Fotografja e re britanike, Dani Connor, krijoi një emër profesional për veten gjatë pandemisë COVID-19, pasi iu desh të qëndronte në Laplandën suedeze. Dani-a ishte vullnetare në një rezervat të kafshëve të egra në krahinën në fjalë kur pjesa më e madhe e botës u izolua, kështu që përdori kohën në avantazhin e saj duke krijuar një lidhje të ngushtë me faunën e egër të vendit - veçanërisht me një grup të vogël ketrash të kuq.
“E pashë si një mundësi shumë të mirë për të nisur karrierën time”, - thotë ajo. "Mendova me vete ta provoja për gjashtë muaj dhe nëse nuk do të arrija askund, do të kthehesha në punën time në Muzeun e Historisë Natyrore në Londër." Pas vetëm gjysmë viti përpjekjesh të përkushtuara, Dani-a kishte krijuar një audiencë prej 60,000 vetësh në Instagram, YouTube dhe Twitter dhe po mbështetej financiarisht nga abonentët në Patreon, të cilët kishin interes në punën e saj.
Ne i kërkuam Dani-ës të ndajë disa nga këshillat e saj kryesore me studentin e fotografisë, Jonty Clark, i cili ishte i etur të mësonte më shumë rreth fotografimit të kafshëve në natyrë. Ne i dhamë Jonty-t një Canon EOS R7, të cilin Dani e kishte përdorur në një fotoseancë të faunës së egër në Spanjë dhe i sistemuam në një vendvrojtim fotografimi ku do ta kishin të sigurt pikasjen e shpendëve të shpejtë grabitqarë.
Ja këshilla që Dani-a zbuloi atë ditë, shoqëruar me një përzgjedhje të fotove më të mira të saj dhe Jonty-t.
Këshilla për fotografët e rinj të faunës së egër: një shkrepje njëditore me fotografen profesioniste, Dani Connor
Këshilla 1: Përfshihuni në mjedisin e subjektit tuaj
Shkrepja nga vendvrojtimi mundëson edhe kontrollin e mjedisit. Ushqimi vendoset nëpër objektet përpara vendvrojtimit për të ndjellë shpendët në rrezen e fotografimit. Aktiviteti është pothuajse i garantuar, gjë që e bëri këtë lloj vendndodhjeje zgjedhjen e dukshme për një xhirim njëditor.
Dani ka kaluar shumë kohë në fillesat e karrierës së saj nëpër vendvrojtime gjatë kohës që ishte në Suedi dhe dallon ende anët e mira të tyre edhe sot. "Shkrepja nga vendvrojtimi të bën që ta shtysh veten më tej drejt të qenit krijues dhe për të gjetur mënyra si t'i bësh fotot të dallojnë nga pamjet që kanë shkrepur gjithë të tjerët tek i njëjti vend. Është një mënyrë e shkëlqyer për të praktikuar teknikën tuaj dhe e përsosur për të fotografuar krah për krah”, - thotë ajo.
Përvoja e Jonty-t deri më tani ka qenë kryesisht në studio, duke fotografuar kafshë shtëpiake ekzotike si pjesë e subjekteve të veta universitare. Duke u përsiatur mbi ditën, ai thotë: "Mësova shumë për sjelljen e sokolave nga Dani, por edhe duke kaluar disa orë duke vrojtuar zogjtë nga vendvrojtimi. Në fund të fotografimit mund të parashikoja se kur do të zbritnin nga pemët aty pranë, gjë që më dha më shumë kohë për t'u përgatitur. Pamjet në studio janë të gjitha shumë të kujdesshme, por ishte e mahnitshme të shikosh sjelljen në natyrë. Të miturit që grinden me sokolat më të vjetër përpara nesh na dhanë mundësi të mahnitshme për të nxjerrë foto emocionuese”.
Këshilla 2: Investoni në një kamerë që mund t'i bëjë të gjitha
Dani-a është fillimisht fotografe, por tërheq vëmendjen e klientëve të mundshëm përmes videove që ngarkon në YouTube. Kur filloni në fushën e fotografisë, është ide e mirë të mësoni edhe aftësitë bazë të videos, qoftë edhe vetëm për vetëpromovim në rrjetet sociale. Për ta bërë këtë, do t'ju duhet të zgjidhni kompletin e duhur.
"Canon EOS R7 është një kamerë e shkëlqyer e gjithanshme për krijuesit e përmbajtjes në hapat e parë," - sugjeron Dani-a. "Ajo që e dallon nga të tjerat është fotostabilizimi i integruar (IBIS), i cili është i dobishëm jo vetëm kur shkrepni subjekte që lëvizin shpejt, por edhe kur ecni përreth duke krijuar videoblogime për veten tuaj në natyrë."
Jonty zgjodhi të çiftonte Canon EOS R7 me një objektiv Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM, i cili ka një fotostabilizues optik të integruar për të plotësuar IBIS që gjendet në kamerë. "Fotostabilizimi ishte dukshëm më i mirë se te Canon EOS 90D që kam vetë," - thotë Jonty, - "dhe kamera thjesht ndjehej si një përmirësim i tillë në të gjitha aspektet. Modaliteti më i shpejtë i fotografimit të vazhdueshëm, diapazoni më i madh ISO, balancimi automatik – ishte një kamerë e mrekullueshme për fotografi dhe padyshim që do të më jepte gjithçka që më duhej për të filluar udhëtimin për ta bërë këtë karrierën time me kohë të plotë."
Lexoni udhëzuesin tonë për objektivat më të mirë të fotografisë së faunës së egër për të mësuar më shumë rreth opsioneve të objektivave për kapjen e fotove mahnitëse të kafshëve dhe shpendëve të egra.
Këshilla 3: Përqendrohuni te sytë e subjektit tuaj
Eye Detection AF për kafshët është një funksion që Canon EOS R7 e trashëgon nga kamerat e tjera profesionale, si Canon EOS R5 dhe EOS R6, e cila zgjidh punë te fokusimi në subjekte që lëvizin shpejt. "Më pëlqen modaliteti i zbulimit të syve të kafshëve në EOS R5, sepse jo vetëm që gjurmon vazhdimisht subjektet ndërsa lëvizin, por fokusohet automatikisht te syri, gjë që e bën punën time shumë më të lehtë. EOS R7 ka gjithashtu zbulimin e syve të kafshëve, i cili do t'i ndihmojë vërtet ata që janë të rinj në fotografimin e shpendëve dhe kafshëve të egra", - thotë Dani-a.
Programi Canon Photo Companion është një mjet i dobishëm për t'u marrë me funksionet e kamerës suaj, me ushtrime, mësime dhe këshilla specifike për modelin dhe nivelin e aftësive të kamerës suaj. "Unë personalizova butonat e mi në EOS R7," - thotë Jonty, i cili e kishte të lehtë të familjarizohej me kamerën e re. "Vendosa butonin e fiksimit të ekspozimit për të zgjedhur fokusin e kafshëve dhe më pas shtypa përgjysmë butonin e shkrehësit për t'u fokusuar te syri. Tani që i kam përjetuar këto funksione, ato ndihen thelbësore për fotografimin e kafshëve të egra në vazhdim.”
Përveç këtyre përfitimeve, ka avantazhe të shkrepjes me një kamerë me sensor me prerje (APS-C), si Canon EOS R7. “Kamerat me sensor APS-C ju lejojnë t'i afroheni më shumë subjektit tuaj”, - thotë Dani-a. “Po shkrepja me një objektiv Canon EF 300mm f/2.8L IS II USM dhe një Canon Extender EF 1.4X III në Canon EOS R5, çka më dha gjatësinë fokale ekuivalente të 420mm, por diapazoni maksimal prej 150mm i Jonty-t u zgjerua në 240mm, falë faktorit të prerjes prej 1.6x. Kjo ishte afër mjaftueshëm për të nxjerrë rezultate mahnitëse nga vendvrojtimi dhe do të ishte vërtet fantastike për endjen nëpër qytet apo ndonjë park atypari ku dëshiron të jesh më pranë subjektit."
Këshilla 4: Mos humbisni asnjë foto me modalitetin në seri RAW
Dani dhe Jonty eksperimentuan me modalitetin e serisë RAW gjatë shkrepjes së sokolave nga vendvrojtimi. Canon EOS R7 lejon regjistrimin me 15 kuadro në sekondë (fps) kur përdoret shkrehësi mekanik, ose 30fps me shkrehësin elektronik, që është i njëjti numër kuadrosh në sekondë si filmat. "Është tepër i shpejtë dhe veçanërisht i mirë për zogjtë në fluturim, duke të lejuar të zgjedhësh foton më të mirë nga një sekuencë," - thotë Dani-a.
Në këtë modalitet mund të aktivizohet edhe fotografimi paraprak, i cili kap momentet gjysmë sekonde para shtypjes së shkrehësit dhe i ruan fotot si skedarë individualë RAW. "Ky funksion është kaq fantastik sa më lejoi në njëfarë mënyrë të kthehem pas në kohë. Sokolat ishin të paparashikueshëm, por ky funksion më dha një dritare shumë më të madhe për të reaguar dhe për të nxjerrë pozën”, - thotë Jonty.
Këshilla 5: Krijoni shanset tuaja
“Këshilla ime më e madhe për Jonty-n, dhe këdo që kërkon t'ia dalë mbanë si fotograf i faunës së egër, është të krijoni shanse. Është një treg shumë i mbipopulluar, por gjithsesi është ende e mundur të biesh në sy”, - thotë Dani-a. Ajo e këshilloi Jonty-n të ndiqte hapat e fotografëve të tjerë profesionistë për të parë se si punojnë ata, duke i pyetur thjesht: "A mund t'ju ndjek për një ditë për të parë si punoni?" – dhe të mos harronte rëndësinë shfaqjes së personalitetit në praninë e tij në internet.
“Njerëzit nuk më ndjekin për shkak të fotografisë sime apo sepse duan të shohin kafshë të egra”, - vijon Dani-a. “Fotografët e faunës së egër pritet të bëjnë foto të mira, por unë fitova ndjekës sepse njerëzit donin të dëgjonin atë që kisha për të thënë. Unë gjithmonë prezantoj veten në videot e YouTube sepse e di që sapo njerëzit shohin personalitetin, ata janë më të interesuar për përmbajtjen time."
"Ishte shumë mirë të mësoja më shumë për anën e marketingut të fotografisë nga Dani-a," - thotë Jonty. “Është më se e frikshme të shohësh katalogët e fotografëve me përvojë që kanë pasur dekada për të përsosur artin e tyre, por sakaq tek shikon se çfarë ka arritur Dani-a në një kohë të shkurtër duke u fokusuar te ketrat e kuq dhe duke përdorur fuqinë e rrjeteve sociale është vërtet frymëzuese”.
Duke reflektuar për ditën, Jonty thotë: "Me ndihmën e Dani-ës dhe për shkak se kamera më ndihmoi t'i izoloja kaq lehtë subjektet, mësova shpejt të përshtatem me një ambient me ritëm më të shpejtë."
Jonty e mbylli ditën duke u ndjerë i frymëzuar, me një sërë fotografish mbresëlënëse për t'ia shtuar katalogut të tij, ndërsa Dani-a gjithashtu përfitoi shumë nga koha e tyre së bashku, veçanërisht duke shfrytëzuar në maksimum kompletin ekzistues: "Ndjeva se dhe unë mësova nga Jonty sot!”, - përfundon ajo. "Pavarësisht nëse jam duke u mësuar vetë apo duke i mësuar dikujt tjetër, ka gjithmonë një transferim informacioni."
Shkruar nga Matthew Bowen