Si të nxirrni fotografi më të mira për Krishtlindje se vitin e kaluar

Përmirësoni fotografitë festive me këto 10 këshilla të lehta.
Një fëmijë i ulur në një shkallë në barin e mbuluar nga dëbora, duke u zbavitur me prindërit e tij. Të tre janë të veshur me rroba të ngrohta dimërore. Fotografuar nga Lena Petrova.

Edhe nëse Krishtlindja është e rrënjosur në traditë, çdo stinë festash është unike. Pra, është e rëndësishme të siguroheni që të fotografoni momentet kalimtare të argëtimit në familje dhe mbledhjeve për Krishtlindje, pavarësisht nëse jeni në shtëpi pranë pemës, duke vizituar të afërmit ose thjesht duke shijuar peizazhin dimëror në një shëtitje festive.

Fotografja e familjeve, Lena Petrova, ka perfeksionuar metodën e saj të fotografimit të kësaj periudhe të veçantë të vitit, për fotografitë spontane dhe për fotografitë e planifikuara festive. Metoda e saj për fotografitë familjare mund të përmblidhet me një fjali: “Fotot e bukura realizohen kur të gjithë harrojnë se po dalin në fotografi dhe thjesht shijojnë kohën që kalojnë me njëri-tjetrin.” Prandaj, kudo që do të kaloni Krishtlindjen, është e rëndësishme t’ja kaloni sa më bukur kur krijoni kujtime të përjetshme.

Ja disa këshilla që do t'ju japin shumë ide për fotografi për Krishtlindje, që nga mënyra se si të shkrepni foto të bukura me efekt bokeh duke përdorur drita dekorative deri te fotografimi pa turbullim i momentit të hapjes me padurim të dhuratave dhe gjithashtu rreth pozave natyrale për portretet në grup.

Me kontributin e çmuar të Lenës, ne do t'ju tregojmë se si të realizoni foto familjare në shtëpi ose në ambiente të jashtme duke përdorur kamerën Canon EOS R System dhe se si t’i sillni ato foto në jetë duke përdorur printerë PIXMA ose SELPHY.

Gati?

1. Mendoni për sfondin

Dy djem që luajnë të lumtur në dëborë gjatë natës. Në sfond është një pamje e turbullt e dy pemëve të Krishtlindjeve që vezullojnë nga dritat dekorative. Fotografuar nga Lena Petrova.

Lena sugjeron që përzgjedhja e panoramave të bëhet duke u bazuar tek traditat familjare. “Përveç dekorimit të pemës së Krishtlindjes dhe hapjes së dhuratave, janë dhe përgatitjet për darkën, nënshkrimi i kartolinave dhe pa dyshim shumë gjëra të tjera që kanë domethënie për ju dhe të dashurit tuaj,” thotë ajo. Ndërkohë që për të realizuar foto të mira të fëmijëve, mund të luani bashkë me ta. “Përpiquni të zbuloni se çfarë dëshirojnë të bëjnë fëmijët dhe krijoni një situatë ku ata mund t’i shfaqin ato dëshira,” shton më tej Lena. “Fotot më të mira realizohen kur të gjithë janë duke u argëtuar.” Shkrepur në 1/160 sek, f/2.2 dhe ISO 1250. © Lena Petrova

“Për portrete familjare, unë kërkoj sfonde të qeta, në mënyrë që të mos tërheqin vëmendjen nga njerëzit në fotografi,” shpjegon Lena. “Por sfondi nuk ka pse të jetë i thjeshtë - mund të përfshini një pemë Krishtlindjeje ose drita dekorative për të krijuar një atmosferë festive.”

Mos harroni të ndryshoni sfondet. Në qoftë se çdo shkrepje ka si sfond pemën në shtëpi, kjo gjë mund të krijojë lehtësisht një pamje monotone. Kini parasysh se cilët nga elementët e festës janë të rëndësishëm për ju dhe familjen tuaj dhe përqendrohuni që t’i përfshini ato.

Sigurohuni që të dilni dhe jashtë. Mund të bëni foto krahas pemëve të mbuluara me dëborë ose të shkoni në një treg festiv në prag të Krishtlindjes. Nëse në qytetin tuaj ka aktivitete për të takuar Babagjyshin, është e vështirë të bësh foto më të arrira se ato klasike të një anëtari të ri të familjes ulur pranë Babagjyshit.

2. Përqendrohuni te gjërat që kanë rëndësi

“Gjërat që krijojnë një atmosferë komode në jetën reale jo gjithmonë janë të përshtatshme për një fotografi të rregullt, prandaj kur realizoj portrete të njerëzve në shtëpitë e tyre, i lëviz shpesh mobiliet dhe dekoret e tepërta për t'i larguar nga kuadri, duke përfshirë edhe fotografitë në mure,” thotë Lena.

Për shkrepje më spontane, mund të zgjidhni një kënd të kamerës që eliminon elementët e padëshiruar nga panorama, ose të luani me kompozimin dhe inkuadrimin për t'u siguruar që syri i shikuesit shkon natyrshëm tek subjekti – provoni ta vendosni subjektin në qendër ose të përdorni rregullin e të tretave. Përndryshe, mund të përdorni një objektiv si Canon RF-S 18-45mm f/4.5-6.3 IS STM për të zmadhuar dhe për të eliminuar shpërqendrimet. Mund të provoni gjithashtu të përdorni një objektiv si Canon RF 35mm F1.8 MACRO IS STM i cili ka një aperturë maksimale super të gjerë f/1.8, për të turbulluar sfondet dhe për të sjellë akoma dhe më shumë subjektin tuaj në qendër të vëmendjes.

3. Përdorni rekuizita dhe dekorime

Një nënë dhe një fëmijë që shikojnë zbukurimet e Krishtlindjes të vendosura në barin e mbuluar me dëborë. Të dy janë veshur me rroba të ngrohta dimërore. Fotografuar nga Lena Petrova.

“Mos kini frikë ta teproni me rekuizitat; është më mirë të keni pak nga të gjitha se të kufizoheni në një ose dy lloje objektesh,” thotë Lena. “Mendoni edhe për veshjet festive po ashtu. Mund të duket e çuditshme që subjektet tuaja të pozojnë me xhaketa të zakonshme kur mbajnë me objekte të Krishtlindjes në duar ose janë të rrethuar nga drita festive. Por sigurohuni që veshjet mos të jenë me ngjyra shumë të forta ose që bëjnë kontrast në mënyrë që mos të tërheqin vëmendjen nga fytyrat në fotografi.” Shkrepur në 1/250 sek, f/2.5 dhe ISO 1600. © Lena Petrova

“Për fotografi Krishtlindjeje në ambiente të jashtme, do t'ju duhen elemente në kuadër që tregojnë se është periudhë Krishtlindjeje, si p.sh. pemë, drita dhe dekorime,” thotë Lena. Kjo gjë mund të kryhet fare lehtë duke nxjerrë çorapet dekorative ose dekorimet në kopsht.”

Megjithatë, ju nuk keni pse vendosni me patjetër rekuizita dhe dekorime në foto në mënyrë të panatyrshme. Është e vështirë t’i shmangësh dekorimet festive gjatë periudhës afër Krishtlindjes, prandaj ju mund t’i përfshini ato natyrshëm duke i fotografuar si në një dokumentar gjatë daljeve tuaja. Për shembull, për të përfshirë pemën e Krishtlindjes, pse të mos dokumentoni ditën ose natën që e morët dhe vështirësitë për ta futur në makinë?

4. Zgjidhni objektivin e duhur

“Mund të tundoheni të përdorni një objektiv me kënd të gjerë për të përfshirë sa më shumë persona në kuadër kur nuk keni hapësirë, por gjatësitë e shkurtra fokale do të krijojnë shformime të pakëndshme për familjarët tuaj,” thotë Lena.

Në vend të tij, përdorni një objektiv si Canon RF 50mm F1.8 STM. Ky objektiv është më i gjerë se një objektiv portretesh, pra mund të përfshijë më shumë persona në kuadër por nuk është mjaftueshëm i gjerë sa për të krijuar shformim cilindrik.

Ndërkaq, një objektiv zmadhues si Canon RF 24-70mm F2.8L IS USM ose Canon RF 24-105mm F4L IS USM, ju mundëson të krijoni një turbullim të këndshëm të sfondit. Thjesht largohuni nga subjekti juaj dhe më pas zmadhoni derisa të keni krijuar pikërisht efektin që dëshironi.

5. Përshtatuni me motin

Dy fëmijë që mbajnë portokaj sipër kokës. Fëmija në të majtë po mban gjithashtu një kapelë të kuqe Krishtlindjeje. Shkrepur me Canon EOS R100.

Moti i keq në dimër është më i zakonshëm se një Krishtlindje me dëborë si në kartolina. Dhe prandaj është e rëndësishme të përshtateni me çdo lloj moti dhe të mësoni ta përdorni kamerën në situata të ndryshme. Shkrepur në Canon EOS R100 me një objektiv Canon RF-S 18-45mm F4.5-6.3 IS STM në 20 mm, 1/320 sek, f/4.5 dhe ISO 800.

Edhe nëse jetoni në një zonë ku temperaturat mund të jenë shumë të ulëta, mos harroni se kamera Canon EOS R System mund të përdoret në kushte të cilat janë të vështira për njerëzit. Për shembull, kamera Canon EOS R100, mund të përdoret në temperatura që variojnë nga 0 deri në 40°C.

Për shkak të ngjyrës së bardhë reflektuese të dëborës, kamera mund ta ketë më të vështirë të përcaktojë ekspozimin e duhur, duke sjellë kështu foto të errëta. Kalojeni kamerën nga matja vlerësuese në matjen zonale (brenda modalitetit të matjes) dhe zgjidhni diçka më të errët se dëbora, si p.sh. fytyrën e subjektit, për të ekspozuar atë zonë dhe jo të gjithë panoramën.

Në ditët me re, dëborë ose shi, shkrepjet mund të dalin me tone të zbehta dhe gri. Për ta rregulluar këtë gjë, ndryshoni balancimin e së bardhës në kamerë në konfigurimin paraprak “Cloudy”, i cili do të sjellë ndriçim.

6. Kini parasysh shpejtësinë e obturatorit

Është e rëndësishme të keni parasysh shpejtësinë e obturatorit kur bëni fotografi për Krishtlindje. Shpejtësia e obturatorit prej 1/60 është zakonisht e mjaftueshme për të shmangur dridhjet e kamerës dhe lëvizjen e personave. Megjithatë, nëse doni të fotografoni qëllimisht subjektet në lëvizje, duhet të përdorni një shpejtësi të obturatorit prej 1/250 sek ose më të lartë, për të shmangur turbullimin e lëvizjeve.

Por mos harroni se turbullimi nuk është gjithmonë element negativ pasi mund të tregojë lëvizje në fotografi. Përdorimi i një shpejtësie të ngadaltë të obturatorit kur kamera është e vendosur në stativ mund të turbullojë përgjatë kuadrit njerëzit në lëvizje, ndërkohë që mjedisi rrethues mbetet i mprehtë dhe në fokus. Për shembull, mund të fokusoheni te pema e Krishtlindjes, duke përdorur një shpejtësi më të ngadaltë të obturatorit për të turbulluar lëvizjet e familjes rreth saj.

7. Nxirrini në pah fotot në grup

Një familje me shtatë anëtarë dhe një qen, qëndrojnë jashtë të veshur me pulovra Krishtlindjeje dhe kapele. Pas tyre ka një mur me bredha. Fotografuar nga Lena Petrova.

“Mos harroni të shkrepni shumë fotografi, në rast se dikush i ka sytë e mbyllur gjatë shkrepjes.” sugjeron Lena për portretet në grup. Shkrepur në 1/250 sek, f/3.5 dhe ISO 3200. © Lena Petrova

“Për një portret në grup, duhet të punoni pothuajse gjithmonë me dy rreshta njerëzish,” shpjegon Lena. “Për të siguruar një fokus të qartë te të gjithë pjesëmarrësit në dy rreshta, apertura duhet të jetë rreth f/4-5.6. Objektivi juaj është t'i vendosni kokat e të gjithëve në nivele të ndryshme. Shikoni nëse mund të gjeni karrige me lartësi të ndryshme, ose përdorni një kolltuk dhe ulni një person te mbështetësja e kolltukut.”

Shumë njerëz duan të dinë si të realizojnë foto në grup për Krishtlindje dhe disa nga kamerat e Canon, si p.sh Canon EOS R50 dhe Canon EOS R100, mund ta lehtësojnë shumë të gjithë procesin pasi të dyja kanë modalitetin “Group Photo”.

“Përpiquni të shmangni heshtjen gjatë përgatitjeve për fotografi në grup,” vijon më tej Lena. “Shpesh, fotografët fillestarë kanë tendencën të përqendrohen te problemet teknike, duke kthyer shpinën dhe duke i harruar njerëzit që pozojnë për fotografinë. Nga ana tjetër, shokët tuaj dhe anëtarët e familjes do të mërziten dhe kjo duket në fotografi. Tregojuni se çfarë po bëni dhe vendosni pak muzikë në mënyrë që njerëzit të qetësohen.”

8. Fotografoni fotografin

Krishtlindja është një festë për të kaluar kohë me familjen dhe miqtë, por kur jeni prapa kamerës, ndonjëherë mund të harroni që dhe ju jeni pjesë e tyre.

“Dhe ju mund të përfshiheni në portretin familjar duke vendosur kohëmatësin në kamerë, ose duke përdorur aplikacionin Canon Camera Connect për të shkrepur foto në largësi,” thotë Lena.

Megjithatë, ka mënyra krijuese se si mund të përfshiheni në foto edhe nëse harroni të dilni të pozoni në portretin familjar. Ju mund të përdorni reflektimet e dritareve ose ujit, apo edhe pasqyrat në shtëpi, për t'u përfshirë në kuadër në një mënyrë artistike.

9. Mos harroni kafshët shtëpiake

Një mace që ka të vendosur një kurorë letre nga një fishekzjarr letre teksa qëndron e shtrirë përpara një peme të vogël Krishtlindjesh. Kurora është shumë e madhe dhe rrëshqet mbi sytë e kafshës. Fotografuar nga Lena Petrova.

Shumë kamera të Canon si p.sh Canon EOS R100 dhe Canon EOS 5D Mark IV (që është përdorur këtu) vijnë me modalitete AF për zbulimin e kafshëve, kështu që edhe nëse kafshës tuaj shtëpiake nuk i pëlqen të qëndrojë pa lëvizur, ju mund të realizoni foto ku ata janë çdo herë në fokus në mënyrë të përkryer. Shkrepur në 1/200 sek, f/1.8 dhe ISO 3200. © Lena Petrova

Një mace e shtrirë në një kolltuk, e veshur me një shall të kuq kthen kokën për të parë nga kamera. Në sfond është një pamje e turbullt e një peme Krishtlindjeje që vezullon nga dritat dekorative.

Fotot shërbejnë si kujtime vetëm kur janë të dallueshme prandaj është e rëndësishme të shmangni turbullimin në to. Kamera Canon EOS R System do t'ju ndihmojë të kapni natyrën e vërtetë të kafshës suaj, nëse janë çapkënë, të humbur në mendime, të adhurueshëm apo të treja bashkë.

“Dritat dhe lodrat e Krishtlindjes janë gjëra të reja dhe emocionuese për kafshët shtëpiake, kështu që ka shumë mundësi të realizoni foto argëtuese dhe gazmore për Krishtlindje me to,” thotë Lena. “Mund të ngacmoni një mace me shirita dhuratash ose drita dekorative, dhe qentë do të luajnë me kënaqësi jashtë në dëborë me fëmijët - të gjitha këto janë subjekte të shkëlqyera për fotografi argëtuese për Krishtlindje.”

Ju gjithashtu mund të përgatisni disa biskota për qen me tematikë festive dhe të kapni pamjen në fytyrën e mikut tuaj më të mirë teksa fillon të hajë me padurim. Ose pse mos të vizitoni një qendër lokale shpëtimi dhe t’i pyesni nëse mund të fotografoni kafshët e tyre? Madje, ofrojuni shërbime pa pagesë për atë ditë. Ju mund të shkrepni disa foto të mrekullueshme teksa shëtisni qentë ose luani me macet, madje mund t'i ndihmoni ata të adoptohen.

10. Sillini kujtimet në jetë

Një printer Canon SELPHY i mbështjellë me një fjongo të kuqe dhe drita vezulluese dekorative.

Nëse keni nevojë për këshilla për fotografimin e familjeve për kartolina Krishtlindjeje dhe dhurata të tjera, kërkoni për momente spontane si dhe për momente të inskenuara, pasi këto reagime të natyrshme shpesh i shfaqin të dashurit tanë ashtu siç i njohim ne ata. Më pas mund t’i printoni ato në printerët PIXMA ose SELPHY të Canon. Shkoni te Canon Creative Park për opsione të pafundme printimi dhe punëdore – që nga shabllonet deri te kornizat e printueshme të fotografive dhe librat me foto, si dhurata për të dashurit tuaj.

Pasi të keni realizuar fotot e përkryera për Krishtlindje, e vetmja gjë që ju mbetet për të bërë është t’i sillni kujtimet në jetë duke i printuar. Hapi i parë për t'u dhënë formë printimeve, është të përdorni një nga aplikacionet e printimit të Canon.

Nëse po përdorni një printer PIXMA nga Canon, si p.sh, Canon PIXMA TS5350a Series, aplikacioni Easy-Photoprint Editor ka shumë shabllone, një redaktues për faqosjen dhe mjete për modifikimin e imazheve për t'ju ndihmuar të përdorni fotot tuaja të Krishtlindjes në mënyra krijuese, duke filluar nga printimi për kolazhe, kalendarë dhe albume me ngjitje deri te shabllonet që ju mundësojnë të printoni vetë kartolinat tuaja të Krishtlindjes.

Për të gjithë ata që po përdorin printerë SELPHY, si p.sh Canon SELPHY CP1500, aplikacioni Canon SELPHY Photo Layout ju ofron një larmishmëri mënyrash për të printuar kujtimet festive. Zgjidhni nga një gamë e gjerë faqosjesh, personalizoni me pulla ose tekste dhe zgjidhni nga një sërë finiturash. Aplikacioni ju mundëson gjithashtu të shtoni një kod QR te printimet, i cili mund të lidhet me një album në internet me fotot e familjes për Krishtlindje.

Me këto këshilla, mund ta bëni Krishtlindjen vërtet të paharrueshme këtë vit!

Shkruar nga Pete Wolinski

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

Printimi i kartolinave të fundvitit

Stilizoni seancën tuaj festive të fotografimit dhe printoni kartolina të personalizuara për festat.

Një sfidë dimërore me letër punëdoreje

Nga dekorimet për majën e pemës së Krishtlindjes, te flokët e dëborës dhe zbukurimet e varura, krijoni dekor festiv me letër punëdoreje me një printer PIXMA dhe Creative Park.

Këshilla për fotografimin e kafshëve shtëpiake

Zbuloni këshilla praktike për fillestarët për fotografimin e kafshëve shtëpiake. Mësoni teknikat e fotografimit në ambiente të brendshme dhe të jashtme, rregullimet e ekspozimit dhe kontrollin për rrezen e qartësisë për shkrepje të qarta dhe të spikatura.

Fotografime për printime

Shtatë këshilla kryesore për fotografimin e kujtimeve që doni t’i ruani duke i printuar.