Këshilla thelbësore të fotografimit të produkteve për bizneset tuaja të vogla

Zbuloni se si pronarja e një biznesi të vogël e nderuar me çmime dhe drupunuesja, Sophie Sellu, ka përdorur fotografimin e produkteve në avantazhin e saj.
Një grua që përdor një EOS 850D për të fotografuar një vazo prej druri në një tryezë, të ndriçuar nga një dritë LED.

Nuk ka qenë kurrë më e lehtë të nisni një biznes nga shtëpia. Rritja dhe popullariteti gjithnjë në rritje i blerjeve në internet bën që klientët të mund të arrihen pa nevojën për një dyqan fizik. Dhe ndërsa ky është një lajm shumë i mirë për njerëzit që kërkojnë të kthejnë hobit e tyre në karrierë, po bëhet gjithnjë e më e vështirë që të biesh në sy.

Në një treg të mbingarkuar, fotografimi i produkteve që bëni duhet të shkëlqejë. "Është një nga gjërat thelbësore", - thotë Sophie Sellu, e cila krijon sende të gdhendura me dorë nga dru ekologjik dhe i ripërdorur për biznesin e saj Grain and Knot. "Instagram është një nga mënyrat kryesore se si unë tregoj punën time, dhe nëse fotografitë nuk janë të mira, njerëzit nuk do t'u përgjigjen produkteve".

Një grua që qëndron në punishten e saj, duke mbajtur një vazo prej druri.

Sophie Sellu ka prodhuar produkte me dorë që nga viti 2014 dhe i reklamon përmes faqes së saj në internet dhe në Instagram.

Pas investimit të kohës dhe përpjekjeve për të krijuar diçka të veçantë, do të donit t'i paraqisnit më së miri produktet kur i fotografoni.

Ndiqni këto këshilla thelbësore të fotografimit të produkteve dhe mësoni se si t'i jepni biznesit tuaj shansin më të mirë për sukses.

1. Përdorni një stativ për imazhe konsistente

Një grua që rregullon një vazo të gdhendur me dorë për ta shkrepur me EOS 850D në një stativ.

Sophie përdor një stativ me një Canon EOS 850D pasi i lejon ta përgatitë pozën dhe skenën pikërisht siç e do duke e mbajtur inkuadrimin konsistent nga shkrepja në shkrepje.

Një grua që rregullon EOS 850D në një stativ.

Stativi është ideal për nxjerrjen e pozave të arrira të produkteve tuaja me inkuadrim konsistent, që mund t'i japë faqes suaj të internetit ose buletineve të rrjeteve sociale një frymë më profesionale.

Përdorimi i një stativi ndihmon në mbajtjen e një sfondi konsistent për imazhet tuaja. "Kur jam duke bërë poza teke të produkteve, kam gjithçka të rreshtuar e gati për punë", - thotë Sophie. "Duke përdorur një stativ mund t'i inkuadroj pozat me të njëjtën mënyrë dhe të njëjtin sfond".

Kjo bën që të përqendroheni në rregullimin e produkteve dhe në arritjen e ndriçimit të duhur. Gjithashtu ju mundëson ta kontrolloni lehtësisht ekranin LCD të kamerës dhe ta modifikoni më mirë sipas nevojës. Stativët ndihmojnë në eliminimin e rrezikut të dridhjes së kamerës që do t'ju cenonte pozat - sidomos nëse përdorni aplikacionin Canon Camera Connect për ta aktivizuar shkrehësin në distancë.

2. Mendoni për rekuizitat dhe sfondet

Dy vazo prej druri të mbushura me lule të bardha, me tallash druri pranë tyre.

Nëse jeni duke shkrepur produkt në poza stili jetese, kushtojuni vëmendje rekuizitave dhe sfondeve. Thelbi është të mos i tejndërlikoni gjërat. Shkrepur në Canon EOS 850D me një objektiv Canon EF-S 18-135mm f/3.5-5.6 IS USM në 29mm, 1/125 sec, f/11 dhe ISO640.

Një tendë e bardhë mbi një syprinë tryeze, me nga një dritë LED në të dy anët.

Fotografimi i produktit tuaj në një tendë ndriçimi ju jep një imazh pa hije që është ideal për përdorim në ekspozimin e produkteve në faqen tuaj të internetit.

Kur inskenoni produktet për faqen tuaj të internetit ose platformat sociale, ju duhet të mendoni për rekuizitat që përdorni.

"Unë përpiqem t'i mbaj gjërat sa më të thjeshta. Mendoj se ekziston shpesh rreziku t'i tejndërlikosh gjërat," - thotë Sophie. "Shpesh filloj me vetëm një artikull dhe pastaj i shtoj të tjera ose më mirë i heq se sa ta mbingarkoj." Mbajtja e konfigurimit në nivele bazike ndihmon të mos shkëputni vëmendjen nga produkti.

Nëse jeni duke kërkuar për një sfond të pastër atëherë mendoni të merrni një tendë ndriçimi ose të krijoni vetë një të tillë duke prerë vrima në një kuti kartoni dhe duke e mbuluar nga brenda me muslin. Pasi të keni gati tendën atëherë ju mjafton ta vendosni produktin brenda dhe pëlhura e bardhë e tendosur brenda skeletit do të nxjerrë foto pa asnjë hije. Filloni me një sfond të bardhë për ta bërë produktin të dalë në pah, por kini parasysh ta ndryshoni ngjyrën e sfondit me një fletë të thjeshtë me ngjyrë për t'u kombinuar me dizajnet tuaja.

3. Punoni me dritën për të optimizuar paraqitjen e produkteve

Një vazo prej druri e mbushur me lule të thata, në një sfond të bardhë në dritë natyrore.

Ju nuk keni nevojë për drita të dedikuara për fotografimin e produkteve - drita natyrore mund të prodhojë efekte të bukura. "Për t'i bërë punët më të lehta, kam vënë gjithçka krah një dritareje", - thotë Sophie. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv RF 50mm F1.8 STM në 1/640 sec, f/2 dhe ISO100.

Një vazo prej druri të gdhendur me ca bar të thatë brenda, ndriçuar nga rrezet e diellit nga një dritare.

Normalisht më e mira është të shkrepni ditëve me re, që hijet të jenë të këndshme e të buta, por përdoreni diellin në avantazhin tuaj kur del. Drita këtu tregon shtresat e relievit në produkt. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv RF 50mm F1.8 STM në 1/800 sec, f/2 dhe ISO100.

Për ta ekspozuar me të vërtetë detajin dhe cilësinë e produkteve tuaja, ndriçimi i mirë është thelbësor. Nuk keni pse investoni në ndriçim të shtrenjtë - drita natyrore nga një dritare e madhe mund të nxjerrë efekte fantastike pasi shpesh e butë dhe e shpërhapur.

Për të filluar, thjesht vendoseni produktin pranë dritares dhe inkuadrojeni. Nëse njëra anë e produktit është shumë e errët, mendoni vendosjen e një reflektori apo flete të madhe të bardhë për të pasqyruar një pjesë të dritës nga dritarja mbi artikullin që po fotografoni.

Një Canon EOS 850d në një syprinë tryeze, krah një vazoje druri, me një dritë vertikale LED të konfiguruar në sfond.

Nëse nuk mund ta konfiguroni pranë një dritareje të madhe ose gjendja atmosferike është e keqe, atëherë do t'ju bënte punë një dritë kompakte LED.

Një vazo prej druri të errët në një syprinë tryeze druri, e mbushur me tre gjethe me bar të thatë.

Përdorimi i dy dritave LED të pozicionuara në të dyja anët e gdhendjes së drurit ka sjellë dritë të mjaftueshme për të ndriçuar lehtë skajet dhe për ta bërë të dalë në pah nga sfondi. Shkrepur në Canon EOS 850D me një objektiv Canon EF-S 18-135mm f/3.5-5.6 IS USM në 35mm, 1/200 sec, f/6.3 dhe ISO1250.

Në disa raste, ju mund të doni të sillni dhe dritë artificiale. Teksa përdorimi i një llambe tryeze mund të ishte ide tunduese, më mirë shmangeni diçka të tillë. Kjo pasi temperaturat e ngjyrave të të dy burimeve të dritës do të jenë të ndryshme - drita nga llamba e tryezës do të jetë më e verdhë se drita natyrore, duke e bërë më të vështirë arritjen e balancës së duhur të të bardhës në imazhin përfundimtar.

Është shumë më mirë të përdoret një blic i gjatë Speedlite, si p.sh. Canon Speedlite 430EX III-RT, i cili nxjerrë dritë me temperaturë ngjyrash të ngjashme me dritën e diellit dhe nuk ndikon në balancën e së bardhës. Montimi i një kutie shpërhapëse në një Speedlite të pozicionuar në distancë mund të arrijë rezultate të jashtëzakonshme.

Nëse nuk ju del hapësira ose ju duhet diçka më e drejtpërdrejtë, dritat LED të tryezës janë një alternativë e mirë. Kur zgjidhni një dritë LED, sigurohuni ta caktoni temperaturën e ngjyrave në rreth 5,600k (Kelvin), që do të thotë se ngrohtësia e dritës do të përputhet me ambientin e dritës natyrore gjatë ditës. Gjithashtu mund të merrni parasysh zgjedhjen e një drite LED me indeks të lartë paraqitjeje të ngjyrave (CRI) - 95 është numri ideal këtu, çdo vlerë tjetër ndikon negativisht në mënyrën si shfaqen ngjyrat në imazhet tuaja.

4. Izoloni subjektin tuaj

Një vazo prej druri e mbushur me lule të vogla të bardha në një tryezë pranë një dalte druri.

Shkrepja me aperturën e caktuar në f/8 ka bërë që sfondi të dalë shumë në pah duke tërhequr vëmendjen nga produkti. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv RF 50mm F1.8 STM në 1/320 sec, f/8 dhe ISO5000.

Një vazo prej druri e mbushur me disa lule të vogla të bardha në një tryezë përkundër një sfondi të turbullt.

Ndryshimi i aperturës në f/1.8 e ka nxjerrë sfondin jashtë fokusit duke i lejuar produktit të dalë në pah. Në të njëjtën kohë sakaq, ende marrim një ide të ambientit. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv RF 50mm F1.8 STM në 1/320 sec, f/1,8 dhe ISO250.

Nuk do të donit që sfondi të dalë mbi subjektin tuaj, ndaj përpiquni të përdorni një aperturë të shpejtë për të reduktuar thellësinë e qartësisë dhe për të nxjerrë më shumë nga skena jashtë fokusit.

Këtë mund ta bëni duke shkrepur në prioritet të aperturës - zgjidhni Av dhe përdorni aperturën më të gjerë në dispozicion. Nëse jeni duke përdorur objektiv 18-55mm në EOS 850D, kjo do të jetë me gjasë f/5.6 at 55mm.

Shkrepja me këtë aperturë ju mundëson turbullimin e sfondit, por për t'i bërë produktet të dalin më në pah mund doni të përdorni një objektiv "të shpejtë" fiks, si p.sh. EF 50mm f/1.8 STM – ose RF 50mm f/1.8 STM nëse përdorni kamerë EOS R System. Megjithëse disa nga produktet tuaja mund të dalin jashtë fokusi kur shkrepni së gjeri, mundësia për të shkrepur deri në f/1.8 ju mundëson arritjen e një efekti të bukur bokeh të sfondit për t'i bërë produktet të dalin në pah.

Një grua duke gdhendur me dorë një vazo prej druri në punishten e saj.

Kushtojini kohën e nevojshme fotografimit të produkteve. Argëtohuni me të dhe do t'i nxirrni edhe produktet më së miri.

Ajo që duhet të keni parasysh me fotografimin e produkteve është të mos nxitoni. Në fillim Sophie e pa si një detyrë të frikshme për shkak të rëndësisë së saj. "Por pastaj kuptova se më duhet t'u tregoj njerëzve atë që bëj dhe fillova të shoh se një ditë që kaloja duke nxjerrë fotot e produktit ishte po aq e rëndësishme sa një ditë që kaloja duke bërë vetë produktet".

Udhëtimin e Sophie-t mund ta ndiqni në profilin e saj në Instagram @grainandknot.


Shkruar nga Phil Hall

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

3 fotoaksesorë për t'i bërë vetë

Krijoni kutinë tuaj të fotografimit, tubin e ndriçimit për dritë të fokusuar dhe një qeskë me fasule për stabilizimin e kamerës.

Krijoni studion tuaj në shtëpi

Zbuloni se si të bëheni krijues me blicin dhe të shkrepni portrete mahnitëse pa shpenzime.

Shkrepja nga sipër për rrjetet sociale

Gjashtë këshilla eksperti për nxjerrjen e fotove mahnitëse nga sipër nga fotografi i produkteve dhe i stilit të jetesës, Chris Priestley.

Si të bëheni influencues të ushqimit

Këshilla për fotografinë e ushqimit nga influencuesja në Instagram dhe përfaqësuese nderi e Canon, Yasmin AlBatoul.