Dyshja e fotografëve, Cat dhe Michael, të cilët drejtojnë CatsDog Photography, punojnë së bashku për të prodhuar imazhe të paharrueshme të qenve, maceve, lepujve dhe kafshëve të tjera. Cat-a është prapa objektivit, ndërsa Michael-i vepron si orientues kafshësh dhe ata punojnë së bashku për të planifikuar fotografimet dhe kompozimet.
Fotografia mund të ketë një ndikim në rezultatin e adoptimit të kafshëve shtëpiake, veçanërisht për kafshët që janë më pak fotozhenike ose që nuk dalin mirë në fotografi. Për këtë fotografim, Cat dhe Michael u drejtuan në qendrën e ristrehimit në RSPCA në Preston, Angli, për të shkrepur portrete tërheqëse në një përpjekje për të ndihmuar disa kafshë të gjejnë shtëpitë e tyre të reja.
Gjatë fotografimit ne i kërkuam Cat-ës të ndajë këshillat e saj se si të shkrepni me të vërtetë thelbin e një kafshe shtëpiake, nga përdorimi i kompletit dhe cilësimeve të duhura të kamerës, deri te pozimi i kafshëve trazovaçe.
Këshilla kryesore për fotografinë e adhurueshme të kafshëve shtëpiake
1. Kushtojini kohë të mjaftueshme
Fotografimi i çdo kafshe mund të jetë i paparashikueshëm, pasi shpesh bëhet sipas tekave të tyre, por kështu ndodh sidomos kur punoni me kafshët e shpëtuara. Cat-a beson se është e rëndësishme që kafsha të mësohet me praninë tuaj. Kjo kohë familjarizimi ju jep gjithashtu një shans për të kuptuar se si të shkrepni.
Për të filluar, mund t'i fotografoni ndërsa flenë. Kjo do t'ju japë mundësinë të provoni kënde të ndryshme dhe t'i rregulloni cilësimet pa pasur nevojë të shqetësoheni për të mbajtur vëmendjen e tyre. Nëse kamera juaj ka shkrehës ose modalitet të heshtur, është mirë ta aktivizoni.
Pasi të jeni gati, provoni të luani me kafshën ose ta tundoni me ushqime për t'i ruajtur interesin ndërsa bëni foto. Por sigurohuni që të keni kaluar kohë të mjaftueshme për të rregulluar cilësimet e kamerës. "Sheh njerëz që përdorin zhurma, ose ndonjë lodër fishkëllyese, para se të kenë rregulluar ndriçimin apo kompozimin. Kafsha nuk do të gënjehet shumë herë nga ky marifet," - thotë Michael.
Por durimi është çelësi këtu. Kafsha mund të duket hiperaktive pasi thjesht është në ankth. Ka dhe rrezik që kafsha të stresohet nëse vazhdoni ta urdhëroni të ulet apo të qëndrojë pa lëvizur për orë me radhë, duke e bërë që të kërkojë të largohet nga ambienti. “Në fund, qenit i vjen në majë të hundës”, - thotë Cat-a. “Ne mësuam nga përvoja jonë se kjo nuk është formë e mirë. Edhe nëse ju duhet ta humbisni shkrepjen ideale për të kaluar në diçka tjetër, thjesht kaloni në diçka tjetër dhe kafsha do të duket më e qetë. Kapja e personalitetit të tyre bëhet duke e bërë kafshën të ndihet rehat."
Është gjithashtu e rëndësishme të jeni të vetëdijshëm për ndryshimet midis qenve, maceve dhe llojeve të tjera të kafshëve shtëpiake. Çdo kafshë është unike, ndaj dhe duhet të përshtatni stilin tuaj të shkrepjes me to. “Në përgjithësi, shkrepja e qenve do të shkojë më mirë nëse qeni mendon se po i merr ai vendimet, por kjo është edhe më ekstreme me macet”, - thotë Michael-i. "Lini një kuti poshtë dhe macja futet brenda, por nëse e fusni macen në kuti ajo do të dalë menjëherë jashtë.
“Kur bëhet fjalë për lepujt, ata as nuk ju dëgjojnë, kështu që duhet t'ua gjeni vetë anën. Për shembull, mund t'i fotografoni duke i mbajtur mbi supin e një personi. Për ne që fotografojmë në një qendër shpëtimi, kjo tregon gjithashtu një ndjesi të mirë lidhjeje për dikë që mund të kërkojë të adoptojë."
2. Kompleti më i mirë për fotografimin e kafshëve shtëpiake
Cat-a dhe Michael-i mendojnë se thelbi qëndron te pasja e shumë opsioneve. Cat-a mban gjithmonë objektivat Canon EF 70-200mm f/2.8L IS II USM dhe Canon EF 16-35mm f/2.8L II USM në çantën e saj për t'u siguruar që të shkrepë një sërë pozash. Por ajo thekson gjithashtu rëndësinë e përdorimit të objektivave të ndryshëm. "Kam aq shumë objektiva sa nuk i marr gjithmonë të njëjtat me vete në fotografime të caktuara," - thotë ajo. "Nëse përdorni gjithmonë një objektiv - të themi p.sh. 135mm - atëherë do të merrni vetëm një stil të caktuar."
Për këtë vizitë në strehimoren e kafshëve, Cat-a përdori Canon EOS R6. Duke përdorur më parë një EOS 5D Mark III, ajo kishte tashmë shumë objektiva EF të cilat i përdorte në EOS R6 nëpërmjet Canon Mount Adapter EF-EOS R. "Nuk e vura re fare përdorimin e adaptorit, çka tregon se sa shtruar punon," - thotë ajo. “Gjithashtu më pëlqeu shumë ekrani me prekje i EOS R6 sepse është shumë intuitiv dhe ju lejon të ndryshoni cilësimet shpejt, gjë që është e dobishme në momentin kur fotografoni kafshë, si p.sh. të mund të prekni shpejt ekranin për t'u fokusuar.”
Një ekran i nyjëtuar është gjithashtu i dobishëm kur fotografoni nga kënde të vështira dhe ekrani me prekje dhe rrotullim EOS R6 mund të rrotullohet deri në 270° për t'ju lejuar të shkrepni në mënyrë krijuese. Për më tepër, vetëfokusimi i tij mbresëlënës mund të dallojë sytë e një kafshe dhe t'i ndjekë nëpër kuadër.
3. Cilësimet më të mira të kamerës për fotografimin e kafshëve shtëpiake
Cilësimet që duhet të përdorni për fotografimin e kafshëve shtëpiake varen nga pamja që po përpiqeni të arrini. "Mendoj se jemi shumë më të ndryshëm se shumë fotografë të kafshëve shtëpiake," - shpjegon Michael-i. “Shumë njerëzve u pëlqen të përdorin objektiva të gjatë dhe pamje me aperturë të gjerë, çka krijon një stil ëndërrimtar. Kjo është e mrekullueshme, por ne gjithashtu na pëlqen të sjellim sa më shumë detaje që të jetë e mundur”.
Cat-a pajtohet: "Për mua, ajo që e bën një fotografi të veçantë është kur merr një ndjesi të vërtetë të hapësirës dhe të mjedisit të kafshës," - thotë ajo.
Nëse po kërkoni të krijoni poza aksioni të një kafshe që lëviz dhe punoni pa siklet në modalitetin Manual (M), provoni cilësime me të paktën 1/1000 sek shpejtësi shkrehësi, aperturë mesatare, si f/5.6 ose f/8, dhe një ISO prej rreth 400-800 në varësi të kushteve të ndriçimit. Megjithatë, për portretet e kafshëve, një shpejtësi tipike shkrehësi prej 1/200 sek është më e përshtatshme, zakonisht me një aperturë më të gjerë prej f/2.8 ose f/1.8 dhe ISO më të ulët nëse e lejon ndriçimi.
Nëse sapo po filloni, ose sapo po mësoheni me kamerën tuaj, modaliteti Shutter priority (Tv), ku zgjidhni shpejtësinë e shkrehësit dhe kamera zgjedh aperturën, është ideal për pamjet aksion, ndërsa modaliteti Aperture priority (Av), ku vendosni aperturën dhe kamera zgjedh shpejtësinë e shkrehësit, funksionon mirë për portrete më statike.
Në fund të fundit, ia vlen të eksperimentoni me kombinime të ndryshme cilësimesh për të marrë pamjen që dëshironi. Mund t'ju ndihmojë nëse përdorni p.sh. një lodër ndihmëse nëse nuk keni kafshë shtëpiake të durueshme për t'u ushtruar.
Është gjithashtu e rëndësishme të punoni me sfondin që keni dhe nëse nuk mund të arrini në një vend veçanërisht të bukur, përdorimi i objektivave të gjatë për të hequr sfondin jashtë fokusit mund të funksionojë mirë.
4. Shkrepja e pozave natyrale të kafshëve shtëpiake
Në qendrën e shpëtimit, Cat-a dhe Michael-i zgjodhën të mos i fotografonin kafshët në kafazet e veta. “Synimi është ta shmangni fotografimin e tyre ‘pas hekurave’”, - thotë Michael-i. "Duke zgjedhur një histori të veçantë të një kafshe, mund t'i bëni njerëzit të lidhen pas këtij rasti shpëtimi dhe me gjasë të kenë interes për të gjitha kafshët e strehimores."
Zgjedhja e një këndi që nxjerr në pah tiparet tërheqëse të karakterit është gjithashtu një ide e mirë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për kafshët e shpëtuara, pasi mund t'i ndihmojë të gjejnë një shtëpi të përhershme. “Vendosini të qëndrojnë në një kënd të lehtë dhe lërini të shikojnë mbi supe nëse mundeni”, - vazhdon Michael-i.
Poza në të cilën dëshironi të kapni kafshën do të varet tërësisht nga madhësia e saj. "Nëse jeni duke punuar me një qen të vogël, për shembull, mund të përpiqeni t'i vendosni sipër diçkaje," - thotë ajo. "Nëse është një qen me të vërtetë aktiv që nuk e zë vendi, mund të nxirrni disa poza aksioni, por unë zakonisht fotografoj qen si të lidhur." Këshillohet që qentë të fotografohen të zgjidhur vetëm nëse mund t'u binden komandave dhe të qëndrojnë në vend.
Afrimi i planeve mund të krijojë gjithashtu imazhe mahnitëse. Cat-a inkurajon shkrepjet nga poshtë në dysheme, në mënyrë që të jeni në nivelin e syve për të mos frikësuar kafshën. Nëse mundeni, përpiquni t'i vini sytë e tyre në fokus, pasi kjo do t'u shtojë emocionet fotove tuaja. Eye AF në Canon EOS R6 është fantastik për këtë.
Përndryshe, nëse po synoni pozë dinamike, shkrepni nga një kënd i lartë mbi kafshën. Kjo nuk rekomandohet gjithmonë për kafshët e shpëtuara që mund të jenë disi nervoze për t'u fotografuar nga lart, por është ideale për kafshët tuaja shtëpiake, nëse ato janë të sigurta nga natyra.
“Pasi të keni krijuar një farë raporti, nëse mbani një ushqim pranë objektivit, ose nëse vini dikë të lëvizë një top atypari, mund të përkuleni mbi to dhe t'i fotografoni duke ju parë juve. Kjo mund të krijojë një pamje vërtet tërheqëse”, - thotë Cat-a.
Nëse nuk keni ndihmës apo nëse këndi është veçanërisht kompleks, provoni të shkrepni nga distanca, por mos e sforconi kurrë shkrepjen nëse ndjeni se subjekti juaj po shqetësohet ose acarohet. "Nëse kafsha sikletoset apo stresohet së tepërmi, mos vazhdoni më tej," - shtjellon Cat-a. “Edhe nëse ju duhet ta humbisni pozën për të kaluar në diçka tjetër, thjesht kaloni në diçka tjetër. Kafsha duhet të ndihet e qetë që të nxjerrë në pah personalitetin e vet."
5. Fotografimi i kafshëve të zeza
Kafshët me gëzof të errët mund të bëjnë që kamera ta nënekspozojë pamjen dhe studimet tregojnë madje se kafshët e zeza, sidomos macet, kanë më pak gjasë të adoptohen pasi - mes të tjerash - nuk duken mirë në foto. Është shumë më e lehtë të fotografosh kafshë me ngjyra të çelëta. Michael-i vëren se edhe nëse ndriçimi nuk është i duhuri në një kafshë të ndonjë ngjyre tjetër, këto dalin gjithsesi mirë në fotografi në krahasim me kafshët me gëzof të errët. Por mos u dëshpëroni. "Nëse keni dritën e duhur në subjektin e rastit, pamja do të jetë fantastike," - inkurajon ai.
Cat-a shton: "Jini më të vetëdijshëm se ku është burimi juaj i dritës. Nëse është një burim i fortë drite, vendoseni kafshën me fytyrën drejt tij që të keni më pak kontrast."
Për më tepër, është e rëndësishme të merrni parasysh sfondin. "Ato kanë më shumë gjasa të njësohen me foton nëse sfondi është shumë i errët," - thotë Michael-i. "Përdorimi i një reflektori për të ngritur ndriçimin nën mjekrën e tyre mund të jetë gjithashtu një mënyrë e shkëlqyer për të krijuar definicion." Nëse nuk keni reflektor, mos u shqetësoni. Mund ta rikrijoni këtë me lehtësi në shtëpi duke e bërë vetë me karton dhe fletë alumini – si dhe aksesorë të tjerë.
Këshillat e Cat-ës për fotografimin e kafshëve shtëpiake dhe të kafshëve të shpëtuara mund të ndihmojnë në kapjen e personalitetit të tyre. “Synimi është që njerëzit ta shikojnë kafshën dhe të lidhen me të, pavarësisht nëse duan një portret që t'u kujtojë kafshën e tyre shtëpiake për vitet në vijim, apo sepse e shohin kafshën dhe mendojnë, 'Ky qen është pjesë e familjes sonë për ta bërë shtëpinë të ndihet e plotë”, - thotë ajo.
Koha e Cat-ës dhe e Michael-it në strehimore me kafshët i ka ndihmuar këto të gjejnë familjet e tyre perfekte. Qeni Dachshund, Eva, tani është birësuar ndërsa qeni i kufirit, Zeus, po pret të takojë pronarët e vet të mundshëm. Përpara se të vinte në strehimore, Zeusi ishte pjesë e një familjeje me shumë kafshë ku kishte shenja egërsie. Ai ka qenë në tufa të ndryshme, gjë që nuk është ideale për qentë e kufirit, por shpresojmë se do të gjejë një shtëpi ku mund të bëjë shëtitje dhe të marrë përvoja të pasura.
Herën tjetër që dëshironi të shkrepni lëvizjet e bukura të kafshës suaj, eksperimentoni me këto këshilla. Ose pse të mos ia ktheni komunitetit tuaj duke u bërë vullnetarë në strehimoren pranë jush dhe duke fotografuar kafshët për të rritur shanset e tyre për adoptim? Ndani fotot tuaja me #LiveForTheStory, duke i etiketuar me @canonemea.
Shkruar nga Astrid Pitman
Produktet e lidhura
-
EOS R6
Çfarëdo që shkrepni, sido që ta shkrepni, "EOS R6" ju mundëson të jeni krijues në mënyra që nuk i mendonit kurrë të mundshme. -
RF 24-70mm F2.8L IS USM
Jepini fotografisë suaj kuadërplotë e pa pasqyra një dorë profesionale me zmadhuesin 24-70 mm që vjen me aperturë të shpejtë dhe 5 nivele stabilizimi figure. -
RF 50mm F1.2L USM
Një lente prime 50mm f/1,2 për qartësi të shkëlqyer, si dhe rendiment mbresëlënës në kushte me ndriçim të dobët.