Objektivat standardë Canon – objektivat që vijnë rregullisht së bashku me një kamerë kur e blini, si p.sh. Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM dhe RF 24-50mm F4.5-6.3 IS STM – ofron një diapazon fantastik tëgjatësisë fokale për hapat e parë të fotografisë krijuese. Kompaktë, të lehtë dhe praktikë, këta objektiva zmadhues ju mundësojnë të kapni gjithçka nga portretet dhe çastet familjare deri te peizazhet, arkitektura dhe detaje të pamjeve nga afër.
Po sikur të jeni gati të shkoni përtej objektivit standard? Po sikur të dëshironi të eksploroni një lloj të veçantë fotografie, të bëheni krijues me thellësinë e fushës ose të fotografoni në ndriçim të ulët, të cilat janë që të dyja përfitime të përdorimit të një objektivi me aperturë më të shpejtë? Po sikur thjesht të dëshironi të përfshini më shumë në kuadër ose të sillni në fokus më shumë objekte të largëta?
Kalimi në një objektiv të ri zmadhues ju mundëson ta çoni fotografinë tuaj në një nivel më të avancuar, por zgjedhja që ofrohet mund të jetë sfiduese. Pra, cilat janë veçoritë që duhet të kërkoni kur të jeni gati për të blerë objektivin tuaj të radhës të kamerës? Çfarë objektivi duhet të merrni pas një objektivi standard?
Kini parasysh se (përveç disa objektivave profesionalë siç është Canon RF 5.2 mm F2.8L DUAL FISHEYE, të cilët kërkojnë kamera të caktuara) të gjithë objektivat RF mund të përdoren me çdo kamerë EOS R System. Megjithatë, nëse keni një kamerë me sensor APS-C, siç është EOS R7 ose EOS R10, atëherë gjatësia efektive lokale e objektivit do të rritet me një faktor prej 1.6x. Zbuloni më shumë rreth kamerave APS-C dhe përforcuesve të gjatësisë fokale.
Përditësimi më i mirë i objektivit standard: Cilin zmadhues kuadërplotë duhet të zgjidhni?
Veçoritë që duhen pasur parasysh për një objektiv të ri
Gjëja kryesore për t’u marrë në konsideratë është gjatësia fokale. Dëshironi diçka që ju lejon të zgjeroni pamjen, të kapni më shumë nga një peizazh ose në një rreze më të gjatë, të fotografoni faunën e egër ose subjekte të tjera më të largëta?
Apertura më e madhe ose maksimale është një tjetër veçori e rëndësishme për t’u pasur parasysh. Ajo kontrollon sa dritë hyn në kamerë, ku aperturat më të mëdha (numra f më të ulët) sigurojnë cilësi më të mirë të imazhit kur shkrepni në ndriçim të ulët. Për më tepër, përmasat e aperturës ndikojnë edhe te thellësia e fushës, që tregon shkallën e fokusimit të mprehtë të imazhit. Objektivi me një aperturë të madhe maksimale siç është f/2,8 do ta bëjë më të thjeshtë arritjen e një thellësie më të vogël të fushës, duke turbulluar detajet e sfondit të përparmë dhe të pasmë që përndryshe mund të shpërqendrojnë shikuesin.
Aperturat e mëdha ju mundësojnë gjithashtu të përdorni ekspozime më të shkurtra (shpejtësi më të mëdha të obturatorit) për të fiksuar lëvizjet. Kini parasysh se disa objektiva zmadhimi kanë aperturë maksimale të ndryshueshme, siç është RF 24-240 mm F4-6.3 IS USM, çka do të thotë se ofron f/4 në skajin 24 mm të diapazonit të zmadhimit dhe apertura maksimale zvogëlohet teksa objektivi zmadhohet, me f/6.3 në skajin 240 mm.
Nëse jeni duke përdorur një kamerë që nuk ka një fotostabilizues të integruar (IBIS) atëherë një objektiv që ka fotostabilizues optik do t'ju ndihmojë të shkrepni poza më të mprehta dhe video më të shtruara kur shkrepni duke e mbajtur kamerën në dorë. (Nëse kamera juaj është e pajisur me IBIS, atëherë kjo ndërthuret me IS-në optike në një objektiv për stabilizim të mëtejshëm, pra prapë ia vlen të marrësh në konsideratë një objektiv me IS.)
Nëse ju pëlqen ta përdorni kamerën në vende të ashpra dhe të thepisura, atëherë një objektiv që ka një farë shkalle të izolimit atmosferik do t'ju dhurojë qetësi mendore. Nëse udhëtoni shumë dhe e mbani kamerën gjatë gjithë ditës, atëherë me shumë mundësi do të dëshironit një objektiv relativisht të vogël dhe të lehtë.
Për t'ju ndihmuar të zgjidhni objektivin tuaj më të përdorur të radhës, ju ofrojmë një listë rekomandimesh, me diapazon gjatësie fokale nga 15 mm deri në 240 mm. Specialisti i marketingut të produkteve Canon Europe, Mark Kendrick ndan mendimin e tij se çfarë e bën secilin një opsion kaq të shkëlqyer.
Përmirësimi më i mirë i objektivit standard për ndriçim të ulët: RF 28-70 mm F2.8 IS STM
Ky përmirësim i objektivit standard ofron një sërë veçorish që krijojnë mundësi të reja krijuese. Si fillim, ka atë aperturë maksimale f/2,8, e cila mbetet e pandryshueshme gjatë gjithë diapazonit të zmadhimit. E shoqëruar me fotostabilizuesin, me 5,5 nivele të objektivit, apertura e ndritshme e bën RF 28-70 mm F2.8 IS STM një zgjedhje të jashtëzakonshme për fotografi krijuese edhe në ndriçim të ulët, pavarësisht nëse jeni duke shkrepur portrete në ambiente të brendshme apo peizazhe gjatë muzgut apo agut.
"Edhe pse nuk kap pamje të gjera si RF 24-50 mm F4.5-6.3 IS STM ose RF 24-105 mm F4-7.1 IS STM, ky objektiv ju lejon të përfitoni nga thellësia e vogël e fushës që f/2,8 ofron," shpjegon Marku. “Me përdorimin e këtij objektivi në 70 mm, do të kapni portrete të bukura që janë shumë të qarta aty ku duhet, por gjithashtu do të keni një cilësi të shkëlqyer në turbullimin e sfondit.”
Është një objektiv i dobishëm edhe për ambientet e jashtme, me një dizajn kompakt, të lehtë dhe rezistent ndaj kushteve atmosferike, që përfshin gomina izoluese rreth unazës së komandimit/fokusimit, unazës së zmadhimit dhe mbërthyeses së objektivit RF. Fotostabilizuesi i fuqishëm i RF 28-70 mm F2.8 IS STM do të thotë që nuk do t'ju duhet të merrni një stativ për të arritur imazhe të mprehta dhe të qëndrueshme.
Përmirësimi më i mirë i objektivit standard për përdorim të gjithanshëm: RF 24-105mm F4L IS USM
Nëse po kërkoni të kaloni në objektivin e parë të serisë L të Canon-it dhe dëshironi një zmadhim që ofron një gamë të gjatësive fokale për fotografi dhe regjistrim video për përdorim të përditshëm, atëherë RF 24-105 mm F4L IS USM është një zgjedhje shumë praktike.
Ka një madhësi dhe peshë të ngjashme me RF 28-70 mm F2.8 IS STM, kështu që zgjedhja përfundimisht varet nga nevoja për një aperturë më të shpejtë f/2,8 apo për një zmadhim me rreze më të gjatë me cilësi konstruksioni të serisë L.
Objektivi RF 24-105 mm F4L IS USM përmban një konstrukt rezistent ndaj pluhurit dhe lagështirës, me shtresa fluori në elementet e para dhe të pasme të objektivit, që largojnë papastërtitë dhe e bëjnë pastrimin e tij më të lehtë. Fotostabilizuesi me 5 nivele ndihmon në reduktimin e efekteve të dridhjeve të kamerës, ndërsa unazat e posaçme për komandim, fokusim dhe zmadhim ofrojnë rregullime manuale të shpejta dhe të sakta.
"Është një objektiv tek i cili mund të mbështetesh, çdo ditë, për një kohë shumë të gjatë," thotë Marku. "Ofron një diapazon më të gjerë gjatësie fokale se objektivi RF 28-70mm F2.8 IS STM, kështu që, nëse kërkoni një objektiv që mund të kapë çdo subjekt, të shkrepë një kënd më të gjerë dhe të zmadhojë pak më shumë, atëherë ky është ai që duhet të zgjidhni."
Përmirësimi më i mirë i objektivit standard për udhëtime: RF 24-240mm F4-6.3 IS USM
Superzmadhimi si 10x RF 24-240mm F4-6.3 IS USM ju jep fleksibilitetin për të kaluar lehtësisht nga shkrepja e peizazheve me kënd të gjerë te planet e afërta të faunës së egër, pa qenë nevoja që të ndërroni objektivat. Duke kombinuar RF 24-240 mm F4-6.3 IS USM me kamerën kuadërplotë EOS R System, do të keni lirinë të shkrepni në mënyrë spontane dhe të reagoni më shpejt.
Marku thotë se ky objektiv është shumë praktik për udhëtime. "Peshon vetëm 750 g dhe kur paketohet nuk është më shumë se 12 cm i gjatë. Pra, është i lehtë për t’u mbajtur dhe fotostabilizuesi i tij me 5 nivele do të thotë që mund të qëndroni në lëvizje dhe sërish të arrini poza të mprehta duke e mbajtur kamerën në dorë. Është i pajisur edhe me një motor fokusimi Nano USM të shpejtë dhe thuajse të heshtur, të cilin zakonisht e shohim te objektivat e cilësisë së lartë ose objektivat e serisë L."
Nëse po kaloni nga një objektiv standard, si RF 24-50mm F4.5-6.3 IS STM, në RF 24-240mm F4-6.3 IS USM, do të rriten ndjeshëm mundësitë krijuese falë gamës së gjerë të gjatësisë fokale që do të keni në dispozicion. Nuk ka aperturën maksimale e të shpejtë të RF 28-70mm F2.8 IS STM apo konstruktin profesional të RF 24-105mm F4L IS USM, por e kompenson këtë me prakticitetin e jashtëzakonshëm.
Përmirësimi më i mirë i objektivit standard për pamje të gjera në ndriçim të ulët: RF 16-28MM F2.8 IS STM
Objektivi standard ju ofron mundësi të ndryshme inkuadrimi kur bëhet fjalë për fotografi peizazhi dhe qyteti, duke ju lejuar të zmadhoni për të kapur një pamje të gjerë dhe pastaj të fokusoheni pak për të izoluar elemente interesante në pamje. Nëse ka filluar t'ju pëlqejë pamja këndgjerë, atëherë objektivi kuadërplotë dhe ultra këndgjerë RF 16-28MM F2.8 IS STM do të jetë një zëvendësim i shkëlqyer për një zmadhues standard.
"Është objektivi i duhur për ata që duan të kapin madhështinë e një vendi, qoftë një pamje qyteti apo peizazhi," thotë Marku, "dhe fushëpamja e tij ultra e gjerë arrin të kapë arkitekturën, ambientet e brendshme dhe të mundësojë videoblogimin teksa e mbani kamerën në dorë. "Apertura e tij konstante f/2,8 gjatë të gjithë diapazonit të zmadhimit e bën një objektiv të shkëlqyer për shkrepje në ndriçim të ulët dhe për astrofotografinë."
Objektivi RF 16-28MM F2.8 IS STM ka një dizajn të ngjashëm me RF 28-70mm F2.8 IS STM, me fotostabilizues me 5,5 nivele, aperturë 9-fletëshe, unazë e kombinuar komandimi/fokusimi dhe konstrukt rezistent ndaj kushteve atmosferike. Edhe cilësia e imazhit është po ashtu shumë e lartë, që i afrohet cilësisë së objektivit të serisë L, duke e bërë RF 16-28MM F2.8 IS STM një nga objektivat zmadhues më të mirë ultra të gjerë në treg.
Për të ruajtur përmasat e tij të vogla, me peshë vetëm 445 g dhe gjatësi rreth 9 cm kur tërhiqet, çdo deformim këndgjerë korrigjohet nga përpunimi i imazhit të integruar në kamera, në vend që të korrigjohet në mënyrë optike në objektiv. "Kamerat EOS R System kanë aftësinë ta përpunojnë dhe ta korrigjojnë imazhin në kohë reale," shpjegon Marku. "Nëse do të na duhej ta bënim gjithçka në mënyrë optike, atëherë elementet e objektivit do të duhej të ishin më të mëdhenj, kështu që objektivi do të ishte më i madh dhe më i kushtueshëm".
"Duke shfrytëzuar fuqinë e EOS R System, Canon është në gjendje të krijojë objektiva më kompaktë, më të lehtë dhe më ekonomikë, me cilësi imazhi novatore."
Përmirësimi më i mirë i objektivit standard për të arritur nivel ultra të gjerë: RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM
RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM është një zëvendësues më ekonomik ultra këndgjerë i një objektivi standard. Ai mbulon një diapazon të gjatësisë fokale të ngjashëm me RF 16-28MM F2.8 IS STM, por shkon më larg dhe më gjerë. Çdo milimetër gjatësie fokale bën një dallim të madh kur bëhet fjalë për foto dhe video këndgjera, dhe çuditërisht 15 mm kap shumë më tepër se 16 mm.
Objektivi RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM nuk ka të njëjtin konstruksion rezistent ndaj kushteve atmosferike si RF 16-28mm F2.8 IS STM, por ofron fotostabilizim identik optik me 5,5 nivele. Po ashtu, është në gjendje të kapë imazhe nga distanca më të afërta – deri në 12,8 cm në modalitetin e fokusimit manual, duke ju mundësuar të shfaqni një subjekt të vogël me detaje, ndërkohë që kapni një pjesë të madhe të pamjes në kuadër.
"Ka një aperturë më të ngadaltë krahasuar me RF 16-28MM F2.8 IS STM, çka do të thotë që nuk është kaq i mirë për shkrepje në ndriçim të ulët, as për eksplorimin e efekteve më krijuese të thellësisë së fushës," shton Marku. "Por, aty ku RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM shkëlqen është te të qenët akoma më i gjerë, akoma më i vogël dhe më i lehtë se 50 g." Pra, nëse po kërkoni një objektiv zmadhues ultra të gjerë që të jetë vërtet i vogël, atëherë kjo është zgjedhja e duhur për ju."
Gjeni lenten e duhur për ju
Nëse keni nevojë për ndihmë në zgjedhjen e një objektivi, mjeti praktik i gjetësit të objektivit të Canon do të ofrojë rekomandime të personalizuara në varësi të kamerës suaj, zhanrit të fotografive që doni të shkrepni dhe veçorive që vlerësoni më shumë. Nëse keni një zhanër të veçantë në mendje, zbuloni më shumë se si të përfitoni sa më shumë nga kompleti juaj në fotografinë portret, fotografinë e peizazheve, fotografinë e sporteve dhe të aksionit dhe fotografinë e faunës së egër.
Shkruar nga Marcus Hawkins
Produkte të ngjashme
Artikuj të ngjashëm
Si të zgjidhni një objektiv
Gjithçka që duhet të dini rreth objektivave, nga llojet e objektivave deri te veçoritë që duhet të keni parasysh.
Sfida e objektivave të peizazhit
Fotografja profesioniste, Verity Milligan, tregon përvojën e saj të shkrepjes së peizazheve krijuese me dy objektiva peshëlehtë.
Pse EOS R System është një përmirësim që të ndryshon karrierën
Kamerat dhe objektivët Canon EOS R kanë përmirësuar punën e fotografëve për pesë vjet. Zbuloni personalisht se pse profesionistët e kanë bërë këtë ndryshim.
Si të kontrolloni ekspozimin
Apertura kryesore, shpejtësia e shkrehësit dhe cilësimet ISO.