Kur Marc Albiac ishte ende adoleshent në eksplorimin e artit të fotografisë, ai dhe i ati kalonin me orë të tëra në një faqe interneti ku fotografët më në zë të natyrës spanjolle diskutonin për teknikat pas fotografive të tyre. Ai kujton Mario Cea-n tek shpjegonte se si kishte krijuar një dopjoekspozim të një bufi nën dritën e hënë me një kuadër të vetëm. Duke ecur disa vite përpara tanimë Marc-u ndodhej në një ekspozitë të madhe fotografie duke prezantuar punimet e tij përkrah atyre të Mario-s. Marc-u tanimë është përfaqësues nderi i Canon, me shumë lavde përbri emrit të tij, duke përfshirë dhe çmimin prestigjioz Young Wildlife Photographer of the Year që e ka fituar që në moshën 14-vjeçare.
Këtu, ai dhe kolegu i tij përfaqësues nderi i Canon Michel d'Oultremont, i cili jeton dhe punon në Belgjikë, dhe që ka mbi supe dy fitore të çmimit Wildlife Photographer of the Year Rising Star Portfolio, na tregojnë se si ky konkurs u dha udhë karrierave të tyre, si dhe ndajnë me ne këshilla për fotografët e rinj të natyrës që mezi presion të ndjekin hapat e tyre.
Jeta pas marrjes së çmimit Young Wildlife Photographer of the Year
Cila ju erdhi e para – dashuria për natyrën apo dashuria për fotografinë?
Marc Albiac: Që përpara se të hidhja hapat e mia të para, prindërit më merrnin me vete maleve. Babait i pëlqente të fotografonte peizazhet dhe kafshët atje. Kur isha shtatë vjeç ai i modernizoi aksesorët e tij fotografikë dhe unë trashëgova aparatin e tij, një Canon EOS 30D (tani i tejkaluar nga Canon EOS 90D). Dashuria ime për kafshët erdhi e para. Aparati ishte një mjet që më mundësonte ta merrja natyrën me vete në shtëpi.
Michel d'Oultremont: Definitivisht dashuria për natyrën. Unë fillova me vrojtimin e zogjve për tri vjet me shumë intensitet. Fotografia është thjesht mjeti që më mundëson amshimin e takimeve të mia me natyrën. Mund të kishte qenë fare mirë skulptura apo piktura, por nuk është se i kam si talente. Fotot e mia të para i kam bërë në një kënetë. Shtrirë në baltë duke pritur për shpesët ujorë. Fotot ishte të rëndomta, por ishte fantastike mundësia që t'i merrje ato momente me vete në shtëpi. Këneta ishte më pak se një milje nga shtëpia, ndaj ishte vërtet praktike. Unë nisa me një Canon EOS 400D (tani i tejkaluar nga Canon EOS 850D) dhe një objektiv 20-vjeçar EF 300mm f/4L USM (tani i tejkaluar nga Canon EF 300mm f/4L IS USM).
Ju që të dy keni fituar njohjen që herët me çmimet Young Wildlife Photographer of the Year. Çfarë mendoni se çoi drejt atij suksesi?
Michel: Në të gjitha konkurset ke nevojë për fat. Fatin në zgjedhje, por edhe për fitimin e çmimit. Unë pata fat të mjaftueshëm sa ta fitoja dy herë këtë çmim. Është një nder për mua dhe diçka e këndshme kur shikon që këndvështrimi yt i natyrës së egër i pëlqen edhe jurisë, dhe publikut.
Marc: Unë skam shkrepur ndonjëherë foto për të fituar ndonjë konkurs, e kam bërë thjesht sepse desha. Them se këtu qëndron dhe sekreti. Foton time fituese e shkrepa në oborrin e gjyshes. Kudo ku keni mundësi të kaloni shumicën e kohës aty do të nxirrni dhe fotot më të arrira. Kur punon pranë shtëpisë nuk ke as presionin se duhet të marrësh avionin për pak ditë. Dhe nëse nuk të del gjë fotoja një ditë, mund t'i rikthehesh prapë të nesërmen.
Si ishte ndjesia e të fituarit – duhet të ketë qenë emocionuese, por mbase edhe pak marramendëse?
Marc: Unë jam tepër i ndrojtur, edhe tani që jam 22 dhe atëherë isha 15 vjeç, kështu që isha nervoz. Por për mua ishte një ëndërr që bëhej realitet. Më dërguan në pranverë emailin ku më bëhej e ditur se kisha fituar, dhe ceremonia do të bëhej në vjeshtë, kështu që kalova gjashtë muaj pa pasur mundësinë t'ia thosha kujt.
Natyrisht kam marrë pjesë dhe në konkurse të tjera dhe nuk kam marrë ndonjë çmim. Një nga të mirat e fotografisë është dhe subjektiviteti i saj. E njëjta foto mund të pëlqehet nga disa njerëz dhe të mos pëlqehet nga të tjerë – konkurset janë po njësoj. Jurisë duhet t'i pëlqejë fotoja jote më shumë se e të tjerëve, por nuk d.m.th. se e jotja është më e mirë apo më e keqe se e të tjerëve.
Ashtu si fotografia e natyrës, edhe konkurset fotografike kërkojnë këmbëngulje. Në fotografinë e natyrës është shumë e rëndësishme të këmbëngulet, pasi shumicën e kohës kafshët nuk shfaqen fare dhe të bie të kthehesh në shtëpi duarbosh. Por nëse provon fort dhe i qepesh pas fotos që do, në fund ke më shumë gjasa t'ia arrish fotos sesa duke qëndruar në shtëpi.
Michel: Unë u befasova goxha. Kur isha fotograf i ri i shikoja me admirim fituesit e Wildlife Photographer of the Year. Është shumë përmbushëse dhe e këndshme të kesh mundësinë të thuash se fotot të janë votuar mes më të mirave të botës.
Këmbëngulja është thelbësore, sepse duhet të mos reshtësh së provuari. Unë jam optimist si njeri dhe tepër kokëfortë, kështu që kur nuk shoh ndonjë kafshë në ndriçimin e bukur që kërkoj, ia nis sërish nga e para duke shpresuar të kemi rastin siç e ëndërroj vetë. Ka pasur një foto që e çoja për tri vjet nëpër shumë konkurse dhe nuk ishte zgjedhur kurrë deri në 2014 – ishte një foto që më pëlqente shumë dhe që mendoja se kishte potencial të mirë.
Si jua hapi rrugët e karrierës fotografia e natyrës?
Marc: Falë marrjes së këtij çmimi në kategorinë Youth në konkursin 2011 MontPhoto International Nature Photography ishte që fillova të punoj me Canon Spain, duke zhvilluar seminare dhe referate në panaire të mëdha për natyrën së bashku me fotografë si Mario Cea. Ende nuk e mendoj veten si fotograf profesionist, ndonëse jam i tillë. Aktualisht po studioj për diplomë universitare në biologji, që është diçka që kam dashur ta bëj që kur isha pesë vjeç.Michel: Falë fitores sime të parë në 2014 pata mundësinë të marrë pjesë me Contrat Agency dhe David Hayes te "The Wait (Pritja)" – një film-dokumentar metrazhi të shkurtër 10-minutësh, për punën time që u ekspozua gjerësisht mandej. Konkursi më ndihmoi gjithashtu që njihesha nga publiku i gjerë. Në vitin 2015 vendosa të provoj dorën në fotografinë profesionale të natyrës. Kjo ndodhi menjëherë pas studimeve të mia për fotografinë – u përpoqa të studiojë biologji në universitet, por u dorëzova shpejt, pasi preferoja më mirë të isha në terren dhe fotografia ma jepte këtë mundësi. I dhashë vetes tri vjet për të parë nëse ishte diçka e realizueshme. Janë bërë gjashtë vjet tashmë.
A mendoni se keni zhvilluar stilin tuaj të veçantë në fotografinë e natyrës?
Michel: Unë shkrep shumë me ndjesi, pa e vrarë shumë mendjen se çfarë mund të funksionojë dhe çfarë jo. Nuk është se i krijoj setet e mia dhe i marr gjërat siç më dalin përpara. Rastisjes e kafshëve në natyrë më bëjnë të mundur t'i shkrep ndjesitë kur vihem ballë për ballë me një kafshë të egër.
Marc: Unë ende nuk është se shikoj ndonjë stil të përbashkët nëpër fotografitë e mia. Për secilën kafshë provoj stile të ndryshme figure, disa më dokumentare dhe disa më artistike, disa në bardhezi e disa me ngjyra, disa nga afër e disa në habitatin e tyre. Më intereson më shumë të fotografoj kurrizorët: gjitarët, shpendët, zvarranikët dhe amfibët. Duhet të kesh njohuri rreth tyre, habitateve të tyre dhe se ku t'i gjesh.
A jeni ende duke mësuar dhe a ka gabime që mund të keni bërë kur keni qenë në hapat e parë?
Marc: Po. Ka gabime që ende i bëj edhe sot. Për shembull, nëse ka ndonjë kafshë që dua ta fotografoj, nervozohem dhe përpiqem të afrohem edhe më. Kjo ndonjëherë bën që kafsha t'ia mbathë nga sytë këmbët dhe ta humbas foton.
Michel: Unë do të thosha pritjen për kafshët. Duhet të kesh shumë njohuri për kafshët e egra dhe shumë durim për t'i vrojtuar pa i shqetësuar. Por këtë e kam mësuar që në moshë të vogël. Jam tejet i duruar në të gjitha fushat, që d.m.th. se nuk acarohem lehtë dhe mund të jem gjithnjë optimist.
Cilat janë sfidat me të cilat përballen fotografët e rinj të natyrës që përpiqen të bëjnë emër për veten?
Michel: Fotografët e rinj kërkojnë të marrin me shpejtësi pëlqime pa mbarim në fotot e tyre në rrjetet sociale. Për mua kjo lloj gare duhet të marrë fund, pasi të kërkon gjithnjë e më shumë dhe në fund përfundon që në terren bën gjëra që e trazojnë kafshën.
Marc: Pjesa më e vështirë është të gjesh dikë që të të marrë me vete në terren. Unë pata fatin që prindërit i kisha vetë të interesuar për malet dhe kafshët, por kam shokë që nuk e kanë një fat të tillë. Nëse jeton në ndonjë qytet të madh si Barcelona, është më e vështirë të shohësh larmi të madhe kafshësh.
Cila do të ishte këshilla më e mirë që do t'u jepnit fotografëve amatorë që synojnë të ndjekin hapat tuaj?
Michel: Mësoni, lexoni dhe kuptojini kafshët përpara se t'i fotografoni. Kjo është shumë e rëndësishme. Kafshët dhe mjedisi duhet të jenë të qeta dhe pa u trazuar. Nëse kafsha frikësohet për të nxjerrë një foto, edhe fotoja nuk do të dalë gjë.
Marc: Fotografoni çfarë ju pëlqen dhe sipas mënyrës që ju pëlqen. Nëse doni të shkrepni në bardhezi, jepini. Nëse ju pëlqen të shkrepni me objektiv telefoto, jepini. Mos nxirrni ato lloj fotosh që mendoni se ashtu duhet, po nxirrni foto siç i dëshironi ju.
Shkruar nga Rachel Segal Hamilton
Produktet e lidhura
-
EOS 850D
Hidhni hapin e radhës në kontrollin krijues, duke shkrepur foto me detaje mahnitëse dhe filma befasues në 4K, me një DSLR peshëlehtë e me opsione lidhjeje, që ju frymëzon dhe jua shpërblen. -
EOS 5D Mark IV
Pavarësisht se çfarë po regjistroni, të jeni të sigurt për një cilësi imazhi pa kompromise dhe një rendiment të përgjithshëm profesional. -
EOS R
Kamerë me pasqyrë pa tela që hap mundësi të reja krijuese për fotografët dhe krijuesit e filmave. -
EOS 90D
Një DSLR me funksione të plota që ju shpie më pranë, ju mundëson të shkrepni më shpejt dhe të nxirrni foto mahnitëse 32,5-megapikselëshe. -
RF 600mm F11 IS STM
Një objektiv revolucionar supertelefoto që është kompakt e peshëlehtë, ideal për natyrën e egër, udhëtimet në natyrë apo fotografët që gjurmojnë trenat.