"Arsyeja pse nisa të shkoj në këto aventura është sepse doja ta shtyja veten më tej", - thotë Anna. "Doja të provoja kufijtë e mi, të gjeja skajet e rehatisë sime. Por thjesht u argëtova shumë, ishte vërtet një gëzim i tillë." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 50mm F1.8 STM në 1/200 sek, f/22 dhe ISO100. © Anna Blackwell
Qoftë ecja nëpër majat shkëmbore, lundrimi në liqen apo noti në natyrë, aktivitetet sportive në natyrë ofrojnë mundësi të gjera për fotografët me zemër të guximshme.
Një krijuese e tillë është dhe Anna Blackwell, një aventuriere, krijuese imazhi, shkrimtare dhe spikere nga Mbretëria e Bashkuar, e cila mbështetet tek shtyrja e kufijve të vetvetes - në fakt, ajo ka kthyer këtë në karrierë, duke shkrepur foto dhe video për markat kryesore sportive në natyrë, mes të cilave dhe Lowe Alpine, dhe Peak UK. Rrugëtimet e saj mahnitëse përfshijnë ecjen për 1,000 milje e vetme nëpër Francë dhe Spanjë përgjatë shtigjeve të lashta të pelegrinazhit, 4,000km me lundër në 11 vende dhe pesë kryeqytete, dhe ngjitje në malin Toubkal, maja më e lartë në Afrikën e Veriut.
"Gjatë njërës prej aventurave të mia të hershme, fillova të bëj foto dhe të shkruaj një blog - kryesisht në mënyrë që miqtë dhe familja ime të mund të shihnin se si po shkonte udhëtimi im në distanca të gjata," - shpjegon Anna, kur e pyetën se si e ktheu hobin në profesion. "Vazhdova ta bëj këtë për disa vite, duke ndarë aventurat e mia në internet përmes pamjeve dhe fjalëve, dhe kjo fitoi audiencë. Së shpejti nisa të flas për aventurat e mia në aktivitete, festivale dhe për kompani dhe shkolla. Më pas fillova t'u afrohesha markave për të punuar me to në udhëtimet e mia të ardhshme dhe pak nga pak arrita të nxjerr të ardhura të mjaftueshme nga fotografia, shkrimi, filmografia e aventurës në natyrë, referatet dhe rrjetet sociale saqë u kthye në punë me kohë të plotë."
Udhëtimi më i fundit i Anna-s me ecje malore dhe kamping e çoi atë vetë, partnerin e saj, Sam, dhe qenin Bilbo, në peizazhin shkëmbor të Dartmoor-it verior në Angli me një Canon EOS R6 dhe dy objektiva – Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM dhe Canon RF 50mm F1.8 STM – për shoqëri. Ajo tregon pse i pëlqen të largohet nga çdo gjë tjetër, këshillat e saj më të mira për ecje në natyrë dhe zbulon se si t'i sillni aventurat tuaja të preferuara në shtëpi përmes fotografisë spektakolare.