Restaurimi i kujtimeve të çmuara

Zbuloni projektin ReStory për riparimin e fotove të panumërta të dëmtuara në përmbytjet shkatërrimtare të vitit 2021 në Belgjikë.
Duar që mbajnë një foto të dëmtuar të një fëmije që fle.

Në korrik 2021, Belgjika u përball me një prej përmbytjeve më shkatërrimtare dhe të befasishme në histori, duke humbur shumë jetë njerëzish dhe mbi 220 000 shtëpi të dëmtuara ose të shkatërruara. Rajoni jugor i Belgjikës, Valonia, veçanërisht krahina e Lizhit, ishte mes më të goditurave dhe zona është ende duke rimarrë veten nga katastrofa.

Kur humbet gjithçka, ajo që të mbetet janë kujtimet, por të mbijetuarit humbën gjithashtu mijëra foto me vlerë të paçmuar emocionale për ata që u dëmtuan ose i mori me vete rrëkeja.

Përmes mbështetjes së një projekti të quajtur 'ReStory' – një nismë e përbashkët mes agjencisë së reklamave Happiness Brussels, retushuesish të shumtë digjitalë vullnetarë, laboratorit të restaurimeve Object Care, si dhe Canon Belgium – u organizua një mision për të restauruar sa më shumë foto të ishte e mundur për viktimat e përmbytjeve.

"Ne në Canon e kuptojmë fuqinë emotive të imazheve dhe të rrëfimeve që i shoqërojnë," - thotë Jacco Leurs, drejtues i përgjithshëm i Canon Benelux. "Ndaj dhe e mbështesim programin e fotorestaurimit ReStory, si dhe ndaj jemi prekur nga historitë që e shoqërojnë. Projekti është për këdo që është cenuar nga përmbytjet dhe që do të donte të restauronte fotot e dëmtuara. Në këtë mënyrë, këta njerëz mund të ruajnë të paprekura kujtimet e tyre dhe ne mund të ndihmojmë t'ua lehtësojmë sadopak brengën."

ReStory: Një projekt për restaurimin e fotove të dëmtuara nga përmbytjet

Një grua e ulur në një tryezë duke mbajtur një foto të dëmtuar nga uji.

Fotot na lejojnë të mbajmë një pjesë të çmuar të historisë në duar – njerëzit, vendet dhe kujtimet që kemi më për zemër.

Një foto e dëmtuar nga përmbytjet e një gruaje të re të ulur mes barit me një qen.

Kjo foto kishte rëndësi të veçantë për të zonjën - ishte shkrepur një vend të bukur atypari që ajo e vizitonte shpesh me të motrën.

Gjatë përmbytjes zërat dhe fytyrat e shumë individëve që ishin prekur së tepërmi nga fatkeqësia natyrore parakaluan mes reportazheve të ndryshme të lajmeve. Mattias Vermeire, drejtues kompanie në Happiness Brussels, i kujton reportazhet dhe se si ato ngjallën një reagim për t'u ardhur në ndihmë.

"Ishte një grua në televizor që kishte humbur gjithçka, por që kishte një fotoalbum me fotot e martesës dhe të pushimeve," - shpjegon ai. "Ajo tha, 'Televizorin mund ta zëvendësoj, gjithçka mund të zëvendësoj, por nuk mund t'i zëvendësoj dot këto kujtime,' - natyrisht, pa e ditur se cilat ishin mundësitë. Ne menduam: 'Mund t'i ndihmojmë këta njerëz'. Kështu ia nisëm duke parë nëse kishte shërbime ekzistuese me anë të të cilave mund t'i restauronim fotot."

Agjencia iu drejtua kompanisë "Object Care" të specializuar në restaurimin e objekteve përmes stabilizimit kimik, për riparimin e fotove të dëmtuara.

Kërkimi i kujtimeve për restaurim

Një grua duke qëndruar mes rrënojave duke mbajtur një fotoalbum që paraqet një foto të dëmtuar dasme.

Kjo grua e ka humbur burrin nëntë vjet përpara se ujërat e përmbytjes t'i zinin shtëpinë. Ajo mezi ç'priste të ruante kujtimet e kohëve të tyre së bashku, sidomos fotot e dasmës.

Një grua duke qëndruar përpara një muri, duke mbajtur një fotografi të njollosur bardhezi të një triçikli.

Mund të mendoni se fotot e dëmtuara nga uji janë përtej çdo shpëtimi, por ja që ato mund të pastrohen dhe restaurohen duke përdorur teknika digjitale.

Me planin e menduar, Happiness Brussels e promovoi projektin përmes grupeve në Facebook dhe organizatave jofitimprurëse në ndihmë të viktimave të përmbytjeve. Por, reagimi fillestar ishte i pakët. "Atëherë folëm me Canon Belgium, të cilët na dhanë pajisjet më të mira kinematografike që ka Canon dhe bëmë një dokumentar për këtë," - shpjegon Mattias. "Në vijim gjetëm njerëzit personalisht në terren.

"Qëndruam me ta për tri ditë dhe folëm me gjithkënd që kalonte atypari, duke i shpjeguar se çfarë po përpiqeshim të bënim. Disa na thanë: 'Mund të më ndihmoni, më kanë mbetur ende disa foto, ose njoh dikë që ka të tilla."

Kështu ekipi filloi me procesin e restaurimit, duke e dokumentuar projektin përmes intervistave të regjistruara që u përfshinë në një dokumentar të shkurtër dhe një fotoekspozitë gjatë aktivitetit Photo Days në Brussels Expo në tetor të 2021. Së shpejti gjithnjë e më shumë njerëz po na kontaktonin për restaurimin e fotove të tyre – dhe projekti vijoi edhe vitin pasardhës.

Procesi i restaurimit të fotove

Një foto e vijëzuar e dëmtuar nga uji e një gruaje që ha.

"Në fotot që kemi grumbulluar, nuk kishte vetëm ujë," - thotë Mattias. "Kishte rërë, dhe, madje edhe lëndë si vaj apo bojë. Kemi mbledhur deri dhe foto që ishin krejtësisht portokalli."

Një foto e retushuar e një gruaje që po ha.

Ndërsa ka disa kufizime në atë se çfarë mund të restaurohet, procesi gjithsesi është tejet efikas. Edhe imazhet më të të konsumuara mund të përmirësohen rrënjësisht.

Procesi i restaurimit i Object Care përfshin pastrimin manual të secilës foto. Një ekip retushuesish vullnetarë të agjencisë Happiness Brussels punon në vijim me perfeksionimin e imazheve.

"Ata nuk i druhen marrjes së një fotoje të dëmtuar duke e hedhur drejt e në ujë," - thotë Mattias. "Në fillim ne na ikte truri, por ata e dinin më së miri çfarë u duhet të bënin. Ata e fusnin në ujë për të larguar të gjitha elementet e ndryshme të pranishme duke e bërë foton sa më të pastër të ishte mundur. Në vijim e digjitalizonin, thjesht duke i bërë një foto me kamerat e Canon. Dhe aty e merrnim ne në dorë stafetën.

"Ne krijojmë fotografi reklamash, duke përdorur Photoshop dhe teknika të tjera për të përmirësuar ose kombinuar foto. Aty menduam: 'Këtë ekspertizë mund ta përdorim te fotot e dëmtuara, t'i pastrojmë dhe t'u heqim njollat e gjurmët'."

Retushuesit vullnetarë të kompanisë kanë shpenzuar tashmë rreth 1000 orë duke pastruar imazhet e dëmtuara nga përmbytjet për projektin ReStory dhe madje kanë kontaktuar dhe profesionistët të ndryshëm të lirë për të ofruar vullnetarisht kohën e tyre. Procesi i redaktimit ka dhe ai kufizimet e veta, por rezultatet dhe reagimi megjithëkëtë kanë qenë të kënaqshme.

"Ajo që nuk bëjmë dot është të rishpikim se si dukej dikush në një foto ku gjysma e fytyrës ka ikur për shkak të dëmit. Por mund të rikrijojmë qiejt dhe pemët dhe mund të heqim njollat mbi njerëzit nëpër foto," - thotë Mattias.

Fotot e korrigjuara në vijim janë printuar me Canon imagePROGRAF PRO-1000 për printime vibrante cilësie profesionale. "Jemi duke grumbulluar shumë foto për momentin, që të mund të ndihmojmë sa më shumë njerëz të mundemi. Ne jemi duke i organizuar vajtjet tona për të marrë foto nga njerëzit pasi, natyrisht, për shkak të vlerës emocionale që kanë këto foto, njerëzve nuk u pëlqen thjesht t'i fusin në një zarf për të na i dërguar me postë."

Aplikimet për restaurimin e fotove të dëmtuara nga përmbytjet mund të bëhen te www.restory.photo

Pesë këshilla për restaurimin e fotove të vjetra ose të dëmtuara

Duar që mbajnë një tufë fotosh të dëmtuara, me përsipër portretin e një fëmije.

"Shumë njerëz kanë vetëm dy apo tri foto për restaurim, çka do të thotë se do të kemi mundësi të ndihmojmë shumë njerëz," - thotë Mattias. "Ky është objektivi ynë. Ne nuk donim të ndihmonim vetëm tre apo katër vetëm me 100 apo 200 foto, por shumë të tillë me një numër më të vogël fotosh për person të cilat i çmojnë më shumë, foto që u risjellin kujtimet në jetë."

1. Mos u përpiqni t'i thani shpejt fotot tuaja

"Me foto që janë të dëmtuara nga uji, evitoni tharjen e menjëhershme duke i vënë në ndonjë sistem ngrohjeje, pasi kjo do t'i dëmtonte edhe më tej fotot," - këshillon Mattias. "Letra do të fillojë të bëhet më e fortë se më parë dhe do të nisë të plasaritet, çka përbën në fakt një ndryshim kimik, dhe do të jetë e pamundur të korrigjohet. Pas dëmtimit të fotos, më e mira që mund të bëni është ta lini në të njëjtat kushte."


2. Futeni në një qeskë të izoluar me avull

Për ata që synojnë t'ua dërgojnë fotot restauruesve profesionistë: "Nëse foton e keni pasur në ujë, më e mira që mund të bëni është ta fusni në një qeskë izolimi me pak avull ose pika për t'u siguruar që të mbetet në të njëjtat kushte," - thotë Mattias.


3. Për t'i restauruar vetë fotot tuaja, digjitalizojini përpara se t'i importoni në Photoshop ose Digital Photo Professional (DPP)

Skanoni ose nxirrni një foto cilësie të lartë të fotos që dëshironi të restauroni dhe pastaj punoni me variantin digjital në programin e redaktimit, si p.sh. Adobe Photoshop. Pasi të krijoni një kopje të imazhit tuaj, bëni prerjet dhe drejtimet e nevojshme.


4. Rregulloni zonat e dëmtuara dhe bëni korrigjimet e ngjyrave

Përdorimi i Spot Healing Brush në Adobe Photoshop mund të ndihmojë me heqjen e vijëzimeve, njollave dhe korrigjimin e grisjeve, rregullimin e zonave të mundshme të dëmtuara nga uji apo vjetrimi. Thjesht sigurohuni të krijoni një shtresë të re për ndryshimet që dëshironi të bëni që të mos redaktoni shtresën fillestare të sfondit. Mund dhe të përdorni funksionin Noise Reduction për uljen e zhurmës. Zbehja e ngjyrave është një tipar i përbashkët i fotove të vjetra, ndaj korrigjimi i ngjyrave është shpesh i këshilluar për arritjen e printimeve cilësore. Programi i procesimit dhe i redaktimit të fotove Canon DPP RAW ka dhe opsione për konfigurimin e imët të imazheve tuaja, duke përfshirë rregullimin e ngjyrave dhe mprehjen.


5. Përgatituni për printim

Ruajeni imazhin tuaj në një format të përshtatshëm skedari imazhi, si p.sh. JPEG, PNG ose TIFF përpara se të printoni në shtëpi. Nëse e mbështet kamera juaj, shkrepja në RAW këshillohet, pasi ju jep fleksibilitet maksimal në redaktim. Modeli kompakt por fleksibël A3+ Canon PIXMA PRO-200 është ideal për printim cilësor me ngjyra dhe monokrom. Nëse shpresoni t'i restauroni vetë imazhet, ky printer me valë ofron një sistem boje me bazë ngjyruesi me 8 ngjyra për riprodhim të jashtëzakonshëm dhe madhësi të personalizueshme printimi. Gama ekonomike PIXMA jep gjithashtu rezultate cilësore kur printoni foto në shtëpi. Canon Pro Platinum PT-101 është një letër me shkëlqim, peshërëndë për printime me lustër fotostudioje dhe rezistencë të shkëlqyer ndaj zbehjes.


Adobe dhe Photoshop janë marka të regjistruara tregtare ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.


Shkruar nga Lorna Dockerill

Produktet e lidhura

Artikuj të ngjashëm

Si të retushoni foto të veçanta

Përmirësoni fotografitë tuaja për raste të veçanta me këto këshilla të thjeshta për retushimin e fotove.

Retushimi i fotove RAW me DPP

Zbuloni si të retushoni, rafinoni e përmirësoni fotot tuaja RAW duke përdorur softuerin DPP nga Canon.

Këshilla të mira për paraqitjen e printimeve

Zbuloni si ta transformoni shtëpinë me printime të bukura fotosh familjare në stil galerie.

Realizoni fotografi më të mira për Krishtlindje se vitin e kaluar

Fotografja Lena Petrova tregon se si të përmirësoni fotografitë tuaja festive.