Nga fiksimi i subjekteve të shpejtësisë së lartë përkundër sfondeve dinamike, deri te shtimi i një ndjesie lëvizjeje te subjektet më të ngadalta, përdorimi i teknikës së panoramimit në fotografi mund t’u shtojë lëvizje dhe dramaticitet pozave që shkrepni.
Mund ta përdorni teknikën e panoramimit për të shtuar një element tjetër në fotot tuaja me çfarëdo kamere. Dhe nuk është as e thënë që të shkrepni vetëm subjekte me shpejtësi të lartë. Panoramimi mund të përdoret për të krijuar ndjesi lëvizjeje në subjekte relativisht të ngadaltë, pasi turbullimi i lëvizjes mund t’i bëjë të duken sikur po lëvizin më shpejtë se në të vërtetë.
Këshilla e teknika për panoramim më të mirë të kamerës
1. Çfarë është fotografia e panoramimit?
Panoramimi është një teknikë krijuese që mund të përcjellë një ndjesi reale lëvizjeje në fotot e aksionit. Nëse përdorni shpejtësi të lartë të shkrehësit për të fiksuar një subjekt në lëvizje të shpejtë, fotos mund t’i mungojë dramaticiteti që ishte i pranishëm gjatë atij çasti pasi subjekti do të dalë si të ishte statujë. Por nëse përdorni një shpejtësi më të ulët shkrehësi dhe e lëvizni (ose panoramoni) kamerën me të njëjtën shpejtësi si të subjektit, mund ta nxirrni subjektin të mprehtë në foto ndërsa sfondi dhe objektet e mundshme fikse të marrin një turbullim të lehtë.
Përveç që shton një ndjesi shpejtësie, panoramimi mund t’ju ndihmojë të nxirrni një pozë më të mprehtë të një subjekti në lëvizje duke fokusuar vëmendjen e shikuesit në të, ose thjesht të kamufloni sfondet jotërheqëse. Cilido qoftë qëllimi juaj, panoramimi me kamerë është një aftësi që ia vlen ta keni dhe sekreti për të arritur panoramime të mira është të ushtroheni. Panoramimi kërkon komandim të mirë të kamerës, kështu që s'ka zëvendësim për përvojën.
Sportet e pistave të të gjitha llojeve janë subjekte të mira ku të ushtroni panoramimin, pasi keni shumë raste për të perfeksionuar aftësitë tuaja, ndërsa vrapuesit, kuajt, motorët apo makinat e garave kalojnë përpara xhiro pas xhiroje. Në shtëpi shanset më të mira për të shkrepur subjekte në lëvizje janë fëmijët ose kafshët që luajnë në oborr.
2. Cilësimet e fotografisë së panoramimit
Kaloni në modalitetin "Shutter Priority (Tv)" ose "Manual (M)" të plotë dhe zgjidhni shpejtësinë e shkrehjes.
Shpejtësia ideale varet nga një sërë faktorësh: sa shpejt lëviz subjekti në fjalë, distanca mes jush e subjektit, objektivi që po përdorni dhe sa sa efekt turbullimi dëshironi të arrini. Filloni me një shpejtësi shkrehësi prej rreth 1/60 sek dhe uleni teksa mësoheni më mirë me aksionin. Provoni 1/30 sek e poshtë për më shumë turbullim, 1/125 sek për më pak. Sigurohuni ta çaktivizoni fotostabilizuesin e - përveç nëse shkrepni me objektiv me opsionin Mode 2 IS - në këtë rast përdorni këtë. Në këtë modalitet, sistemi i fotostabilizimit do të korrigjojë lëkundjen vertikale, por jo dhe lëvizjen horizontale të kamerës teksa ndiqni aksionin.
Disa subjekte mund të kenë nevojë për shpejtësi më të lartë të shkrehësit për të mos u kthyer në turbullim të plotë. Për shembull, një makinë garash do të kërkojë ndoshta një shpejtësi më të lartë shkrehësit se një çiklist. Mund ende të regjistroni shumë turbullim duke përdorur shpejtësi shkrehësi prej 1/200 ose 1/400 sek nëse subjekti lëviz shpejt dhe ia dilni ta ndiqni gjatë lëvizjes.
Nëse shkrepni në modalitet “Manual”, atëherë do t’ju duhet dhe të caktoni një aperturë për t’ju dhënë ekspozim të mirë. Me “Shutter Priority (Tv)” kamera e zgjidh vetë këtë aspekt për ju.
Vendoseni modalitetin “Drive” në “Continuous”. Përveçse do të keni mundësi më të mira për të kapur momentin e rëndësishëm, do të minimizoni po ashtu dridhjet e kamerës nga shtypja e butonit të shkrehjes.
3. Planifikimi dhe fokusimi i fotove tuaja të panoramimit
Sfondi i fotos suaj duhet të jetë i turbulluar, që detajet e saj individuale të bien më pak në sy në foto. Por ngjyrat e përgjithshme do të përbëjnë një pjesë të rëndësishme të fotos pasi do të shërbejnë si kuadër për subjektin. Nëse keni mundësi, shikoni për një sfond që do të bënte kontrast me subjektin për ta ndihmuar të dalë në pah dhe që do të funksiononte mirë kur të regjistrohej në vijëzime të lëmuara. Disa prova pa subjektin do t’ju jepnin një ide nëse rasti ka potencial. Vijat horizontale, si p.sh. gardhi apo bordura e një rruge i shtojnë strukturës dhe japin një ndjesi më të madhe të shpejtësisë. Nëse shkrepni në ndriçim të ulët atëherë dritat e sfondit të turbullt mund t’u shtojnë dramaticitet real imazheve tuaja.
Për të parandaluar rifokusimin e kamerës gjatë panoramimit tuaj, përdorni vetëfokusimin e kamerës në modalitetin “AI Servo AF” për të ndjekur subjektin – në varësi të largësisë tuaj nga subjekti, mund t’ju duhet të eksperimentoni për të përcaktuar nëse rezultatet më të mira i jep “Single Point AF” apo “Zone AF”.
4. Përmirësoni teknikën tuaj të panoramimit
- Drejtohuni nga sfondi që keni zgjedhur dhe qëndroni me këmbët në gjerësinë e supeve për stabilitet. Vetëm pjesa e sipërme e trupit duhet të lëvizë gjatë panoramimit, ndaj lëvizni te beli për të ndjekur aksionin.
- Duke përdorur shkrepjen “Continuous” shtypni butonin e shkrehësit përpara se subjekti të arrijë pikën e synuar dhe vijoni të shkrepni derisa subjekti të ketë kaluar mes saj.
- Me lëvizje të shtruar, ndiqeni subjektin - por mos e bëni këtë vetëm kur shkrepni. Ndiqeni përpara, gjatë dhe pas, duke e mbajtur kamerën dhe veten sa më të palëvizur, duke minimizuar lëvizjet vertikale dhe anësore. Mund ta keni më të lehtë ta bëni këtë me okularin (nëse kamera juaj ka të tillë) se sa me ekranin LCD
Panoramimi kërkon praktikë, ndaj mos u shqetësoni nëse imazhet tuaja të para nuk janë shumë të mira. Mund të mësoni duke nxjerrë shumë foto dhe duke kuptuar se pse disa janë më të mira se të tjerat. Mos është shpejtësia e gabuar e shkrehësit, për shembull, apo mos subjekti del shumë i turbullt? Më pas zbatoni zbatoni ato që keni mësuar në serinë e ardhshme të fotove.
Natyrisht, nëse subjektin e keni në fokus optimal dhe sfondi ka turbullim të lëmuar, konsiderojeni se ia keni dalë me sukses. Panoramimi është argëtues ama dhe gjasat janë që të doni ta provoni sërish!
Pasi të keni zotëruar teknikën e panoramimit ditën, mund të bëheni krijues dhe gjatë natës duke përfshirë gjurmët e dritës në pozat e panoramuara.
Shkruar nga Marcus Hawkins
Produkte të ngjashme
-
PowerShot SX740 HS
Kapni çdo detaj me zmadhimin optik 40x dhe Përkufizimin ultra të lartë 4K nga një kamerë kompakte në madhësinë e xhepit. -
PowerShot G7 X Mark III
Një kamerë e lidhur që shkrep video dhe foto të jashtëzakonshme që ndjekësit tuaj do t'i adhurojnë. -
EOS R7
Eksploroni natyrën me një kamerë që vjen me shpejtësi dhe cilësi sensacionale figure në një trup portativ APS-C të projektuar për të ardhmen. -
RF-S 18-150mm F3.5-6.3 IS STM
Një objektiv zmadhues EOS R-series APS-C i gjerë deri në telefoto që është ideal për udhëtime, faunën e egër, sportin dhe stilin e jetesës. -
RF 100-400mm F5.6-8 IS USM
Një objektiv fleksibël, kompakt dhe peshëlehtë RF 100-400mm me fotostabilizim 5.5-nivelësh për shkrepjen e natyrës dhe të aksionit pa u rënduar nga pesha. -
RF 24-240mm F4-6.3 IS USM
Një zmadhim praktik 10-fish për sistemin "EOS R", duke ofruar fleksibilitet të jashtëzakonshëm në një objektiv të vetëm portativ.