UDHËZUESI I BLERJEVE

Objektivat optimalë ekonomikë për fotografinë e natyrës

Zbuloni objektivat më të mirë dhe me efikasitet më të lartë kostoje për shkrepjen e imazheve fantastike të faunës së egër, ideal për kamerat e Canon EOS R System, duke përfshirë EOS R7 dhe EOS R10.
Një rrëqebull iberik mbi një gur të madh duke parë drejtpërdrejt nga kamera.

Shkrepja e imazheve intime të kafshëve dhe shpendëve të egra në habitatin e tyre natyral kërkon një kuptim të sjelljes së kafshëve, aftësi terreni, durim dhe këmbëngulje. Por edhe me të gjitha këto, nuk do të shkoni larg pa pasur një objektiv telefoto.

E mira është se nuk keni pse mbeteni trokë për të blerë një objektiv profesional sa për të hedhur hapat e parë në fotografinë e natyrës. Ka një larmi objektivash peshëlehtë dhe rendimenti të lartë prej nga ku mund të zgjidhni, me opsione fikse dhe zmadhuese që u përshtaten kamerave të EOS R System pa pasqyra, duke përfshirë Canon EOS R7 dhe EOS R10.

Një qukapik mbi një degë rrethuar nga fije të gjata bari dhe gjethe të blerta.

Objektivat zmadhues ju japin më shumë opsione inkuadrimi, duke ju mundësuar të kaloni nga pozat e gjera që shkrepin kafshët në ambientin e tyre natyror deri në portrete të afërta që theksojnë tipare specifike. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 100-400mm F5.6-8 IS USM në 400mm, 1/50 sek, f/8 dhe ISO800.

Një plan i afërt i një papagalli shumëngjyrësh me pupë të gjelbër në kokë, krahë të gjelbër-kaltër dhe një trup në portokalli të ndezur.

Objektivat telefoto ju mundësojnë të nxirrni poza të detajuara të kafshëve të cilave nuk mund t'u afroheni, qoftë se janë të rrezikshme, qoftë sepse doni të mos i shqetësoni. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 600mm F11 IS STM në 1/350 sek, f/11 dhe ISO1600.

A më duhet objektiv telefoto për të shkrepur fotografi natyre?

Jo gjithmonë. Ndonjëherë mund të përdorësh objektiv këndgjerë – zakonisht përcaktohet me gjatësi fokale prej 35mm e poshtë – për të shkrepur foto të kafshëve të egra në mjedisin e tyre, por do t'ju duhet të t'u afroheni më shumë për t'ia dalë mbanë. Nëse doni të nxirrni foto të natyrës që ju mbushin kuadrin, rëndom ju duhet një objektiv me rreze telefoto (85mm e lart për gjatësitë më të mëdha fokale) ose supertelefoto (300mm e lart). Këto lloje objektivash shkrepni një fushëpamje më të ngushtë – vetëm një grimë të skenës që keni përpara – çka i bën kafshët dhe shpendët në largësi të duken shumë më të mëdhenj në foto.

A duhet të përdor objektiv zmadhues apo fiks për fotografinë e natyrës?

Objektivat zmadhues telefoto janë më fleksibël, duke ju mundësuar të ndryshoni inkuadrimin e fotos pa qenë nevoja të ndryshoni pozicionin apo të kaloni në objektiv tjetër. Objektivat fikës janë vetëm për një gjatësi fokale, por përgjithësisht janë më të lehtë në peshë se objektivat e barasvlershëm zmadhues. Ata ofrohen gjithashtu në gjatësi më të mëdha fokale, duke e bërë të lehtë fotografimin e natyrës në raste kur nuk afroheni dot më shumë edhe nëse objektivi zmadhues nuk ka rreze të mjaftueshme.

Një patë Kanadaje duke notuar në ujë të qetë.

Modeli revolucionar EOS R System mundëson dizajne novatore e peshëlehta të objektivave – si p.sh. Canon RF 800mm F11 IS STM, që peshon 1,260g me madhësi vetëm 281.8mm kur mblidhet, duke e bërë të lehtë ta merrni me vete. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 800mm F11 IS STM në 1/500 sek, f/11 dhe ISO1250. © Ben Hall

Duar që mbajnë një kamerë Canon EOS R7 me një objektiv zmadhues të vendosur.

Një objektiv zmadhues ju jep fleksibilitetin për ta rikompozuar pozën për ta kapur skenën kur thjesht nuk keni kohë për t'i ndërruar objektivat.

Çfarë gjatësish fokale janë më të mirat për kafshët dhe shpendët e egra?

Shpendët janë zakonisht më të vegjël dhe të vështirë për t'iu afruar se kafshët e tjera të egra, ndaj ju duhet shpesh një gjatësi më e madhe fokale për t'i fotografuar. Ndërsa mund të realizoni poza kuadërmbushëse të një gjitari të madh me objektivat 300mm apo 400mm, mund t'ju duhet të përdorni objektiv a 500mm, 600mm apo edhe 800mm për fotografimin e llojeve të caktuar zogjsh.

Madhësia e sensorit të kamerës suaj mund t'ju ndihmojë sakaq. Sensorët brenda kamerave APS-C pa pasqyra, si p.sh. EOS R7 dhe EOS R10 janë më të vegjël se sensorët kuadërplotë që hasen në kamerat e tjera të gamës së EOS R System, si p.sh. EOS R6. Ndaj në thelb, ato e presin imazhin nga objektivi, duke e bërë subjektin të mbushë një pjesë më të madhe të kuadrit tuaj. Ky faktor 1.6x rritet me rrezen e objektivit, p.sh. duke përdorur objektivin RF 50mm F1.8 STM në një kamerë APS-C merrni të njëjtën fushëpamje që do të merrnit me një objektiv 80mm në një kamerë kuadërplotë dhe duke përdorur një objektiv standard 100mm merrni të njëjtën fushëpamje si kamera kuadërplotë me objektiv 160mm. Ju keni të njëjtin përfitim kur përdorni një objektiv EF në EOS R7 ose EOS R10 përmes cilitdo nga gama e EF-EOS R Mount Adapters.

Një person shkrep një foto nga afër duke përdorur një kamerë Canon EOS R10 dhe objektiv RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM.

Vetëfokusimi i Canon EOS R10 vazhdon së punuari në errësirë thuajse të plotë, deri në vlerës ekspozimi prej -4 EV 1 . EOS R7 shkon edhe më poshtë, deri në -5 EV 1 .

Si mund t'ju ndihmojë teknologjia e objektivit dhe e kamerës që të nxirrni foto më të mira të faunës së egër?

Objektivat me gjatësi më të mëdha fokale mund të jenë më të vështirë për t'i mbajtur pa lëvizur, por fotostabilizuesi i integruar optik (IS) mund të ndihmojë me korrigjimin e çfarëdo turbullimi të shkaktuar nga dridhja e kamerës. EOS R7 dhe Canon EOS R6 vijnë gjithashtu me fotostabilizim që mund të arrijë deri në 7 nivele kur përdoret me objektiv të pajtueshëm.

Turbullimi nuk është gjithnjë i keq ama, siç shpjegon fotografi profesionist i faunës së egër, Ben Hall, në videon e tij të krijimtarisë me fotografinë abstrakte të natyrës (më poshtë)2.

Një motor i fuqishëm fokusimi sakaq, do t'ju ndihmojë të ndiqni ritmin e kafshëve të shpejta, dhe sa më i qetë është në punë aq më pak gjasa ka të trembë kafshët. Mbërthyesja RF në kamerat e EOS R System mundëson lidhje super të shpejtë midis kamerës dhe objektivit për shpejtësi ultra të larta dhe të qëndrueshme fokusimi. Canon EOS R7, EOS R10 dhe EOS R6 e shfrytëzojnë gjithashtu më së miri shpejtësinë e brendshme të vetëfokusimit të një objektivi dhe kanë një procesor që përdor vetëpërmirësimin e thelluar programatik për të njohur dhe gjurmuar kafshët dhe shpendët me shpejtësi dhe efikasitet mahnitës. Për t'ju garantuar që ta nxirrni pozën në fotografinë me bazë aksioni, është më mirë të nxirrni një tufë imazhesh njëherësh, dhe EOS R7 e EOS R10 arrijnë shpejtësi mahnitëse prej deri në 30fps dhe 23fps përkatësisht3, të kompletuara me gjurmim AF.

Një aperturë më e madhe maksimale (numër më i ulët f) do të thotë që objektivi mund të marrë më shumë dritë në kamerë, çka mund të ndihmojë nëse jeni duke fotografuar kafshë me lëvizje të shpejta në kushte ndriçimi të ulët. Kamerat kuadërplota pa pasqyrë, si p.sh. EOS R6 punojnë veçanërisht mirë në këtë skenar.

Së fundi duhet të kini parasysh madhësinë dhe peshën e objektivit tuaj, sepse ka më shumë të ngjarë të mbani me vete një objektiv kompakt e peshëlehtë. Në 300g, por me një gamë të fuqishme zmadhimi efektiv prej 28.8-240mm, RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM, p.sh. ju mundëson t'i shfrytëzoni më së miri shanset për fotografinë e faunës së egër.

Objektivi më i mirë kompakt i nivelit fillestar RF për fotografinë e faunës së egër: Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM

Një pozë produkti në natyrë e një kamere Canon EOS R7, me një objektiv RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM të vendosur, mbi një gur të madh.

Diapazoni "efektiv" zmadhues i Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM prej 28.8-240mm ju mundëson ta zvogëloni pamjen për ta parë më të plotë – ideale për shkrepjen e faunës së egër përkundër peizazheve madhështore – ose ta zmadhoni pamjen për t'i kapur më mirë detajet.

Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM është një prej objektivave të parë për t'u projektuar posaçërisht për kamerat e APS-C EOS R System si p.sh. EOS R7 dhe EOS R10. Vjen me një diapazon të fuqishëm zmadhimi 8.33x që shtrihet nga këndshikimi i gjerë deri në distanca telefoto. Kjo ju jep avantazhin e veçantë nëse shkrepni në ambiente me pluhur apo nëse ju duhet të reagoni shpejt ndaj shanseve të ndryshme për fotografimin e faunës së egër, në rrethana kur përndryshe mund ta humbisnit pozën teksa ndërronit objektivat.

Falë faktorit të prerjes 1.6x në këto kamera, objektivi ka një gamë zmadhimi efikas që një objektiv 28.8-240mm do të kishte në një kamerë kuadërplotë, por është krahasimisht kompakte dhe peshëlehtë, në vetëm 300g.

Objektivi më i mirë i nivelit fillestar zmadhues RF për fotografinë e faunës së egër: Canon RF 100-400mm F5.6-8 IS USM

Një dre me brirë të dukshëm duke qëndruar në një hapësirë mes pemëve kthen turirin nga kamera.

Duke dyfishuar gjatësinë fokale – nga 200mm në 400mm, për shembull – kafshët dhe shpendët duken dy herë më të mëdhenj në foto, duke e shfrytëzuar në maksimum subjektin si pikë fokale. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 100-400mm F5.6-8 IS USM në 400mm, 1/40 sek, f/8 dhe ISO800. © Ben Hall

Një dre me brirë të parritur i inkuadruar nga gjethet e fierit në një pyll të gjelbër.

Këndi i ngushtë i pamje i mundësuar nga objektivi telefoto e bën më të lehtë përzgjedhjen e sfondit ideal të butë ku të inkuadrohet kafsha. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 100-400MM F5.6-8 IS USM në 373mm, 1/50 sek, f/8 dhe ISO1250. © Ben Hall

Objektivi RF nga Canon për kamerat e EOS R System vjen me një sërë risish projektimi dhe Canon RF 100-400mm F5.6-8 IS USM nuk bën përjashtim. Është më i lehtë se Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USM, por ka rreze më të gjatë, që mund të përforcohet edhe më me zgjatuesit e RF. Ka avantazhin e një fotostabilizuesi 5.5-nivelësh për poza më të mprehta në shkrepjen dorazi, çka rritet në 6 nivele me kamerat e pajisura me IBIS, si p.sh. EOS R6 dhe EOS R7. Përdor gjithashtu teknologjinë super të shpejtë por thuajse të heshtur të vetëfokusimit, Nano USM, që nuk i tremb subjektet të cilave tentoni t'u afroheni. Ky objektiv ka një gamë të përforcuar zmadhimi efektiv prej 160-640mm kur përdoret me EOS R7 dhe EOS R10.

Objektivat më të mirë RF supertelefoto të nivelit fillestar për fotografinë e faunës së egër: Canon RF 800mm F11 IS STM dhe Canon RF 600mm F11 IS STM

Një lepur në një fushë, me sfondin e turbulluar, me dritën e diellit që i shpërfaq damarët në njërin vesh.

Rrezja e gjatë e objektivit telefoto si RF 800mm F11 IS STM mundëson fotografimin e kafshëve dredharake pa i trembur. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 800mm F11 IS STM në 1/100 sek, f/11 dhe ISO500. © Ben Hall

Një lemur vigjilent në një shkëmb me disa të çara në faqen e shkëmbit poshtë tij.

Objektivat telefoto me apertura më të vogla maksimale, si p.sh. f/5.6 dhe f/11, mbahen më lehtë me vete dhe janë më ekonomike se objektivat me apertura të mëdha maksimale (numra më të ulët f). Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 600mm F11 IS STM në 1/1400 sek, f/11 dhe ISO1600.

RF 800mm F11 IS STM ju mundëson nxjerrjen e pozave kuadërmbushëse të natyrës, qoftë nëse fotografoni kafshë të vështira gjahu apo shpendët në oborrin e shtëpisë. Shtoni Canon Extender RF 1.4x ose Canon Extender RF 2x në objektiv dhe mund të arrini edhe më shumë me deri në 1600mm me këtë të fundit. Kamerat e EOS R System mund të fokusojnë automatikisht në këtë gjatësi fokale mbresëlënëse. Montojeni objektivin në Canon EOS R7 ose EOS R10 dhe faktori i prerjes ju jep një gjatësi fokale efektive prej plot 1280mm, pa reduktimin e aperturës që shkaktohet nga zgjatuesit 1.4x ose 2x.

Për një objektiv me rreze kaq të gjatë, RF 800mm F11 IS STM, është befasisht kompakt dhe peshëlehtë, dhe vjen me fotostabilizues optik 4-nivelësh për foto dhe video më të qarta dore.

Ndërsa Canon RF 800mm F11 IS STM është veçanërisht i përshtatshëm për fotografimin e shpendëve, RF 600mm F11 IS STM, është një objektiv supertelefoto përdorimi më të përgjithshëm, i përshtatshëm si për shpendë ashtu edhe për kafshë. Funksionet që ofron janë të ngjashme me RF 800mm, duke përfshirë aperturën pa fletë prej f/11 për turbullim të këndshëm të sfondit dhe një motor STM për vetëfokusim thuajse të heshtur, si dhe punon me Canon Extender RF 1.4x (duke dhënë gjatësi fokale pre j840mm) dhe Canon Extender RF 2x (duke ju dhënë 1200mm). Tek EOS R7 dhe EOS R10 ka një gjatësi fokale efektive prej 960mm pa zgjatues. Objektivi mblidhet gjithashtu deri në më pak se 20cm gjatësi, duke e bërë një supertelefoto fleksibël që mund ta merrni kudo.

Objektivi më i mirë i nivelit fillestar EF për fotografinë e faunës së egër: Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USM

Një rosë e fotografuar nga niveli i ujit, pika uji i bien nga sqepi.

Objektivi fleksibël Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USM është i pajtueshëm dhe me kuadërplotat edhe me APS-C EOS DSLR, dhe mund të përdoret edhe në EOS R System si dhe në kamerat e serisë EOS M përmes adaptorëve. Shkrepur në Canon EOS 850D me objektiv Canon EF 70-300mm IS f/4-5.6 IS II USM në 267mm (gjatësia e barasvlershme fokale në 35mm është 427mm), 1/320 sek, f/5.6 dhe ISO640. © Ben Hall

Ky është një zmadhues që mbulon një diapazon të gjerë gjatësie fokale 70-300mm dhe përbën një objektiv klasik për fillestarët e natyrës, duke ofruar opsione fleksibël inkuadrimi për kafshët e mëdha. Për të vajtur edhe më pranë, vendosni Canon EF 70-300mm f/4-5.6 IS II USMCanon EOS R10 ose EOS R7 përmes një Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe do të keni diapazon zmadhimi efektiv prej 112-480mm.

Me peshë prej vetëm 710g dhe tkurrje në vetëm 14.55cm, është një objektiv i lehtë për udhëtim në kategorinë e vet ndërsa fotostabilizuesi 4-nivelësh ndihmon të reduktoni turbullimin nga lëkundja e kamerës për imazhe edhe më të mprehta.

Objektivi më i mirë i nivelit fillestar EF-S për fotografinë e faunës së egër: Canon EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM

Dy mjellma duke notuar në ujë të qetë.

Objektivi fleksibël EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM është peshëlehtë dhe kompakt, çka do të thotë se mund t'iu afroheni kafshëve të largëta dhe të shkrepni shtruar e qetë që të mos e shqetësoni subjektin tuaj. Shkrepur në Canon EOS 850D me objektiv Canon EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM në 200mm (gjatësia e barasvlershme fokale në 35mm është 320mm), 1/4000 sek, f/5.6 dhe ISO800. © Ben Hall

Nëse po kërkoni për zmadhues telefotot për të plotësuar një objektiv 18-55mm, ky është një opsion i mirë. Krijuar për EOS DSLR me sensorë APS-C, si p.sh. Canon EOS 90D dhe EOS 850D, EF-S 55-250mm f/4-5.6 IS STM jep një imazh me fushëpamje të barasvlershme të objektivit 88-400mm në kamerat kuadërplota. Është i vogël, peshëlehtë dhe mbahet me lehtësi me vete gjatë ditës në kopshtin zoologjik apo në një park kafshësh të egra, ose për çfarëdo udhëtimi të mëtejshëm në terren.

Objektiva alternativë për natyrën

Ndonëse telefotot janë objektivat kryesorë të punës për fotografinë e natyrës, ka dhe shumë objektiva të tjerë që mund të përdoren me krijimtari në fotografimin e kafshëve dhe të shpendëve.

Makroobjektivat si Canon RF 100mm F2.8L MACRO IS USM dhe Canon RF 35mm F1.8 MACRO IS STM janë idealë për shkrepjen e fotove të insekteve dhe të krijesave të tjera të vogla. Ndonëse Canon RF 100-400mm F5.6-8 IS USM nuk është makroobjektiv i dedikuar, ai ka një zmadhim mbresëlënës thuajse në gjysmën e madhësisë. Objektivat EF dhe EF-S janë plotësisht të përputhshëm me EOS R7 dhe EOS R10, përmes Canon Mount Adapter EF-EOS R. Objektivat EF-S mund t'i përdorni edhe përmes adaptorit në kamerat kuadërplota të EOS R System, si p.sh. EOS RP dhe EOS R6, nëse dëshironi të përdorni modalitetin 1.6x.

Objektivat këndgjerë si Canon RF 14-35mm F4L IS USM dhe modeli ultrakëndgjerë Canon RF 16mm F2.8 STMmund të jenë gjithashtu të mirë për shkrepjen e habitatit të kafshëve, ose të një tufe të tërë zogjsh, apo edhe për të videobloguar veten në kuadër duke folur për natyrën që shfaq nga pas.

Shkruar nga Marcus Hawkins dhe Matthew Richards

1Gjatë shkrepjes së fotove me objektiv f/1.2, Centre AF point, One-Shot AF, në 23°C/73°F, ISO100. Me përjashtim të objektivave RF me Defocus Smoothing Coating.

2Videoja ofrohet vetëm në anglisht.

3Shpejtësia e vazhduar e shkrepjes mund të ndryshojë në varësi të kushteve të ndryshme, shikoni detajet për hollësi.

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

  • FAUNËN E EGËR

    Fotografimi i shpendëve me RF 200-800mm F6.3-9 IS USM

    Një fotograf profesionist dhe një amator bashkohen për të testuar RF 200-800mm F6.3-9 IS USM në terren.

  • FOTOGRAFIA E NATYRËS

    Këshilla për fotografinë e kafshëve të egra

    Këshilla dhe teknika për ta shpënë fotografinë tuaj të kafshëve të egra një shkallë më tej si dhe duke e shfrytëzuar më së miri kamerën dhe objektivat tuaj të Canon.

  • FOTOGRAFIA E NATYRËS

    Këshilla për fotografimin e faunës së egër

    Fotografja profesioniste, Dani Connor, tregon këshillat e saj më të mira për sukses profesional me një aspirant të ri të fotografisë së faunës së egër.

  • MAKROFOTOGRAFIA

    Zbuloni botën e insekteve

    Zbuloni jetët e fshehta të krijesave të vogla me këshillën e Pierre Anquet.