Kamera dhe objektiva portreti për çdo rast

Regjistroni bukurinë dhe karakterin e subjektit tuaj, nga foshnjat dhe kafshët shtëpiake te moda dhe grupet e familjes, duke zgjedhur kompletin më të mirë të nivelit fillestar Canon për fotografimin e portreteve.
Një foto e prerë nga afër e bërë në një Canon EOS R10 e një foshnje që ngre kokën nga një batanije pushatore dhe shikon me vëmendje në njërën anë.

Kamera më e mirë për fotografimin e portreteve është ajo që nuk e pengon krijimtarinë tuaj, pavarësisht nëse jeni duke fotografuar një të porsalindur të adhurueshëm, një kafshë shtëpiake të dashur familjare apo një të panjohur që ju ngjall kërshëri në rrugë. Në fotografinë e portretit, kompleti juaj duhet t'ju ndihmojë të kapni personalitetin, karakterin dhe bukurinë e subjektit tuaj, duke plotësuar vizionin tuaj, por duke mos ju penguar kurrë.

Ka shumë për t'u marrë parasysh kur zgjidhni një kamerë për fotoportrete, dhe shpesh zgjedhja e duhur do të varet nga lloji i portreteve që po bëni. Megjithatë, mos u shqetësoni: ka një kamerë Canon që i përshtatet çdo skenari, plus objektiva të shkëlqyer me të cilët mund t'i pajisni për t'ju ndihmuar të nxirrni çdo herë fotot më të arrira në portret.

Portrete të porsalindurish dhe foto të bebeve

Në një foto të bërë me një Canon EOS R10, një fëmijë shikon kamerën mbi supin e një të rrituri, me drita në efekt Bokeh në sfond.

Canon EOS R10 është një opsion ideal për prindërit e rinj që duan një aparat fotografik praktik, që mund të kapë foto të bukura me përpjekje minimale. Shkrepur në Canon EOS R10 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/25 sek, f/4.0 dhe ISO640. © Mark Fensome

Me shkrehësin elektronik që mundëson shkrepje plotësisht të heshtur, kamerat pa pasqyrë të Canon janë ideale për portretet e foshnjave, ku heshtja është shpesh kritike. Me peshë vetëm 429g, modeli peshëlehtë Canon EOS R10 është një zgjedhje e shkëlqyer. I heshtur kur është e nevojshme, për të mos e shqetësuar foshnjën, ai vjen gjithashtu me një Portrait Mode të dedikuar për të rritur butësinë e toneve të lëkurës si dhe të flokëve të imëta e delikate të bebes. Ka gjithashtu filtra krijuese për të luajtur, duke përfshirë një filtër monokrom për të theksuar relievin natyral të lëkurës, ndërsa funksioni inteligjent Eye Detection AF do t'ju sigurojë fokus gjithnjë optimal.

Zgjedhja e objektivit të duhur është gjithashtu e rëndësishme dhe ne rekomandojmë çiftimin e EOS R10 me Canon RF 50mm F1.8 STM. Motori i qetë i fokusimit STM nuk do ta zgjojë fëmijën, ndërsa apertura e tij maksimale super e gjerë f/1.8 lejon dritë të mjaftueshme për portrete të ekspozuara në mënyrë perfekte, edhe në dhomat e gjumit me ndriçim të dobët. Apertura e gjerë maksimale ju mundëson gjithashtu të shkrepni me rreze qartësie tejet të hollë, për sfonde të turbulluara bukur.

Portrete familjare

Në një foto të bërë me Canon EOS RP, një çift ngre prej krahësh një fëmijë të buzëqeshur në një pyll me gjethe. 

Me ekranin e tij me prekje dhe rrotullim, kohëmatësin dhe integrimin e njësuar me programin Canon Camera Connect, që ju mundëson të kontrolloni kamerën nga smartfoni ose tableta, EOS RP është ideal për portretet në grup të të gjithë familjes. Shkrepur në Canon EOS RP me objektiv Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM në 1/640 sek, f/1.8 dhe ISO800. © Valéria Fazekas

Me Face Tracking AF, Canon EOS RP mund të sigurojë që t'i mbani të afërmit tuaj në fokus të mprehtë, duke e bërë kështu ideal për shkrepjen e portreteve në grup deri dhe për familjet më të mëdha. Sensori i tij CMOS kuadërplotë ofron gjithashtu një fushëpamje të gjerë, e cila është ideale për inkuadrimin e fotove në grup, ndërkohë që ju lejon nivele të larta kontrolli mbi rrezen e qartësisë për portretet artistike individuale. Fotografët e familjes do të duan gjithashtu të përdorin modalitetin e skenës Group Photo, ku EOS RP rregullon automatikisht rrezen e qartësisë për të siguruar që të gjithë të jenë në fokus, pavarësisht nëse janë në pjesën e përparme ose të pasme.

Kur festa familjare ka marrë hov, vendosni Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM në EOS RP. Ky objektiv është mjaft i vogël për të mos tërhequr vëmendjen te ju, duke ju lejuar të kapni momente të dëlira, ndërsa apertura e ndritshme maksimale prej f/1.8 do t'ju ndihmojë të bëni fotografi edhe në kushte me ndriçim të ulët. Gjatësia e madhe fokale prej 24 mm është ideale për të përmbledhur një dinasti të tërë në foto pa distorsionin e objektivave ultrakëndgjerë. Por nëse preferoni plane nga afër, aftësia për makro ju mundëson kapjen e çdo detaji të vogël.

Përndryshe, nëse doni pamje krejt të veçanta, Canon PowerShot PX është një zgjedhje fantastike. Me vendosje diskrete në një tryezë, syprinë apo ambientin e familjes, kjo kamerë inteligjente shkrep foto stili dokumentar të aktiviteteve të përditshme pa e ndërprerë momentin, pasi i gjurmon subjektet dhe i inkuadron fotot në mënyrë inteligjente. Mund t'i shikoni fotot e kapura nga kamera duke u lidhur me valë me programin Canon Connect for Mini PTZ Cam, i cili madje do t'ju sugjerojë dhe më të mirat. Canon PowerShot PX mund të regjistrojë gjithashtu videoklipe të shkurtra Full HD, të cilat janë gjithashtu të transferueshme nëpërmjet programit.

Portrete mode dhe estetike

Një foto mode e bërë në një Canon EOS R që tregon një modele me një fustan të ngjashëm me kimono që mban gjethe dhe degë palme, të cilat i inkuadrojnë fytyrën.

Është e rëndësishme që fotografët e modës dhe bukurisë të arrijnë imazhe të përsosura çdo herë, duke treguar modelet dhe produktet që shkrepin. Me zbulimin e fytyrës dhe të syve, Canon EOS R siguron që nuk do të humbisni kurrë fokusin dhe do të arrini gjithmonë portrete të mprehta. Shkrepur në Canon EOS R me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/160 sek, f/1.4 dhe ISO160. © Guia Besana – përfaqësuese nderi e Canon

Nëse doni t'u jepni portreteve të modës dhe të estetikës avantazhin për t'u dalluar në rrjetet sociale, Canon EOS R ka një sensor 30.3MP CMOS i cili kap pamje rezolucioni të lartë, duke siguruar që çdo detaj të kapet me definicion të jashtëzakonshëm. Me vetëfokusim automatik deri në -6EV, falë një sensori të madh dhe shumë të ndjeshëm kuadërplotë, EOS R funksionon mirë edhe në kushtet më sfiduese të ndriçimit, nga studio në rrugë, kudo dhe kurdo që ju çon fotografimi.

Objektivi Canon RF 85mm F2 MACRO IS STM është ideal për portretet e modës dhe të estetikës. Falë aperturës së gjerë f/2 dhe kompresimit të distancës telefoto, ky objektiv prodhon sfonde të buta me turbullim të ngushtë, duke u dhënë portreteve një ndjesi elegante dhe duke i ndarë subjektet nga mjedisi i tyre. Lentet telefoto si kjo arrijnë gjithashtu nivele shumë të ulëta distorsioni, duke rezultuar në portrete të këndshme, veçanërisht të fytyrave. Nëse dëshironi pamje nga afër të duarve ose të tipareve të fytyrës për fotografitë estetike, RF 85mm F2 MACRO IS STM ju jep zgjidhje dhe këtu me makrozmadhim 0.5x. Për më tepër, nëse vendosni të dilni për një shkrepje rruge natën, mund ta lini stativin në shtëpi falë fotostabilizimit me 5 nivele.

Portretet e kafshëve shtëpiake

Një qen me gëzof të kafenjtë dhe të bardhë ulet në barin përballë detit.

Duke kombinuar shpejtësinë dhe cilësinë e figurës, Canon EOS R7 është kamera ideale për fiksimin e një subjekti në lëvizje ose për të kapur të gjitha detajet në një skenë me ndriçim të ulët. Shkrepur në Canon EOS R7 me objektiv Canon RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM në 59mm, 1/30 sek, f/9 dhe ISO100.

Ndërsa kafshët tuaja shtëpiake mund ta kalojnë rëndom të gjithë ditën duke dremitur, është e pashmangshme që në momentin që përpiqeni t'i fotografoni, të vendosin papritmas të fillojnë të lëvizin sikur po i ndjek kush. Kjo është çfarë e bën Canon EOS R7 kamerën ideale për fotografimin e kafshëve shtëpiake. Krijuar duke pasur parasysh fotografinë e faunës së egër dhe të kafshëve në përgjithësi, EOS R7 vjen me një shpejtësi drithëruese prej 30fps dhe me shkrehës elektronik 1/16,000 sek, për kapjen e aksionit sado shpejt që të lëvizë kafsha. Me zbulimin e kafshëve dhe AF tracking, subjekti juaj do të jetë në fokus të mprehtë pavarësisht se ku shkon brenda kuadrit, ndërsa fotostabilizimi me deri në 8 nivele (në varësi të objektivit të montuar) siguron shkrepje pa turbullim kur shkrepni dorazi. Me lidhjet me Wi-Fi dhe Bluetooth, EOS R7 çiftohet më së miri me smartfonin përmes programit Canon Camera Connect, që të mund ta shkrepni nga distanca ndërsa përqendroheni tek argëtimi i kafshës dhe duke lëvizur në drejtimin e duhur.

Fotostabilizimi i integruar (IBIS) te EOS R7 funksionon në lidhje me IS optik në objektivat Canon RF 15-30mm F4.5-6.3 IS STM për të ofruar stabilizim deri në 7 nivele, duke ju mundësuar të shkrepni dorazi ose me shpejtësi të ulëta të shkrehësit në ndriçim të ulët, të dyja pa rrezikuar turbullimin. E gjithë kjo vjen në një objektiv kompakt, që në 390g është mjaftueshëm i lehtë në peshë për t'i bërë pa mund edhe fotot më të gjata dhe dinamike me kafshët. Falë sensorit APS-C tek EOS R7, ky objektiv arrin fushëpamje të barabartë me objektivat 24-48 mm në kamerat kuadërplota, duke ofruar një diapazon fleksibël zmadhimi dhe fleksibilitetin shumë të nevojshëm në seancat e paparashikueshme me kafshë shtëpiake.

Portretet e ambientit

Një foto e bërë në një kamerë Canon EOS R6, që tregon një grua me një fustan të bardhë duke kërcyer në një plazh natën me ndërtesa të ndriçuara në sfond.

Canon EOS R6 është projektuar për rendiment mahnitës në situata me ndriçim të ulët dhe kontrast të lartë. Ndërsa sensori i tij kuadërplotë 20.1MP ka më pak pikselë se disa kamera Canon, çdo piksel që ka është më i madh dhe për këtë arsye shumë më i ndjeshëm ndaj dritës. Rezultati është se kamera është në gjendje të vetëfokusohet deri në -6.5EV. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/40 sek, f/1.4 dhe ISO32000. © Javier Cortés - përfaqësues nderi i Canon

Natyra e paparashikueshme e portreteve mjedisore kërkon një aparat fotografik sa më fleksibël që të jetë e mundur. Canon EOS R6, me trupin e hermetizuar ndaj kushteve të motit, është projektuar për të shkuar kudo që ju nevojitet për të bërë fotografi. Fotostabilizimi i integruar (IBIS) ofron stabilizim deri në 8 nivele për pamje të qarta dhe pa turbullim kur shkrepni dorazi, ndërsa sensori i tij i madh, ultra i ndjeshëm ndaj dritës, kuadërplotë dhe diapazoni i gjerë ISO mundësojnë portrete me ndriçim optimal edhe në kushte të paparashikueshme dhe të vështira. Për më tepër, me zbulimin dhe gjurmimin e përparuar të syve, plus vetëfokusimin deri në -6.5EV, EOS R6 siguron që subjektin ta keni në fokus pavarësisht ndriçimit natyror. Dhe me një shpejtësi serie prej 20fps, nuk do t'i humbisni kurrë shprehjet natyrale, pavarësisht sa të shkurtra janë.

Të njëjtat karakteristika që e bëjnë Canon RF 24mm F1.8 MACRO IS STM të përshtatshëm për portrete familjare e bëjnë gjithashtu një zgjedhje të mirë për portretet mjedisore. Me një peshë prej vetëm 270g, do të shkojë kudo me ju dhe IS optik me 5 nivele, si dhe apertura e gjerë maksimale janë projektuar për t'ju ndihmuar të shprehni krijimtarinë tuaj pavarësisht nga kushtet e ndriçimit, duke ju mundësuar të kapni pamje të plotë të trupit përplot kontekst dhe interes. Gjatësia fokale bën gjithashtu që ky objektiv ta luajë më së miri dhe rolin e tij për videoblogime.

Çfarëdo subjekti që të fotografoni, nga macet te kushërinjtë, nga nënat te modelet, pasja e një kamere dhe objektivi të përshtatshëm të Canon në krah ju përgatit më së miri për rastin.


Shkruar nga Peter Wolinski

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

Objektivi ideal për portrete

Çfarë duhet të merrni parasysh kur zgjidhni një objektiv për fotografi portretesh.

Këshilla për fotografinë e bebeve

Bëjeni zbavitëse fotografimin e bebes dhe arrini rezultate optimale.

Përfitimet e kamerës së duhur

Mësoni se si mund t'ju ndihmojë Canon EOS R100 të regjistroni kujtime të çmuara.

Shkrepni portrete abstrakte

Eksperimentoni me ekspozime të ndryshme, pikturë me drita, lojë me hije etj.