PROJEKTE PËR SHTËPINË
Krijoni studion tuaj në shtëpi
Zbuloni se si të bëheni krijues me blicin dhe të shkrepni portrete mahnitëse pa shpenzime.
PROJEKTE PËR SHTËPINË
A nuk do të ishte fantastike sikur të kishit një konfigurim studioje me drita profesionale si p.sh. kuti fotografimi për ndriçim të butë e të shpërhapur dhe një spot për ndriçim të përqendruar atje ku ju nevojitet. Dhe kur shkrepni natyrën e kopshtit, a nuk do të donit të kishit një mbajtëse praktike për ta mbajtur kamerën të fiksuar në çfarëdo sipërfaqeje? Përkundër investimit të shumë parave në aksesorë të tillë, provoni t'i krijoni vetë!
Në këtë artikull do t'ju tregojmë se si të përdorni artikujt e përditshëm për aksesorë që mund t'i përdorni me kamerën tuaj të "Canon" dhe pajisjet ekzistuese për shtimin e efekteve krijuese dhe shpënien e fotografisë suaj më tej.
Do t'ju duhet:
Prisni një copë kartoni të fortë për ta përshtatur ngushtë rreth Speedlite. Duhet të jetë rreth dyfishi i gjatësisë së pjesës përkulëse të blicit. Ngjiteni mirë me natribant. Hiqeni Speedlite dhe prisni përgjatë katër cepave deri në gjysmën e gjatësisë, pastaj përkulini që të hapen për jashtë në fund.
Merrni mbajtësen plastike nga Speedlite dhe ngjiteni me natribant në tubin e kartonit (mbështilleni natribantin përreth disa herë, pastaj shponi një vrimë përmes natribantit te vijat e bashkimit që të mund të vendosni më pas mbajtësen plastike te stativi). Në vijim, kapni dy llastiqet mbi dy kanatat e hapura të kartonit që të mund t'i përdorni për të fiksuar Speedlite brenda tubit të kartonit.
Vendoseni fundin e tubit në mes të kutisë së madhe prej kartoni (sa më e madhe kutia aq më e shpërhapur do të jetë drita) dhe shënojeni përreth. Prisni rreth këtyre tri anëve të zonës së shënuar, paloseni anën e katërt për lart, për të krijuar një kanat të vetëm. Shtyjeni tubin e Speedlite në vrimë nga brenda (duke u siguruar të fusni dhe llastiqet). Ngjisni katër kanatat e hapur në tubin e Speedlite me natribant për brenda kutisë dhe ngjiteni kanatin e mbetur me natribant te pjesa e jashtme e tubit.
Visheni pjesën e brendshme të kutisë me fletë pasqyruese. Në fillim mbështilleni dhe ngjiteni fletën lart dhe poshtë kutisë, pastaj bëni dy kanata anësore me kënd duke cikur fundet e dy fletëve të aluminit pranë qendrës së kutisë në secilën anë. Tërhiqeni lehtas fletën e aluminit teksa del nga kutia dhe shtrëngojeni për poshtë, që të keni një zgavër me formë trekëndore mes fletës së aluminit dhe kutisë. Këndet ndihmojnë me drejtimin e dritës. Ngjiteni letrën e furrës apo kalk me natribant mbi pjesën e parme të kutisë. Kutinë e fotografimit të bërë vetë e keni tani gati për punë. Vidhoseni në një mbajtëse apo stativ përmes mbajtëses plastike të Speedlite dhe futeni Speedlite nëpër tub, duke kapur llastiqet mbi skajin fundor për ta mbajtur në vend.
Pozicionojeni kutinë e fotografimit nga njëra anë dhe lehtas mbi fytyrën e subjektit tuaj. Mund ta shkrehni Speedlite në kutinë e fotografimit ose duke përdorur një Canon Speedlite të dytë të lidhur me folezën e kamerës ose me shkrehës me valë (si p.sh. Canon ST-E3-RT), ose duke përdorur blic kërcyes (në kamerat përkatëse të "Canon"). Si pikënisje për ekspozimin tuaj, caktojeni kamerën në modalitet manual me ekspozim te 1/200 sek, ISO 100 dhe aperturë f/5.6. Caktojeni blicin në fuqi manuale me një të tetën e fuqisë dhe pastaj shkrepni një pozë prove. Nëse është shumë e shndritshme apo e errët rregulloni fuqinë e blicit ose aperturën derisa drita të duket siç duhet.
Do t'ju duhet:
Do t'ju duhet një tub cilindrik me madhësi të mjaftueshme për ta përshtatur mbi fundin e Speedlite, si p.sh. tub patatinash apo në rastin tonë, mbajtëse buke. Në kushte ideale mbajtësja duhet të ketë veshje metalike brenda, pasi kjo ndihmon në pasqyrimin e dritës përgjatë tubit. Duke përdorur një thikë punëdoreje apo gërshërë, prisni fundin e tubit.
Vendoseni tubin mbi Speedlite. Nëse diametri nuk është fiks dhe nuk futet mirë sa të rrijë vetë në vend, përdorni izolant për ta fiksuar. Në vijim vendoseni Speedlite te bazamenti i vet plastik, pastaj vidhoseni këtë në një mbajtëse drite apo pllakë stativi.
Na duhet ta ndezim Speedlite në distancë, ose duke përdoru një Speedlite tjetër si ky të montuar në kamerë, ose duke përdorur shkrehës me valë. Përndryshe, shumë modele kamerash "Canon" ju mundësojnë komandimin e modeleve të caktuara të Speedlite duke përdorur blicin kërcyes – jo vetëm për ndezjen e Speedlite por edhe për të caktuar fuqinë. Shkrepni nja dy poza prove për t'u siguruar që blici ndizet.
Për një pamje me ndriçim sfondi, pozicionojeni Speedlite pas subjektit nga njëra anë, me kënd drejt subjektit dhe kamerës. Duke qenë se rrezja e dritës sonë është shumë e përqendruar, është e rëndësishme ta caktoni saktë këndin. Mund të ndihmojë përdorimi i funksionit të modelimit të dritës në Speedlite (shtypni e mbani butonin e provës) ose përndryshe përdorni aplikacionin "Canon Camera Connect" për të shkrepur poza prove në distancë nga celulari teksa kalibroni pozicionimin e blicit. Shkrepeni subjektin përkundër një sfondi të thjeshtë – perdet apo çarçafët dalin mirë – dhe përdorni një ngjyrë kontrasti për t'u siguruar që të dalë në pah subjekti.
Ja një pikënisje e mirë për ekspozimin tuaj: caktojeni kamerën në modalitet ekspozimi manual dhe caktojeni ISO në 100, shpejtësinë e shkrehësit në 1/200 sek dhe aperturën në f/8. Në vijim, caktojeni blicin në modalitet manual dhe uleni kapacitetin në 1/32. Kryeni një pozë prove. Nëse është shumë shndritshëm apo errët thjesht ulni ose ngrini fuqinë e blicit derisa të duket në rregull. Pozicionojeni subjektin anash për poza dramatike profili, pastaj filloni të shkrepni.
Do t'ju duhet:
Merrni një palë pantallona të vjetra dhe prituni njërën nga këmbët. Do t'ju duhet një copë rreth 30 cm e gjatë. Në vijim merrni gjilpërën dhe perin (apo makinën qepëse) dhe qepni njërën anë të hapur. Qepni anën tjetër, por lini një vrimë të vogël prej pak centimetrash.
Merrni një qese thjerrëzash apo ushqimesh të ngjashme të thata si p.sh. orizi, dhe hidheni në vrimën e vogël (mund të përdorni një hinkë për lehtësi – mund të bëni një me letër A4 nëse del nevoja). Mbusheni derisa qeska të duket thuajse plot, pastaj merrni gjilpërën e perin dhe qepeni vrimën për ta mbajtur ushqimin në qeskë. Qeskën e bërë vetë të fasuleve e keni tani gati për përdorim.
Qeska e fasuleve mund të jetë një mënyrë fantastike për stabilizimin e objektivëve të gjatë. Jo vetëm që objektivët e gjatë janë të rëndë kur i mbani për njëfarë kohe, por dhe gjatësia e tyre fokale me këndin e ngushtë të pamjes bën që edhe lëvizja më e vogël të dalë e ekzagjeruar. Qeskën e fasuleve e përdorni kështu për të parandaluar dridhjet kur shkrepni me gjatësi më të mëdha fokale. Nëse, objektivi juaj, si në rastin e objektivit Canon EF 70-200mm f/2.8L IS III USM, ka fotostabilizim atëherë mirë është ta aktivizoni dhe këtë kur shkrepni dorazi.
Vendosja e kamerës ultas me tokën mund të japë shpesh perspektiva të pazakonta, por mund të jetë e vështirë të shkrepni në kënde të tilla kaq të ulëta. Qeska e bërë vetë e fasuleve mund t'ju ndihmojë duke e pozicionuar objektivin kur inkuadroni pozën dhe mund dhe ta formësoni sipas këndit të kërkuar. Kamerat me ekran të kthyeshëm si p.sh. Canon EOS 250D që kemi këtu, janë gjithashtu të dobishme, pasi kompozimi i pozës duke përdorur inkuadruesin është i vështirë në kënde kaq të ulëta. Mund dhe të përdorni aplikacionin "Canon Camera Connect" për komandimin e kamerës në distancë nga telefoni.
Gjurmimi me objektiv të gjatë i subjekteve në lëvizje mund të jetë i vështirë, sidomos i kandrrave të vogla të kopshtit, si p.sh. bletët. Duke qenë se qeska e fasuleve jua mbështet kamerën por nuk jua kyç në vend, ajo ju ndihmon të ruani stabilizimin por edhe me lirinë që të ndiqni lëvizjen e subjektit. Është gjithashtu e rëndësishme të konfiguroni vetëfokusimin për subjektet në lëvizje. Gjurmimi i subjektit me pamje në kohë reale në Canon EOS 250D jua bënë të lehtë fokusimin e bletëve për rastin në fjalë.
Shkruar nga James Paterson
"Get Inspired" është burimi juaj kryesor i këshillave të dobishme të fotografisë, udhëzuesve të blerësit dhe intervistave inteligjente - gjithçka që ju nevojitet për të gjetur kamerën më të mirë ose printerin më të mirë dhe të krijoni ide të ardhshme krijuese.
Kthehu tek të gjitha këshillat e teknikatPROJEKTE PËR SHTËPINË
Zbuloni se si të bëheni krijues me blicin dhe të shkrepni portrete mahnitëse pa shpenzime.
FOTOGRAFIA E AMBIENTEVE TË BRENDSHME
Merrjani dorën kamerës dhe mësoni si të bëni kinoportrete, makrofoto dhe videointervale.
FOTOGRAFIMI I PRODUKTEVE
Zbuloni se si pronarja e një biznesi të vogël e nderuar me çmime, Sophie Sellu, ka përdorur fotografimin e produkteve në avantazhin e saj.