Piotr-i thotë se shkrepja e fotove me gjurmë drite është relativisht e drejtpërdrejtë. "Të mjaftojnë vetëm pajisjet standarde të kamerës, një stativ dhe një vendndodhje e mirë," - thotë ai. "Nuk është e komplikuar të nxjerrësh këtë lloj fotoje dhe rezultati që duket në ekranin LCD është gjithnjë i arrirë. Ndonjëherë as nuk të duhet t'i redaktosh këto pamje sepse duken të bukura dhe ashtu siç janë." Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L USM (i tejkaluar tani nga Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM) në 18mm, 25 sek, f/11 dhe ISO1000. © Piotr Skrzypiec
Ditën guidë turistike, natën fotograf gjurmësh drite, Piotr Skrzypiec, përdor njohuritë e tij për atraksionet e bukura dhe teknikat e ekspozimit të gjatë për të krijuar fotografi peizazhesh mahnitëse në Slloveni e më tej. Nuk është kësisoj dhe aq befasuese që u shpall fitues i sfidës inauguruese të Canon Redline Challenge.
Konkursi fotografik synonte të shtynte aftësitë e fotografëve amatorë me "dritën në errësirë". Tri nga imazhet e Piotr-it arritën në listën përfundimtare të përzgjedhjeve të jurisë, dhe poza e tij atmosferike e një ujësjellësi të veshur nga mjegulla u përzgjodh si fituesja e përgjithshme.
Piotr-i përdori një ekspozim më të gjatë për t'i kthyer fenerët e mprehtë të makinave në lëvizje në vijëzime gjarpëruese ngjyrash. Ekspozimi i gjatë nënkupton shkrepjen me shpejtësi të ulëta shkrehësi, që mund të luhaten nga sekonda në orë dhe rezultojnë në turbullim të objekteve që lëvizin. Teknika nuk kërkon ndonjë kamerë apo objektiv të specializuar, dhe rezultatet mund të jenë të goditura. Ashtu si turbullimi i lëvizjes, ekspozimet e gjata janë të mira dhe për të maksimizuar dritën që hyn në kamerë me qëllim reduktimin e ISO, çka përmirëson cilësinë e figurës.
Këtu Piotr-i riviziton atraksionet e pozave të tjera të tij dhe ofron këshillat e tij se si të shkrepni foto të ngjashme me gjurmë drite.