Si të përvetësoni shpejtësinë e shkrehësit

Shpejtësia e obturatorit të kamerës suaj Canon është një nga tre cilësimet që përcaktojnë ekspozimin, si dhe element kyç për të kapur lëvizjet. Këto këshilla të thjeshta do t'ju ndihmojnë ta përvetësoni atë.
Një motor për terrene të vështira kalon me shpejtësi përmes një pellgu, duke krijuar një spërkatje uji, teksa një fotograf në njërën anë ulet dhe drejton një kamerë Canon drejt motoristit.

Ndryshimi i shpejtësisë së kamerës është një nga mënyrat për të rregulluar ekspozimin e përgjithshëm të një figure. Por ka dhe përdorimet e saj krijuese, duke ju lejuar të kontrolloni nivelin e turbullimit në lëvizje (ose mungesën e tij) në fotot tuaja.

Ja pesë këshilla që do t'ju ndihmojnë të njiheni me shpejtësinë e obturatorit dhe të keni më shumë kontroll mbi fotografinë e aksionit, pavarësisht nëse po fotografoni ditën sportive të një shkolle me një Canon EOS R100 (e cila ka një shpejtësi obturatori deri në 1/4000 sek) ose natyrën e egër në një Canon EOS R7 (e cila ofron një shpejtësi të lartë të obturatorit deri në 1/16 000 sek).

Në një foto të shkrepur në një Canon EOS R10 me një shpejtësi obturatori prej 1/2000 sek, tregohet një qen i racës golden retriever që vrapon drejt kamerës.

Canon EOS R10 ofron shpejtësi të lartë të obturatorit deri në 1/4000 sek (obturator mekanik) ose deri në 1/16 000 sek (obturator elektronik), e cila është e mjaftueshme për të kryer shkrepje të mprehta të aksionit me ritëm të shpejtë, si p.sh. sportet ose kafshët në lëvizje. Shkrepur në një Canon EOS R10 me një objektiv Canon RF 70-200mm F2.8L IS USM në 100mm, 1/2000 sek, f/2.8 dhe ISO 320.

Çfarë është shpejtësia e obturatorit?

Shpejtësia e obturatorit është koha që obturatori i kamerës suaj qëndron i hapur, dhe për rrjedhojë kohëzgjatja e ekspozimit të sensorit ndaj dritës. Sa më gjatë të qëndrojë hapur, aq më shumë dritë bie në sensor dhe aq më e ndriçuar del fotoja.

Shpejtësia e obturatorit është njëra nga anët e trekëndëshit të ekspozimit – tre faktorët që përcaktojnë ekspozimin e një imazhi. Dy të tjerët janë apertura dhe cilësimi ISO. Apertura është madhësia e hapjes së objektivit, e cila gjithashtu ndikon në sasinë e dritës që bie në sensor. Cilësimi ISO kontrollon ndjeshmërinë e sensorit ndaj dritës – një ISO më e lartë sjell foto më të ndriçuara, por zakonisht edhe më shumë zhurmë në foto.

Një shpejtësi e lartë e obturatorit si p.sh. 1/1000 sek, që nënkupton se obturatori qëndron i hapur për vetëm një milisekondë, mund të fiksojë lëvizjen e shpejtë të një subjekti, si p.sh. një motoçiklist që udhëton me shpejtësi. Megjithatë, një shpejtësi e lartë e obturatorit nënkupton më pak dritë në kamerë, kështu që normalisht duhet të zgjeroni aperturën ose të rrisni vlerën e ISO për të arritur një imazh me ekspozim të mirë. Shpejtësia shumë e ulët e obturatorit si p.sh. 1 sekondë, do të sillte turbullimin e motoristit në lëvizje.

Ekrani i pasmë i një kamere Canon ku tregohet modaliteti “Shutter Priority (Tv)”.

Për të kontrolluar direkt shpejtësinë e obturatorit, caktojeni kamerën në modalitetin “Shutter Priority” (Tv) ose Manual (M).

1. Kontrolloni shpejtësinë e shkrehësit

Shumica e kamerave EOS kanë një modalitet të posaçëm skenik "Sports" që i konfiguron vetiu cilësimet e ekspozimin dhe të fokusit të kamerës për shkrepjen e subjekteve në lëvizje. Kjo do t'ju japë rezultate fantastike, por mund të keni edhe më shumë kontroll kur dëshironi të jeni më krijues, të realizoni një efekt të caktuar apo të bëni përshtatje për rrethana të veçanta, si p.sh. kur shkrepni një subjekt në lëvizje të shpejtë me kamerën në dorë dhe në distancë të largët.

Për të marrë kontrollin direkt të shpejtësisë së shkrehësit, caktojeni kamerën në "Shutter Priority" (ose "Tv", që është shkurtimi për "Time Value - vlera e kohës"). Në vijim mund ta caktoni shpejtësinë e obturatorit duke kthyer rrotullën kryesore të kamerës ose duke përdorur ekranin me prekje që ofrohet në shumë prej kamerave EOS, duke përfshirë Canon EOS R50 dhe EOS R8. Kamera juaj do ta rregullojë automatikisht aperturën për të dhënë një ekspozim standard. Nëse dëshironi të jeni plotësisht në kontroll, kaloni në modalitetin manual (M) dhe mund të zgjidhni çdo kombinim të cilësimeve sipas dëshirës.

Shpejtësia më e lartë e disponueshme e obturatorit varion sipas modeleve, dhe gjithashtu sipas modalitetit të obturatorit që zgjidhni, aty ku ka mundësi zgjedhjeje – obturator mekanik ose elektronik. Obturatori mekanik në një kamerë Canon EOS zakonisht arrin vlerën 1/4000 sek ose 1/8000 sek, kurse obturatori elektronik në modelet e avancuara pa pasqyrë EOS R System mund të jetë shumë më i shpejtë – deri në 1/64 000 sek në EOS R3. Shpejtësia më e gjatë e obturatorit e caktuar automatikisht është 30 sekonda. Nëse dëshironi ekspozime më të gjata, për shembull për fotografimin e fishekzjarrëve ose fotografimin e shtigjeve të dritës, mund të zgjidhni modalitetin Bulb. Në këtë modalitet, obturatori hapet kur shtypni butonin e obturatorit dhe qëndron i hapur deri sa ta shtypni përsëri atë.

Në një foto të shkrepur në një Canon EOS R10, me një shpejtësi të lartë të obturatorit, një kërcimtar rruge kryen një goditje të lartë me njërën dorë në tokë. Në sfond janë katër persona të tjerë dhe disa palma të larta.

Këtu, shpejtësia e obturatorit 1/3200 sek, ishte mjaftueshëm e lartë për të fiksuar lëvizjet por prapë ka elementë të turbullimit të lëvizjes, për shembull rreth këmbëve të kërcimtarit. Megjithatë, falë fotostabilizimit optik në objektiv, elementet në panoramë që nuk lëvizin janë shumë të mprehta. Shkrepur në një Canon EOS R10 me një objektiv Canon RF 18-45mm F4.5-6.3 IS STM në 18mm, 1/3200 sek, f/4.5 dhe ISO 400.

Një foto e zmadhuar, e mprehtë e sportistëve të kanotazhit në ujë, shkrepur me një objektiv Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM.

Sa më shumë zmadhoni, aq më shumë del si problem dridhja e kamerës. Megjithatë, fotostabilizimi optik me 4.5 nivele në objektivët RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM, e ka minimizuar në mënyrë efektive këtë gjë, duke i mundësuar fotografit të përdorë një shpejtësi obturatori jo shumë të lartë, 1/2000 sek. dhe të arrijë të kryejë shkrepje të mprehta edhe të pikave të ujit, në një gjatësi fokale prej 100 mm. Shkrepur në një Canon EOS R10 me një objektiv Canon RF 18-150mm F3.5-6.3 IS STM në 100 mm, 1/2000 sek, f/6.3 dhe ISO 500.

2. Evitoni dridhjen e kamerës

Ka dy gjëra për të cilat duhet të mendoni kur zgjidhni shpejtësinë e obturatorit: nëse është e shpejtë sa duhet për të evituar turbullimin për shkak të lëvizjes së kamerës kur shkrepni duke e mbajtur në dorë, që njihet dhe si "dridhje e kamerës", si dhe shpejtësinë e lëvizjes së subjektit.

Shpejtësia e obturatorit që ju nevojitet për të shmangur dridhjen e kamerës varet nga një sërë faktorësh, duke përfshirë erën që fryn dhe nëse jeni duke përdorur një objektiv apo kamerë me fotostabilizim të integruar. Por gjatësia fokale e objektivit është faktori më i rëndësishëm. Sa më shumë zmadhoni pamjen, aq më të dukshme bëhen të gjitha dridhjet.

Një rregull i përgjithshëm për eliminimin e këtij problemi është të provoni të përdorni një shpejtësi obturatori që është e barasvlershme me të anasjelltën e gjatësisë fokale efektive apo më të shpejtë. Ndaj me një cilësim objektivi prej 50 mm, përdorni 1/50 sek a më shpejt dhe me një objektiv 200 m përdorni 1/200 sek a më shpejt. Më pas duhet të llogarisni dhe shpejtësinë e subjektit - lexoni më poshtë.

Një foto e turbullt e një motoristi në një motor për terrene të vështira, me në fokus sfondin.

Në një shpejtësi obturatori që mendohet si shumë e lartë, 1/200 sek, kjo shkrepje krijon ide të mirë të një subjekti në lëvizje që kalon me shpejtësi, pa e kapur detajin e motorit apo të motoristit. Shkrepur në një Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 10-18mm f/4.5-5.6 IS STM në 11mm, 1/200 sek, f/14 dhe ISO 1250.

Një shkrepje e mprehtë e një motoristi në lëvizje, në një motor për terrene të vështira, me në fokus sfondin dhe motoristin.

Në 1/1000 sek, kjo shkrepje e fikson aksionin. Vini re gjithashtu se si apertura është zgjeruar në f/5.6 për të ruajtur ekspozimin e duhur. Shkrepur në një Canon EOS 90D me një objektiv Canon EF-S 10-18mm f/4.5-5.6 IS STM në 18 mm, 1/1000 sek, f/5.6 dhe ISO 1250.

3. Kapni aksionin me shpejtësitë e larta të obturatorit

Shpejtësia e obturatorit e kërkuar për fiksimin e një subjekti në lëvizje varet nga distanca e tij nga kamera, drejtimi në të cilin lëviz dhe shpejtësia, por mund t'ju duhet një shpejtësi obturatori më e lartë nga ajo që keni menduar. Një shpejtësi obturatori prej 1/250 sek do të fiksojë një subjekt që lëviz ngadalë, si p.sh. një person që ecën, por për shkrepje të mprehta të subjekteve më të shpejta, si p.sh. zogjtë në fluturim dhe makinat me shpejtësi, do t'ju duhet të shkoni deri në 1/1000 apo edhe 1/4000 sek. Përgatituni të rrisni cilësimin ISO për të ruajtur ekspozimin e duhur kur të përdorni shpejtësi më të larta të obturatorit, sidomos kur fotografoni sportet dhe natyrën e egër.

E keqja e fiksimit të aksionit është se mund të mos duket më si aksion. Fotot e subjekteve në lëvizje duken shpesh më dinamike nëse subjekti është qartë dhe sfondi i turbullt. Për të arritur një efekt të tillë, sigurohuni që shpejtësia e diafragmës të jetë e ulët mjaftueshëm për t'ju dhënë njëfarë turbullimi, në vijim lëvizeni kamerën me subjektin, në të njëjtën shpejtësi që lëviz ky. Ky quhet anim – mësoni më shumë në udhëzuesin tonë praktik për animin.

Një foto e një motoçiklisti, e shkrepur në një kamerë Canon EOS R7, me pamje të mprehtë kundrejt një sfondi të turbullt, pasi fotografi anoi kamerën për të ndjekur lëvizjen e subjektit.

Përdorimi i një shpejtësie relativisht të ulët të obturatorit gjatë animit të kamerës për të ndjekur një subjekt në lëvizje, prodhon një subjekt të mprehtë kundrejt një sfondi të turbullt, duke e bërë aksionin të duket edhe më dinamik. Shkrepur në një Canon EOS R7 me një objektiv Canon RF 100-500mm F4.5-7.1 L IS USM në 363 mm, 1/160 sek, f/10 dhe ISO 100.

Një foto e një patinatori me skejtbord, me pamje të mprehtë kundrejt një sfondi të turbullt pasi fotografi anoi kamerën për të ndjekur lëvizjet e subjektit.

Përvetësimi i teknikës së animit është jashtëzakonisht i dobishëm për të gjitha llojet e fotografisë së aksionit që nga sportet deri te natyra e egër. Çelësi është t’i rezistosh dëshirës për të fiksuar aksionin. Në vend të kësaj, përdorni një shpejtësi mjaft të ulët të obturatorit për të krijuar turbullim të lëvizjes, por ndiqni subjektin në lëvizje me një shpejtësi të përshtatshme. Shkrepur në një Canon EOS RP (pasuar tani nga EOS R8) me një objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 26 mm, 1/30 sek, f/16 dhe ISO 100.

4. Shpejtësia e obturatorit për video

Kur jeni duke filmuar video, një rregull i dobishëm është të vendosni një shpejtësi obturatori prej rreth 1/2R, ku “R” është shpejtësia e kuadrove me të cilën po shkrepni. Për shembull, nëse filmoni me 4K 60p në Canon EOS R10, shpejtësia ideale e obturatorit është rreth 1/125 sek – pak më shumë se dyfishi i 60 fps me të cilin po filmon kamera. Kjo shmang turbullimin nga një shpejtësi shumë e ngadaltë e obturatorit, por parandalon filmimet e çrregullta, siç do të ndodhte nëse do të përdornit shpejtësi më të larta të obturatorit.

Uji që zbret përgjatë shkëmbinjve të mëdhenj me myshk. Uji është i turbullt për shkak të shpejtësisë së ulët të obturatorit të kamerës.

Me kamerën në stativ për ta mbajtur pa lëvizur, përdorimi i një ekspozimi të gjatë (shpejtësi e ulët e obturatorit) bën që të turbullohet çdo gjë në lëvizje, si p.sh. kjo ujëvarë, duke i dhënë ujit pamjen klasike me ngjyrë qumështi. Shkrepur në një Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 14-35mm F4L IS USM në 35 mm, 1 sek, f/22 dhe ISO 100.

5. Përdorni shpejtësi të ulëta të diafragmës për turbullimin e lëvizjes

Mund të përdorni një ekspozim relativisht të gjatë – një shpejtësi të ulët obturatori, për më shumë se një sekondë, le të themi - për të turbulluar qëllimisht një foto ose për të turbulluar vetëm elementët në lëvizje në një panoramë të mprehtë. Megjithatë, për të parandaluar mbiekspozimin e fotos, do t'ju duhet të përdorni një cilësim më të ngushtë të aperturës (numër më të lartë “f”, si p.sh. f/16 ose f/22), cilësim më të ulët të ISO ose një filtër ND për të kufizuar sasinë e dritës që hyn në kamerë. Tani mund ose ta lëvizni kamerën gjatë ekspozimit (çka do të turbullonte të gjithë foton) ose të përdorni një stativ për ta mbajtur kamerën pa lëvizur, në mënyrë që të turbullohen vetëm pjesët në lëvizje. Provoni teknikën e fundit në zbutjen e valëve dhe rrjedhjes së ujit në një peizazh, ose përpiquni të turbulloni automjetet në lëvizje dhe turmat e njerëzve në një panoramë të qytetit.

Për ekspozime mbi 30 sekonda, përdorni modalitetin "Bulb". Disa kamera të "Canon" kanë një cilësim "B" në rrotullën e modaliteteve, ndërsa të tjera duhen caktuar në "M" (manual) përpara se të lëvizni në shpejtësitë e shkrehësit derisa të shfaqet "BULB". Mund të përdoret një kohëmatës në distancë apo telekomandë me tel, për të evituar mundësinë e zhvendosjes nga shkrepja e butonit të shkrehësit. Mund të merrni parasysh gjithashtu përdorimin e aplikacionit Canon Camera Connect për komandimin e kamerës në distancë nga smartfoni juaj.

Njohja e shpejtësisë së obturatorit dhe mënyrës se si ta kontrolloni atë, do t'ju ndihmojë të shfrytëzoni në maksimum kamerën dhe objektivin tuaj dhe të shkrepni gjithmonë foto të shkëlqyera.


Shkruar nga Marcus Hawkins dhe Pete Wolinski

Produkte të ngjashme

Artikuj të ngjashëm

Si të kontrolloni ekspozimin

Apertura kryesore, shpejtësia e shkrehësit dhe cilësimet ISO.

Fotografia e panoramimit për fillestarët

Zbuloni si ta përdorni panoramimin për foto më të mira aksioni me këto këshilla kryesore.

Shkrepja e lëvizjes në fotografi

Zbuloni se si të shkrepni lëvizjen dhe shtoni një ndjesi lëvizjeje në fotot tuaja.

Objektivat më të mirë për aksion

Udhëzuesi ynë për objektivat më të mirë për fotografinë e aksionit.