FOTOGRAFI PEIZAZHI
Shkrepja e stinëve
Nxirrni në pah atmosferën unike të çdo stine me këto këshilla nga Benjamin Hegyi.
Fotografia e vjeshtës
Natyra krijon skena fantastike në vjeshtë, të cilat nuk arrihen gjatë stinëve të tjera. Reshjet e shpeshta e forcojnë nuancat dhe flladet e erës krijojnë një rrjedhë ritmike, ndërsa mjegulla dhe vesa krijojnë kanavaca të forta bardhë e gri për t'i kontrastuar me penela ngjyrash nga gjethet e shndërruara të vjeshtës.
"Vjeshta është stina që i stimulon më shumë shqisat. Të bën të përsiatësh për jetën," - thotë fotografi i natyrës dhe i peizazheve me banim në Holandë, Theo Bosboom. "Por teksa është një stinë tërheqëse, është shumë e vështirë të krijosh diçka që nuk është vërejtur më parë." Në serinë e tij "Autumn Leaves (Gjethet e vjeshtës)", Theo dëshironte të gjente një mënyrë të re se si të theksonte çastet më të bukura të stinës.
Theo është kontribues i rregullt për "National Geographic" dhe revistën "BBC Wildlife", dhe ka fituar dy herë çmimin e fotografit evropian të vitit për natyrën e egër. Pas kthimit në luginën e Hegnës në Belgjikë vit pas viti, ai mendoi se kishte shkrepur tanimë gjithçka mund të ofronin pyjet.
"Është shumë piktoreske dhe thjesht magjike në vjeshtë, por pas disa vitesh e kuptova se isha duke e fotografuar nga të gjitha këndet," - thotë ai. "Nisa të mendoj, 'Kaq ishte?' Pastaj disa gjethe ranë në një përrua dhe i shihja tek i bartte uji tej, duke u rrokullisur nëpër ujëvarat e vogla dhe duke ngecur pas degëve dhe gurëve. Aty më erdhi dhe ideja që t'i fotografoja gjethet nga brenda ujit, në një mënyrë p.sh. se si peshqit e shohin vjeshtën."
Ndërsa ideja për "The Journey of the Autumn Leaves (Udhëtimi për gjethet e vjeshtës)" mund të jetë dukur diçka e thjeshtë, realizimi i saj do të ishte shumë larg të thjeshtës. "Në atë pikë fotografia ishte thjesht një pasion për mua," shpjegon ai, por shtiu në dorë një çantë ujëduruese "Canon WP-DC28" për modelin e vet kompakt "Canon PowerShot G10". Duke u ndërruar me çizme gome dhe mushama, ai u fut në përroin e ftohtë, e mbajti kamerën në çantën ujëduruese nën ujë dhe e ngriti me objektiv për nga qielli.
"Nuk e shikoja dhe mirë se çfarë po bëja, por çdo herë që kalonte ndonjë gjethe, unë shtypja butonin dhe shpresoja për më të mirën," - vijon ai. "Shumica e fotove s'kishin dalë mirë dhe kisha shkrepur plot autoportrete pa dashje, por njëra nga pozat shumë e bukur binte në sy [shihni më poshtë]. Ajo më bëri të kuptoj se ky mund të ishte një projekt më vete dhe atëherë ishte që vendosa të investoj në veshje nënujore për aparatin tim "Canon EOS 5D Mark III" [tani i zëvendësuar me Canon EOS 5D Mark IV]."
Gjatë vjeshtave që pasuan, Theo kaloi menjëherë nga amator në profesionist, duke e lënë me kalimin e kohës punën e tij të parë si avokat në 2013. Ai zhvilloi teknikat e vete të shkrepjes nënujore, duke preferuar të përdorte ndriçim neutral ku të ishte e mundur, gjë që, në kontrast me shprehitë e fotografisë së peizazheve, do të thoshte se çasti më i mirë i shkrepjes ishte mesdita.
"Kur dielli ishte në pikun e vet, lumenjtë merrnin sasinë maksimale të dritës, kështu që rrallë m'u desh të përdorja blicin, përveç nëse ujërat ishin shumë të turbullta ose nëse kërkoja të ndriçoja ndonjë kënd interesant," - thotë ai. "Më duhej ta përforcoja ISO për të shkrepur pamje të forta në lumë, pasi më duhej dritë e mëtejshme nën ujë. Fatmirësisht rritja e ISO te 'Canon EOS 5D Mark III' nuk ndikoi për keq në cilësi."
Pa pasur mundësinë t'i shihte kompozimet në kohë reale, Theo-s iu desh të mbështetej në prova të vazhdueshme, por e dinte se kishte disa gjëra që mund të bënte për të përmirësuar shanset. "Më pëlqen të shkrep gjithnjë me modalitet "Aperture Priority (Përparësi aperture)", pasi kam besim te fakti që kamera do të kapë shpejtësinë e duhur të shkrehësit për mua. Gjë që më lë të loz me thellësinë e fushës, që është e rëndësishme në fotografinë e peizazheve dhe atëherë kur do të nxjerrësh shumë detaje," - thotë ai.
"Nën ujë nuk më duhej ndonjë thellësi e madhe fushe, kështu që mund ta mbaja aperturën të hapur deri në fund për të marrë më shumë dritë. Vetëfokusimi i kamerës ishte vërtet i qëndrueshëm dhe një nevojë absolute, dhe mësova t'i afrohem sa më shumë të ishte e mundur subjektit, sidomos kur uji nuk ishte i qartë. Mësova gjithashtu se një objektiv këndgjerë sjell rezultatet më të forta."
Për ata që nuk janë të sigurt nëse ia vlen të kridhen në këto ujëra, keni shumë potencial mbi ujëra për të shuar etjen tuaj vjeshtanake. "Njerëzit shpesh kërkojnë për ato peizazhet epike, dhe shpenzojnë tërë kohën duke pritur për ndriçimin 'e duhur', por mua më pëlqen të përqendrohem në detaje, që janë po aq e në mos më shumë interesante," - thotë ai. Gjethet e rëna, lendet, frutat e ndezura të pyllit dhe kërpudhat janë të gjitha subjekte ideale vjeshtore, që varen më pak nga ndriçimi i duhur apo moti. "Thjesht shikoni përtokë dhe shumë shpejt do të gjeni shumë gjëra interesante – me detajet opsionet i keni pa kufij."
Fjala "detaje" mund të sjellë në mendje idenë e makrofotografisë - dhe shumë kamera kompakte kanë aftësi shumë të mira makroje – por Theo e ka fjalën që thjesht fokusimi në ndonjë aspekt të skenës përpara jush, në vend të të gjithë pamjes. "Më pëlqen të përdor objektivin "Canon EF 70-200mm f/2.8L USM" për t'u fokusuar në diçka, p.sh. pjesë të ndonjë peme, dhe thjesht e zmadhoj a zvogëloj pamjen për të veçuar atë që më bën punë," - thotë ai. "Të njëjtën gjë mund ta bëni me një kamerë kompakte – thjesht punon çfarë kamere ke."
Puna me atë që ke duket se vlen dhe në rastin e motivi, pasi Theo është shumë përtej fotografit të ditëve të kthjellëta. Ai pohon se nuk "mot të keq" në fotografinë e natyrës, vetëm rroba të këqija (ose mangësi në mbrojtjen e kamerës – pasi jo të gjitha kamerat janë njësoj ujëduruese, ndaj dhe mund të jetë mirë të investohet në një veshje të përshtatshme apo qafore objektivi). Ai thotë: "Është ide e mirë të shikoni parashikimin e motit dhe të planifikoni që herët, por cilido lloj moti ka ato shanset e veta – thjesht duhet të mendoni jashtë kornizave të zakonshme. Pas shiut, ngjyrat janë më të forta. Moti me erë mund të pengojë ekspozimet e gjata kur ju duhet të shkrepni poza të qarta të gjetheve apo të gjërave të tjera në lëvizje, por këtë mund ta shfrytëzoni në të mirën tuaj sakaq dhe të realizoni pamje më impresioniste të këtyre subjekteve në lëvizje. Kushtet me mjegull krijojnë një atmosferë fantastike. Dhe pastaj janë dhe ato mëngjeset e bukura me mjegull dhe vesë e dritën e larme të diellit. Jam shumë i paduruar sa të rri të pres për 'dritën e duhur' ndaj dhe nëse drita nuk më bën punë për një gjë, filloj të kërkoj gjë tjetër për të fotografuar."
Sado që është adhurues i vjeshtës, Theo thotë se krijimtaria shfaqet së tepërmi dhe gjatë periudhave kalimtare të stinëve. "Fotografoni gjëra si p.sh. lulet verore në fund të ciklit të tyre tek ngrenë kokë përmes gjetheve të rënë, ose mbani një vesh nga parashikimet e motit për dëborën e parë, pasi kur kjo bie mbi ngjyrat e vjeshtës, krijon një kombinim të fuqishëm të stinëve," - thotë ai.
Projekti "Autumn Leaves" i Theo-s është publikuar gjerësisht dhe madje ka fituar dhe një çmim si fotograf premtues në kategorinë "Creative Visions (Vizione krijuese)" në konkursin e fotografit të vitit për natyrën e egër të 2013, për njërën prej fotove. Por ashtu si me shumë fotografë që kërkojnë vëmendje në rrjetet sociale si gjethet mbi tokën e pyjeve, ai thotë se gjetja e një perspektive të re është mënyra për t'u dalluar nga të tjerët. "Mund të udhëtosh në vende nga më të paarritshmet dhe të nxjerrësh foto të mrekullueshme, por shumica e redaktorëve nuk u kushtojnë fare rëndësi, përveç nëse janë vërtet të veçanta në ndonjë mënyrë," - thotë ai. "Vërtet mendoni: 'Çfarë mund të bëj që të pasuroj më tej atë që ekziston tashmë?'"
Shkruar nga Natalie Denton
"Get Inspired" është burimi juaj kryesor i këshillave të dobishme të fotografisë, udhëzuesve të blerësit dhe intervistave inteligjente - gjithçka që ju nevojitet për të gjetur kamerën më të mirë ose printerin më të mirë dhe të krijoni ide të ardhshme krijuese.
Kthehu tek të gjithë artikujtFOTOGRAFI PEIZAZHI
Nxirrni në pah atmosferën unike të çdo stine me këto këshilla nga Benjamin Hegyi.
MAKROFOTOGRAFIA
Fotografi i natyrës së egër, Ian Wade, ndan kryekëshillat e tij për shkrepjen në makro.
KËSHILLA E TEKNIKA
Zbuloni si ta rregulloni sasinë e ndriçimit në imazhet tuaja, për t'u dhënë fotove një pamje të re.