gjithashtu i mundur përditësimi i programit të integruar të kamerës nëpërmjet programit Canon Camera Connect, duke e bërë më të thjeshtë se kurrë përditësimin me përmirësimet dhe funksionet më të reja.

Si fokusoni kur shkrepni në distancë?

Tri pamje të ekranit të programit Canon Camera Connect, që tregojnë se si të rregulloni pikën e fokusit, duke përdorur shembullin e një fotografie nga afër të një molle të gjelbër.

Përdorni programin Canon Camera Connect për të kaluar lehtësisht midis fokusimit manual dhe automatik, dhe për të vendosur pikën e fokusimit, në varësi të fotografisë që dëshironi.

Fokusimi nëpërmjet programit Canon Camera Connect është i lehtë. Mund të prekni rreth ekranit për të ndryshuar pikën AF dhe do të shikoni se objektivi fokusohet automatikisht aty ku vendosni pikën e fokusit.

Mbështetet gjithashtu fokusimi manual, i cili mund të jetë i dobishëm për fotografitë nga afër dhe makro ku dëshironi të rregulloni fokusin në subjekt. Një e mirë tjetër është se mund të kaloni nga fokusimi automatik në fokus manual pa pasur nevojë të ktheheni te kamera dhe të përdorni çelësin në objektiv – mund të shtypni butonin e fokusimit manual brenda programit dhe të përdorni shigjetat për të rregulluar fokusin manual.

Si të shkrepni në distancë duke përdorur programin Canon EOS Utility?

Një laptop qëndron në një tryezë jashtë, pranë një kamere në një stativ, me ekranin që tregon figurën e kamerës plus cilësimet anash.

Nëse jeni duke punuar në një ambient më formal me laptopin në dorë, programi EOS Utility i Canon ju jep një pamje paraprake të drejtpërdrejtë dhe mundësinë për të rregulluar cilësimet nga distanca, në përmasa më të mëdha se ekrani i telefonit.

Shkrepjen nga distanca nuk e bëni vetëm nëpërmjet smartfonit. Ka mënyra të tjera që mund të jenë më të përshtatshme, në varësi të nevojave tuaja.

EOS Utility është program Canon për kompjuterin që mundëson shkrepjen në distancë. Mund të përdoret me lidhje me valë ose USB, mundëson komandim të gjerë mbi kamerën dhe fotot mund të ruhen direkt në kompjuterin ose kartën tuaj të memories. Ky mund të jetë një opsion i shkëlqyeshëm për një mjedis studioje, duke ju mundësuar të shikoni fotot në ekranin e madh të kompjuterit, të rregulloni cilësimet dhe të siguroni inkuadrim të përsosur në pamjen e drejtpërdrejtë paraprake duke përdorur rrjete dhe mjete kompozimi. Mund ta përdorni gjithashtu në lidhje me programin Digital Photo Professional të Canon për të modifikuar dhe vlerësuar fotot që keni nxjerrë nga distanca.

Nëse dëshironi të përdorni kamerën si kamerë për internet, EOS Webcam Utility është një opsion i shkëlqyer. Mbështet një gamë të gjerë kamerash Canon dhe është krijuar për t'ju mundësuar përdorimin e kamerës për transmetim të drejtpërdrejtë dhe videotelefonata, çka e bën optimale për transmetim dhe regjistrim fragmentesh në kamerë.

Cilido qoftë modeli i kamerës suaj dhe çfarëdo lloj fotografie që të bëni, Canon ofron mënyra shkrepjeje ose filmimi nga distanca. Pse të mos e provoni shkrepjen në distancë?

Astrid Pitman

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

Si të kontrolloni ekspozimin

Apertura kryesore, shpejtësia e shkrehësit dhe cilësimet ISO.

Fotografia e qiellit të natës

Teknikat kryesore për të shkrepur yjet natën, duke përfshirë fotointervalet dhe imazhet e gjurmëve të yjeve.

Këshilla për shkrepje në kushte ekstreme të motit

Që nga mbrojtja e pajisjeve deri te kujdesi për veten, ja këshillat dhe marifetet tona kryesore për përvetësimin e fotografisë në kushte ekstreme të motit.

Shkrepja e lëvizjes në videopërshpejtime

Teknika të provuara për shkrepjen e videopërshpejtimeve, intervaleve të gjata dhe videongadalësimeve.