Monokromi: përtej bardhezisë

Fotografi i arteve të bukura, Chris Ward, shpjegon se si shikimi i ngjyrave ndryshe e ndihmon të krijojë foto që fokusohen në detajet më të imta.
A black and white image of trees forming a canopy over a path, sunlight dappling the ground.

Perceptimi i ngjyrave është i lidhur intensivisht me emocionet. Ka dhe teori psikologjike se si ndikojnë ngjyrat e ndryshme tek ne. Kjo ndryshon mes kulturave të ndryshme, por shpesh mendohet se e gjelbra ose e kaltra janë qetësuese, ndërsa e kuqja ose portokallia stimulojnë dhe, me sa duket, madje na bëjnë të ndihemi të uritur! Këto ide ndikojnë tek ato që zgjedhim të veshim, si t'i dekorojmë shtëpitë dhe, kur bëhet fjalë për fotografinë, fotot që bëjmë.

Por jo të gjithë i perceptojnë ngjyrat në të njëjtën mënyrë. Fotografi i arteve të bukura me qëndrim në Mbretërinë e Bashkuar, Chris Ward, ka lindur me një problem në shikim që quhet deuteranopi, që do të thotë se ka vështirësi të shohë nuancat e së gjelbrës. Ai ka kuptuar se shikimi i tij është shumë më i përshtatur me njohjen e detajeve të imta, kontrastit delikat dhe relievit të larmishëm sesa ai i njerëzve të tjerë – çka dhe i shërben si specialist të imazheve njëngjyrëshe.

Kuptimi i monokromit

Një imazh monokrom i një peme të vetmuar në një fushë, drita e tokës dhe e qiellit në kontrast të plotë me konturin e errët të gardhit dhe degët e pemës.

Fotografi i arteve të bukura, Chris Ward, i kthehet shpesh së njëjtës skenë – si p.sh. kësaj peme, në jug të Lincoln, Angli – për të kapur impaktin që mund të kenë mbi foton kushtet në qiell dhe bimët e mbjellja në fushë. "Këtu, kishte një qiell pa re, me mjegull dhe kashtë nga një korrje e fundit," - thotë ai. Chris-i e mbiekspozoi qiellin dhe fushën për të marrë një kompozim më të pastër. "Hapësira negative ndihmon në izolimin e pemës dhe gardhi jep një vijë të fortë horizonti për të ndarë qiellin dhe fushën." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4L IS USM në 105mm, 1/330 sek, f/11 dhe ISO100. © Chris Ward

Shpeshherë i përdorur gabimisht si i të njëjtit kuptim me bardhezinë, monokromi përcakton një pamje ku gjithçka në kuadër shfaqet në nuanca të së njëjtës ngjyrë. Kjo mund të jetë çfarëdo ngjyre, por më e zakonshme është grija apo sepia. "Ajo që ne mendojmë si bardhezi është zakonisht gradacion grije", - shpjegon Chris, pasi ajo përfshin një gamë të tërë thellësish ngjyrash brenda grisë. Ka disa skena që i përshtaten veçanërisht monokromit – pikërisht ato nga të cilat syri i Chris-it tërhiqet natyrshëm. Ato mund të kenë relieve ose hije që prodhojnë një gamë interesante tonesh - dritë e zbehtë në një pyll, motive të vrazhda që shfaqen në shkëmbinj ose uji i valëzuar i një lumi.

Por edhe pozat e veçuara, pothuajse grafike mund të funksionojnë po aq mirë. "Unë mendoj se në të vërtetë monokromi është më pak i kufizuar se me ngjyra, sepse është abstrakte paraprakisht ndaj mund ta çosh imazhin edhe më tej pa e bërë të duket i çuditshëm," - thotë Chris-i. "Nëse do ta mbiekspozoja një imazh me ngjyra, do të dukej llahtari." Në monokrom sakaq, mbiekspozimi mund të krijojë një stil të mrekullueshëm dhe minimalist.

Një fotoseancë në monokrom

Një imazh bardhezi dhe nga afër i një karuseli përkundër një qielli të çelët dhe pa forma.

"Qielli pa forma në Bridlington në këtë ditë ishte i përsosur për të shkrepur mes karuselit pa u shqetësuar nga retë," - kujton Chris-i. "Karuseli nuk po lëvizte, kështu që mund t'ia dilja dhe me një shpejtësi mjaft të ulët të shkrehësit. Më tërhoqën majat e karuselit përkundër qiellit. Rritja e kontrastit te Picture Styles ndihmoi të veçohej karuseli nga qielli në sfond." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 54mm, 1/50 sek, f/22 dhe ISO300. © Chris Ward

Një imazh me ngjyrim sepia i një radhe magazinash buzë një lumi, me dritaret e tyre të shumta që pasqyrohen në ujin e qetë.

Këto magazina buzë lumit në Boston të Anglisë janë shndërruar në apartamente. Pamja e tyre nostalgjike dhe industriale i bën të përshtatshme për fotografinë monokrom. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 50mm, 1/60 sek, f/11 dhe ISO100. © Chris Ward

Chris-i punoi me Canon EOS R6, së bashku me një objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM, për të ofruar fleksibilitet maksimal gjatë inkuadrimit të fotove të tij. Zgjedhja e objektivit për fotografinë njëngjyrëshe është pothuajse e njëjtë me atë me ngjyra, ajo që ndryshon është mënyra se si e kompozoni fotografinë. “Në vend që të përdorni ngjyrën për të drejtuar syrin e shikuesit, do të përdorni ndriçimin dhe kontrastin. Në menynë Picture Styles, mund të zgjidhni një stil të quajtur "monochrome" dhe brenda tij do të gjeni një meny tjetër ku mund të rregulloni gjithçka, nga mprehtësia deri te kontrasti", - këshillon Chris-i. "Mund të shtoni gjithashtu një filtër brenda kamerës që ndryshon mënyrën se si reagon kamera ndaj ngjyrave të ndryshme, ndaj dhe bën që çdo gjë e kuqe, e gjelbër, e kaltër, e verdhë apo portokalli të duket më e errët." Vetë Chris-i priret të përdorë filtrin e kuq për mënyrën se si errëson qiejt dhe gjethet në peizazhe, duke hequr shpërqendrimet e padëshiruara.

Nëse përdorni një trup Canon EOS R System me pbjektiv EF ose EF-S, Drop-In Filter Mount Adapter EF-EOS R ju mundëson gjithashtu të përdorni densitetin neutral (ND) ose filtra polarizues për të sjellë peizazhet tuaja në jetë.

Imazhet që shkrepni në Canon EOS R6 duke përdorur "Picture Styles" do të ruhen si skedarë të ngjeshur JPEG. Megjithatë, nëse shkrepni në RAW, skedarët do të ruajnë gamën e plotë të të dhënave të kapura nga kamera. “Avantazhi i punës me skedarë RAW është se më jep më shumë informacion gjatë redaktimit”, - thotë Chris-i.

Nga dita në ditë, Chris fotografon shpesh me ngjyra. "Kam folur me fotografë të ndryshëm dhe duket se ata që nuk janë daltonikë e kanë më të lehtë të shkrepin në monokrom nëse e caktojnë ekranin e kamerës në monokrom, ndërsa daltonikëve u pëlqen të shkrepin fillimisht me ngjyra," - vëren ai.

Redaktimi i fotografisë njëngjyrëshe

Një varg pendësh dalin mbi ujë në një vijë diagonale, të errët përkundër një sfondi të çelët në këtë imazh monokrom.

"Ishte një ditë mjaft e mjegullt në Bridlington dhe ishte afër baticës, ndaj pendët ishin kryesisht të zhytura në ujë," - kujton Chris-i duke bërë këtë shkrepje minimaliste me Picture Styles të Canon EOS R6. "Shpejtësia e shkrehësit ishte kritike, sepse doja që të ishte mjaft e ngadaltë për të turbulluar valët e mundshme të mëdha, por edhe mjaftueshëm e shpejtë për të dhënë përshtypjen e ujit në reflektime, pa filtër ND. Unë po synoja për një rezultat minimalist, ndaj mund t'i shtoja ekspozim detit dhe thjesht të nxirrja siç duhet pendët. Në realitet, druri është shumë i errët, ndaj kjo më dha ca më shumë mbiekspozim duke nxjerrë në pah dhe më shumë detaje. Gjithsesi përfundova që e çova aperturën deri në fund. Kjo është ndoshta e vetmja pozë që kam shkrepur ndonjëherë në f/40." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 94mm, 0.6 sek, f/40 dhe ISO100. © Chris Ward

"Një këshillë e mirë që më dhanë që herët në lidhje me redaktimin në bardhezi ishte që ta çoja gjithmonë sa më në ekstrem si fillim," - thotë Chris-i. "Kur lëvizni niveluesin në programin e pasproduksionit, do të keni një interval ku imazhi duket mirë. Nëse shkoni përtej tij, duket keq; shkoni para tij dhe nuk është i mjaftueshëm," - vijon ai. "Por nëse filloni nga pjesa e tejkaluar dhe e sillni për mbrapa, atëherë rezultati përfundimtar është pothuajse më i miri që mund të nxirrni."

Çuditërisht, ngjyra mund të jetë një mjet vërtet i rëndësishëm në redaktimin e pikturës njëngjyrëshe. "Kur konvertoni në bardhezi në programin tuaj të redaktimit, ai do t'ju japë akses në niveluesit e kanaleve me ngjyra," - shpjegon ai. "Për shkak se ngjyra mund të jetë një mjet për të krijuar kontrast, kur jeni duke redaktuar, mund ta kuptoni se ku po e luan ngjyra këtë rol dhe në vend të kësaj të krijoni kontrast tonal."

Zakonisht ka gjashtë nivelues me ngjyra, në varësi të softuerit tuaj, dhe secili ndikon në ndriçimin e një kanali me ngjyrë të ndryshme. Në një pamje peizazhi, për shembull, mund të ndryshoni tonin e qiellit duke rregulluar niveluesit blu dhe të kaltër, dhe tonin e gjelbërimit me niveluesit e verdhë dhe të gjelbër. Niveluesi i kuq mund të jetë i dobishëm nëse ka ndërtesa me tulla, ndërsa ai portokalli mund të ndihmojë në përmirësimin e nuancave të lëkurës në portrete.

"Skenari më i vështirë për të punuar janë ndoshta shkëmbinjtë pranë barit," - shpjegon Chris-i. "Kur e konvertoni këtë në monokrom, mund të shfaqet si një përzierje me tonin e mesëm ku asgjë nuk dallon nga njëra-tjetra. Nëse hapni programin e redaktimit dhe ndryshoni ndriçimin e kanalit të gjelbër dhe të verdhë, shkëmbi mbetet i njëjtë, por bari bëhet më i ndritshëm. Me lulet mund të përdorni kanalet për t'i ndarë tonet në pjesë të ndryshme të bimës."

Këshilla për printimin monokrom

Një imazh me ngjyra të plota i një ure të bardhë të ndriçuar në mes gjethesh të errëta të pemëve.

Në Hartsholme Country Park në Lincoln ndodhet një shtëpi madhështore e shkatërruar në vitet 1950 dhe një vend ku Chris-i shkon shpesh. Kjo skenë paraqiste disa sfida. "Ka një diapazon të madh dinamike midis ndriçimit në pemë dhe dritës që godet urën e ndritshme," - thotë Chris-i. “Unë gjithmonë ekspozoj për urën dhe i lë pemët të mbeten në hije, me pemët më afër lumit që janë të ndriçuara më mirë. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 70mm, 1/40 sek, f/11 dhe ISO320. © Chris Ward

Një imazh monokrom i së njëjtës urë të ndriçuar në mes gjethesh të errëta të pemëve me një nuancë vjollcë brenda kamerës.

Chris-i e konvertoi imazhin në monokrom duke përdorur Picture Styles brenda kamere të EOS R6 dhe më pas shtoi një nuancë vjollcë, e cila është një nga opsionet. “Janë të gjitha tone të së njëjtës ngjyrë, ndaj mbetet ende monokrom”, - shpjegon ai. Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 70mm, 1/40 sek, f/11 dhe ISO320. © Chris Ward

Në rastet kur Chris-i ka shkrepur një imazh thjesht bardhezi, ai e cakton printerin në "greyscale", por më shpesh printon me ngjyra.

"Unë prirem të vendos nuanca delikate në imazhet e mia në pasproduksion dhe më pas zakonisht i printoj me ngjyra," - thotë ai. “E rris nivelin e ekspozimit me rreth gjysmë grade. Thjesht sepse kur i shikon gjërat në ekran, duken gjithmonë më të shndritshme sesa kur dalin të printuara."

Chris-it i pëlqen të përdorë një efekt tonaliteti të ndarë, duke vendosur një ngjyrë të ndryshme në pjesët e ndriçuara dhe te hijet. “Pjesët e ndriçuara tentoj t’i bëj pak më të ngrohta dhe hijet më të ftohta. Kjo me të vërtetë ndihmon në përmirësimin e pamjes."

Një printer kompakt A3 si Canon imagePROGRAF PRO-300 do të ishte ideal për të ofruar printime monokrome me cilësi të lartë.

Kamera në gatishmëri

Një imazh me ngjyra të plota i një tufe trëndafilash rozë të pozicionuar në një sfond letre të zezë.

Që kur nisi karrierën e tij, Chris-i ka shkrepur qindra foto me lule. "Shumicën e të cilave askush përveç meje nuk i sheh," - pranon ai, pasi janë në thelb shkrepje ushtrimore. Kjo është shkrepur me dritë natyrale, në ambiente të mbyllura, në një sfond letre të zezë dhe, ca e pazakontë për mua, duke përdorur stativ, i cili mundësoi përdorimin e një aperture më të vogël." Shkrepur në Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 57mm, 30 sek, f/25 dhe ISO100. © Chris Ward

Një imazh monokrom i së njëjtës tufë trëndafilash me kanalet e ngjyrës së kuqe të rregulluara dhe një nuancë të kuqe të zbehtë përsipër, sa duken sikur janë në vjollcë shumë të zbehtë.

"Rregullimet e mundshme në kanalet e ngjyrave ndikojnë fillimisht imazhin, përpara se të shndërrohet në bardhezi," - shpjegon Chris-i. "Pra, nëse kanali i ngjyrës së kuqe reduktohet, kur imazhi shndërrohet në bardhezi, të kuqet do të dalin si nivel më i errët i grisë. Unë kam vënë dhe një nuancë të kuqe të zbehtë në këtë imazh për të kapur tonet dhe relievet delikate të trëndafilave dhe për të bërë gjithçka të duket e natyrshme." Shkrepur në a Canon EOS R6 me objektiv Canon RF 24-105mm F4-7.1 IS STM në 57mm, 30 sek, f/25 dhe ISO100. © Chris Ward

Pra, nëse ideja e eksperimentimit me fotografinë njëngjyrëshe ju tërheq, cili do t ishte vendi më i mirë për të filluar? "Praktikoni me lulet," - sugjeron Chris-i. “Ka shumë relieve delikate dhe ngjyra të ndryshme me të cilat mund të luani. Nëse ia dilni t'i bëni lulet të duken të natyrshme në monokrom - kur shumë shpesh, është pikërisht ngjyra ajo që e përcakton lulen - atëherë mund dhe të vini në zbatim ato që keni mësuar mbi gjithçka tjetër.

Shumë nga fotografitë më emblematike të historisë janë bardhezi – peizazhe dramatike nga Ansel Adams, portretet e dhembshura nga Dorothea Lange apo skenat dinamike të rrugëve nga Henri Cartier-Bresson. Këta krijues imazhesh nuk ishin daltonikë, ata punonin me mjetet që kishin në dorë përpara se të përhapej fotografia me ngjyra, por ata e shihnin botën ndryshe, duke çmuar motivet, detajet, nuancat e grisë.

Sot, opsionet monokrome në kamerën digjitale ju mundësojnë të bëni të njëjtën gjë - ta shikoni mjedisin nga një këndvështrim ndryshe dhe ta interpretoni atë që shihni në mënyra të reja.



Shkruar nga Rachel Segal Hamilton

Produktet e lidhura

Artikujt e lidhur

Natyra në bardhezi

Krijoni foto mahnitëse të natyrës në bardhezi me PowerShot G7 X Mark III.

Këshilla të fotografisë bardhezi

Nga dasmat dhe peizazhet deri te sportet dhe portretet, mësoni se si të shkrepni imazhe mahnitëse në bardhezi.

Shkrepja me ekspozim të gjatë në bardhezi

Mësoni se Stephen McNally shkrep fotografi mistike me ekspozim të gjatë në bardhezi.

Këshilla për fotografinë e familjes

Zbuloni se si përfaqësuesja e nderit e Canon, Helen Bartlett, gjeti pasionin e saj për fotografinë familjare.