Me paralajmërimet e shndritjes dhe të hijes të aktivizuara në DPP, zonat e dritës që rrezikojnë të priten kanë një mbivendosje të kuqe. Zonat që janë në dukje më të errëta dhe prandaj rrezikojnë t’u priten tonalitetet e hijes, kanë një mbivendosje blu.
Si një entuziast i fotografisë, ju ndoshta jeni mësuar të përdorni cilësimet dhe opsionet e aparatit për të përsosur fokusin, ekspozimin dhe kompozimin e fotove tuaja, dhe mund t’i shqyrtoni rregullisht fotot në ekranin LCD të aparatit e më pas t'i rinxirrni përsëri me cilësime pak më të ndryshme për t’i marrë siç duhet. Me kaq shumë kujdes për shkrepjen, fotoja drejtpërdrejt nga aparati shpeshherë mjafton për të dokumentuar përvojat tuaja - por ka disa raste të veçanta që sjellin nevojën për më shumë vëmendje. Dasmat, përvjetorët, festat e ditëlindjeve, diplomimet, hapat e parë të fëmijës suaj... momente që shfaqen një herë në jetë e që ia vlen të mbahen mend në dritën më të mirë të mundshme, kjo është dhe arsyeja përse është e rëndësishme të mësoni se si t’i retushoni fotot tuaja. Do të thotë që mund të rregulloni shumë gabime, të kompozimin dhe ndriçimin, dhe aspekte të tjera teknike, t'u jepni një pamje të veçantë të gjitha fotove tuaja nga një aktivitet e shumë më tej.
Për t'i dhënë vetes më shumë hapësirë kur bëhet fjalë për retushimin e fotove, ia vlen të fotografoni në RAW - domethënë ta konfiguroni aparatin që t’i ruajë fotot si skedarë RAW, në vend të JPEG, kur shkrepni. Skedari RAW në thelb është një negativ digjital që përmban të dhëna bruto të paprocesuara nga sensori i aparatit tuaj, nga i cili mund të prodhoni interpretime të ndryshme të pamjes. Skedarët JPEG janë përpunuar tashmë nga aparati dhe mund t’i shpërndani me lehtësi prej tij, por ju japin shumë pak hapësirë për retushim apo korrigjim. Një mënyrë praktike për të marrë më të mirën e të dy botëve është ta konfiguroni aparatin të ruajë në RAW dhe JPEG - kështu keni një foto që mund ta shpërndani lehtë, si edhe një skedar RAW të cilin mund ta përmirësoni dhe me të cilin mund të eksperimentoni më vonë. Por bëni kujdes ndërkaq se do t’ju duhet më shumë hapësirë në kartën e memories për aparatin që të ruani të dyja versionet e çdo shkrepjeje.
Për të krijuar një foto nga një skedar RAW, duhet ta procesoni. Këtë mund ta bëni në aparat dhe madje të bëni edhe disa rregullime, duke ndryshuar ndriçimin, duke korrigjuar aberracionin e objektivit, duke zbatuar efekte presetesh si p.sh. Vivid ose Soft etj. Por ka kuptim sakaq ta bëni procesimin në ekranin (shumë më të madh) të kompjuterit me programe të specializuara retushimi për RAW, si p.sh. programi falas Digital Photo Professional (DPP) nga Canon ose Adobe® Lightroom®. Kjo bëhet lehtësish dhe ju jep mundësinë të zbatoni një Picture Style të ndryshëm, ekuilibrin e së bardhës, cilësimin e zvogëlimit të zhurmës dhe shumë më tepër. Çdo retushim që bëni në skedarin RAW (qoftë në aparat apo në kompjuterin tuaj) nuk është shkatërrues, që do të thotë se skedari origjinal nuk ndikohet dhe çdo rregullim mund të zhbëhet, ndryshohet ose hiqet në çdo kohë, edhe nëse e mbyllni skedarin dhe rihapni më vonë.