FOTOGRAFIA KRIJUESE

Guxoni të jini të ndryshëm: këshilla krijuese për poza për rrjetet sociale

Fotografët në TikTok, Rosie Lugg dhe Eletrico, ndajnë teknikat e tyre të preferuara për krijimin e imazheve që tërheqin vëmendjen.
Pika spërkatëseje lëngu në një hark nga një kupë qelqi e mbajtur me dorë të ngritur, me siluetë përkundër një qielli portokalli.

Çelësi i krijimit të imazheve që bien në sy për të mbushur buletinet e stërmbushura të rrjeteve sociale është të mendoni ndryshe dhe ta paraqisni botën ashtu si e shikoni ju vetë. Krijuesit në TikTok, Rosie Lugg (@rambosphotos) dhe Peter Jay (@Eletrico), bëjnë pikërisht këtë. Ata kanë secili pasion krijimin e përmbajtjeve unike dhe ndarjen e metodave dhe të ideve të tyre me audiencën.

Këtu, Rosie dhe Eletrico, zbulojnë këshillat dhe teknikat e tyre më të mira për krijimin e imazheve unike që do të mahnitin ndjekësit tuaj, duke përdorur pesë teknika të ndryshme fotografie.

1. Gjurmët e dritës me ekspozim të gjatë

Një ekspozim i gjatë i një burri që qëndron në një trotuar përpara gjurmëve të dritës së një autobusi që kalon.

"Për foto me gjurmë drite që kërkojnë ekspozim të gjatë, stativi është thelbësor për të evituar lëvizjen e kamerës," - shpjegon Rosie. "Nëse do ta mbash dikë të fiksuar në pozë, i duhet të qëndrojë komplet pa lëvizur gjatë gjithë ekspozimit." Shkrepur në Canon EOS 200D (tejkaluar tani nga Canon EOS 250D) me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L II USM në 2 sek, f/5.6 dhe ISO100. © Rosie Lugg

Një ekspozim i gjatë i një figure me siluetë në krah të një rrethi të artë drite. Gjurmët e dritës rrezatojnë nga skajet e unazës.

Për ekspozime të gjata, Eletrico vëren se mbajtja e një cilësimi ndjeshmërie të ulët ISO100 ndihmon të aktivizohen shpejtësi të ulëta shkrehjeje ndërsa shmanget çfarëdo gjurme zhurme figure. Shkrepur në Canon EOS M50 Mark II me objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM në 18mm, 13 sek, f/10 dhe ISO100. © Peter Jay

Teknikat për tërheqjen e vëmendjes janë njohuri e detyruar për fotografët që kërkojnë suksesin në rrjetet sociale, dhe si Rosie, ashtu edhe Eletrico, rekomandojnë krijimin e fotove të goditura me gjurmë dritash.

Rosie së fundi ka eksperimentuar me gjurmët e dritave të krijuara nga autobusët e kuq në Tower Bridge të Londrës. "Duhet të luash ca me cilësimet e kamerës për të arritur efektin që dëshiron. Unë përgjithësisht shkrep në modalitetin Manual (M) gjithsesi, çka ta bën më të lehtë kontrollin e shpejtësisë së shkrehësit dhe aperturën, së bashku me cilësimin ISO. Duke fotografuar dikë me një autobus që krijon një gjurmë drite në sfond, vura re se më duhej një shpejtësi shkrehësi prej rreth dy sekondash, me një aperturë prej f/5.6 dhe ISO100 për të arritur ekspozimin e duhur të përgjithshëm. Më pëlqen gjithnjë ta mbaj gjithsesi cilësimin ISO sa më poshtë të jetë e mundur, për të maksimizuar cilësinë dhe për ta mbajtur zhurmën e imazhit në minimum."

Eletrico ka krijuar një imazh po aq të goditur në shikim duke përdorur orenditë e përditshme të shtëpisë. "Vura ca lesh për ndezje zjarri në rrahëse metalike kuzhine," - shpjegon ai. "Vërvitja e rrahëses në një fije nxori shkëndija dhe ekspozimi i gjatë prej 13 sekondash ishte i duhuri për të krijuar vizatimin me dritë." (Vini re: ky mund të jetë rrezik zjarri. Sigurohuni të keni atypari një fikëse zjarri ose masa të tjera mbrojtëse.) "Duke e vënë kamerën në një stativ me vonesë 10-sekondëshe të kohëmatësit më dha mundësinë t'i bëja të gjitha gati dhe të isha në pozë përpara se të hapej shkrehësi."

Mund të krijoni efekte të ngjashme me gjurmë drite me anë të elektrikëve të dorës, llambat LED apo edhe xixëlluese.

2. Fiksoni aksionin me shpejtësi të lartë të shkrehjes

Pozat plot aksion të shkrepura me shpejtësi të larta shkrehësi bien shumë në sy në rrjetet sociale. Lëvizja fiksohet në një të qindtë të sekondës, duke zbuluar detaje që nuk mund të shihen me sy të lirë.

Për pozën e tij të perëndimit me ujin që derdhej nga një gotë (në krye të faqes), Eletrico përdori modalitetin e fokusit manual. "Me vonesën e kohëmatësit, vetëfokusimi nuk do të ishte përqendruar detyrimisht në pjesën e duhur të skenës, kështu që e shënova pikën në tokë dhe e fokusova aty paraprakisht. Ekrani rrotullues me prekje i Canon EOS M50 Mark II ishte vërtet i dobishëm, duke më lejuar të kompozoj pozën ndërsa qëndroja përpara kamerës."

Rosie thotë: "Më pëlqen të shkrep modele që rrotullohen me fustane dhe, përveç nëse përdorni shpejtësi shumë të lartë shkrehësi, të gjitha detajet të humbasin në turbullim. Më pëlqen gjithashtu të shkrep dorazi se sa në stativ, pasi mund të lëviz përreth dhe të jem më spontane."

Kur shkrepni pa stativ, përdorimi i objektivave me fotostabilizim të integruar do t'ju ndihmojë të arrini poza të mprehta. Canon EOS R5 dhe EOS R6 kanë fotostabilizim të integruar, që punon në kombinim me fotostabilizimin e objektivave, apo edhe nëse objektivat tuaj nuk kanë fotostabilizim të vetin.

3. Plane të afërta me detaje

Një formë e kuqe rrethore me tri rreze që dalin nga një pikë qendrore e reflektuar në pikat e ujit mbi të.

"Mahnitem se si objektivi EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM nxjerr detaje kaq të arrira për planet e afërta," - thotë Eletrico. "Me sy të lirë nuk mund as t'i shikoja motivet e dritës në pikat e ujit kur krijoja këtë foto." Shkrepur në Canon EOS M50 Mark II me objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM në 52mm, 1/40 sek, f/5.6 dhe ISO400. © Peter Jay

Një objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM.

Eletrico ka përdorur një objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM për planet e tij të afërta të pikave të ujit me ngjyra (majtas). Objektivi ideal "i njësuar"realizon rezultate fantastike me subjekte pranë dhe larg, dhe mund të fokusohet deri në 25cm (në gjatësi fokale prej 18-50mm).

Imazhet makro që zbulojnë detaje tejet të imëta janë një mënyrë e sigurt për t'i bërë përdoruesit e rrjeteve sociale të ndalojnë shfletimin dhe t'u kushtojnë vëmendje. "Kam menduar gjithmonë se të duhen makroobjektiva të mëdhenj e të specializuar për planet në afërsi ekstreme, por u habita kur pashë sa afër mund të shkoja duke përdorur objektivin Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM," - thotë Eletrico. Në gjatësi fokale prej 18-50mm, objektivi mund të fokusohet deri në 25cm distancë.

"Hapa ca natribant të tejdukshëm përreth një bobine dhe e vendosa mbi një imazh në ekranin e telefonit tim për ndriçim, pastaj e spërkata me ca pika uji mes të cilave të depërtonte drita.

"Nuk m'u desh të përdorja ndonjë cilësim të veçantë të kamerës dhe objektivi kapi dhe detajet më të vogla të pikave. Lëkundja e kamerës mund të jetë problem i madh në makrofotografi, por unë shkrep dorazi dhe fotostabilizimi i objektivit rezultoi më se efikas.

4. Refleksionet në ujë

Një refleksion në një pellg i këmbëve të dikujt, shkrepur nga gjuri e poshtë, me një fund të verdhë dhe çizme të bardha.

Ideja e refleksioneve në ujë e bëri Rosie-n të mendojë për pellgaçet me baltë dhe çizmet Wellington. "Dhe meqë ra fjala, pavarësisht motit të famshëm britanik, m'u desh të prisja mbi një javë që të binte ca shi," - thotë ajo. Shkrepur në Canon PowerShot G7 X Mark II (tejkaluar tani nga Canon PowerShot G7 X Mark III) në 1/320 sek, f/2.8 dhe ISO320. © Rosie Lugg

Një refleksion në një pellg uji i një fëmije të ulur në një dyshek pluskues përpara një horizonti urban.

Eletrico synon për diçka të pazakontë për temën e refleksionit në ujë, duke krijuar një pellg uji në dysheme dhe duke shkrepur një imazh të shfaqur në telefonin e tij, si dhe refleksionin e tij në një dhomë të errët. Rezultati ishte ky iluzion i pabesueshëm optik. Shkrepur në Canon EOS M50 Mark II me objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM në 18mm, 1,6 sek, f/14 dhe ISO100. © Peter Jay

Kur shikon dyshe mjafton për të tërhequr vëmendjen e dikujt dhe siç demonstroi dhe në videon e saj në TikTok, Rosie-t i pëlqen të krijojë imazhe me refleksione, duke shtuar efektin e veçantë të simetrisë në përmbajtjen e saj. "Prita për një ditë me shi, ndaj kishte plot pellgje për të lozur," - shpjegon ajo. "Përfundova duke përdorur veten si model dhe programi Canon Camera Connect rezultoi goxha i dobishëm. Ishte fantastike të kishe mundësinë të vendosje kamerën në një stativ për t'i kontrolluar të gjitha cilësimet nga telefoni që mbaja në dorë.

"Për t'i shfrytëzuar më së miri refleksionet në ujë përgjithësisht duhet të zbritni goxha poshtë – këndi i kamerës ishte i rëndësishëm, ndaj mundësia për ta shqyrtuar imazhin në telefon, si dhe për të rregulluar cilësimet e shkrepjes e bëri çdo gjë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë," - shton Rosie.

Nëse nuk e përdorni programin Camera Connect për ta komanduar në distancë kamerën, me gjasë do t'ju duhet ta mbani disi për të nxjerrë poza me kënde më të ulëta. Në këto rrethana, vijon Rosie, "ekranet me anim apo rrotullim jua lehtësojnë jetën dhe nuk keni as nevojë të uleni në gjunjë apo përtokë në vende me ujë."

Eletrico-s gjithashtu i pëlqen të shtojë stilin e tij krijues në pozat me refleksione në ujë. "Unë hodha ca ujë në dysheme dhe fika të gjitha dritat, kështu që u bë vërtet errësirë. Uji pasqyronte imazhin në ekranin e telefonit tim dhe efekti dukej shumë i bukur. Përdora një aperturë të ngushtë prej f/14 për qartësi të mëtejshme të thellësisë, kështu që gjithçka është e mprehtë nga skena përpara deri tej mbrapa."

5. Sfondet e turbulluara

Një grua duke parë lart dhe djathtas, me dorën në faqe, me drita të turbullta peme në formë yjesh në sfond.

Rosie përdor shpesh rekuizita për t'u shtuar interes fotove të saj, duke përgatitur drita peme ose edhe duke fryrë flluska për të krijuar efekte interesante bokeh. Ajo krijon dhe forma të prera për t'i vënë sipër objektivave, duke u dhënë një pamje krijuese pikave të shfokusuara të dritës dhe zonave të shndritshme. "Shpesh përdor dhe qartësi të ulët thellësie për ta nxjerrë sfondin jashtë fokusit," - shton ajo. Shkrepur në Canon EOS 200D me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L II USM në 1/125 sek, f/1.4 dhe ISO200. © Rosie Lugg

Një strukturë mermeri të bardhë me mbi një duzinë kupolash dhe katër minaresh të shikuara përmes një unaze në një dritë të artë.

"Vendosa të përdorja thjesht dorën në paraskenë, por pastaj kisha idenë e mbajtjes së një filtri dendësie neutrale për të shtuar një element më krijues," - thotë Eletrico. Shkrepur në Canon EOS M50 Mark II me objektiv Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM në 18mm, 1/100 sek, f/3.5 dhe ISO100. © Peter Jay

Izolimi i personit apo i objektit kryesor brenda një skene duke turbulluar sfondin është një nga teknikat e preferuara të Rosie-t. "Shumica e portreteve që shikoni në rrjetet sociale duken goxha të ngjashme, sidomos ato që nxirren me celular. Objektivi im Canon EF 35mm f/1.4L II USM më jep avantazhin, pasi apertura më e gjerë e tij jep një qartësi të mirë thellësie. Ai fokuson të gjithë vëmendjen te personi që po fotografohet." Nëse përdorni objektiv EF në një kamerë me sensor APS-C, subjekti që fotografoni është më i madh në sensor se në sensorin kuadërplotë, çka në thelb rrit gjatësinë fokale të objektivit me 1.6x. "Gjatësia efektive fokale e objektivit 35mm rezulton në 56mm në Canon EOS 200D, çka më duket ideale për pozat e mia të portreteve dhe të modës. Imazhet kanë një pamje cilësore dhe frymëzuese që tërheq vështrimet dhe i ndalon në vend njerëzit në rrjetet sociale."

Për të demonstruar një qartësi të ulët thellësie, Eletrico shkrepi një pozë arkitekture në një ndërtesë nga distanca. Qasja e tij e re ishte që mbajti një filtër dendësie natyrale në dorë në afërsi, duke e përfshirë në pozë. "Duke fokusuar xhaminë në distancë filtri krijon një aureolë si në ëndërr, të butë dhe të shfokusuar rreth ndërtesës për efekt special." Shpesh kur mendon jashtë kornizave, mund të arrish rezultate të bukura.

Bëhuni krijues me kompletin tuaj

Për përmbajtje më tërheqëse të duhet një komplet që i përgjigjet krijimtarisë suaj. Rosie dhe Eletrico udhëtojnë pa shumë aksesorë dhe shkrepin me pajisje që nuk i rëndojnë, por që sakaq janë intuitive dhe të zhdërvjellëta, duke u mundësuar të krijojnë punë të arrira kur u vjen frymëzimi.

Rosie përdor modelin e xhepit Canon PowerShot G7 X Mark II (tejkaluar tani nga Canon PowerShot G7 X Mark III), shoqëruesi i saj i fuqishëm dhe portativ për të realizuar idetë në lëvizje. Ajo përdor edhe një Canon EOS 200D (tejkaluar tani nga Canon EOS 250D), një DSLR tepër kompakte dhe peshëlehtë për përdorim si në studiot e shtëpisë ashtu edhe në natyrë. "Ndjekja nga afër e skenave me zhvillim të shpejtë mund të jetë sfidë më vete," - thotë Rosie. "Por modeli im EOS 200D është tepër i zhdërvjellët, sidomos kur vjen puna te gjurmimi me vetëfokusim."

Për objektiva, Rosie mbështetet mbi Canon EF 35mm f/1.4L II USM për qartësinë e tij të pabesueshme të thellësisë dhe mbi Canon EF 24-70mm f/2.8L USM (tejkaluar tani në linjën e EF nga Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM) për fleksibilitetin e një objektivi zmadhues pa kompromise në cilësinë e figurës.

Eletrico sakaq preferon modelin kompakt por të fuqishëm Canon EOS M50 Mark II në kombinim me objektivin ultrafleksibël Canon EF-M 18-150mm f/3.5-6.3 IS STM. Kombinimi i ka tejkaluar pritshmëritë e tij të larta për thuajse çfarëdo skenari fotografik.

U frymëzuat nga këto teknika krijuese? Shikoni këshillat e Eletrico-së për poza më të arrira në TikTok dhe mandej provoni të shtoni ca efekte argëtuese në imazhet tuaja. Ndajini rezultatet me etiketën #FreeYourStory dhe referoni @canonemea.


Shkruar nga Matthew Richards

Produkte të ngjashme

Artikujt e lidhur

  • PARIMET BAZË TË FOTOGRAFISË

    Regjistroni foto estetike

    Figura e rrjeteve sociale, Steffi Marla, tregon se si sigurohet që imazhet e saj të dallohen në internet.

  • FOTOGRAFI PEIZAZHI

    Shkrepja e stinëve

    Nxirrni në pah atmosferën unike të çdo stine me këto këshilla nga Benjamin Hegyi.

  • VIDEOBLOGIMI

    Krijimi i përmbajtjeve me EOS R50

    Kalojini publikimet tuaja në rrjetet sociale në tjetër nivel me Canon EOS R50.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Përmirësoni autoportretet

    Përdoruesja e TikTok, Nina Collins, shpjegon se si të bëni autoportrete krijuese në shtëpi.