FOTOGRAFI PEIZAZHI

Ása Steinars: shikim përtej peizazheve për të nxjerrë pozën ideale

Përmirësojini pozat tuaja të peizazheve duke shtuar një subjekt - zbuloni këshillat kryesore për autoportrete skenike nga fotografja e aventurës dhe yll në TikTok, me banim në Islandë, Ása Steinars.
Një grua e veshur në xhaketë dimri në të kuqe të ndezur duke ecur drejt ujëvarës Skogafos në Islandë, teksa rreth saj bie dëborë e dendur.

Ása Steinars nuk e konsideronte gjithnjë kaq mbresëlënëse Islandën. Kur vajti atje nga Norvegjia në moshën 7-vjeçare, iu duk më shumë si një fshat i vogël sesa një shtet. Por me t'u kthyer vite më vonë pas punës së saj jashtë shtetit, ajo filloi ta shikonte tokën e zjarrit dhe të akullit në një mënyrë të re të mrekullueshme.

Sot fotot dhe videot e Ása-s për aventurat e saj në vendlindje dhe jashtë saj i kanë sjellë një audiencë prej 700 mijë ndjekësish në rrjetet sociale. Përmes zotërimit të saj të "autoportretit skenik" që i kthen autoportretet modeste në poza monumentale të peizazheve skandinave llogaritë e saj në Instagram dhe TikTok janë si përkushtime gjithnjë e në rritje ndaj mrekullive të përtejbotshme të Islandës – nga gufrat, vullkanet dhe plazhet rërëzeza deri te fjordet, akullnajat dhe ujëvarat.

Fotografia e saj e peizazheve përfshin shpesh njerëz, zakonisht atë vetë. Këto nuk janë autoportrete të thjeshta; por e ftojnë shikuesin ta vërë veten në pozitat e saj – diçka që duket veçanërisht e rëndësishme kur poston në rrjetet sociale. "Dua të krijoj ndjesinë te shikuesi që ta përfytyrojë veten e tij apo të saj në figurë, ndjesinë e dashjes për të vajtur atje dhe për të përjetuar natyrën, jo thjesht duke e parë nga larg," - thotë Ása.

Për ta bërë këtë, fotot e Steinars-ës zakonisht përfshijnë një a më shumë shqisa: thuajse e ndjen ngrohtësinë e zjarrit ditëve të ftohta; e dëgjon zhurmën e ujëvarës në stërkala; e shijon kafen e ngrohtë pas një ecjeje të gjatë. "Për mua," - thotë Steinars, - "fotografia qëndron te krijimi i kësaj ndjesie – një ndjesi dëshire të shfrenuar për të bredhur ose thjesht frymëzim për të dalë jashtë e për të ecur malit. Fotografia e natyrës lidhet gjithnjë me eksplorimin e natyrës, ndaj më pëlqen të shtoj një person për të treguar historinë e plotë pas gjësë."

Këtu, Ása shpjegon se si vepron, duke ndarë këshilla për ta shpënë fotografinë e peizazheve një shkallë më tej, që edhe ju të mund ta shikoni botën natyrore në një dritë krejt tjetër.

Përmirësojeni kompozimin me veshje të forta

Një burrë në xhaketë të ndezur portokalli qëndron në skajin e një shkëmbi duke parë drejt një lëndine madhështore norvegjeze.

Ása-s i pëlqen të shtojë një dorë ngjyra në imazhet e saj të peizazheve, zakonisht në formën e rrobave ngjyrëndezura – siç shihet në këtë fotografi. "Vajta bashkë me shokun tim për alpinizëm në Senjë dhe shkrepa këtë foto të mrekullueshme të tij duke qëndruar në buzë të shkëmbit," - thotë ajo. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 1/1250 sek, f/2.8 dhe ISO200. © Ása Steinars

Dy njerëz duke shijuar një kafe në natyrë pranë një zjarri të vogël. Përtej në sfond ndodhet një lëndinë madhështore.

Në këtë imazh të kompozuar me kujdes, Ása dhe shokët kanë bërë një pushim për kafe gjatë një rrugëtimi drejt Trolltungës – një formacion spektakolar në Norvegji. Personi në të majtë mund të shihet tek mban një pulovër të leshtë islandeze, një motiv i përsëritur në punimet e Ása-s. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 24mm, 1/200 sek, f/2.8 dhe ISO640. © Ása Steinars

Kur rikrijojnë autoportretet skenike të Ása-s, një gjë që anashkalojnë shpesh fotografët fillestarë janë rrobat. Ása përdor rroba të kuqe, të verdha dhe portokalli kur shkrep në kushte vranësire ose nëse e ka larg subjektin. Fotografimi i një personi në peizazh të jep idenë e shkallës, ndërsa rrobat e ndezura i japin një theksim ngjyre asaj që do të ishte një imazh i rëndomtë ose monokromatik.

Ása shkon edhe ca më tej duke i zgjedhur vendndodhjet në bazë të rrobave. Kjo është veçanërisht e rëndësishme kur punon me markat e veshjeve. Ajo sigurohet që vendndodhja të plotësojë produktin e një marke për sa i përket kompozimit apo në një formë tematike, por të njëjtat parime vlejnë dhe për punën e saj personale.

"Gjej një vendndodhje që funksionon me stilin e veshjes dhe ngjyrat," - thotë ajo. "Nëse nuk synoj të përdor ngjyrën e fortë, përpiqem të përdor rroba të stilit vendas për t'u lidhur më shumë me natyrën. Për shembull, pulovra islandeze leshi. Janë shumë të këndshme për t'i veshur, por dhe kombinojnë më së miri me pozat e natyrës dhe janë ideale dhe për plane të afërta të subjektit."

Përdorimi i rrobave në këtë mënyrë na jep një ndjesi të vendndodhjes dhe një ndjesi më vendase të imazhit final.

Inkuadrojeni subjektin tuaj me natyrën

Vargmali Kerlingarfjëll në fillimet e verës. Një burrë që mban një çantë shpine mund të dallohet në distancë.

"Kerlingarfjëlli është një prej atyre vendeve që ngjan më shumë me Marsin se me planetin Tokë," - thotë Ása për këtë foto të vargmalit të njohur shumëngjyrësh të Islandës. "Kjo është shkrepur në fillimet e verës kur dëbora nuk kishte shkrirë ende." Në këtë pozë, kontrasti i maleve dhe bora inkuadrojnë alpinistin në mes. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM në 70mm, 1/400 sek, f/5.6 dhe ISO100. © Ása Steinars

Një dele Islande në një pjerrinë duke shikuar me ngulm nga kamera. Në sfond është një mal i stërmadh i mbuluar me dëborë.

"E gjeta këtë dele kureshtare në Vestfirdir vonë një vjeshtë teksa shkonin brenda për dimër," - thotë Ása. Vestfirdiri është një gadishull i madh në veriperëndim të Islandës me shkëmbinj deri në 441 metra – vendi ideal për fotografi dramatike peizazhesh. Malet dhe pllaja kodrinore ndihmojnë të inkuadrosh delen si pikë fokale të imazhit. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark IV me objektiv Canon EF 24-105mm f/4L IS USM (tejkaluar tani nga Canon EF 24-105mm f/4L IS II USM) në 105mm, 1/160 sek, f/4 dhe ISO100. © Ása Steinars

Ása shpesh e inkuadron subjektin e saj duke përdorur elemente natyrore si p.sh. shkëmbinj, male dhe ujëra. Ndonjëherë ajo e bën kuadrin duke pozicionuar lule në plan të parë për të tërhequr vëmendjen tuaj te subjekti. Sido që ta inkuadroni figurën, thelbësorja është që kompozimi të mos ndihet kurrë i sforcuar.

"Për mua është shumë e rëndësishme që imazhi të jetë natyral dhe të mund të shihet lehtë," - thotë Ása. "Nuk ke pse rri e mendon për një pamje kur e shikon, ndaj raportet duhet të jenë të sakta dhe syri duhet ta gjejë menjëherë subjektin e të mos i duhet ta kërkojë."

Është më e lehtë t'i bësh sfondet të dalin më në pah me anë të një objektivi zmadhues apo telefoto, duke qëndruar pak më larg nga subjekti dhe duke e zmadhuar me objektiv që sfondi të mbushë kuadrin. Duke e lëvizur subjektin më larg objektivit, mund dhe të shfrytëzoni fokusimin në distancë hiperfokale, që ju lejon ta mbani subjektin dhe prapafushën në fokus të pranueshëm, edhe në apertura të gjera.

Një objektiv zmadhues standard si Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM ka diapazon të dobishëm fokal për fillestarët e peizazheve apo edhe një objektiv këndgjerë si Canon RF 35mm F1.8 Macro IS STM – cilësia e imazhit e realizuar nga ky objektiv fiks është një zgjidhje fantastike për këdo që shkrep peizazhe.

Ása thotë se duhet të eksperimentoni me kompozimin, të ndryshoni këndin dhe pozicionin e subjektit, të bëni plot poza prove dhe të keni durim. "Gjithçka qëndron te gjetja e atij kuadrit ideal dhe ndonjëherë mund të duhet ca sa ta kapësh siç duhet," - shpjegon ajo. "Do të rekomandoja të mos ishit me nxitim dhe të provoni gjëra të ndryshme, kënde të ndryshme p.sh. dhe t'i krahasoni. Mbase dhe ndërroni objektivin për të parë si ndryshon imazhi. Ndonjëherë më duhet të shpenzoj shumë kohë për një imazh të caktuara, por këto janë kur më zë delli i perfeksionizmit. Në fund, ia vlen gjithnjë."

Punoni me dritën që keni

Një burrë vrapon drejt një xhipi që pret natën në Islandë. Fenerët e xhipit janë të ndezur, duke ndriçuar një rrugë të mbuluar me dëborë të shkelur.

Për t'ia dalë mbanë me dritën natyrore dhe se si ta shfrytëzoni në avantazhin tuaj, Ása rekomandon të shkrepni në disa vendndodhje, në lloje të ndryshme moti dhe në orë të ndryshme të ditës. "Kam kaluar shumë kohë rrugëve duke udhëtuar nëpër Islandë," - thotë ajo. "Më pëlqen emocioni i largimit nga qyteti dhe i daljes në rrugë me shoqërinë." Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 24-70mm f/2.8L II USM në 35mm, 1/125 sek, f/2.8 dhe ISO6400. © Ása Steinars

Fotografja e peizazheve Ása Steinars, e veshur me një pallto të gjatë e të bardhë dimri, qëndron me duar në xhepa në një peizazh me dëborë.

Ndërsa fotografja e peizazheve, Ása Steinars, me raste përdor një reflektor kur shkrep portrete, ajo përgjithësisht preferon ta "shkrepë natyrën siç është". Në këtë foto, ndikuesja sociale islandeze ka veshur qëllimisht rroba që i përshtaten ambientit përreth për të theksuar ndjesinë e peizazhit të pastër dhe të pacenuar. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II (tejkaluar tani nga Canon EOS-1D X Mark III) me objektiv Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM (tejkaluar tani nga Canon EF 70-200mm f/2.8L IS III USM) në 200mm, 1/1600 sek, f/3.5 dhe ISO500. © Ása Steinars

Kur shkrepni autoportrete skenike, për Ása-n është e rëndësishme të përdorë dritën ekzistuese për të përmirësuar imazhin final, qoftë ditë me re apo me diell që shndrit mes reve.

"Shikoni çfarë ndodh kur shkrepni në perëndim në krahasim me mesditën," - thotë Ása, e cila sugjeron që përdorimi i kamerës në kushte të ndryshme ju ndihmon të kuptoni kontrastin mes dritës së butë dhe asaj të fortë. Në këtë mënyrë mund të filloni ta përdorni dritën në avantazhin tuaj.

Retë mund të jenë gjithashtu shpërhapës të mirë. "Kushtet atmosferike dhe me re janë të zakonshme në Islandë, diçka me të cilën janë mësuar nga shkrepjet e mia të shumta këtu. Plus ka filluar të më pëlqejë, sidomos kur shkrep peizazhe si grykat e ujëvarat, ku mund të jetë e dobishme të mos kesh shumë hije në foto," - shpjegon Ása. "Jep një pamje më të butë dhe është më e lehtë ta ekspozosh të gjithë imazhin saktë."

Pasi fiton ndjesinë e ndriçimit natyral, fillon të dallosh dhe se si ndryshon me ndërrimin e stinëve. "Të gjelbrat bëhen shumë vibrante në ditët me re, çka e bën fotografinë verore të duket fantastike," - thotë ajo.

Magjia e shkrepjes në distancë dhe e kronometrave

Një burrë me veshje të kuqe ujëduruese, një kokore portokalli dhe çizme alpinizmi duke qëndruar brenda një shpelle të thellë akulli.

Ndonëse shpellat e akullit të Islandës japin material madhështor për ngarkime, Ása pohon se janë "vende të vështira" për t'i shkrepur. "Ndriçimi i ulët dhe uji i bollshëm që kullon nga tavani e vë kamerën vërtet në provë," - thotë ajo. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 1/80 sek, f/2.8 dhe ISO4000. © Ása Steinars

Fotografja e peizazheve, Ása Steinars, e veshur në rroba të ngrohta dimri, ecën brenda një shpelle të madhe akulli në Islandë.

"Kjo është një pozat e mia të preferuara të Islandës," - thotë Ása. "Në raste të rralla laguna e akullnajës ngrin dhe mund të ecësh mbi akull dhe brenda shpellave të ajsbergut." Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 1/800 sek, f/2.8 dhe ISO320. © Ása Steinars

Ása k shpesh sfidën e dyfishtë të të qenit edhe fotografe, edhe subjekt. Ajo e vendos kamerën në një stativ, pastaj e shkrep në distancë përmes telefonit dhe aplikacionit Canon Camera Connect. Ajo e fokuson kamerën përmes ekranit të telefonit, pastaj cakton kronometrin në 2 ose 10 sekonda, për t'i dhënë kohë ta heqë telefonin, që të mos duket në pamjen finale. Në thelb është një autoportret që nuk duket si i tillë.

Në raste të tjera ajo përdor kronometrin e integruar të kamerës, duke fokusuar tokën ku do të qëndrojë ose një objekt në atë zonë, duke caktuar kronometrin dhe në fund duke zënë vetë pozicion. Kjo është veçanërisht e dobishme për ekspozimet e gjata.

"Unë shkrep shumë foto të agimit verior në Islandë dhe shkrehësi në distancë ose kronometri janë super të rëndësishëm," - pohon Ása. "Duke qenë se të duhet të punosh me shpejtësi shkrehjeje të gjatë, është e rëndësishme që kamera të mos lëvizë e turbullojë pozën. Shkrehësi i aplikacionit Canon Camera Connect është optimali, por nëse nuk e keni këtë, atëherë edhe kronometri dysekondësh bën punë sa të mos ketë dridhjet nga tërheqja e shkrehësit përpara nxjerrjes së fotos."

Rafinoni stilin me redaktim

Një vargmal i gjelbër me një ujëvarë në mes.

Shkrepja e ujëvarave në ndriçim të ulët bën do të thotë që të ketë më pak hije dhe i gjithë imazhi mund të ekspozohet më njëtrajtshëm. Pasi të keni zgjedhur imazhin tuaj final, mund ta përmirësoni në postim duke përdorur softuer redaktimi. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 1/125 sek, f/7.1 dhe ISO250. © Ása Steinars

Dritat e gjelbra dramatike të agimit verior mbi një shtëpi me dritare të ndriçuara në krah të një mase të madhe uji.

Për të shtuar një element tjetër në spektaklin mahnitës të agimit verior, Ása kërkoi për një subjekt në plan të parë për këtë fotografi. "Gjeta një shtëpi që ishte e ndriçuar dhe që e bën pamjen shumë më interesante," - thotë ajo. Kur shkrepni një subjekt si agimi verior, është e rëndësishme t'i shqyrtoni pamjet finale dhe të zgjidhni më të mirën për ta redaktuar për postim. Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 16-35mm f/2.8L III USM në 16mm, 2.5 sek, f/4 dhe ISO3200. © Ása Steinars

"Redaktimi është pjesë e rëndësishme e fotografisë në ditët tona," - thotë Ása, "dhe është dhe mjaft e dobishme t'u hedhësh një sy tamam fotove të tua më pas." Ajo këshillon të shkrepni gjithnjë në format skedari RAW, për të shkrepur të dhëna maksimale dhe për t'i dhënë vetes fleksibilitet në pasproduksion. Picture Styles i integruar i Canon – që përfshin cilësime si Landscape, Neutral dhe Faithful – u jep fotove një paletë dhe atmosferë konsistente. Por shqyrtimi i fotove tuaja është ajo që ju lejon të kuptoni nëse jeni në rrugën e duhur apo nëse duhet të përmirësoni diçka.

Ása u rekomandon të gjithë fotografëve fillestarë të peizazheve që të investojnë në softuerë fotoredaktimi si p.sh. Canon Digital Photo Professional (DPP) ose Adobe® Photoshop® Lightroom®. Ia vlen të gjesh disa presete – në thelb filtra të posaçme për t'i përdorur brenda softuerit – por nuk është se ato mund të zëvendësojnë njohuritë e mira të punës në pasproduksion.

"Përdorimi i paketave me presete mund të jetë një mënyrë e mirë për të filluar, por kini parasysh se nuk është zgjidhja për gjithçka drejt imazheve të arrira," - thotë ajo. "Ende ju duhet ta bëni vetë shumicën e redaktimit, edhe në rastin e preseteve të mira."

Vazhdoni të eksperimentoni dhe të ushtroheni

Një balenë me gungë duke u hedhur jashtë ujit përkundër një horizonti të bardhë e dramatik.

Nëse keni mundësi, mbajeni kamerën me vete kudo që shkoni, sugjeron Ása – nuk i dihet kurrë se kur mund të rastisni në pozën ideale. "Unë kisha dalë duke parë balenat dhe papritmas dëgjoj një pllaquritje të fortë pas meje. Kthehem në vend dhe kur shikoj një balenë me gungë që kërcen në ajër," - thotë ajo për foton. "U gëzova që munda ta shkrep të gjithë sekuencën e lëvizjes së balenës." Shkrepur në Canon EOS-1D X Mark II me objektiv Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM në 150mm, 1/5000 sek, f/3.2 dhe ISO640. © Ása Steinars

Për ata që janë të rinj në fotografi ose me pak përvojë në shkrepjen e peizazheve, Ása rekomandon të shikojnë punimet e të tjerëve dhe të mësojnë prej tyre. Gjeni fotografë që admironi, pohon ajo, dhe shikoni se si punojnë me dritën, si i kompozojnë fotot dhe si i gjejnë këndet krijuese.

Këshilla e saj më e madhe është e thjeshtë. "Unë e mbaj kamerën me vete pak a shumë kudo që vete dhe e kam me vete për më shumë se 10 vjet," - thotë ajo. "Sa më shumë ushtrohesh aq më i mirë bëhesh. Kaq e thjeshtë është. Të duhet kohë për t'i marrë dorën. Askush nuk lind fotograf i thekur."

Shkruar nga Gary Evans

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm