FOTOGRAFIA E USHQIMEVE
Objektivët më të mirë për fotografimin e ushqimeve
Servirni foto ushqimesh që ia vlen t'i shijoni me përzgjedhjen tonë të kujdesshme të objektivëve të domosdoshëm të Canon.
FOTOGRAFIA E USHQIMEVE
Falë "Instagram", fotografimi i ushqimeve ka përjetuar një rilindje vitet e fundit, por gjithkush që është përpjekur të shkrepë foto të drekës mund t'jua thotë vetë se ka hasur në vështirësi të ndryshme të veçanta. Fotografja suedeze e ushqimeve, Linda Lomelino, e ka zotëruar si art – fotot e saj të ushqimeve, të modifikuar me një sharm të veçantë si në përralla, por me një atmosferë të veçantë kanë tërhequr më se 750 mijë ndjekës në "Instagram".
"Kam zbuluar një pasion për pjekjen rreth 11 vite më parë," - thotë Linda, e cila ka studiuar fotografi në shkollë. "Kekët e vegjël ishin moda e kohës, ndaj dhe unë bëra ca foto dhe i shpërndava në 'Facebook'. Njerëzve u pëlqyen, kështu që thashë mbase ia vlente të hapja një blog." Falë atij blogu, "Call Me Cupcake", kryeveprat e Linda-s që të hapin oreksin janë përpiluar tanimë në katër libra që janë përkthyer në disa gjuhë të ndryshme.
Këtu ajo ndan një pjesë të sekreteve të saj për një sukses të ëmbël...
Nëse e keni si mundësi, përdorimi i Canon Speedlites në studio ju lejon të kontrolloni ndriçimin në ambientin tuaj. Përndryshe mund të përdorni ndriçimin natyral, që është më i vështirë, por jua zbukuron subjektin nëse shfrytëzohet siç duhet. "Eksperimentoni me dritën atje ku jetoni," - thotë Linda. "Madhësia e dritares, drejtimi nga shikon, ora e ditës dhe moti të gjitha së bashku mund të ndikojnë në mënyrën si duket drita," - thotë ajo. "Dritaret që shohin nga veriu janë rëndom më të lehtat për të punuar – drita ndryshon gjatë gjithë ditës dhe nuk do t'ju duhet të shkrepni në dritën e drejtpërdrejtë të diellit."
Ditët me re që nuk janë shumë të errëta janë idealet për Linda-n, e cila shkrep para dreke me ndriçimin nga njëra anë në studion e saj që shikon nga perëndimi dhe në kuzhinën e saj që shikon nga lindja në pasditen e vonë dhe në mbrëmje. Për të realizuar pamjen e saj tipike "atmosferike", ajo kalon një palë perde të errëta mbi dritare.
"Mund të shfrytëzoni për këtë çfarëdo lloj dritareje nëse eksperimentoni e ushtroheni, por nëse banoni në një vend që ka kryesisht diell dhe e keni dritaren vetëm nga jugu, do ta keni më të vështirë," - thotë ajo. "Në këto rrethana, mbase përdorni një perde të lehtë e të bardhë për të zbutur dritën."
Një mënyrë për të gjetur origjinalitetin është përmes kompozimit dhe sekreti i Linda-s është të fokusohet mbi ngjyrën. "Unë kam prirjen të përdor vetëm dy a tri ngjyra për fotografim," - sqaron ajo. Ajo përdor nuanca të së njëjtës ngjyrës dhe në vijim shton ngjyra plotësuese – prej tyre që i kundërvihen njëra tjetrës në rrethin e ngjyrave – për të krijuar kontrast pamor. "Gjatë stilizimit të një torte me kuverturë vjollcë p.sh. përpiqem të fus diçka të verdhë, apo verdhë e gjelbër në foto. Portokallia dhe bajuka është një tjetër prej kombinimeve të mia të preferuara – e bën vërtet foton të dalë në pah!"
Përveç ngjyrës, Linda këshillon të eksperimentohet me relievet për të shtuar interesin. "Nëse shkrep një tortë me shumë relieve apo kuverturë me motive të shumta, mund të zgjedh një sfond pak më të lëmuar për ta nxjerrë tortën në qendër të vëmendjes. Në raste të tjera mund të synoj që gjithçka të ketë reliev të lëmuar ose përfshij shumë relieve të ndryshme – mund të jetë diçka aq e thjeshtë sa të shtosh një napë të rrudhosur linoje."
Përveç ngjyrave dhe relievit, Linda sugjeron lojën me detajet për të gjallëruar një skenë që nuk ia qëllon me të parën, duke futur kështu një ndjesi dimensioni e thellësie. "Sendet jashtë fokusit në plan të parë dhe në sfond janë një shembull i mirë i kësaj," - thotë ajo. "Mund të vendos një vazo lulesh pas ushqimit dhe pastaj, duke ndjekur numrat tek, shpërhap përbërësit e recetës si p.sh. miellin, frutat dhe gjethet përreth saj."
Për precizion të mëtejshëm, nëse e ka kamera juaj, Linda inkurajon fillestarët të fokusohen duke përdorur ekranin me prekje me kënd të ndryshueshëm. "Kamerat, si p.sh. Canon EOS 850D dhe Canon EOS 250D, me ekranet e tyre të rrotullueshme, janë ideale për fotografimin e ushqimeve. Ekranet me prekje janë sidomos të dobishme në rastin e fotove nga lart poshtë – nëse kamera është lart mund thjesht të rrotulloni ekranin dhe të zgjidhni ku dëshironi të fokusoheni. E njëjta vlen nëse shkrepni nga kënde shumë të ulëta – nuk ka pse shtriheni përtokë, mund thjesht të ktheni ekranin."
Ata që kanë çlodhur sytë në punimet e Linda-s, mund të dëshmojnë për dashurinë e fotografes skandinave për elementet shoqëruese të cilat janë thelbësore në futjen e relieveve dhe të ngjyrave të mëtejshme, si dhe për të ndihmuar në krijimin e atmosferës së përgjithshme të pamjes. "Kam shumë elemente të tilla," - pohon ajo. "Kryesisht sende të vjetra që kam gjetur nëpër dyqane me artikuj të lirë e të përdorur apo antika – ato ndihmojnë me anën e rrëfimtarisë. Nëse synoj për një pamje më rustike e atmosferike, elementet e vjetra ndihmojnë, ndërsa nëse dua një pamje të shndritshme e moderne, zgjedh elemente me linja më të qarta dhe me më pak motive e ngjyra."
Arsenali i Linda-s me sfonde është aq i gjerë sa dhe koleksioni i saj i elementeve shoqëruese dhe përmban lloj-lloj materialesh si p.sh. letër muri, mbështjellëse dhuratash, perde linoje, arka druri, dyer e karrige të vjetra e madje edhe valixhe të vjetra. "Nuk ka pse të jetë gjithnjë tryezë druri," - thotë ajo. "Mund të krijoni sfonde me çfarëdo qoftë. Përse të mos lyeni p.sh. ca copa druri? Mund dhe ta lyeni secilën anë me ngjyrë tjetër dhe t'i rilyeni kur doni të ndërroni pamjen."
Rëndom Linda e përdor "Canon EOS 5D Mark II" (i tejkaluar tanimë nga Canon EOS 5D Mark IV) me njërin prej katër objektivëve të saj të preferuar Canon EF 50mm f/1.2L USM, Canon EF 85mm f/1.2L II USM, Canon EF 100mm f/2.8 Macro USM dhe Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM. Se cilin objektiv zgjedh në fund varet nga rrëfimi që dëshiron të krijojë.
"Nëse je i ri në fushën e fotografisë, Canon EF 50mm f/1.8 STM është një objektiv fantastik me të cilin mund të nisësh," - thotë ajo. "Është ekonomik dhe fakti që mund të shkrepësh me ndalesë të ulët të "f" dhe me aperturë të madhe të ndihmon në situata me ndriçim të ulët, çka është dhe shumë e rëndësishme nëse banon në një vend ku dimri është i gjatë e i errët. E për më tepër, është gjatësia ideale fokale për shkrepjen e një skene pa qenë nevojë të afrohesh dhe shumë. Një opsion tjetër i mirë do të ishte Canon EF-S 60mm f/2.8 Macro USM – është i ngjashëm me makroobjektivin tim, që është tejet i mprehtë."
Për shkrepjen në distancë, Linda rekomandon një objektiv më të gjerë. "Për të fotografuar të gjithë tryezën, preferoni një objektiv si Canon EF-S 35mm f/2.8 IS Macro STM, që do të ishte dhe zgjedhja ime për pozat nga lart poshtë." Kini parasysh se nëse shkrepni me kamerë me APS-C apo sensor prerjeje figure, si p.sh. Canon EOS 850D, objektivi 35mm me faktor prerjeje 1.6x ju jep pamje të ngjashme me të një objektivi 50mm në kamerë kuadërplotë.
Ndërsa shumica e njerëzve e lidhin fotografimin e ushqimeve me pozat lart-poshtë stil "Instagram", Linda pohon se është e rëndësishme të përdorni dhe kënde e tjera. "Këndi nga shkrep varet nga çfarë po përpiqem të nxjerr në pah. Tortat e gjata p.sh. me gjasë i shkrep hipur mbi diçka e nga anët, dhe pastaj nxjerr poza të fetave të tortës nëpër pjata."
Duke qenë se shumica e punimeve të Linda-s dalin në blog ajo thotë se sasia është po aq e rëndësishme sa cilësia. "Publikoj shumë poza, ndaj dhe përpiqem të shkrep nga kënde të ndryshme për të shtuar larminë dhe për të dhënë një fluks më të mirë të përmbajtjes."
Për të krijuar stilin e saj mbresëlënës atmosferik, Linda rëndom shkrep me aperturë të gjerë dhe ISO të ulët. "Kam prirjen të përdor aperturë f/1.8 deri në f/3.2 dhe rrallëherë shkoj më lart se aq," - thotë ajo. "E vetmja herë kur mund të përdor aperturë më të vogël është për fotot nga lart poshtë me shumë sende në lartësi të ndryshme që dua të jenë në fokus, por rrallë shkoj më shumë se f/5."
"Sugjeroj gjithashtu shkrepjen me ISO të ulët pa e ulur shumë shpejtësinë e shkrehësit. Përpiqem të qëndroj rreth 1/125 sek nëse shkrep duke mbajtur në dorë, por nëse keni stativ dhe shkrepni një subjekt që nuk është në lëvizje, mund të shkoni dhe më poshtë se aq." Kapaciteti i ISO luhatet në varësi të modelit të kamerës suaj, por shkrepja në ISO më të ulët të mundshme është një shprehi e mirë. Vlerat e ulëta të ISO japin më pak zhurmë figure, gjë që është e veçanërisht e rëndësishme nëse planifikoni t'i zmadhoni apo printoni fotot.
Pozat më atmosferike të Linda-s janë ato që konsiderohen si poza "low-key", që do të thotë se subjekti është i ekspozuar saktë dhe objektet përreth janë më të errëta. Linda i modifikon pozat e saj për të arritur estetikën e synuar, por ajo pohon se rishtarëve nuk u duhen programe të shtrenjta për këtë. Digital Photo Professional nga "Canon" është falas për të gjithë fotografët me aparate "Canon" dhe ka plot programe të tjera retushimi falas për smartfonin tuaj. Shfrytëzojini sa më mirë mundësitë e lidhjes me Wi-Fi të kamerës suaj duke i transferuar fotot drejt celularit apo kompjuterit, duke përdorur image.canon për retushim e shpërndarje në çast.
Shkruar nga Natalie Denton
"Get Inspired" është burimi juaj kryesor i këshillave të dobishme të fotografisë, udhëzuesve të blerësit dhe intervistave inteligjente - gjithçka që ju nevojitet për të gjetur kamerën më të mirë ose printerin më të mirë dhe të krijoni ide të ardhshme krijuese.
Kthehu tek të gjitha këshillat e teknikatFOTOGRAFIA E USHQIMEVE
Servirni foto ushqimesh që ia vlen t'i shijoni me përzgjedhjen tonë të kujdesshme të objektivëve të domosdoshëm të Canon.
KËSHILLA PRINTIMI
Natasha Alipour-Faridani ndan këshillat e saj kryesore të fotografimit të ushqimeve se si të printoni foto që duken aq të bukura se të duash t'i hash.
FOTOGRAFIA E USHQIMEVE
Këshilla për fotografinë e ushqimit nga influencuesja në Instagram dhe përfaqësuese nderi e Canon, Yasmin AlBatoul.