Kur jeni në hapat e parë, Fernando rekomandon objektiva që japin ekuilibër të mirë mes një fushëpamjeje relativisht të gjerë dhe një distorsioni të ulët të imazhit. "Më pëlqejnë Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM dhe Canon RF 50mm F1.8 STM," - pohon ai. "Janë të vegjël dhe jopengues, ndaj mund të shkrepësh pa rënë në sy. Cilësia është fantastike, si dhe janë relativisht ekonomikë. Unë përdor dhe Canon EF 24-240mm F4-6.3 IS USM thjesht sepse është aq praktik. Nuk mund të pranoj asnjë lloj distorsioni në pozat e mia arkitekturore, por, falë korrigjimeve të vetë kamerës në kamerat e serisë EOS R, ky bëhet praktikisht objektiv pa distorsion."
Një objekti tjetër për fillestarët që bën sidomos punë në fotografinë e arkitekturës është Canon RF 16mm F2.8 STM. Ky objektiv fiks me gjatësi fokale 16mm nuk është vetëm ultra ekonomik, por dhe ultra i gjerë, duke ju mundësuar të përfshini më shumë në pozë, për shembull, një urë të tërë. Entuziastëve të arkitekturës do t'u pëlqejnë dhe efektet interesante në vijat dhe këndet që ofron objektivi.
Pasi të keni gjetur kamerën dhe objektivin që ju vjen më për shtat dhe t'i keni marrë dorën gjërave bazë të zhanrit, Fernando këshillon të eksperimentoni më tej me fotografinë tuaj të arkitekturës, gjithçka që nga këndi i pozës deri te filtrat e objektivit.
"Një filtër densiteti neutral është fantastik për mundësimin e ekspozimeve të gjata edhe nën ndriçim të fortë,” - shpjegon Fernando. “Për shkrepjen e arkitekturës në një vend me shumë njerëz, ekspozimi i gjatë i bën praktikisht të gjithë njerëzit dhe trafikun që lëviz atypari të zhduken, duke i hequr fare nga pamja. Një filtër polarizues rrethor është ideal për heqjen e refleksioneve nga xhamat e dritareve. Ai bën po aq mirë punë në ndërtesat me lustër të jashtme. Më është dashur të fotografoj një ndërtesë betoni që ishte lyer në të kuqe dhe ishte super shkëlqyese. Thjesht i bëra një xhiro polarizuesit rrethor dhe gjithë shkëlqimi vate, duke nxjerrë në pah krejt ngjyrën."
Për Fernando-n, shkrepja e arkitekturës është më shumë se thjesht një punë, është një mision. Dhe si i tillë i frymëzuar nga zemrat që rrahin, po aq sa dhe ndërtesat.
"Në fund të fundit, unë fotografoj arkitekturën se e kam profesion, por ende mendoj se njerëzit që ndodhen brenda apo që e përdorni ndërtesën janë dhe elementi i saj më interesant," - e përmbyll ai. "Për mua, fotografi e arkitekturës do të thotë të fotografosh jetën."
A jeni gati për të filluar?
Shkruar nga Matthew Richards