Një rojtar i Afrikës së Jugut kundër gjuetisë pa leje vëzhgon një sektor kafshësh për lëvizje pas errësirës. "Unë jam ende duke mësuar se si të orientohem në situata të ndryshme. Gjithmonë pyesni veten”, - këshillon Gulshan. Shkrepur në Canon EOS 5D Mark III (pasuar tani nga Canon EOS 5D Mark IV) me objektiv Canon EF 35mm f/1.4L USM (pasuar tani nga Canon EF 35mm f/1.4L II USM) në 1/80 sek, f/1.4 dhe ISO3200. © Gulshan Khan
Duar kapen fort pas kalit të karuselit ngjyrë karamele, fytyra shkëlqen nga emocioni, hixhabi i fryrë si pelerina e një superheroi. Nuk është imazhi tipik që shihni të një vajze të re myslimane – dhe pikërisht për këtë është një nga fotografitë e preferuara të përfaqësueses së nderit të Canon, Gulshan Khan. “Myslimanët, veçanërisht gratë dhe vajzat, nuk përshkruhen gjithmonë si qeniet e larmishme njerëzore që jemi në të vërtetë. Unë përdor 'ne' sepse ky është komuniteti im", - shpjegon fotoreporterja afrikanojugore. “Ne shohim kaq shumë vuajtje dhe ‘tjetërsi’ në imazhet nga kontinenti afrikan. Dhe ja kjo vajzë kaq plot gëzim, e fotografuar me dinjitet”.
Shembulli i Gulshan-it na kujton se kamera është e fuqishme. Fotografitë që krijoni mund të përjetësojnë mënyra njëdimensionale për të parë botën ose mund të zbulojnë diçka më shumë. Kjo është veçanërisht e vërtetë kur bëhet fjalë për fotografimin e kulturave ose të komuniteteve që nuk janë tuajat, pavarësisht nëse janë në lagjen aty pari ose diku ku keni udhëtuar me mijëra milje për të arritur. Për Gulshan-in, kjo është pjesë e punës. Si një fotoreportere e pavarur me botime nga National Geographic, The New York Times dhe The Guardian, dhe një ish-freelancer e Agence France Presse (AFP), Gulshan bën rregullisht fotografi të njerëzve dhe vendeve në vendin e saj dhe më gjerë. Këtu, ajo shpjegon se si mund të krijoni fotografi kulturore goditëse, por të ndjeshme.