TEKNOLOGJIA

DSLR apo pa pasqyrë: cila është më e mirë?

Me një gamë më të gjerë se kurrë të kamerave pa pasqyrë që ofrohen, a është koha për të kaluar tek to? Ne krahasojmë dallimet mes modeleve DSLR dhe pa pasqyrë për t'ju ndihmuar të vendosni.
Një pamje mbi supin e fotografit e ekranit LCD të një Canon EOS R10, që tregon dy valltarë flamenkoje duke u filmuar.

Me EOS R System që përfshin opsionet APS-C dhe kuadërplotë, tani ka një përzgjedhje të gjerë të kamerave pa pasqyrë që ofrojnë avantazhe të reja për profesionistët dhe amatorët. Por nëse dëshironi të kaloni nga një kamerë më e vjetër apo të ngriheni nga një kamerë kompakte në një me objektiv të ndërrueshëm, cila është më e mirë, kamera pa pasqyrë apo një DSLR tradicionale?

Këtu, për t'ju ndihmuar të bëni një zgjedhje, ne shikojmë dallimet midis kamerave DSLR dhe atyre pa pasqyrë, me njohuri eksperte nga specialisti i lartë i produkteve në Canon Europe, Mike Burnhill.

Një ilustrim i prerë i një kamere Canon EOS 80D që tregon mekanizmin e pasqyrës.

Termi DSLR nënkupton një kamerë refleksi me një lente digjitale. Pjesa refleksive i referohet pasqyrës që reflekton dritën në grupin e inkuadruesit. Pasqyra duhet të largohet nga rruga që drita të arrijë sensorin pas saj, dhe kjo kërkon një mekanizëm relativisht të rëndë, i cili shton madhësinë dhe peshën e kamerës dhe gjithashtu paraqet komplikime inxhinierike optike.

Një Canon EOS R7 vendosur në një gur. Nuk ka objektiv të montuar, kështu që sensori është i dukshëm nga brenda.

Në një kamerë pa pasqyrë si Canon EOS R7, nuk ka asnjë mekanizëm pasqyre, por një vijë të drejtpërdrejtë shikimi përmes objektivit te sensori. Ajo që shihni në inkuadruesin elektronik (EVF) është një projeksion i figurës së sensorit – që do të thotë se, ndryshe nga inkuadruesi optik në një DSLR, ai mund të shikojë paraprakisht efektin e cilësimeve tuaja të shkrepjes. Siç thotë Mike Burnhill i Canon Europe, "EVF në kamerat pa pasqyrë ju jep mundësinë për të parë ekspozimin e imazhit edhe para se ta keni nxjerrë."

DSLR apo pa pasqyrë: madhësia dhe pesha e trupit

"Një nga pikat kryesore në lidhje me modelet DSLR është se kanë një pasqyrë ose pentaprizëm për të drejtuar dritën tek inkuadruesi," - shpjegon Mike, - "por kjo duhet të ketë hapësirë ​​për t'u palosur duke liruar rrugën për ekspozimin e sensorit. Eliminimi i kësaj ndihmon në uljen e madhësisë dhe të peshës së kamerës, veçanërisht kur krahasoni EOS R7 dhe EOS R10 me modele të ngjashme DSLR si Canon EOS 7D Mark II ose EOS 90D."

Krijuesja e përmbajtjes së stilit të jetesës, Diana Millos, përdori EOS R10 për të fotografuar kulturën dhe arkitekturën e Andaluzisë. Ajo komenton: "EOS R10 pothuajse duket si një lodër kur vjen nga një kamerë që është shumë më e rëndë, si p.sh. EOS 80D që përdor unë. Më pëlqen që është i vogël dhe i lehtë, por gjithsesi po aq i fuqishëm”.

Duart e një burri mbajnë një kamerë Canon me fytyrë poshtë.

DSLR-të si Canon EOS 7D Mark II japin imazhe me cilësi të lartë, por në një trup më të madh për të akomoduar mekanizmin e pasqyrës.

Një grua me një fustan të verdhë dhe kapelë dielli mban një kamerë në njërin sy.

Kamerat pa pasqyrë si Canon EOS R10 ofrojnë cilësi ekuivalente dhe funksione të fuqishme në një dizajn më portativ dhe më të lehtë.

Mbërthyeset e objektivave: a është më mirë pa pasqyrë se DSLR?

Mbërthyesja EF e përdorur në kamerat DSLR të Canon u prezantua në vitin 1987, kështu që është një sistem më së miri i pranishëm. Ka qindra objektiva të përputhshëm në dispozicion, me një objektiv EF për të mbuluar pothuajse çdo gjatësi fokale dhe një gamë objektivash EF-S më kompaktë dhe shpesh më ekonomikë për kamerat DSLR EOS me sensorë APS-C.

Megjithatë, mbërthyesja RF e përdorur në kamerat EOS R System ka sjellë shumë risi. "Mbërthyesja RF është projektuar me një sy në të ardhmen," - shpjegon Mike, - "p.sh. duke përmirësuar shpejtësinë e komunikimit midis kamerës dhe objektivit dhe duke shtuar kontakte të mëtejshme për të mbështetur më shumë funksione." Këto përfshijnë performancën shumë më të shpejtë të vetëfokusimit, Digital Lens Optimisation në kohë reale dhe kontrolle të përmirësuara si unaza e personalizueshme e kontrollit në objektivat RF.

Në vend që t'i vijnë vazhdimisht rrotull pasqyrës së refleksit të DSLR midis mbërthyeses dhe sensorit, projektuesit e objektivave mund t'i sjellin objektivat RF më pranë sensorit, duke rritur performancën optike. Kjo ka rezultuar në objektiva më të shpejtë dhe më të shndritshëm, me cilësi të jashtëzakonshme, si dhe objektiva novatorë si l RF 5.2mm F2.8L DUAL FISHEYE, i cili kap imazhe 180° VR në kamerat e përputhshme kuadërplota.

Një ilustrim i mbërthyeses RF në një aparat fotografik Canon EOS R3.

Në zemër të Canon EOS R System pa pasqyrë është mbërthyesja novatore RF, me grykë të gjerë, distancë më të shkurtër fokusimi mbrapa dhe komunikim super të shpejtë midis objektivit dhe trupit.

Objektivat dhe pajtueshmëria: a mund të përdorni objektivat e DSLR në kamerat pa pasqyrë?

Nëse keni tashmë objektiva EF ose EF-S, është e lehtë t'i përdorni me kamerat e EOS R System pa pasqyrë, pa humbje të cilësisë ose të funksioneve, falë një zgjedhjeje të adaptorëve të montimit EF-EOS R. Kjo ju jep gjithashtu hapësirën për të kombinuar objektiva specifikë nga të dy formatet (veçanërisht nëse keni një objektiv të preferuar ose të specializuar që nuk disponohet ende në variant mbërthyeseje RF) duke përfituar më të mirën e të dy botëve. Ka dhe një adaptor montimi me një unazë kontrolli objektivi dhe një me filtra ND ose polarizues, duke i shtuar më shumë fleksibilitet objektivave tuaj EF sesa do të arrinit me të njëjtit objektive në një DSLR.

Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se nuk është e mundur të përdoren objektivat RF me një kamerë DSLR. Pra, nëse një objektiv i veçantë RF ju tërheq, atëherë do t'ju duhet të zgjidhni një kamerë pa pasqyrë EOS R System.

Tre objektiva zmadhues qëndrojnë pranë njëri-tjetrit në vegël palestre.

Prezantimi i kamerave të APS-C EOS R System duke përfshirë modele si EOS R7 dhe EOS R10 e bën EOS R System pa pasqyrë më ekonomik se kurrë për më shumë fotografë. "Sjellja e mbërthyeses RF te një grup i ri klientësh u jep atyre akses në një gjeneratë krejtësisht të re objektivësh që po zhvillojmë posaçërisht për këtë mbërthyese - objektiva që nuk ishin të mundshëm me DSLR," - thotë Mike. Falë faktorit të prerjes së sensorëve APS-C, objektivat kuadërplotë si ata të paraqitur këtu ofrojnë rreze 1.6x më të gjatë në kamerat APS-C.

Inkuadruesi optik apo elektronik: cili është më i mirë?

DSLR-të kanë inkuadrues optikë, të cilët disa fotografë preferojnë t'i përdorin sepse ju japin një lidhje të drejtpërdrejtë me skenën. Në të kaluarën, inkuadruesit elektronikë (EVF) të përdorur në kamerat pa pasqyrë kanë pasur mangësi të tilla si vonesa, por ato po përmirësohen gjithnjë e më shumë - kamerat e fundit të EOS R System kanë EVF me shpejtësi të lartë rifreskimi deri në 120fps, çka do të thotë praktikisht se nuk ka vonesa të ndjeshme - dhe ato kanë gjithashtu avantazhet e tyre.

Në veçanti, nëse përdorni një kamerë të EOS R System, Exposure Simulation bën të mundur shikimin paraprak të imazhit me ekspozimin, Picture Style dhe cilësimet e tjera të zbatuara, si në inkuadrues, ashtu edhe në ekranin e pasmë LCD. Te DSLR, Exposure Simulation funksionon kur përdorni ekranin e pasmë në modalitetin Live View, por jo në inkuadrues. Me EVF, mund gjithashtu të kompozoni fotografinë dhe të përqendroheni në kushte me dritë të ulët shumë errët për të parë me sy të lirë përmes një inkuadruesi optik. Kur jeni duke filmuar video, EVF në kamerat e EOS R System ofron të njëjtin ekran ndihmës për fokusim manual si kamerat profesionale Cinema EOS të Canon.

Fotografja e faunës së egër, Dani Connor, që përdori EOS R7 në një udhëtim në kërkim të rrëqebullit të rrezikuar iberik, zbuloi se puna me një inkuadrues elektronik e transformoi plotësisht fotografinë e saj.

"Me një inkuadrues DSLR, shpesh është më e lehtë të bësh një foto provë dhe të kontrollosh imazhin në ekranin e pasmë përpara se të vendosësh se cilat cilësime të ndryshosh," - thotë ajo. "Por me një kamerë pa pasqyrë, është kaq e dobishme të shoh efektin që ka një ndryshim në cilësime pa pasur nevojë të heq syrin nga inkuadruesi.

"Nëse më duhet të reagoj shpejt kur fotografoj kafshë të egra, ose ndoshta drita po ndryshon vazhdimisht, unë mund të rregulloj shpejt ISO ose shpejtësinë time të shkrehësit dhe mund të shoh se si do të duket fotografia."

Një ilustrim i prerë i një inkuadruesi elektronik.

Inkuadruesi elektronik (EVF) në një kamerë pa pasqyrë përdor një variant kompakt, me rezolucion të lartë të së njëjtës teknologji ekrani si ekrani LCD në pjesën e pasme të kamerës. Një avantazh i kësaj është se ju mundëson të shihni atë që shikon kamera, edhe në kushte shumë të errëta ku syri i lirë e ka të pamundur të dallojë gjë.

Një ilustrim në prerje që tregon itinerarin e dritës brenda një DSLR, reflektuar nga një pasqyrë lart në një pentaprizëm dhe më pas në inkuadrues.

Pasqyra në një DSLR reflekton dritën deri te inkuadruesi optik nëpërmjet një pentaprizmi, kështu që figura është në drejtimin e duhur. Një avantazh i kësaj është se është e menjëhershme. "Me një inkuadrues elektronik, gjithmonë do të ketë një vonesë të natyrshme," - thotë Mike. "Inkuadruesit DSLR punojnë me shpejtësinë e dritës – nuk mund të shkosh më shpejt se aq."

Cilësia e figurës: a nxjerrin foto më të mira kamerat pa pasqyrë?

"Shkrepja e imazheve duke përdorur të dy sistemet nuk është rrënjësisht e ndryshme kur bëhet fjalë për cilësinë konkrete të figurës përfundimtare, por çdo gjë tjetër rreth saj është ajo që bën vërtet dallimin," - thotë Mike.

"Për shembull, me mbërthyesen RF, një nga të mirat e komunikimit me shpejtësi të lartë midis objektivit dhe kamerës është se kur keni probleme optike si shpërhapja dhe aberracioni, ne mund të bëjmë korrigjimin e tyre në kamerë në kohë reale. Ky përpunim i menjëhershëm do të thotë që në disa mënyra ju në fakt po merrni cilësi më të mirë të imazhit nga kamerat e reja."

Ngjashëm, në disa situata, kamerat pa pasqyrë, si p.sh. EOS R7 me shpejtësinë e regjistrimit të vazhdueshëm deri në 15fps duke përdorur shkrehësin mekanik dhe 30fps duke përdorur shkrehësin elektronik me gjurmim të plotë automatik, kanë më shumë gjasa të prodhojnë imazhe të përdorshme në mënyrë të qëndrueshme sesa EOS 7D Mark II ose EOS 90D, ku të dyja kanë një shpejtësi maksimale regjistrimi të vazhdueshëm prej 10fps.

Një pamje e ekranit LCD të një Canon EOS R8, që tregon fotografin duke regjistruar një video të bimëve në vazo.

Kamerat më të fundit pa pasqyrë si EOS R8 përfshijnë veçori të avancuara për krijuesit e përmbajtjes si video 4K 60p me gjurmim inteligjent të subjektit – diçka që nuk ofrohet në DSLR si EOS 7D Mark II apo EOS 90D.

Vetëfokusimi: kamera pa pasqyrë apo DSLR

Kamerat pa pasqyrë të EOS R System, duke përfshirëEOS R5, EOS R6 Mark II, EOS R8, EOS R7 dhe EOS R10, përdorin sistemin më të fundit të vetëfokusimit Dual Pixel CMOS AF II të Canon, në të cilin çdo piksel në sensor përdoret për fokusim dhe imazhe, krahasuar me sensorin me pikasje faze me bazë pike specifike që fokusohet përmes inkuadruesit për kamera të tilla si EOS 7D Mark II dhe EOS 90D.

Një nga avantazhet e mëdha të këtyre kamerave pa pasqyrë është aftësia për të zgjedhur një pikë AF kudo brenda kuadrit. "Kjo është e pamundur te DSLR," - shpjegon Mike, - "dhe lejon gjithashtu mundësi të tilla si gjurmimi i fytyrës, gjurmimi i syve dhe gjurmimi i kafshëve që shohim në këto kamera. Për shembull mund të kapni syrin e një zogu në fluturim dhe ta ndiqni atë rreth kuadrit - përsëri diçka që është e pamundur për një DSLR.

"Pavarësisht këtyre, disa DSLR profesionale kanë një qark të veçantë fokusimi, kështu që megjithëse sistemi i përgjithshëm i vetëfokusimit mund të jetë i kufizuar në krahasim me kamerat më të reja pa pasqyrë, ai gjithashtu mund të jetë më i shpejtë në situata të caktuara falë atij qarku të dedikuar AF."

Ekrani i një Canon EOS R7 që tregon pikën e vetëfokusimit në syrin e një zogu grabitqar në një degë.

Shkrehësi i shpejtë elektronik dhe vetëfokusimi me gjurmim i syve të kafshëve që vjen në kamerat më të fundit pa pasqyrë si EOS R7 dhe EOS R10 janë ideale për të gjitha nivelet e fotografëve. "Për një fotograf të faunës së egër është shumë interesante të jesh në gjendje të gjurmosh syrin e një kafshe," - thotë specialistja e faunës së egër, Dani Connor. "Ka hapur mundësi të reja për mua që nuk ishin të mundshme si përdorues i DSLR."

Shkrehësi mekanik apo elektronik

Disa DSLR - veçanërisht EOS 90D dhe EOS-1D X Mark III - kanë shkrehës elektronikë përveç atyre mekanikë, por zakonisht DSLR-të kanë shkrehës mekanikë. Të gjitha kamerat pa pasqyrë të EOS R System të Canon, nga ana tjetër, i kanë të dy llojet e shkrehësve.

Me një shkrehës elektronik, shkrehësi mekanik fiksohet i hapur dhe sensori i figurës në thelb lexohet në formë elektronike. Avantazhi më i madh i kësaj është se shkrepja mund të jetë plotësisht e heshtur – jo vetëm më e qetë, me shkrehës të zbutur apo mbytur siç ndodh kur zgjidhni opsionin S (regjistrimi "i zbutur") që vjen në disa kamera, por krejtësisht pa zhurmë. Kjo mund të jetë e paçmueshme, për shembull, kur fotografoni kafshë të egra nervoze, foshnja në gjumë ose pjesë të qeta të dasmave.*

Shkrehësit elektronikë mundësojnë gjithashtu shkrepje më të shpejtë të vazhdueshme. "Me shkrehësit mekanikë," - thotë Mike, - "më e shpejta e mundshme në kamerat tona DSLR ishte 16fps [kuadro në sekondë] me EOS-1D X Mark III, një kamerë profesionale e nivelit të lartë. Me shkrehësit e vet elektronik, EOS R10 mund t'ju japë opsionin për deri në 23fps për çmim shumë më të vogël, ndërsa EOS R7 mund të shkrepë me 30fps, që përputhet me shpejtësinë e EOS R3, një kamerë tjetër profesionale, por me një të tretën e çmimit."

Megjithatë, fenomeni i "rrotullimit të shkrehësit" mund të jetë problem kur fotografoni aksionin me shkrehës elektronik - objektet me lëvizje të shpejtë si p.sh. një shkop golfi që vërvitet ose një helikë që rrotullohet mund të lëvizin në kohën që duhet për të lexuar të gjithë kuadrin, duke i nxjerrë ato të shtrembëruara në imazhin përfundimtar. Fenomeni është reduktuar shumë në kamerat më të fundit pa pasqyrë, por shkrehësi mekanik rekomandohet për shkrepjen e veprimeve me lëvizje të shpejtë.

Regjistrimi me shkrehës elektronik në disa ndriçime artificiale, veçanërisht dritat fluoreshente, mund të jetë problematik nëse drita është jashtë fazës me shkrehësin. Për arsye të ngjashme, përdorimi i blicit me shkrehës elektronik mund të rezultojë në ekspozim të pabarabartë në të gjithë kornizën.

Një pamje nga afër bardhezi e një fëmije që shikon për poshtë i përqendruar.

Fotografja familjare, Helen Bartlett, e konsideron të vyer mundësinë e shkrepjes në heshtje të plotë me kamerat e saj EOS R System. Për shkak se eviton shpërqendrimin e subjekteve të saj të vegjël nga zhurma e shkrehësit apo edhe zgjimin e tyre nëse janë në gjumë, ajo mund t'i shkrepë në situata më natyrale. Shkrepur në Canon EOS R5 me objektiv Canon RF 50mm F1.2L USM në 1/1000 sek, f/1.2 dhe ISO100. © Helen Bartlett

Jetëgjatësia e baterisë: DSLR apo pa pasqyrë

Thuhet shpesh se DSLR-të kanë jetëgjatësi më të madhe të baterisë se kamerat pa pasqyrë, kryesisht për shkak se inkuadruesi elektronik i një kamere pa pasqyrë kërkon energji ndërsa inkuadruesi optik i një DSLR nuk përdor të tillë. Megjithatë, në praktikë, jetëgjatësia e baterisë varet shumë nga mënyra se si e përdorni kamerën - përdorimi i blicit, për shembull, do të konsumojë më shumë energji në të dy llojet e kamerës, ndërsa përdorimi i ekranit LCD në një DSLR zakonisht konsumon më shumë energji sesa përdorimi i ekranit LCD në një kamerë pa pasqyrë. Një DSLR e rangut të mesëm si EOS 90D nxjerr 1,200 ose më shumë poza me inkuadrues dhe 450 me LCD, ndërsa EOS R6 Mark II pa pasqyrë nxjerr 450 poza me inkuadrues elektronik ose 760 me LCD.

Dallimi është edhe më i madh në nivelin profesional: nëse i përmbaheni inkuadruesit në EOS-1D X Mark III, për shembull, mund të shkrepni 2,500 imazhe para se bateria të mbarojë, por kjo bie në 600 imazhe nëse mbështeteni në Live View, krahasuar me 620 shkrepjet e EOS R3 pa pasqyrë me inkuadrues dhe 860 me LCD. Pra, nëse preferoni të përdorni ekranin e pasmë LCD, kamerat pa pasqyrë mund t'ju japin më shumë foto me një karikim të vetëm.

Pa pasqyrë apo DSLR: zgjedhja mes tyre

Të dy kamerat pa pasqyrë dhe DSLR kanë pikat e tyre të forta dhe të dobëta. Cila është më e mirë për ju varet kryesisht nga lloji i fotografisë që bëni dhe avantazhet që dëshironi të keni kur përdorni kamerën/objektivin e zgjedhur.

Nëse dëshironi një kamerë peshëlehtë me shpejtësi të lartë të kuadrove për fotografimin e udhëtimeve, atëherë një kamerë pa pasqyrë si EOS R10 mund të jetë ideale. Nëse dëshironi të përdorni objektivat RF të gjeneratës së re, atëherë EOS R System pa pasqyrë është për ju, me përfitime të mëtejshme, mes të cilave korrigjimi i imazhit në kamerë dhe performanca e gjurmimit AF, plus aftësia për të përdorur objektivat tuaj të preferuara EF falë gamës së adaptorëve EF-EOS R.

Nëse dëshironi ta shqyrtoni pamjen në inkuadrues me cilësimet e shkrepjes të zbatuara, atëherë do t'ju bëjë punë inkuadruesi elektronik i një kamere pa pasqyrë – por Live View në ekranin e pasmë LCD të një DSLR do të bëjë të njëjtën gjë, ndërsa inkuadruesi optik i një DSLR eliminon edhe vonesën më të vogël të figurës së EVF-ve më të shpejta në kamerat pa pasqyrë, si dhe siguron jetëgjatësi të mëtejshme të baterisë.

Funksionet e avancuara të vetëfokusimit Animal Eye AF dhe Vehicle AF ofrohen vetëm në kamerat më të fundit të EOS R System, por qarku i dedikuar AF në DSLR-të profesionale mund të jetë më i shpejtë. Kamerat e EOS R System ju japin lirinë të shkrepni ose me shkrehës elektronik, ose mekanik, ndërsa shumica e kamerave DSLR kanë vetëm shkrehës mekanik. Nëse shkrepja plotësisht e heshtur është jetike për ju dhe nuk fotografoni veprime me lëvizje të shpejta ku rrotullimi i shkrehësit mund të bëhet problem, atëherë do të përfitoni nga opsioni i një shkrehësi elektronik.

Nga ergonomia te vetëfokusimi, lloji e deri te shpejtësia e shkrehësit, provoni kamerën që ju intereson, nëse mundeni – ndjesia personale se si ju përshtatet nuk ka të zëvendësuar.



* Mund të nxirren tinguj të tjerë veç shkrehësit (apertura, tingulli i lëvizjes së objektivit të fokusit dhe tingulli elektronik etj.).

Amy Davies & Alex Summersby

Produktet e lidhura

  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R100

    Krijoni kujtime të përsosura vizuale në cilësi të jashtëzakonshme me këtë kamerë intuitive EOS R që është gjithnjë gati.
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R50

    Krijoni përmbajtjen më tërheqëse me këtë kamerë EOS R pa pasqyrë, nga fotot e mprehta deri te filmat 4K dhe transmetimet e drejtpërdrejta. Të gjitha në një pajisje të dedikuar.
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R10

    Kryeni hapat tuaja të radhës në fotografi dhe video me një kamerë pa pasqyra EOS R System të krijuar rreth një sensori madhësie APS-C.
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R7

    Eksploroni natyrën me një kamerë që vjen me shpejtësi dhe cilësi sensacionale figure në një trup portativ APS-C të projektuar për të ardhmen.
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R8

    Kaloni në fotografinë dhe videon kuadërplotë dhe realizoni ambiciet tuaja krijuese.
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS R6 Mark II

    Foto apo video, aksion apo portret – ndërthurja e rendimentit me cilësinë e figurës te Canon EOS R6 Mark II jua lë të lirë krijimtarinë
  • Kamerat pa pasqyra

    EOS RP

    Një kamerë pa pasqyrë, e vogël, e lehtë dhe intuitive me kuadër të plotë, e projektuar për fotografinë e përditshme dhe të udhëtimeve.
  • Kamera DSLR

    EOS 90D

    Një DSLR me funksione të plota që ju shpie më pranë, ju mundëson të shkrepni më shpejt dhe të nxirrni foto mahnitëse 32,5-megapikselëshe.
  • Kamera DSLR

    EOS 6D Mark II

    Pavarësisht nëse dëshironi të realizoni projekte më ambicioze apo po bëheni më profesionist në fotografinë tuaj, kamera EOS 6D Mark II ju jep atë që ju nevojitet për të hedhur ata hapa të tjerë emocionues.

Artikuj të ngjashëm

  • TEKNOLOGJIA

    Shpjegimi i APS-C krahasuar me kuadërplotat

    Cila është diferenca midis kamerave APS-C dhe kuadërplota, dhe cila është e duhura për ju?

  • PARIMET BAZË TË FOTOGRAFISË

    Si të zgjidhni një objektiv

    Gjithçka që duhet të dini rreth objektivave, nga llojet e objektivave deri te veçoritë që duhet të keni parasysh.

  • UDHËZUESI I BLERJEVE

    Kompleti më i mirë për profesionistët e ardhshëm

    Tre përfaqësues nderi të Canon diskutojnë për kamerat dhe objektivat më të mirë për ata që janë në hapat e parë në këtë sektor.

  • KOMPLETI

    Pse EOS R System është një përmirësim që të ndryshon karrierën

    Kamerat dhe objektivët Canon EOS R kanë përmirësuar punën e fotografëve për pesë vjet. Zbuloni personalisht se pse profesionistët e kanë bërë këtë ndryshim.