FOTOGRAFIA FAMILJARE

11 këshilla për fotografinë e familjes

Mësoni këshillat më të mira për fotografi mahnitëse të familjes me përfaqësuesen e nderit të Canon, Helen Bartlett.
Dy fëmijë me silueta përkundër një sfondi pyjor me diellin e ulët që çan mes pemëve.

Helen Bartlett është një nga fotografet më të respektuara të Britanisë për portretet e familjes. Puna e saj përdor vetëm ndriçimin natyral, pa blic. Helen e krijon të gjithë punën e saj në bardhezi për të krijuar foto të përjetshme të familjes.

Ne i kërkuam të ndante disa gjëra që ka mësuar gjatë karrierës së saj të gjatë dhe prestigjioze. Lexoni dhe mësoni se si të shkrepni foto të bukura të familjes suaj.

1. Mbani kamerën ndoresh, jo telefonin

"Hapi i parë drejt shkrepjes së fotove të arrira është të siguroheni ta keni gjithnjë me vete kamerën. Celularët nxjerrin foto të pranueshme ditët e sotme, por një kamerë e mirë ju jep më shumë kontroll mbi pamjen. E keqja tjetër me celularët është se e keni të lehtë të përhumbeni nga emailet apo puna. DSLR ose një kamerë e mirë kompakte ju bën të fokusoheni te shkrepja e fotove. Shumica e kamerave ju japin gjithashtu skedarë cilësie më të lartë me të cilat mund të punoni, çka është vërtet e rëndësishme nëse dëshironi t'i printoni fotot. Do të sugjeroja ta mbanit kamerën në çantë ose në banakun e kuzhinës, që ta keni gjithmonë pranë kur t'ju duhet."

Një djalosh i vogël që luan mes një reje flluskash sapuni.

2. Fotografoni raste të veçanta

"Është fantastike të shkrepësh rutinat dhe traditat e familjes për Krishtlindje apo për Pashkë. Me rritjen e fëmijës, kur i shikon këto foto plot kujtime ato të shpien në ditë të tilla të bukura. Nëse moti është i mirë për Krishtlindje, dilni jashtë me kamerën me vete dhe me lodrat e reja të fëmijëve. Fotot e fëmijëve që godasin një top të ri futbolli apo që ngasin biçikletën e re ju bëjnë gjithnjë buzagaz dhe ju japin gjithashtu rastin ideal për ta fotografuar familjen sa më natyrshëm.”

3. Filloni që herët

"Unë kam prirjen t'i nis fotografimet që në orën 8 të mëngjesit. Fëmijët fotografohen më lehtë herët në mëngjes, kur kanë pushuar mirë dhe pasi kanë ngrënë një mëngjes të mirë. Teksa dita vijon, fëmijët do të lodhen, do plasi sherri për lodrat dhe bashkëpunimi me ta s'është më punë që bëhet. Ndaj përpiquni t'i bëni fotot formale të grupit që në krye të ditës. Pastaj pjesën tjetër të kohës mund të relaksoheni e të nxirrni foto të natyrshme argëtuese pa e vrarë shumë mendjen si ta bëni beben të qeshë para kamerës. Përshtatjuni orarit të fëmijëve për një shans më të mirë për foto të arrira. Shkrepni shumë poza, shkrepni çdo ditë dhe në fund të sezonit mund të bëni një album të aventurave të familjes që do të jetë i bukur ta keni si kujtim në ardhmen."

Një fëmijë që qëndron mbi një pistë duke u zgjatur për të bërë qepalla me të ëmën, që është në ujë deri në gjunjë.

Portretet me pozim shkrepen më mirë ditën herët, kur fëmijët janë më pak të lodhur, por poza domethënëse mund të realizoni në çfarëdo rasti. Shkrepur pasdite vonë drita i ka nxjerrë këtë nënë dhe fëmijën në silueta ndërsa konturet e tyre pasqyrohen në sipërfaqen e ujit. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 24mm, 1/8000 sek, f/2.8 dhe ISO1600. © Helen Bartlett

4. Përfshini të gjithë familjen

"Shumica e familjeve kanë një person që është gjithnjë pas kamerës; kur isha e vogël p.sh. kishim babanë në këtë rol. Sigurohuni të ndërroni rolet që në foto të jenë të gjithë familjarët, pasi këto foto do të jenë të rëndësishme për fëmijët tuaj teksa rriten. Për të shkrepur portrete të plota të familjes, vëreni kamerën në stativ (ose në një vend të qëndrueshëm si p.sh. tryezë apo bankinë parku) dhe përdorni kronometrin automatik. Mund dhe t’ua jepni kamerën fëmijëve dhe t’ua lini atyre shkrepjen e fotove. Fëmijët janë krijues prej natyre dhe mund të mësojmë shumë prej kompozimeve të tyre shpesh të paparashikuara. Përfshirja e fëmijëve në procesin krijues e bën këtë një aktivitet argëtues familjar dhe mund të kenë gjithashtu ide interesante për të cilat as ju ka vajtur mendja. Kjo ka dhe të mirën se u ndez interesin për fotografinë, duke e bërë dhe si hobi që mund ta zhvilloni së bashku gjatë gjithë fëmijërisë dhe adoleshencës së tyre, apo mund dhe t’u bëhet karrierë në të ardhmen.”

Një vajzë e vogël buzëqesh, me krahët të hapur në fund të një rrëshqitëseje.

Mbajeni kamerën me vete kudo që të jeni, që të mos humbisni asnjë rast – mund të befasoheni se sa e këndshme është shkrepja e aktiviteteve ditore, si p.sh. shëtitjet në park. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L II USM në 1/1000 sek, f/3.2 dhe ISO1000. © Helen Bartlett

5. Fotografoni çdo ditë

"Kanë ikur kohët kur kamera merrej me vete vetëm për raste të veçanta apo për pushime. Sot mund të nxirrni më shumë poza të aktiviteteve të natyrshme. Fotografoni se si mblidhet familja së bashku në divan në fund të të një dite të gjatë. Shkrepni atë pamjen e bukur kur fëmijët ju vijnë në shtrat për të luajtur që herët në 5 të mëngjesit. Kaloni në sfond dhe përdorni një objektiv më të gjatë ose funksionin e zmadhimit të kamerës për t'i fotografuar fëmijët duke luajtur që të nxirrni foto më të gëzueshme e të natyrshme."

6. Përdorni vendndodhjet për rrëfim

"Provoni të shkrepni elemente rrëfimtarie në disa prej fotove tuaja. Nxjerrja e pozës ideale është gjë e mirë, por nëse e nxirrni dhe në pamje më të gjerë mund të ketë po aq vlerë në fund. Fotografojeni fëmijën në dhomën e vet me lodrat. Jepini një kontekst fotos teksa luajnë në park apo në pyllin atypari duke shkrepur edhe vertikalisht për të marrë gjatësinë e pemëve. Përdoreni në forma krijuese ambientin përreth, duke kërkuar për forma e hije, pasqyrime dhe inkuadrimin e elementeve për t'u shtuar diçka të veçantë pozave."

Një pozë lart-poshtë bardhezi e shkrepur nga zbritja e dy fëmijëve shtrirë në një rrugicë të inkuadruar nga parmakët e shkallëve.

Eksperimentimi me këndet dhe kompozimin ju mundëson krijimin e fotove të arrira kudo që të jeni. Shkrepur në Canon EOS-1D X me objektiv Canon EF 24mm f/1.4L USM (i tejkaluar tanimë nga Canon EF 24mm f/1.4L II USM) në 1/60 sek, f/3.5 dhe ISO3200. © Helen Bartlett

Një djalë i vogël që luan me një avion lodër në një dhomë të errët. Hija e avionit pasqyrohet në tavan nga një llambë.

Nëse luani ca me ndriçimin mund të krijoni pamje të arrira. Këtu, Helen ka përdorur siluetat dhe një llambë për të theksuar subjektin e saj dhe për ta bërë më interesante atë që përndryshe do të kish qenë një pozë më se e zakonshme. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM (i tejkaluar tanimë nga Canon EF 35mm f/1.4L II USM) në 1/250 sek, f/1.4 dhe ISO8000. © Helen Bartlett

7. Kërkoni për kënde e kompozime interesante

"Ndonjëherë mund të shkrepni thelbin e dikujt pa i nxjerrë as fytyrën. Këndet e pikat interesante mund të nxjerrin foto po aq interesante. Mbase shkrepni detajet e doçkave të vogla të bebes apo kur bebushi përpiqet t'i veshë rrobat në këmbën e gabuar. Eksperimentoni me cilësimet e kamerës suaj. Përdorni shpejtësi të larta të diafragmës për të shkrepur të gjitha detajet e lëvizjes. Ose tregojeni fëmijën përmes një aktiviteti të turbulluar duke e çuar shpejtësinë e shkrehësit sa më poshtë dhe duke përdorur stativ për ta mbajtur kamerën fikse teksa fëmija kalon me të shpejtë përpara. Mos kini frikë të përdorni ISO më të lartë kur shkrepni në ambiente të brendshme. Unë nuk e përdor kurrë blicin dhe më pëlqen të punoj me ndriçimin e ambientit, që fotot të duket natyrale. Provoni të shkrepni me pamje bardhezi, pasi këto kanë ndjesinë e përjetësisë dhe me shpresë do të preferohen edhe në brezat e ardhshëm."

8. Kërkoni për dritën

"Identifikoni burimin e dritës – nëse punoni brenda, përdorni ndriçimin natyral nga një dritare dhe vendoseni subjektin me fytyrë drejt saj për një portret të mirëndriçuar. Nëse jeni jashtë, shikoni për hije të ambientit për të pasur ndriçim të butë dhe të njëtrajtshëm mbi fytyrën e subjektit. Ndriçimi i ulët i diellit në dimër mund të jetë fantastik për portrete atmosferike. Shikoni për hije të gjata që mund të shtojnë elemente interesante kompozimi në fotot tuaja.

"Një objektiv i shpejtë fiks është investim i mirë për kamerën tuaj DSLR apo pa pasqyra. Unë rekomandoj gjithnjë Canon EF 50mm f1.8 STM për fotografët që punojnë me Canon DSLR. Është një objektiv cilësor dhe ekonomik me gjatësi fokale fikse dhe aperturë më të gjerë. Canon RF 50mm F1.8 STM do të ishte ekuivalenti për ata që përdorin sistemin kuadërplotë pa pasqyrë të Canon. Këta objektiva me aperturë të gjerë marrin goxha dritë shtesë, ndaj janë idealë për fotografimin e fëmijëve në ambiente të brendshme.”

Një pozë nga afër bardhezi e një fëmije të vogël që shikon drejt dyshemesë.

Ulja për të shkrepur subjektin në nivelin e vet të syve u jep fotove një ndjesi më intime. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/1000 sek, f/1.2 dhe ISO100. © Helen Bartlett

9. Uluni në lartësinë e tyre

"Uluni në nivelin e syrit të fëmijëve për ta parë botën nga këndvështrimi i tyre. Provoni të uleni apo të qëndroni në dysheme. Një qasje e tillë redukton dhe rrëmujën në sfond dhe largimin e vëmendjes nga poza. Shpesh mund ta mbushni sfondin me qiellin, pemët apo muret në vend të të gjithë dollapit të lodrave të hedhur te këmbët, ndonëse është po aq e bukur të nxirrni poza të fëmijës të kënaqur me rrëmujën në kanë bërë!"

10. Printojini fotot

"Qoftë nëse keni printer shtëpie apo nëse i printoni nga interneti apo në ndonjë dyqan, sigurohuni t'i printoni fotot. Mund dhe t'i nxirrni fotot nëpër gota, posterë etj. Kështu mund t'i gëzoni çdo ditë. Printimet në letër mund të ruhen diku dhe nuk ju humbasin nëpër kompjuter e karta memoriesh."

Një pamje bardhezi e një djaloshi të vogël që qesh teksa kërcen mbi shtrat.

Cilësia e fotove tuaja përfundimtare do të përmirësohet nëse subjektet kalojnë bukur ndërkohë, kështu që mos harroni të zbaviteni. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 38mm, 1/1000 sek, f/2.8 dhe ISO2500. © Helen Bartlett

11. Argëtohuni

"Sigurohuni që fëmijëve t'u pëlqejë nxjerrja e fotove dhe kështu do ta keni më të lehtë bashkëpunimin për to. Mos prisni dhe shumë prej tyre, sidomos kur janë të lodhur, dhe përpiquni t'i bëni pjesë të të gjithë procesit. Shkrepni foto të gjërave që preferojnë, lodrat që përkëdhelin, vizatimin që sapo kanë ngjyrosur. Luani lojëra, këndoni këngë, kacavirruni nëpër pemë.”

"Mos harroni, fotografimi i familjes është maksimumi i argëtimi që mund të keni me kamerën dhe shpresoj që këto këshilla t'ju shtyjnë ta përdorni më shumë kamerën këtë sezon dhe të nxirrni foto që do t'i çmoni për vite me radhë."

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm