Bëhuni krijues me fotografi me efekt “Bokeh”

Asgjë nuk ia kalon efektit të mirëfilltë Bokeh! Ndiqni këto këshilla dhe teknika për të krijuar turbullira të bukura të sfondit me rekomandimet tona më të mira për objektivat, cilësimet dhe teknikat për t'u provuar.
Një portret me ndriçim të ulët i një gruaje përkundër një sfondi me efekt të dallueshëm rrethor “Bokeh” me ngjyrë të bardhë dhe blu të zbehtë.

Termi “bokeh” është një fjalë japoneze që do të thotë “turbullirë” dhe përdoret për të përshkruar zonat jashtë fokusi të një fotoje. Efekti “Bokeh” - që shpesh shqiptohet në rimë me fjalën OK – është më i dukshëm në fotot me shndritje të vogla, si p.sh. dritat e rrugës gjatë natës. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me shndritjet e forta rrethore, në fakt i referohet cilësisë së çdo pjese të turbullt të një fotoje.

Pra çfarë është fotografia me efekt “Bokeh”? Shkrepja për të përfshirë këto zona të turbullta është një nga efektet më tërheqëse që mund të përdorim në fotografinë tonë. Kjo na lejon të shkrijmë rrëmujat shpërqendruese, tërheq vëmendjen në pjesët e rëndësishme të fotos dhe transformon detajet e panevojshme në ngjyra dhe tonalitete të bukura e të buta.

Një grua që kalon rrugën natën, me makina dhe shenja trafiku të turbulluara në sfond, shkrepur në Canon EOS R8 me një objektiv Canon RF 85mm F2 MACRO IS STM.

Kur janë jashtë fokusit, pikat e dritës shndërrohen në efekt të bukur rrethor “Bokeh”. Shkrepur në Canon EOS R8 me një objektiv Canon RF 85mm F2 MACRO IS STM në 85mm, 1/125 sek, f/2.2 dhe ISO 8000.

Një pamje nga afër e një rrjete merimange, detaji i theksuar nga gjethet e turbulluara në sfond.

Thjesht turbullimi i sfondit nuk mjafton - duhet të zgjidhni një sfond që do të duket interesant dhe idealisht më i fortë kur të turbullohet. Gjelbërimi funksionon mirë zakonisht. Shkrepur në Canon EOS R8 me një objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/256 sek, f/3.2 dhe ISO 100.

Për këto arsye, efekti Bokeh ka qenë prej kohësh një nga teknikat vizuale më të fuqishme në arsenalin e fotografit. Ditët e sotme smartfonët me dy objektiva mund ta imitojnë efektin Bokeh por vetëm nga ana programatike. Objektivat dhe sensorët e vegjël në smartfonë e bëjnë të pamundur arritjen e rrezes së cekët të qartësisë që ju nevojitet për një efekt Bokeh natyral. Është një efekt optik që mund të krijohet në të vërtetë vetëm me objektivët më të shpejtë dhe sensorët më të mëdhenj që kanë kamerat e dedikuara dhe asgjë nuk ia kalon pamjes së vërtetë.

Kamerat me kuadër të plotë si Canon EOS R8 dhe EOS R6 Mark II janë ideale për fotografi me efekt “Bokeh” por dhe trupat me format APS-C si Canon EOS R100, EOS R50, EOS R10 dhe EOS R7 mund të jenë gjithashtu tejet efikase.

Këtu do të shohim disa nga teknikat kryesore, aftësitë e aparatit dhe aksesorët që ju nevojiten për t'i bërë fotot tuaja edhe më të mrekullueshme duke kapur një efekt tërheqës Bokeh.

Objektivët më të mirë për efektin Bokeh

Një kamerë Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM.

Një objektiv me aperturë maksimale të gjerë si Canon RF 50mm F1.8 STM mund të shndërrojë sfondet në efekt të bukur kremoz Bokeh. Vini re gjithashtu se si fletët e dukshme në objektivin e kësaj fotoje krijojnë një hapje të rrumbullakosur - kjo përcakton kryesisht formën e efektit Bokeh.

Për të shkrepur pamje me efekt tërheqës “Bokeh”, ju duhet një objektiv “i shpejtë” - pra, një objektiv me një aperturë të gjerë maksimale, idealisht f/2.8 ose më të gjerë (numër më të ulët f). Kjo është dhe një nga arsyet kryesore për të pasur një objektiv të shpejtë fiks (gjatësi fokale fikse) me vete në çantë, edhe nëse gjatësia fokale në fjalë mbulohet nga zmadhimi i setit tuaj.

Objektivët e shpejtë me një gjatësi fokale 50 mm ose më të madhe janë zakonisht më të mirë për fotografitë me efekt “Bokeh” pasi është më e vështirë të turbullosh sfondin me objektivët me kënd të gjerë. Kjo ndodh sepse gjatësitë më të shkurta fokale prodhojnë rreze qartësie më të madhe në çdo distancë fokusimi dhe aperturë, në mënyrë që pjesa më e madhe e panoramës nga plani i parë deri në sfond të jepet qartë dhe të ketë më pak efekt “Bokeh”.

Zgjedhjet kryesore të objektivëve ekonomikë me efekt “Bokeh” përfshijnë objektivët Canon RF 50mm F1.8 STM dhe RF 85mm F2 MACRO IS STM. Por mos përjashtoni objektivët me kënd të gjerë. Si RF 35mm F1.8 MACRO IS STM ashtu dhe RF 24mm F1.8 MACRO IS STM janë objektivë shumë të përshtatshëm për krijimin e një sfondi me efekt “Bokeh” në fotografitë nga afër pasi rrezja e qartësisë tkurret me distanca më të shkurtra fokusimi.

Për pamje nga shumë afër, një gjatësi shumë e shkurtër fokale ofron një rreze shumë të vogël qartësie, duke maksimizuar mundësinë e shfaqjes së efektit “Bokeh”, ndaj makropajisjet 0,5x të objektivëve RF 85mm F2 MACRO IS STM, RF 35mm F1.8 MACRO IS STM dhe RF 24mm F1.8 MACRO IS STM janë të rëndësishëm. Objektivi Canon RF 16mm F2.8 STM është gjithashtu një opsion i mirë për t'u afruar sa më shumë me subjektin kryesor në skenë dhe për ta izoluar atë përkundër një sfondi të turbulluar por dhe të gjerë, falë fushëpamjes së tij të gjerë. Kjo shton dhe një tjetër element krijues në ndërthurjen e metodave.

Në përgjithësi, një objektiv me më shumë fletë aperture sjell një efekt rrethor “Bokeh” më tërheqës, pasi çdo pikë e dritës jashtë fokusi pasqyron formën e aperturës. Kjo nuk përbën problem nëse jeni duke shkrepur me objektiv të hapur deri në fund - domethënë, në aperturën maksimale (numri më i ulët f), kur hapja do të jetë rrethore gjithsesi - por kjo nuk ka për të ndodhur gjithmonë. Ju mund të zbuloni numrin e fletëve të objektivit tuaj duke kërkuar specifikimet e tij në faqen e internetit të Canon. Shtatë fletë janë shumë mirë për një efekt tërheqës Bokeh, por nëntë janë edhe më mirë. Të dy makroobjektivët e përmendur më lart kanë nëntë fletë aperture ndërsa të tjerët kanë shtatë.

Mjeti i dobishëm i Canon për përzgjedhjen e objektivëve ju mundëson të personalizoni rekomandimet e objektivëve në bazë të kamerës suaj dhe zhanrit të fotografive që dëshironi të shkrepni.

Cilësimet më të mira të kamerës për efektin “Bokeh”

Ekrani LCD i Canon EOS R6, që tregon cilësimet në modalitetin Aperture Priority.

Modaliteti Aperture Priority ju mundëson të caktoni një aperturë të gjerë për rrezen e cekët të qartësisë që na duhet një efekt të fortë Bokeh në sfond.

Një portret nga afër i një qeni të racës “Airedale terrier”, në fokus të përkryer me sfondin e turbulluar nga mbrapa.

Shkrepja e gjerë me f/1,8 do të thotë se rrezja e qartësisë do të jetë shumë e cekët, kështu që fokusimi duhet të jetë perfekt. Një kamerë si EOS R10 është shumë e dobishme në këtë rast pasi vetëfokusimi i saj mund të njohë njerëz, automjete dhe kafshë si mace, qen dhe zogj. Shkrepur në Canon EOS R10 me një objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/200 sek, f/1.8 dhe ISO 100.

Zgjedhja juaj e aperturës ka një ndikim të madh në pamjen e Bokeh në fotot tuaja. Sa më e gjerë të jetë apertura (domethënë, sa më i ulët të jetë numri f), aq më e cekët është rrezja e qartësisë, gjë që sjell turbullim më të madh të sfondit. Kështu që provoni të shkrepni ose në modalitetin Aperture Priority (Av) ose në Manual dhe zgjidhni një aperturë të gjerë (numër i ulët f).

Në modalitetin Aperture Priority (Av) ju mund ta vendosni ISO-në në “Auto” për të parë nëse shpejtësia e obturatorit është mjaftueshëm e shpejtë për nevojat tuaja. Përndryshe, në modalitetin Manual (M) me Auto ISO mund të vendosni si aperturën, ashtu edhe shpejtësinë e obturatorit, më pas lërjani kamerës përcaktimin e ISO-s së duhur. Thelbi është të zgjidhni një aperturë të gjerë dhe një shpejtësi obturatori të mjaftueshme për t’u siguruar që zonat në fokus të fotos të jenë të mprehta kur mbani kamerën me dorë (provoni diçka rreth 1/200 sek).

Rregulloni distancën për një efekt më të mirë Bokeh

Një pamje nga afër e një pilivese që pushon mbi një fije bari, shkrepur me një objektiv Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM.

Objektivët ekonomikë RF 24mm F1.8 MACRO IS STM, RF 35mm F1.8 MACRO IS STM dhe RF 85mm F2 MACRO IS STM kanë të gjithë një makropajisje 0,5x, ndaj objektet e vogla riprodhohen në gjysmën e madhësisë reale në sensorin e kamerës kur kryhen shkrepje në gjatësinë më të shkurtër fokale të disponueshme. Shkrepur në një kamerë Canon EOS R5 me një objektiv Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM në 1/250 sek, f/3.5 dhe ISO 100.

Një qen i racës “Jack Russell terrier” që shikon në të djathtë, me një pemë me lule qershie të turbulluar në sfond, shkrepur me një objektiv Canon RF 85mm F2 MACRO IS STM.

Të gjithë këta objektivë ofrojnë gjithashtu një rreze shumë të vogël qartësie, duke mundësuar një efekt “Bokeh” të lehtë dhe të butë, ndërkohë që fotostabilizuesit e tyre optikë bëjnë të mundur që pamjet mos të kenë turbullim në lëvizje duke ekuilibruar lëkundjet e kamerës gjatë shkrepjeve dorazi. Shkrepur në Canon EOS R6 me një objektiv Canon RF 85mm F2 MACRO IS STM në 1/85 sek, f/2 dhe ISO 400.

Rritja e largësisë mes subjektit dhe sfondit do ta turbullojë edhe më tej sfondin. Një faktor tjetër është distanca midis subjektit dhe aparatit tuaj. Sa më pranë të jetë objektivi me subjektin, aq më e cekët është rrezja e qartësisë. Kjo do të thotë që zonat e sfondit do të dalin më shpejt jashtë fokusi. Për të turbulluar më shumë pamjen, lëvizeni subjektin më pranë kamerës dhe më larg sfondit.

Vendosni gjatësinë më të mirë fokale për Bokeh

Një portret i një gruaje që ka vendosur buzëkuq rozë të ndezur dhe me flokë gërshet përkundër një sfondi të turbulluar.

Efekti “Bokeh” është shpesh herë një komponent thelbësor në portretetefikase. Zakonisht, do të kërkoni t'i jepni të gjithë vëmendjen vizuale subjektit që po fotografoni. Krijimi i një sfondi të turbullt jashtë fokusi është mënyra e përkryer për ta izoluar atë në skenë, duke hequr çdo rrëmujë shpërqendruese në sfond dhe duke e zëvendësuar atë me një efekt të bukur “Bokeh”. Shkrepur në Canon EOS R6 me një objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/2500 sek, f/1.8 dhe ISO 100.

Një gjatësi më e madhe fokale prodhon një rreze më të ngushtë qartësie, e cila sjell një turbullim më të fortë të sfondit. Kjo është arsyeja pse zmadhimet telefoto mund të përdoren me efekt të lartë për të izoluar një subjekt dhe për ta shndërruar sfondin në një turbullim pa detaje. Për shembull, objektivi Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM mund të prodhojë një sfond të shkëlqyer me efekt “Bokeh” nëse e përdorni drejt anës së gjatë të diapazonit të tij të zmadhimit, edhe pse apertura është më e ngushtë në atë gjatësi. Pra, nëse doni ta bëni mjegullimin më të fortë dhe të përmirësoni efektin Bokeh, bëni disa hapa prapa dhe zmadhoni (ose ndryshoni objektivin) në një gjatësi më të madhe fokale.

Si të krijoni efekt Bokeh në plan të parë

Një djalë i ri me një jelek me ngjyrë bezhë, qëndron pranë një muri të mbuluar me dredhkë dhe mban hapur një kuti unaze.

Shkrepja afër gardhit të dredhkës këtu na mundëson kapjen e gjetheve të turbullta në të majtë të kuadrit dhe rrit ndjesinë e thellësisë. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/160 sec, f/1.8 dhe ISO 100.

Një djalë i ri me një jelek ngjyrë bezhë dhe çizme të ndritshme blu kalon nëpër një shteg në pyll.

Një kënd i ulët i kamerës si ky jo vetëm që na mundëson të turbullojmë tokën përpara subjektit, por gjithashtu e “shtyn” sfondin më larg për një efekt më të fortë Bokeh në sfond. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/500 sec, f/1.8 dhe ISO 100.

Ne priremi ta mendojmë efektin Bokeh kryesisht si një estetikë të sfondit, por mund të përdoret edhe për një efekt fantastik në planin e parë të kuadrit. Duke kompozuar për të përfshirë detaje jashtë fokusit në plan të parë, mund të tërhiqni vëmendjen drejt subjektit tuaj të mprehtë. Kjo mund të nënkuptojë sjelljen e aparatit pranë gjetheve ose uljen në tokë për të inkuadruar planin e parë të turbullt. Detajet e buta si ky shtojnë ndjesinë e thellësisë në një skenë dhe janë një mënyrë optimale për të sjellë ngjyra të theksuara dhe të turbullta në kompozim.

Si të krijoni efekt Bokeh në video

Twinkling Christmas tree lights in the foreground and a car's rear lights in the background are all out of focus.

Thellësia është thelbësore edhe në kompozimin e videos, pasi ndihmon shikuesin të orientohet rreth skenës. Përfshirja e detajeve jashtë fokusit në planin e parë dhe sfondin e një skene është një mënyrë e mirë për të rritur ndjesinë e thellësisë dhe për të tërhequr shikimin në kuadër. Për më tepër, shndritjet e efektit Bokeh duken po aq të mrekullueshme në video sa duken në fotografitë aktive, me të mirën e mëtejshme se dhe këto mund të lëvizin. Fenerët e makinës, dritat dekorative dhe shndritjet e tjera duken veçanërisht të bukura kur turbullohen në pikat vezulluese të një efekti të fortë Bokeh.

Si të shtoni shndritje me efekt Bokeh

Një burrë duke fotografuar një mace me lara të verdheme me një set dritash festive transparente.

Kjo teknikë e thjeshtë mund të bëhet dhe me dritat me ngjyra ose edhe me dekorimet e festave të fundvitit.

Një portret i një maceje me drita të shfokusuara me ngjyra në sfond.

Provoni të përfshini dritat dekorative në sfondin e fotove tuaja për shndritje të bukura me efekt Bokeh.

Një nga mënyrat më të guximshme për të përdorur efektin Bokeh në fotografinë tuaj është të përfshini pika të vogla dhe të shndritshme në një sfond përndryshe të errët ose në ndriçim të ulët. Është një efekt joshës që mund ta gjeni në të gjitha llojet e rrethanave, si p.sh. dielli që ndriçon përmes një peme, ose një rrugë e ngarkuar në mbrëmje, ose një udhëtim shumëngjyrësh në një shesh panairi, ose qirinj mbi një tortë. Nëse doni të provoni efektin për veten tuaj, provoni të përdorni një sërë dritash dekorative. Pozicionojini në sfondin e shkrepjes tuaj, ose në plan të parë, ose të dyja njëherësh. Kur nuk janë në fokus, dritat dekorative shndërrohen në qarqe tërheqëse efekti Bokeh.

Si të krijoni forma të personalizuara Bokeh

A blurred image with out-of-focus highlights in the shape of five-pointed stars rather than circles.

Kur shkrepni me objektivin të hapur deri në fund (në aperturë maksimale), duhet të arrini efekt Bokeh të rrumbullakët në foto, pasi hapja është e rrumbullakët. Përndryshe, forma e efektit Bokeh përcaktohet nga numri i fletëve të aperturës së objektivit - në përgjithësi, sa më shumë fletë, aq më rrethore bëhet apertura gjatë hapjes dhe për këtë arsye efekti Bokeh është më rrethor. Në praktikë, kjo zakonisht do të thotë që shndritjet kryesore të Bokeh janë rrethore ose gjashtëkëndore - nëse doni të shihni se çfarë forme do të jetë efekti juaj Bokeh, thjesht hiqni objektivin nga kamera, mbajeni atë përkundër një drite dhe shikojeni mes tij.

Por pse të mos bëheni krijues dhe të ndryshoni formën e efektit tuaj Bokeh? Mund ta bënë këtë duke prerë një shabllon me çfarëdo forme dhe duke e fiksuar në pjesën e përparme të objektivit. Në këtë video, një copë e thjeshtë kartoni jua shndërron efektin Bokeh në një mori yjesh shumëngjyrëshe dhe flokësh dëbore.

Provojeni tani: xhironi një natyrë të vdekur me efekt Bokeh

Një syprinë tryeze me një pasqyrë të rrethuar me fletë, me një kuti ndriçuese në njërën anë dhe një Canon EOS R6 të vendosur për të shkrepur një trëndafil të verdhë.

Kjo është një mënyrë vërtet e thjeshtë dhe efikase për të eksperimentuar me efektin Bokeh në shtëpi, duke përdorur të gjitha këshillat në këtë artikull.

Një trëndafil i verdhë fotografuar në një sipërfaqe të pasqyruar, me theksime të shfokusuara përreth tij.

Fleta e rrudhur reflekton dritën nga llamba si shndritje të shpërhapura, të cilat kur turbullohen rezultojnë në një efekt të bukur rrethor Bokeh. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/640 sec, f/1.8 dhe ISO 100.

Ne kemi parë që pikat e dritës jashtë fokusit krijojnë efekt tërheqës Bokeh nëse fotografoni me cilësimet e përshtatshme. Ja një konfigurim i thjeshtë që mund ta provoni në shtëpi për të krijuar një natyrë të vdekur përplot me efekt Bokeh. Vendosni një objekt në një sipërfaqe të pasqyruar, pastaj vendosni një fletë të rrudhur alumini në sfond (jo shumë të rrudhur - mjaftojnë nja dy mbështjellje, që ta shpërndani dritën në vend të pasqyrimit). Vendosni një llambë shtëpie me kënd mbi fletë dhe përdorni një dritë të dytë për të ndriçuar subjektin (ne përdorëm një panel LED, por edhe një llambë e thjeshtë bën punë). Pozicionojeni aparatin afër subjektit, vendoseni në modalitetin Aperture Priority (Av), përdorni aperturë të gjerë - idealisht rreth f/1.8 - dhe shkrepni nga një kënd i ulët për të kapur efekt Bokeh me turbullim të mrekullueshëm.


Shkruar nga James Paterson dhe Matthew Richards

Produkte të ngjashme

Artikuj të ngjashëm

Si të kontrolloni ekspozimin

Apertura kryesore, shpejtësia e shkrehësit dhe cilësimet ISO.

Shkrepja në dritën e disponueshme

Mësoni se si të kërkoni dhe shkrepni dritën më të mirë për të përmirësuar pamjen e fotografive tuaja.

Si të filloni me fotografinë

Dëshironi të kaloni nga një smartfon në një kamerë? Udhëzuesi ynë i fotografisë për fillestarët ka gjithçka që ju nevojitet për të filluar.

Krijoni efekt të personalizuar Bokeh

Një mënyrë e thjeshtë dhe me teknikë punëdoreje për të shtuar forma të personalizuara të efektit Bokeh, si p.sh. zemra dhe yje në imazhet tuaja.