10 këshilla për fotografime shpërthyese të fishekzjarrëve

Kompleti, teknikat dhe kompozimi – këshilla të avancuara për fotografimin e fishekzjarrëve.
Fishekzjarrët shumëngjyrësh shpërthejnë në qiejt e errët mbi një urë, duke ndriçuar ujin teposhtë.

Fishekzjarrët plot ngjyra në qiellin e natës janë një spektakël që shumë prej nesh e konsiderojnë magjik - pra pse të mos e kapni këtë ndjesi të mrekullueshme në një fotografi? Qoftë nëse përdorni kamerë kompakte si Canon PowerShot G7 X Mark III, një kamerë pa pasqyrë si Canon EOS R6 apo DSLR si Canon EOS 90D, këto 10 këshilla për fotografimin e fishekzjarrëve do t'ju ndihmojnë të kapni spektaklin e këtij sezoni festiv.

1. Cila është kamera më e mirë e Canon për fotografimin e fishekzjarrëve?

Një grua e re me kapelë blu dimërore duke mbajtur një kamerë Canon EOS RP.

Teknologjia pa pasqyrë është ideale për fotografimin e fishekzjarrëve. Kamerat si Canon EOS RP dhe Canon EOS R6 ju tregojnë si do të duket ekspozimi përmes inkuadruesve të tyre elektronikë, si dhe në ekranet e tyre të pasme, duke ju mundësuar të shikoni me saktësi si do të duket imazhi juaj final. Nëse përdorni kamerë DSLR, si p.sh. Canon EOS 90D, e njëjta gjë mund të arrihet në ekranin e pasmë duke përdorur modalitetin Live View me simulimin e ekspozimit të aktivizuar.

Nuk ka rëndësi çfarë kompleti keni apo sa përvojë keni – fotografimi i fishekzjarrëve mund të jetë edhe i lehtë, edhe argëtues. Nëse jeni jashtë duke parë një spektakël fishekzjarrësh, mënyra ideale për të shkrepur rastin është një kamerë xhepi që mund ta merrni kudo me vete, si p.sh. Canon PowerShot SX740 HS, me sensorin e ndjeshmërisë së lartë CMOS, ose Canon PowerShot G7 X Mark III, me aperturën e vet maksimale e të shndritshme prej f/1.8, që është ideale si për fotografinë e natës, ashtu edhe për atë në ndriçim të ulët.

Modelet e fuqishme Canon EOS RP dhe Canon EOS 90D janë ideale për fotografët që kërkojnë më shumë liri krijuese. Sensori kuadërplotë tek EOS RP ofron komandim të mëtejshëm të qartësisë së thellësisë dhe rendiment më të lartë në ndriçim të ulët. EOS 90D është po aq i aftë edhe me ndriçim të dobët, me një modalitet të dedikuar Handheld Night Scene për skena të mprehta ndriçimi të ulët pa stativ. Të dyja kamerat vijnë me procesor imazhi Canon DIGIC 8, që pakëson digjitalisht zhurmën e imazhit në cilësime të larta të ISO (ndjeshmërisë) për rezultate fantastike dhe fleksibilitet në errësirë.

Për të shkuar më tej Canon EOS R6 është një kamerë niveli profesional e projektuar për t'iu përshtatur fotografisë në ndriçim të ulët. Ajo ka shtrirje prej 20.1 megapikselësh në sensorin e vet kuadërplotë, që do të thotë se çdo piksel është më i madh dhe më i ndjeshëm ndaj dritës, duke sjellë poza ndriçimi të ulët në cilësi mahnitëse dhe diapazon të jashtëzakonshëm dinamik. Vjen gjithashtu me deri në 8 nivele fotostabilizim kur përdoret me objektiva të pajtueshëm RF, çka do të thotë se mund të arrini poza nate pa turbullim edhe kur shkrepni dorazi në shpejtësi relativisht të ngadalta shkrehësi, për të shkrepur sa më shumë dritë të jetë e mundur.

2. Cilët janë objektivat më të mirë për fotografimin e fishekzjarrëve?

Fishekzjarrë të kuq dhe të artë ndezin një qiell të errët.

Objektivat e integruar në kamerat kompakte si p.sh. Canon PowerShot G7 X Mark III janë më se të aftë të fotografojnë fishekzjarrë – siç tregohet këtu, shkrepur në 36mm, 2 sek, f/11 dhe ISO125.

Fishekzjarrë rozë dhe të artë shpërthejnë në qiell mbi një urë hekuri.

Një objektiv zmadhues kompakt ju mundëson të shkoni më pranë aksionit dhe fotostabilizimi i integruar ju ndihmon të nxirrni poza dore në plot bukuri dhe pa turbullim. Shkrepur në Canon EOS M10 (tejkaluar tani nga Canon EOS M200) me objektiv Canon EF-M 55-200mm f/4.5-6.3 IS STM në 90mm, 6 sek, f/18 dhe ISO100.

Por mund të bëni poza të arrira duke përdorur objektivin e integruar në një kamerë kompakte me superzmadhim, ose me objektivin e kompletit që vjen me kamerën tuaj. Nëse mund të përdorni objektiva të tjerë ama, mund të krijoni kompozime më të larmishme dhe krijuese.

Gjatësitë më të shkurtra fokale ju mundësojnë të përfshini ndërtesa dhe struktura në pozat tuaja për kontekst të mëtejshëm dhe interes vizual. Një objektiv fiks këndgjerë si modeli ekonomik Canon RF 16mm F2.8 STM është një aksesor fantastik për ta pasur me vete në çantë me një kamerë Canon EOS R System si p.sh. EOS RP apo EOS R6. Profili i tij kompakt e bën shoqërues praktik për të gjitha llojet e fotografisë. Lidhja e kamerës së sistemit EOS R me një zmadhues këndgjerë si p.sh. Canon RF 14-35mm F4L IS USM apo Canon RF 15-35mm F2.8L IS USM ju mundëson ta ndryshoni gjatësinë fokale për t'iu përshtatur kompozimeve tuaja – diçka që është veçanërisht e dobishme në spektaklet e ngarkuara ku hapësira e qëndrimit është e kufizuar.

Përkundrazi objektivat telefoto i izolojnë dhe theksojnë detajet, duke rezultuar në kuadro mbresëlënëse të mbushura krejtësisht me fishekzjarrë.

Për më të mirën e të dyja botëve, provoni një objektiv zmadhues me rreze të gjerë fokale, si p.sh. Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM, që ka plusin e fotostabilizimit integrues për koherencë në pozat e qarta.

3. Cili është vendi më i mirë për të fotografuar fishekzjarrët?

Ia vlen të planifikoni paraprakisht për të gjetur një pikë që do të jetë pa pengesa. Kontrollojeni vendin gjatë ditës dhe gjeni nga cili drejtim do të fryjë era. Kjo është sidomos e rëndësishme nëse do të ketë ndonjë flakadan në afërsi, pasi do të mund të shmangni tymin ose shkëndijat që dalin nga flakët. Nëse planifikoni të përdorni stativ, vendoseni në një pikë ku ka pak gjasë t'ju dalin njerëz përpara kur fotografoni.

Një vend me ndonjë objekt interesant në plan të parë, si p.sh. urë, mund t'i jepte gjithashtu një tjetër dimension fotografive tuaja.

4. Si të fotografoj atmosferën e fishekzjarrëve në një festë?

Një xixëlluese e shndritshme duke u djegur, duke lëshuar shkëndija në të gjitha drejtimet.

Fotografimi i xixëllueseve është një mënyrë e mirë për t'u mësuar me shkrepjen e fishekzjarrëve, dhe mund të bëhet me shpenzime minimale. Eksperimentimi me pikturimin me dritë mund të jetë gjithashtu një aktivitet argëtues për familjen.

Një mënyrë e mirë për të kapur atmosferën e një feste është të fotografoni anëtarët e familjes duke u argëtuar me xixëlluese, duke përdorur imagjinatën e tyre për të krijuar modele argëtuese dhe artistike me dritën. Aplikacioni Canon Photo Companion ka një udhëzues që shpjegon teknikat dhe cilësimet më të mira për pikturën me dritë, si dhe shumë ide të tjera për foto mahnitëse.

Një mënyrë tjetër për të krijuar poza interesante është të kapni pasqyrimin e fishekzjarrëve në një dritare, me shokët ose familjen që shikojnë për jashtë nga brenda dhomës. Nxirrni disa poza për provë për t'u siguruar që subjektet janë të ekspozuar mirë dhe ruajini cilësimet për çastin kur shpaloset aksioni. Nëse kamera juaj e ofron si opsion, sigurohuni t'i shkrepni imazhet në format RAW. Kjo do t'ju japë fleksibilitet maksimal kur vjen puna për të rregulluar se si ekspozohen pjesë të ndryshme të imazhit. Pasprocesimi mund të bëhet te Digital Photo Professional (DPP), programi falas përpunueso-redaktues i Canon për formatin RAW.

5. Si mund të realizoj foto të qarta të fishekzjarrëve?

Fishekzjarrë rozë dhe vjollcë ndezin qiellin mbi një urë.

Caktimi i kamerës në Continuous Shooting do t'ju ndihmojë të shkrepni foto spektakolare, edhe nëse fishekzjarrët fiken për një çast përpara apo pas çastit kur mendoni. Shkrepur në Canon EOS M10 me objektiv Canon EF-M 55-200mm f/4.5-6.3 IS STM në 100mm, 6 sek, f/11 dhe ISO100.

Dy fishekzjarrë portokalli shpërthejnë në qiellin e errët.

Shkrepni foto teksa fillojnë fishekzjarrët dhe kontrolloni nëse jeni të kënaqur me ekspozimet. Nëse janë shumë të shndritshëm, mund të provoni një aperturë më të ngushtë (numër më i lartë i f), si p.sh. f/11. Nëse janë shumë të errët, mund të provoni një aperturë më të gjerë ose të rrisni cilësimin e ISO – por mos harroni, sa më e ulët ISO, aq më i mprehtë imazhi dhe më pak rrezik zhurme imazhi. Shkrepur në Canon EOS M10 me objektiv Canon EF-M 55-200mm f/4.5-6.3 IS STM në 40mm, 30 sek, f/11 dhe ISO100.

E para që duhet bërë është që çfarëdo pajisjeje që jeni duke përdorur, të fikni blicin – ju duhet drita natyrore e fishekzjarrëve dhe jo ndriçimi me blic i objekteve që ndodhen atypari. Mandej, nëse është e mundur, kalojeni kamerën në një modalitet që ju lejon njëfarë kontrolli mbi cilësimet, si p.sh. modaliteti Shutter Priority (Tv) ose Manual (M).

Është e vështirë të dini se kur do të shpërthejnë fishekzjarrët më të mëdhenj dhe me më shumë ngjyra, ndaj është gjithashtu ide e mirë ta caktoni kamerën në shkrepje të vazhduar, të njohur edhe si modalitet Burst, dhe të shkrepni disa foto në vijimësi të shpejtë çdo herë që shtypni butonin e shkrehjes. Kjo do të rritë mundësitë e regjistrimit të një ose dy imazheve me shpërthime vërtet emocionuese. Canon EOS R6 shkrep vazhdimisht deri në 20fps në modalitetin e shkrehjes elektronike, duke garantuar që të mos humbisni gjë nga aksioni.

Nëse kamerën e keni mbi stativ, mund të përdorni aplikacionin Canon Camera Connect për ta komanduar shkrehësin me valë përmes telefonit ose tabletës suaj. Përndryshe, mund të përdorni një telekomandë me tela ose me valë, ose edhe funksionin e vetëkohëmatësit të kamerës. Të gjitha këto ju bëjnë të mundur të aktivizoni ekspozimin pa e prekur kamerën, çka ndihmon të evitoni lëkundjen e kamerës dhe t'i mbani imazhet të mprehta.

6. Si t'i fotografoj fishekzjarrët pa stativ?

Nëse objektivi juaj vjen ka fotostabilizim (shikoni për IS në emrin e objektivit) ose nëse keni kamerë si p.sh. Canon EOS R6 me IS të integruar, kjo ndihmon në shmangien e lëkundjeve të lehta që mund të shkaktohen nga shkrepja dorazi, por vini re se mund të ulë dhe shpejtësinë e shkrehjes nëse shkrepni në modalitetin Aperture Priority (Av). Nëse përdorni stativ, çaktivizojeni fotostabilizimin e objektivit. Përndryshe, për stabilitet të mëtejshëm, provoni ta vendosni kamerën mbi një sipërfaqe të qëndrueshme, si p.sh. parvaz apo mur, duke përdorur Live View në ekran në pjesën e pasme të kamerës ose duke shkrepur foto provë për të kontrolluar kompozimin.

7. Si t'i fokusoj kur fotografoj fishekzjarrët?

Një fëmijë me xhup dhe një kapelë peshkimi, duke parë fishekzjarrë të verdhë e të kuq që mbushin qiellin.

Kur shkrepni fishekzjarrë, diçka tjetër që mund të provoni është të fokusoheni në një subjekt interesant në plan të parë. Kjo do të krijojë një sfond të bukur jashtë fokusit. (Termi teknik për cilësinë e turbullimit të lëmuar të sfondit është bokeh.) Shkrepur në një Canon EOS 5D Mark II (tejkaluar tani nga Canon EOS 5D Mark IV) me objektiv Canon EF 85mm f/1.8 USM në 85mm, 1/100 sek, f/1.8 dhe ISO1600.

Caktojeni kamerën në fokus Manual, ose kalojeni çelësin e fokusimit në objektivin tuaj në pozicionin MF dhe caktojeni fokusin në Infinity. Në trupin e objektivit ose në ekranin e kamerës, ky shënohet me simbolin ∞. Këtu mbase do ta donit fokusin nëse përqendroheni te kapja e fishekzjarrëve në qiell.

Nëse doni të përfshini elemente plani të parë në foto dhe doni t'i paraqisni edhe këto po aq qartë, një këshillë e mirë është të fokusoheni në një pikë rreth një të tretën e rrugës në skenë, çka do të realizonte qartësi maksimale thellësie dhe do ta bënte shumicën e pozës të mprehtë mes planit të parë dhe sfondit. Kjo është një mënyrë e shpejtë për të simuluar një teknikë profesionale të quajtur fokusim hiperfokal – mund të lexoni më shumë për të, si dhe se si të përdorni një llogaritje më të saktë të distancës hiperfokale, në aplikacionin Canon Photo Companion.

8. Çfarë cilësime duhet të përdor për të fotografuar fishekzjarrët?

Çfarëdo kamere që përdorni, cilësimi i ISO më të ulët (ndjeshmëria e dritës) jep imazhe më të mprehta me ngjyra më të mira dhe më pak zhurmë. Ndaj filloni me një cilësim si p.sh. ISO100 ose ISO125 dhe pastaj rregullojeni aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes për të marrë një ekspozim të mirë.

Nëse shkrepni dorazi, filloni me shpejtësinë më të ulët të shkrehjes që mund të përdorni pa shkaktuar turbullimin e papranueshëm nga lëkundja e kamerës apo lëvizja e fishekzjarrëve. Një shpejtësi shkrehjeje prej rreth 1/10 sek shpesh funksionon mirë – mjaftueshëm e shpejtë për të fiksuar lëvizjen e fishekzjarrëve, por mjaftueshëm e gjatë për të kapur dhe dritën. Nëse përdorni kamerë në stativ, mund të përdorni shpejtësi shumë më të ulët, si p.sh. një apo dy sekonda si pikënisje.

Kur doni të ruani njëfarë qartësie gjatë skenës, filloni me një cilësim aperture rreth f/8. Nëse doni të lini më shumë dritë, por s'mund të përdorni shpejtësi më të ulët shkrehjeje pa turbullim, atëherë mund të provoni ta zgjeroni aperturën në f/5.6 ose f/4 – por sa më të gjerë ta bëni aperturën (d.m.th. sa më i vogël numri f), aq më e ngushtë bëhet dhe qartësia e thellësisë, duke bërë që të ketë më pak nga skena në fokus.

Mund të duhen ca pësime e mësime për të gjetur ekuilibrin e duhur të shpejtësisë së shkrehjes sa të kapni detajet aq qartë sa dëshironi, kombinuar me një aperturë që jep ekspozim të mirë dhe qartësinë e thellësisë që kërkoni. Nëse s'mund të nxirrni ekspozim të mirë pa turbullim duke përdorur aperturën dhe shpejtësinë e shkrehjes, atëherë provoni të rregulloni ISO. Kamerat me sensorë më të mëdhenj – si p.sh. kamerat kuadërplota pa pasqyra si p.sh. EOS RP apo EOS R6 – ofrojnë rendiment më të mirë në ISO të lartë dhe do të japin rezultatet optimale, por mbetet gjithsesi rregull i mirë që të ruani ISO të ulët dhe ta rrisni vetëm nëse është e nevojshme.

9. Si të shkrep format e fishekzjarrëve?

Modaliteti Bulb i kamerës ju mundëson ta mbani shkrehësin të hapur për sa ju nevojitet, çka bën që t'i kapni fishekzjarrët teksa lëvizin nëpër qiell dhe shpërthejnë, duke lënë gjurmë drite që paraqesin forma mbresëlënëse. Për të përdorur modalitetin Bulb, zgjidhni modalitetin Manual (M) ose Shutter Priority (Tv) dhe çojeni deri në fund të opsioneve, pas 30 sek. Shtypni një herë butonin e shkrehjes për të hapur shkrehësin dhe edhe një herë tjetër kur të doni ta mbyllni.

Për ekspozime të gjata do t'ju duhet ta mbani kamerën shumë pa lëvizur, ndaj nevojitet një stativ. Përdorimi i shkrehjes me tel apo telekomandë, si p.sh. Canon Wireless Remote Control BR-E1, është gjithashtu i dobishëm, pasi ju mundëson të shkrepni pa përdorur duart dhe t'i mbani imazhet të qarta kristal. Nëse keni kamerë që mbështet Wi-Fi, si p.sh. Canon EOS 90D, mund dhe të provoni aplikacionin Canon Camera Connect, që ju mundëson të shkrepni në distancë nga smartfoni apo tableta.

10. Si të siguroj ekspozimin e duhur për fishekzjarrët?

Një qiell i errët me fishekzjarrë të shndritshëm që shpërthejnë në të është një skenar mjaft i pazakontë në kuadër të subjekteve të zakonshme të fotografisë dhe në modalitetet automatike kamera juaj mund të caktojë një ekspozim që është shumë i shndritshëm për një imazh të fishekzjarrëve gjatë natës. Nëse shkrepni në modalitetin Manual (M), ose në një modalitet gjysmautomatik si Aperture Priority (Av) apo Shutter Priority (Tv), mund të përdorni kompensimin e ekspozimit për ta evituar këtë. Kërkoni për butonin ose ikonën -/+ në ekran dhe caktojeni në rreth -1 deri në -2.

Nëse përdorni modalitetin Manual (M), mund dhe të mbani një sy te shkalla e treguesit të ekspozimit në ekranin LCD ose në fund të inkuadruesit të kamerës kur zgjidhni një kombinim cilësimesh që e shtyjnë treguesin në të majtë të shkallës.

Është e mundur që të nxirrni foto spektakolare të fishekzjarrëve pavarësisht kamerës që përdorni. Ajo që është më e rëndësishme është që të dilni jashtë, të bëni prova dhe të kaloni mirë!

Shkruar nga Peter Wolinski

Produkte të ngjashme

Artikujt e lidhur

Këshilla për fotografimin e zjarrit

Zbuloni teknika që ju duhen për fotografimin e zjarrit ose të qirinjve.

Këshillat kryesore për fotografimin e shkëlqyer të festave

Shkrepni fotografi të jashtëzakonshme të festave me ndihmën e këtyre këshillave dhe teknikave të lehta.

Fotografia e qiellit të natës

Teknikat kryesore për të shkrepur yjet natën, duke përfshirë fotointervalet dhe imazhet e gjurmëve të yjeve.

Regjistroni foto nga distanca

Zbuloni përfitimet e shkrepjes në distancë për të gjitha llojet e fotografimit.

Rregjistrohuni për buletinin tonë

Merrni të gjitha të rejat më të fundit dhe informacione për produktet