Emmanuel-it i pëlqen ta shkrepë punën e tij në modë me objektiva fiksë. "Kryesisht kam përdorur modelet e reja fikse RF dhe mund t'i rekomandoj," - thotë ai. "Unë përdor Canon RF 50mm F1.2L USM, por modeli EF 50mm f/1.8 STM është gjithashtu fantastik nëse je me buxhet." Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/400 sek, f/5 dhe ISO400. © Emmanuel Oyeleke
Për të shkrepur si profesionist, do t'ju duhen pajisjet e duhura. Por me një larmi kaq të madhe zgjedhjesh për kamera dhe objektiva falë teknologjisë në avancim të shpejtë të kamerave, si ta kuptoni se cili komplet u përshtatet më së miri nevojave tuaja?
Qoftë nëse jeni diplomant në hapat e parë të sektorit, amator i apasionuar që kërkoni të zgjeroni gamën tuaj apo profesionist i ri që synoni të ngjisni shkallët e karrierës, një nga elementët më të mëdhenj për t'u marrë parasysh është lloji i fotografisë që dëshironi të kryeni. Një fotograf dokumentarësh që mund të ketë nevojë të punojë qetë dhe pa u ndier në një larmi të gjerë ambientesh do të ketë kërkesa të ndryshme për kompletin në krahasim me, p.sh., një fotograf mode që punon në skenarë të përgatitur me kujdes dhe me modele profesioniste.
Kapaciteti i një kamere për të shkrepur video është një faktor tjetër i rëndësishëm. "Po bëhet një vegël gjithnjë e më e rëndësishme," - thotë specialisti i produkteve i Canon Europe, Mike Burnhill. "Videoja është një pjesë thelbësore e platformave të rrjeteve sociale, p.sh., dhe pasja e aftësive për të shkrepur poza dhe video hap së tepërmi tregje për punë në sektorin e fotografisë."
Këtu tre profesionistë të rinj, të tre të specializuar në fusha të ndryshme, ku secili ka histori të veçantë se si është bërë pjesë e sektorit, flasin për kamerat dhe objektivat e Canon që përdorin dhe përse këto janë ideale për stilin që ka zgjedhur gjithsecili. Ata janë: fotografi nigerian i modës dhe i portreteve, Emmanuel Oyeleke, fotografja gjermano-ruse e dokumentarëve, Nanna Heitmann, dhe fotografi me qëndrim në Austri, Ingo Leitner, pjesë e dyshes së fotografimit të dasmave, Carmen and Ingo. Së bashku me njohuritë e tyre vetjake, këshillë e mëtejshme prej eksperti ofrohet nga Mike Burnhill.