PORTRET

Të shohësh të padukshmen: fotografimi i komunitetit queer

Fotografi jo-binar Louis Painter shkrep portrete të fuqishme që bëjnë të njohur komunitete të ndryshme dhe shfaqin emocionet e subjektit
Një portret i shkrepur nga Louis Painter i një “drag queen”, me flokë të gjatë biondë, veshur me një fustan me lule dhe pallto gëzofi ngjyrë kafe, duke qëndruar përballë një ndërtese të zbukuruar.

Vetmia dhe nevoja e përkatësisë janë emocione që shumica e njerëzve i përjetojnë në një moment të jetës së tyre, të cilat mund të jenë të vështira për t'u përballur. Në ditët e sotme, përfaqësimi dhe vizibiliteti kanë më shumë rëndësi se kurrë dhe të shohësh veten në punën e dikujt tjetër mund të sjellë gëzim dhe një ndjesi lehtësimi që po të njohin për atë që je.

Fotografia mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxjerrjen në pah të diversitetit, dhe fotografi jo-binar, queer dhe autik Louis Painter, i cili përdor përemrat ata/atyre, kap portrete të cilat kanë një ndjesi humanizmi dhe cenueshmërie, duke ruajtur një cilësi të ngjashme me filmin. Në një kornizë të vetme, imazhet arrijnë të ndërthurin një identitet mbresëlënës me emocione të forta.

"Ekziston një lloj vetmie që personat queer priren të përjetojnë," shpjegon Luisi, i cili banon në Birmingham, Mbretëria e Bashkuar. "Fotografimi i personave queer do të thotë gjithçka për mua. Është e rëndësishme për mua që puna ime të reflektojë identitetin tim si queer. Në këtë projekt dëshiroj të jem më tepër vetvetja rreth njerëzve që identifikohen si queer dhe miqve të mi - diçka që mund ta kuptojnë edhe personat e tjerë queer."

Pra, çfarë e nxit Luisin dhe ku e ka çuar atë udhëtimi i fotografimit të personave queer?

Kombinimi i arteve të bukura me fotografinë

Një person duke parë nga një dritare, me flokë me ngjyrë të ndezur të cilat përshtaten me ngjyrën e gjelbër të kornizës së dritares.

"Më pëlqen ekspozimi i dyfishtë nga dritaret, ndërsa nuancat e ndryshme të ngjyrës së gjelbër që përshtaten me pjesët e kuqe, e bënë fotografinë të gjallë për mua," thotë Luisi, duke përdorur pothuajse në mënyrë të pandërgjegjshme teorinë e ngjyrave në punën e tij. "Pas inkuadrimit, prioriteti im janë ngjyrat." Shkrepur në Canon EOS RP me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 50mm f/1.2L USM në 1/200 sek, f/2.5 dhe ISO 320. © Louis Painter

Një figurë me një fustan të gjatë në buzë të një kodre shkëmbore, me fytyrë nga fusha dhe uji në distancë.

Luisi donte që kjo fotografi, e shkrepur në Peak District, të dukej si pjesë e shkëputur nga një film. "Bëra disa korrigjime bazë të objektivit dhe rregullova ekspozimin dhe ndriçimin në Adobe Photoshop Lightroom1." Shkrepur në Canon EOS RP me Canon Mount Adapter EF-EOS R dhe objektiv Canon EF 24mm f/2.8 IS USM në 1/200 sek, f/2.8 dhe ISO 320. © Louis Painter

Dikur Luisi ka qenë piktor, por vendosi të studiojë fotografi në universitet pasi u frymëzua nga një mik dhe tani poston rregullisht fotografi origjinale kinematografike në TikTok dhe platforma të tjera të rrjeteve sociale, duke mbledhur mijëra shikime.

"Më pëlqente shumë ana teknike e fotografisë, si për shembull shpejtësia e obturatorit dhe gjatësitë e ndryshme fokale," thotë Luisi. "Me kalimin e kohës, mësova më shumë edhe rreth historisë. U fiksova me të dhe shikoja video në YouTube gjatë gjithë ditës."

Duke e ditur se stili i fotografisë që realizonte ishte i veçantë, gjatë semestrit të parë të vitit të tretë të studimeve, Luisit i lindi ideja e projektit të fotografimit të personave queer. "Fotografët e paktë që bënin pjesë në këtë kategori nuk përfshinin emocione në të, ndaj mendova të ndërthur pjesën time emocionale me një estetikë kinematografike, dhe fillova të postoj në TikTok ku mora shumë dashuri nga persona të tjerë queer," tregon Luisi.

Luisi shprehet se personat që e ndjekin në rrjetet sociale shpesh përdorin fjalët "kinematografike, queer, tregimtare dhe fantazi" për të përshkruar punën që bën dhe që vetë është frymëzuar nga fotografë, fotografitë e të cilëve kanë gjithashtu një ndjesi dramatike. Duke iu referuar Sarah Bahbah dhe Gregory Crewdson si influencues, Luisi thotë se fotografitë e tyre tregojnë histori të cilat fjalët nuk arrijnë t'i tregojnë.

Gjetja dhe drejtimi i modelëve

Një personazh qëndron i veshur si një kalorës me parzmore metalike, duke parë drejt kamerës, me sfond jashtë fokusit.

Luisi e gjeti këtë model përmes një njoftimi të bërë në TikTok. "Modelit i pëlqente të luante me kostume të ndryshme dhe unë gjithmonë kam dashur të bëj një sesion fotografik me një kalorës," shpjegon Luisi. "Doja të tregoja personat queer që përfshihen me detyrim në kategorinë cishet (cisgjinor dhe heteroseksual) dhe sesi kjo mund të na bëjë të ndihemi të izoluar." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 100mm f/2.8L Macro IS USM në 1/200 sek, f/2.8 dhe ISO 500. © Louis Painter

Një figurë e veshur si një princeshë, e mbështetur pas një muri duke parë me keqardhje një panair të rilindjes.

Luisi e shkrepi këtë foto në një panair të rilindjes dhe, në mënyrë të ngjashme me fotografinë e kalorësit, donte të portretizonte një skenar si në përrallë. Fotografitë e Luisit janë lënë të hapura për interpretim, duke dashur që shikuesit të vënë veten e tyre në këto skena. Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 100mm f/2.8L Macro IS USM në 1/320 sek, f/2,8 dhe ISO 1600. © Louis Painter

Në fillim të projektit, Luisi u kërkoi miqve të tij të pozonin për të, por pas një njoftimi në internet, u kontaktua nga shumë persona queer. "Kam menduar të mos punësoj modelë profesionistë," thotë Luisi. "Më pëlqen ideja e të punuarit me njerëz të vërtetë që shfaqin emocione autentike."

Kur bëhet fjalë për drejtimin e modelëve, Luisi preferon të shohë sesi do të shkojë sesioni fotografik. "Jam natyrë shumë impulsive kur bëhet fjalë për fotografinë. Bëj një lloj planifikimi, por nëse shoh një vend të bukur, i cili nuk është pjesë e planit, them 'dua të shkoj atje'. Mendoj se arti i fotografisë kërkon të jesh spontan dhe i hapur ndaj opsioneve."

Luisi u jep modelëve një udhëzim dhe më pas i lejon ata ta interpretojnë atë sipas dëshirës. "U kërkoj të mendojnë për fëmijërinë e tyre ose një moment shënjues në jetët e tyre," shpjegon Luisi. "Sapo mbërrijnë në atë gjendje, unë mund të fokusohem te kompozimi dhe ngjyrat. Do të thosha se është 40% drejtimi im dhe 60% në dorë të personit që fotografoj. Dua që modelët e mi të ndihen rehat, pasi vetëm atëherë mund të jenë vërtet vetvetja dhe të shfaqin ndjenjat e tyre të brendshme."

Përgatitja

Muzikanti trans Jay Page shihet në pasqyrë, me duart pas kokës, në një fotografi të bërë nga Louis Painter.

Ky imazh i muzikantit Jay Page është një nga portretet e para të realizuara nga Luisi për projektin në fjalë. "Jay ka dalë hapur si trans prej disa muajsh dhe ideja ishte të shfaqte disforinë gjinore," shpjegon Luisi. "I kërkova të shihej në pasqyrë dhe të mendonte se si identifikohej, dhe kjo nxori në pah disa emocione të vërteta." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 50mm f/1.2L USM në 1/200 sek, f/2.8 dhe ISO 800. © Louis Painter

Luisi shpesh fotografon në kushte që ndryshojnë, nga rrugicat dhe tendat me ndriçim të dobët deri te fushat e hapura, ndaj për të marrë maksimumin e sesioneve fotografike, i duhet të lëvizë shpejt. Luisi filloi të fotografojë me një aparat fotografik Canon EOS 6D Mark II të huazuar nga universiteti dhe një grup objektivash Canon të serisë L dhe më pas kaloi në aparatin Canon EOS RP pa kornizë dhe pasqyrë, të ndërthurur me Canon Mount Adapter EF-EOS R, në mënyrë që të vazhdonte të përdorte objektivat me montim EF.

Aparati kompakt EOS RP nënkupton që Luisi mund të fotografojë në lëvizje, ndërkohë që fusha e zgjeruar e fokusit automatik AF fokusohet menjëherë te subjekti dhe realizon portrete të qarta. "Ka pasur momente që kam qenë me fat gjatë fotografimit pasi kamera ka qenë në fokus që në shkrepjen e parë," shprehet Luisi.

Luisi thotë se një ekran me prekje është gjithashtu thelbësor. "Nuk më pëlqen të shoh përmes inkuadruesit; preferoj të shoh drejt te modeli për të krijuar një lidhje me të," shpjegon Luisi. "Dua që të më shohin mua dhe jo kamerën, dhe EOS RP më lejon ta bëj këtë. Thjesht mund të prek ekranin dhe nuk më duhet të shqetësohem për humbjen e emocionit në shkrepje."

Gjatë sesioneve fotografike në ambiente të jashtme me erë, Luisi ka mësuar rëndësinë e stabilizimit të imazhit dhe shpesh përdor objektivin Canon EF 24mm f/2.8 IS USM për të realizuar fotografi të qarta. Shkrepja e fotografive me një objektiv me kënd të gjerë e lejon Luisin të përfshijë më shumë sfond në një fotografi dhe të tregojë se sa komod ndihet subjekti në mjedisin e tij. "Më pëlqen të jem në gjendje të kap ndjesinë e vetmisë që krijon ambienti përreth," shton Luisi.

Luisi përdor gjithashtu objektivin Canon EF 50mm f/1.2L USM – me gjatësinë fokale të preferuar – i cili mund të kapë detaje të qarta edhe në kushte të errëta.

Objektiva RF ekuivalente do të ishin RF 24mm F1.8 MACRO IS STM dhe RF 50mm F1.2L USM.

Çfarë rezervon e ardhmja

Një person me flokë të shkurtër të lyer dhe me një piercing në hundë duke parë drejt kamerës.

Kjo fotografi nga sesioni i dytë fotografik i Luisit është shkrepur në kanalet në Gay Village, Manchester. "Këtë fotografi doja ta inkuadroja si shkrepjen e fundit nga një film ku personazhi është rrahur dhe sheh drejt kamerës për të thyer murin e katërt", shpjegon Luisi. "Mora hua objektivin 50mm nga universiteti dhe më ka pëlqyer shumë, sepse me të vërtetë nxirrte në pah ngjyrat, edhe në dritë të ulët." Shkrepur në Canon EOS 6D Mark II me objektiv Canon EF 50mm f/1.2L USM në 1/125 sek, f/2 dhe ISO 6400. © Louis Painter

Luisi ka ambicie të mëdha që të vazhdojë të fotografojë komunitetin queer, të zgjerojë rrjetet e tij dhe të zbulojë më shumë histori dhe përvoja unike. "Që prej diplomimit kam dashur të eksploroj emocione të tilla si gëzimi i personave queer," thotë Luisi. "Gjithashtu dua të fotografoj seksualitete dhe gjini të ndryshme - dua të fotografoj persona queer me ngjyrë, persona AMAB (persona të caktuar meshkuj në lindje) dhe shumë të tjerë. Ky është hapi i radhës."

Ai shpreson që një ditë të shohë fotografitë e printuara, ndoshta në formën e një libri në tavolina kafenesh. "Do të ishte një mënyrë e mirë për të mbyllur projektin," thotë Luisi. "Deri atëherë, kam rrugë të gjatë për të bërë, por po realizoj më shumë fotografi dhe po punoj çdo ditë drejt këtij qëllimi."

Duke shfaqur fuqinë e fotografisë, portretet e Luisit u tregojnë njerëzve që nuk janë vetëm dhe sesi një fotografi e vetme mund të përcjellë një sërë emocionesh që mund të jenë të vështira për t'u shprehur me fjalë.


Shkruar nga Nikita Achanta

  1. Adobe, Photoshop dhe Lightroom janë ose marka tregtare të regjistruara ose marka tregtare të Adobe në SHBA dhe/ose shtete të tjera.

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Si të nxirrni tonalitete perfekte të lëkurës në portretet tuaja

    Zotëroni artin e ndërlikuar të nxjerrjes së ngjyrave natyrale të lëkurës me profesionisten e modës, Jade Keshia Gordon.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Objektivi ideal për portrete

    Çfarë duhet të merrni parasysh kur zgjidhni një objektiv për fotografi portretesh.

  • FOTOGRAFI PORTRETI

    Këshilla për fotografinë e portreteve

    Përmirësoni fotografinë tuaj të portreteve me këto këshilla dhe teknika kryesore.

  • FOTOGRAFI RRUGE

    Portrete për printime

    Fotografi dhe anëtar i TikTok, Kym Moseley, ndan këshillat e tij për kapjen dhe shpërndarjen e fotove mahnitëse të njerëzve të rastit.